Pas tre vjet e gjysmë qeverisje dhe tenderimesh kryeministri i vendit merr vendimin që nga 1 janari i 2009 të gjitha prokurimet do të jenë elektronike, duke deklaruar se kjo do të jetë lufta dhe arma e vetme ndaj korrupsionit me tenderët. Në fakt, kryeministri shqiptar pasi i grabiti për tre vjet e gjysmë rresht shqiptarët me tenderime të drejtpërdrejta, me prokurime dhe me tenderë, ku miqtë dhe klani i tij familjar i kanë marrë në mënyrë të dhunshme paratë e taksapaguesve rikthehet në mënyrën më hipokritetë mundshme. Në fjalën e tij Sali Berisha tha se, “është detyrim madhor i çdo zyrtari para qytetarëve që të kuptojë se paratë e taksapaguesve duhet të përdoren në mënyrën më të ndershme. Me këtë ne bëjmë jo vetëm një hap shumë të madh drejt një niveli të ri transparence, u shpreh Kryeministri, por drejt një niveli të ri në lirinë e tregut sepse i japim mundësi konkurrencës së ndershme, konkurrencës së lirë, parandalojmë ndikimin e pandershëm të burokracisë zyrtare në rregullat e lojës. Kryeministri theksoi se prokurimi elektronik i jep përgjigjen më të mirë klientelës duke e zhdukur atë, e cila është një faktor shumë i dëmshëm në të gjitha aspektet. Kryeministri u shpreh se qeveria po procedon me reforma të thella në prokurimet publike, taksa dhe tatime dhe në regjistrimin e biznesit, licencave dhe lejeve”. Është e çuditshme se si kryeministri shqiptar ka kurajën që të deklarojë para shqiptarëve nga 1 janari i 2009 nuk do të ketë më korrupsion me tenderët. Në fakt ky kryeministër vazhdon të mashtrojë si dhe i jep të drejtë vetes që edhe këto tre muaj të grabisë nëpërmjet tenderimeve dhe rialokimeve të fondeve në fundvit. Mashtrimi i Sali Berishës, fillon me faktin se kryeministri i Shqipërisë ka sot administratën më të penalizuar dhe të korruptuar të cilët kanë abuzuar me tenderimet në këto tre vite qeverisje. Kështu, nën hetim është ministri Lulëzim Basha, i cili ka qenë organizatori i manipulimit të tenderit Rrëshen-Kalimash. Nën ndjekje penale është edhe drejtori i Gjendjes Civile dhe ish zëvendës ministri i Bashës, Armand Teliti. Nën hetim është drejtori i sotëm i rrugëve Andi Toma, edhe ky i përfshirë në tenderin Rrëshen-Kalimash dhe korrupsion me disa tendera të tjerë. Lejla Saraçi, ish-drejtoreshë e rrugëve dhe këshilltare pranë ministrit Olldashi, vazhdon të jetë nën hetim për shpërdorim detyre në tenderimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Gjatë qeverisjes së Berishës janë dhjetëra kallëzime penale të KLSH pranë prokurorisë, për korrupsionin dhe abuzimet me tenderët që këta zyrtarë kanë kryer në institucionet përkatëse. Për më shumë në të gjitha tenderimet e qeverisë Berisha kemi një qark të mbyllur të fituesve të cilët janë financuesit e fushatave të tij, janë miqtë e tij më të ngushtë si dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me njerëzit familjes Berisha. Por në fakt kush janë emrat më të dyshimtë dhe tenderët më të dyshimtë dhe kush janë vlerat e tyre reale. Kështu Rruga Rrëshen-Kalimash është në top-listën e korrupsionit të Sali Berishës. Tenderi i kësaj rruge është zhvilluar në territorin shqiptar me një ligj të çuditshëm anglez, ku fituese del firma Enka-Bechtel, firmë e sjellë nga këshilltari amerikan i Berishës dhe miku i Berishës Fazlliç. Kjo firmë ka fituar një tender pa projekt teknik dhe akoma nuk ka dalë kostua reale e këtij objekti. Deri tani në këtë rrugë është e sigurt që do të hidhen rreth 65 milionë euro dhe pritet që të shkojë në 1 miliardë pasi kjo firmë kërkon çdo ditë shtesa fondesh pasi nuk ka një projekt që përcakton se kush do të jetë vlera përfundimtare e këtij objekti. Ky investim është kamufluar si një korrupsion patriotik nga ose më mirë grabitje patriotike nga banda mafioze e Sali Berishës. Korrupsioni i dytë tenderues i qeverisjes Berisha është rruga Kalimash-Morinë ku pas papërgjegjshmërisë së ministrit Lulzim Basha firmat që kishin fituar ndërtimin e kësaj rruge morën përsipër ndërtimi e korsisë së dytë, korsi e cila u fitua pa tender por me vendim gjykate nga firmat që e ndërtuan. Ky punim u i kushtoi taksapaguesve shqiptarë rreth 57 milionë euro të patenderuar dhe asnjë nga përgjegjësit e kësaj afere nuk ka shkuar në dyert e prokurorisë dhe as kjo e fundit nuk ka nisur asnjë lloj hetimi. Kështu, në fund të vitit 2007 ministri Olldashi kreu 100 milionë euro tenderime, të cilat u kryen nga data 20 deri në ditët e fundit të vitit ku janë shkelur të gjitha procedurat e thesarit të shtetit dhe ligjit të prokurimeve publike. Gjithashtu gjatë qeverisjes Berisha, kemi një implikim të qartë të tenderëve dhe parashikim të fituesve, të cilët janë të lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me Sali Berishën kështu firma Alpine, e cila ka për administratore zonjën Blegina Agolli, kunata e Fari Balliut, ka marrë rreth 80 milionë euro tenderime. Ndërkohë që shumë firma të tjera që kanë për konsulent Argita Malltezin kanë marrë tenderë me vlera të larta ashtu siç është firma sllovene SCT, një firme dyshimtë dhe e lidhur me qarqe serbe. Kjo firmë ka marrë terminalin e Portit të Durrësit me vlerë 22 milionë euro duke nxjerrë jashtë loje firmën Al Kharaff. Të dyjat firmat, Alpine dhe SCT, janë të lidhura me konflikt të drejtpërdrejtë interesi me Sali Berishën dhe kanë bashkëpronarë serbë. Po të marrim listën e tenderimeve dhe të prokurimeve të drejtpërdrejt, Sali Berisha ka dhënë autorizime prokurimesh të drejtpërdrejta në KESH, dhe shumë sektorë të vendit. Sali Berisha është koka e korrupsionit në Shqipëri dhe pavarësisht maskës antikorruptive që kërkoi të mbivendosë në fytyrën e tij, ai ngelet njeriu që ka masakruar ekonominë shqiptare nëpërmjet monopolizimeve të saj dhe kapjes së shtetit nga ai dhe miqtë e tij. Butaforia e Berishës është kokë e këmbë një mision i dështuar i tij, mision i pamundur që dështoi nga babëzia e Sali Berishës dhe familjes së tij.
Dosjet e UDB na mbajnë peng kryeministrin
Çudia që po ndodh këto ditë nuk ka lidhje me Fazlliç si person mafioz apo jo, si i korruptuar apo jo, si vrasës apo jo, çudia më e madhe po ndodh me një fakt shumë të rëndë, me përfshirjen e kryeministrit të vendit me njerëz që kanë lidhje të ngushta me shërbimet sekrete serbe. Sipas të dhënave nga mediat rezulton se biznesmeni Damir Fazlliç, rezulton të jetë nipi i një ga shefave më famëkeqë të shërbimeve sekrete jugosllave, Jovica Stanishiç. Sipas mediave miku i Berishës, me të cilin kryeministri u krenua në parlament, jo vetëm është një njeri i afërt me klanin e Zemunit, po njëkohësisht edhe djali i motrës së famëkeqit, Stanishiç i cili po gjykohetnga Haga për krime kundër njerëzimit. E ëma e tij, Jovanka është motra e Stanishiç dhe ka punuar si sekretare e të vëllait deri nga fundi i viteve ‘80-të, kur familja u shpërngul dhe emigroi në Londër. Lidhja e afërt klanore me njeriun më të pushtetshëm të regjimit të Sllobodan Millosheviçit, shpjegon arsyen pse Fazliç rezulton si një ndër biznesmenët me rrjetin më të gjerë dhe më të fuqishëm të njohjeve në Ballkan. Mediat boshnjake, që prej vitesh kanë investiguar aktivitetin e tij, pretendojnë se Fazliç është shndërruar në një nga njerëzit më të pushtetshëm në rajon pikërisht për faktin e përdorimit të dosjeve sekrete të UDB-së, shef i të cilit për vite me radhë ka qenë daja i tij, Stanishiç. Lidhjet e Berishë me UDB i ka deklaruar pak ditë më parë edhe vejusha e diktatorit Hoxha, e cila ka deklaruar në media se Berisha ka pasur vjehrën agjente të UDB. Pra kemi një lidhje të çuditshme midis Berishës dhe Stanishiç, Berisha dhe vjehra e tij, sipas Hoxhës agjente e UDB. Mos vallë kryeministri shqiptar na del i mbërthyer nga agjenturat serbe. Faktet e fundit mesa duket e implikojnë rëndë kryeministrin shqiptar, për më shumë ardhja pompoze dhe e dhunshme e Fazlliç ditën e djeshme konfirmon faktin që kryeministri shqiptar është peng i dosjeve të Stanishiçit. Kush është Stanishiç? Jovica Stanishiç drejtoi Shërbimin Sekret Serb midis viteve 1991 dhe 1998. Ai akuzohet nga Tribunali i Hagës për vrasjen e kroatëve dhe myslimanëve në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci gjatë konfliktit të viteve 1992-1995. Ndërkohë që cilësohet si arkitekti i masakrave më të përgjakshme ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Stanishiç është një nga kriminelët më të urryer nga kosovarët, për shkak se ai ka ideuar vrasjet e qindra-mijëra shqiptarëve duke dhënë urdhra direkt për shfarosjen në masë të tyre e dëbimin etnik nga territoret. Berisha e kam mik Fazlliçin Kryeministri Berisha pohoi publikisht dy ditë më parë në Kuvend miqësinë e tij dhe të familjarëve të tij me nipin e Stanishiçit, Damir Fazliç. Duke shprehur gatishmërinë për t’u ballafaquar me opozitën për akuzat që i janë ngritur në lidhje me këtë miqësi, Berisha shtoi se në këtë përballje ai do të sillte në Parlament dhe vetë Fazliç për të zbardhur të gjitha të vërtetat e dosjeve të politikanëve të së majtës. “Kam dosje, filmime të vërteta, fotografi të vërteta, prandaj mos më ngacmoni”, - ishte deklarata kërcënuese që Kryeministri Berisha lëshoi ndaj opozitës shqiptare. Nexhmije Hoxha: Vjehrra e Berishës, agjente e UDB Ndër të tjera e veja e Hoxhës sqaroi edhe faktin pse nuk kishin marrë kardiologun Sali Berisha në grupin e mjekëve të Enver Hoxhës. Ajo sqaroi se propozimi për përfshirjen e kardiologut Sali Berisha pranë grupit të mjekëve të Enverit e bëri Hysni Kapo. Në fakt, rrëfen Nexhmije Hoxha, ne kërkuam se kush ishin kandidaturat e tjera dhe Hysni Kapo prezantoi dhe Ylli Popën. Kandidatura e Ylli Popës u pa e arsyeshme sipas familjes Hoxha pavarësisht faktit se kishte bashkëshorten rumune. Ndërkohë që kur dëgjuan propozimin për Sali Berishën, Nexhmija deklaroi se e kontestuan kandidaturën e tij për arsye se ai kishte vjehrrën agjente të UDB, shërbimeve famëkeqe sekrete të asaj kohe. “Saliu në shtëpinë tonë është futur nga dera e pasme. Ai ishte një komunist fanatik. Bënte të pamundurën edhe atëherë që nëpërmjet zellit të tepruar të tentonte të vinte në pushtet”.