Saturday, October 20, 2007

Loja e ndryrë e "Lejimit të shpifjes"

Na dha haberin kryeministri, se e ka gati projektligjin për të hequr, "nga Kodi
Penal", dënimin e gazetarëve për shpifje, dhe kur shpifja bëhet ndaj një njeriu
të zakonshëm, jo nëpunës i shtetit. Nuk synon ky ligj të mbrojë gazetarët e
ndershëm.

Nano Berisha
Ky ligj synon të lërë qytetarin krejt të pambrojtur nga sulmet e
gazetarëve shpifarakë-nuk u dëgjua asnjë ndryshim në Kodin Civil, që të
garantohet mbrojtja e qytetarit! Skuadrat e Shpifarakëve të berishizmit, të
quajtur "gazetarë", do të marrin licencën për të shpifur, duke i shkatërruar
jetën kujtdo-viktimat lihen pa asnjë mbrojtje ligjore, si në një vend ku nuk
ekziston shteti. Viktimat kryesore do të jenë kundërshtarët politikë.

Është e vjetër kërkesa e perëndimorëve për të kaluar sanksionet kundër shpifjes,
nga Kodi Penal, tek ai Civil. Por perëndimorët nuk kanë thënë asnjë moment që
qytetarët të mos mbrohen nga shpifja, por të kundërtën. Ja një citim nga sa i
kanë shkruar qeverisë sonë: "Shqipëria duhet të heqë shpifjen nga Kodi Penal,
por duke e zëvendësuar me amendimet e nevojshme të Kodit Civil", e më tej, ata
theksojnë se qytetarët e zakonshëm nuk duhet ta kenë të vështirë të mbrojnë të
drejtat e tyre kundër shpifjeve që mund t'u bëhen, duke u bazuar në Kodin Civil.
Kurse tani, berishizmi i lë qytetarët shqiptarë krejtësisht në mëshirën e
shpifësve-asnjë amendament në Kodin Civil, që aktualisht ka veç një gjysmë neni
(të nenit 625) që përdoret kundër shpifësve, e që natyrisht duhet amenduar e
saktësuar, që gjykimet të jenë më efektshme.

Është naivitet i skajshëm të besosh se berishizmi e ka hallin tek "liria e
shtypit". Nuk ka ndërruar në përmbajtje, nuk ka ndërruar nga mentalitetet e
burgosjes, djegies etj. të shtypit. Me ligjin e shpifjes, berishizmi do që t'u
japë shumë vetëve licencën për të shpifur. Kjo do t'i lejonte atij që të
krijonte "skuadrat e shpifarakëve", institucione të tëra shpifje, që do t'ia
kishin zili organet e propagandës naziste, apo staliniste-as ata, Hitleri,
Stalini etj., nuk patën arritur deri këtu, sa të heqin edhe mbrojtjen formale të
njerëzve nga shpifja. "Gjuha kocka s'ka, por kocka thyen," thotë një fjalë e
urtë. E berishizmi do t'u "thyejë kockat" kundërshtarëve, duke lejuar shpifjen.

Berishizmi tentoi ta rregullonte ndryshe, që të tijtë të shpifnin, e mos t'i
gjente gjë, po nuk ia arriti-e ai ka ngut. Provoi të futë nën thundrat e tij,
Prokurorinë, Gjykatat, por ja që ngeci. Tani situata po i rëndohet, edhe
deputetët e tij nuk po e durojnë dot, e po i rebelohen. Nuk pret dot sa të ikë
presidenti Moisiu, të vërë një president kukull, e të nënshtrojë pastaj edhe
Prokurorinë, edhe Gjykatën-shpifja i duhet tani, në moment. Ah sa mirë do të
ishte po t'i kishte shtënë në dorë Gjykatën dhe Prokurorinë, se me ta nën
komandë, nuk kishte nevojë për ligje të lejimit të shpifjes: thjeshtë i
urdhëronte, dhe asnjë ligj nuk zbatohej, si vaktit-mund të shpifje, të rrihje,
të digjje për berishizmn, e kurrgjë s'të gjente.

Pra, nuk e do për vete personalisht ligjin, kryetari i berishizmit, kryeministri
aktual, e do për gazetarët e tij shpifarakë. Ai, me ligjin në fuqi, ka shpifur
sa ka dashur. Civilizimi shqiptar i shekullit të XXI-të, nuk ka arritur të
zbatojë ligjet, konkretisht të marrë si të pandehur, dhe pastaj edhe të dënojë
si shpifës, njerëzit e një niveli të caktuar në hierarkinë shtetërore, apo të
biznesit.

Shpifësit i duhen berishizmit tamam tek masmedia, sepse ajo mund të përdoret me
efikasitet për shpërndarjen e shpifjes anë e mbanë. Skuadrat e shpifarakëve, të
përbëra nga "gazetarë", do të përcjellin shpifjet që do të fabrikohen në stanin
e shpifarakëve të berishizmit.

Mendoni kur gazetat e televizionet berishiste të buçasin me sajime për "gjyshet,
motrat, nënat putana, lesbike, hajdute etj.", për "gjyshat, baballarët, djemtë
hajdutë, vrasës, pederastë, kurvarë, impotentë etj. etj.", të gjitha këto të
thëna edhe për njerëz që nuk kanë asgjë prej sa u shpifet. Do të sulmohen
thjeshtë se diku ia kanë prishur vizën berishizmit.

Por kur të hapet loja e shpifjeve, ajo do të jetë pronë jo vetëm për luftën
politike, por edhe për goditje "për motive të ulëta", pra "ordinere". Do të
bëhet një kasaphanë e vërtetë, më keq se për pronat, për gjaqet, për moral etj.,
ku ka ligje, por shteti nuk është efikas në dënimin e fajtorëve. Heqja e
ligjeve që mbrojnë qytetarin nga shpifja, do të rrisin rastet e vetëgjyqësisë.
E dihet se tek ne, vetëgjyqësia konkretizohet në përdorimin e mjeteve të
ndryshme, që nga kallashnikovi e thikat, e deri tek grushtet. Të shkretët
gazetarë se ç'po u përgatit berishizmi.

Kuvendi, Shqipëria nuk duhet të kalojë një ligj të tillë. Duhet thjeshtë të
kalojë shpifja, nga Kodi Penal, tek ai Civil, dhe kaq. Nuk i duhet lënë në dorë
berishizmit, që ta bëjë çorap Shqipërinë.


Bashkim Kopliku
5.5.2007

No comments: