Monday, April 16, 2007

Taksa e sheshtë e Berishës, sjell varfëri

Tiranë- Me siguri që taksa e sheshtë në pagën e kryeministrit nuk do të ketë efekt negativ përvec se heqjes së vetëm 10% të saj. Por për rrogat e tjera, nga minimale deri tek ato mesatare ky efekt do të jetë shumë herë më i ndjeshëm. Ndonëse qeveria ka deklaruar më së fundi vullnetin për të rritur pagat minimale, kjo në të vërtetë nuk do të jetë aspak një rritje për arsyen e thjeshtë se tatimi rritet në një vlerë prej 10 përqind për të gjitha pagat. Duke tatuar njësoj, me 10% edhe pagat e larta por edhe ato të ulta, kryeministri pretendon se po aplikon taksën e sheshtë. Në fakt kjo taksë nuk është vecse taksa e varfërimit. Taksimi me 10% i një page prej 20 mijë lekësh të reja është shumë, ndërsa nuk është efekt i njëjtë në pagën prej 2 milionë lekësh të vjetra të pagës së kryeministrit. Megjithatë, qeveria ka deklaruar gjithë vullnetin të nisë aplikimin e kësaj takse në të ardhurat. Kjo duket sepse deputetët e partisë në pushtet, duke dëgjuar fjalimet direktiva të kreut të qeverisë i shkojnë nga pas me projektligje të tipit të paraqitur nga Blerim Cela dhe Aleksandër Biberaj për vendosjen e taksës së sheshtë edhe në sektorin e ndërtimit. Në prezantim të parë me qëllimin për të shmangur abuzimet që bëhen në këtë sektor, por e thënë hapur edhe për të aplikuar taksën e varfërisë, efektet e të cilës do të ndihen shumë më tepër në familjet me të ardhura të pakta por edhe në ato me të ardhura të mesme.

Relacioni:Ndryshimi,per aplikim te takses se sheshte

Tiranë- Propozimi i bërë nga dy deputetët demokratë për ndryshimin e taksës së kalimit të pronësisë bëhet në kuadër të zbatimit të taksës së sheshtë. Kjo lexohet qartë në relacionin që i është bashkangjitur projektligjit, të kaluar në mënyrën më të fshehtë në komisionin e Ekonomisë edhe më parë varianti nuk është parë dhe nuk ka marrë mendimin e qeverisë. Ky duhet të ishte mëse i domosdoshëm për faktin e thjeshtë dhe të vetëm se ndryshimi i taksës së kalimit të pronësisë ka efekte të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit. Megjithatë projektligji është tashmë gati për t'i kaluar seancës parlamentare. "Në kuadrin e implementimit të parimit të taksës së sheshtë, është parashikuar qe edhe tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme të barazohet me tarifën e tatimit mbi të ardhurat e tjera personale që taksohen me 10 përqind sikurse janë tatimi mbi interesat, dividentët, qeratë, të drejtat e autorit etj". Në relacionin e projektligjit, dy deputetët që kanë marrë përsipër propozimin e ndryshimit të taksës së kalimit të pronësisë, "betohen" se kjo bëhet në zbatim të vendimit të qeverisë për aplikimin e kësaj takse të sheshtë. Kjo sipas tyre do të sjellë shmangien e abuzimeve në sektorin e ndërtimit, "njohja si shpenzime të zbritshme të biznesit e vlerës së sipërfaqes së truallit që përdor shoqëria dhe taksimi konform ligjit edhe i asaj pjese të sipërfaqes që përfitohet nga pronarët e truallit". Në këtë pikë konsistonte edhe fjalimi i pak kohëve më parë të kryeministrit Berisha, për të justifikuar aplikimin e taksës së sheshtë edhe në këtë sektor, me siguri jo si një mënyrë për të shmanguar abuzimet, ashtu sic thuhet.

Projektligji - trajtim selektiv Qeverisë

Tiranë- Ka mjaftuar një fjalim i kryeministrit Berisha, që deputetët e tij të vihen në lëvizje për të hartuar një projektligj. Ky është shpjegimi i vetëm për ndryshimet që kërkohen të bëhen në taksën e kalimit të pronësisë. Jo më larg se 28 Marsi i këtij viti, kreu i qeverisë ka deklaruar se ndërtimi është një prej sektorëvë më informalë në vend, duke paralajmëruar masat që do të vinin më pas. "Lufta kundër kontrabandës është vetëm një aspekt i kësaj lufte që duhet të zhvillohet në çdo sektor. Ky vit është përcaktues i suksesit të qeverisë në luftën kundër informalitetit Ka informalitet në sektorë kryesore të ekonomisë. Informaliteti është i pranishëm në sektorin e ndërtimeve. Ka ndërtues, të cilët e blejnë tokën me 1 milionë $ sipërfaqen dhe mbushin dokumenta fallco sikur e kanë blerë me 40 mijë $ dhe këtë e bën për ti shpëtuar tatimeve të pronarit që u shiti tokën, duke mos folur pastaj për shitjet që kapin shifrën 1000 apo 1500 euro për metër katror, duke plotësuar dokumenta sikur shiten me 500 apo 600 euro për metër katror. Ky fenomen nuk është në shumicë, por mund të ndodhë në të ardhmen, duke dëmtuar ndërtuesit e ndershëm". Pas kësaj, vjen nisma e dy deputetëve të maxhorancës që kërkojnë të vënë kontrollin mbi këtë sektor, duke filluar nga taksa që paguan pronari i tokës kur ia jep një firme ndërtimi. Madje vetë qeveria do të vendosë edhe cmimet. Të paktën këtë tenton të bëjë projektligji, duke cuar të tjera kompetenca dhe njëherësh edhe para në duart e qeverisë. Llogaritjet do të jenë në dorë të saj, me vendosjen e cmimeve dhe kjo do të thotë trajtim selektiv për një pjesë të bizneseve të ndërtimit.

No comments: