Tiranë- Ka vetëm një ndryshim. Atëherë tema e fjalimeve ishte centralizimi i pushtetit, kurse tani e kundërta. Por fjalimet mbi burokracinë nuk ndryshojnë aspak. Në vitin 1966 Enver Hoxha deklaronte nevojën për reforma rrënjësore në aparatin e shtetit, kurse sot Sali Berisha kërkon reforma për administratën. Nga të dy është parë njësoj nevoja për shkurtime, vullnetarizëm në zgjidhjen e halleve të popullit dhe kështu me rradhë. Kanë kaluar më shumë se 40 vjetë, por shqiptarët po përballen sërish me të njëjtat fjalime.
Ndryshimi është se dalin nga goja e dikujt tjetër që jo domosdoshmërisht kërkon edhe konspektimin e tyre me laps në dorë, mundësisht përpara kolektiva punonjësish të ndërmarrjeve. Gjithcka tjetër mbetet njësoj. Aq identike sa gjithkush mund të pyesë veten se kush është komunisti mes këtyre të dyve, në të vërtetë... Hoxha:Burokracia, një shfaqje e huaj "Këtej kanë rrjedhur një sërë shtrembërimesh burokratike, të cilat kanë dëmtuar lidhjet e organeve të ndryshme të pushtetit me masat, kanë frenuar inisiativat e tyre krijuese, kanë penguar zgjidhjen e shpejtë të problemit e të halleve të popullit, kanë zhvilluar zyrtarizimin e formalizimin, duke shqetësuar e mërzitur në disa raste vetë popullin" Tiranë- Në 6 Mars të vitit 1966, një letër e Komitetit Qendror të Partisë i drejtohej masave. Ajo trajtonte problemin e cilësuar imediat, të moslejimit të burokratizimit të theksuar të aparatit të shtetit sepse kjo do të sillte pakënaqësi në popull dhe moszgjidhje të problemeve të tij. "Këtej kanë rrjedhur një sërë shtrembërimesh burokratike, të cilat kanë dëmtuar lidhjet e organeve të ndryshme të pushtetit me masat, kanë frenuar inisiativat e tyre krijuese, kanë penguar zgjidhjen e shpejtë të problemit e të halleve të popullit, kanë zhvilluar zyrtarizimin e formalizimin, duke shqetësuar e mërzitur në disa raste vetë popullin". "Pa dyshim, përderisa ekziston shteti do të duhet patjetër edhe administrata. Po për vetë karakterin e pushtetit tonë, si dhe për vetë kushtet e vendit tonë, neve na duhet jo një administratë e fryrë dhe e rënduar, por një administratë e lehtë, dinamike, revolucionare. Në punën tonë s'e kemi patur shumë parasysh këtë gjë dhe në fakt kemi patur tepërime.
Eshtë tanimë e vërtetuar se përsa kohë do të ketë administratë të fryrë, përsa kohë nuk do të jetë vënë sa duhet kjo administratë nën kontrollin e plotë të masave, drejtpërdrejt dhe tërthorazi, në mënyrë masive dhe në mënyrë të organizuar, do të ketë patjetër edhe burokratizëm. Prandaj duhet pa humbur kohë të veprohet në të dyja drejtimet me masa rrënjësore. Vetëm në këtë mënyrë do të spastrohen edhe shkresat, letrat, evidencat e rregulloret e tepërta, të cilat kanë penguar kontaktet e vazhdueshme me masat dhe kanë shkëputur aparatet nga jeta e gjallë". "Për partinë dhe pushtetin tonë popullor janë krejt të huaja dhe duhet flakur tej pa ngurim e luftuar me vendosmëri shfaqjet e metodës së shëmtuar të komandimit në punën e organeve të pushtetit e të administratës apo të partisë, qëndrimet arrogante dhe të pavëmendshme kundrejt punonjësve, mbytja e zërit dhe e kritikës së masave. Askujt, qoftë ky funksionar i zgjedhur qoftë nënpunës i emëruar, nuk i lejohet të qëndrojë mbi masat, t'i shpëtojë dhënies llogari para masave, të sillet si "padron" në detyrën që i ka ngarkuar populli. Partia dhe pushteti nuk janë ciflig i askujt. Prandaj partia dënon me rreptësi shfaqje të tilla të huaja, si metodat e komandimit, arrogancën, hatëret dhe akraballëkun, dënon mëndjemadhësinë, që shprehet në pikëpamjen se "cdo gjë e njoh mirë", se "për cdo gjë jam kompetent", se "mendimet apo vendimet e mia janë të pagabueshme", se "punëtorët apo fshatarët nuk kanë c'të më thonë ndonjë gjë të re", etj, etj që zhvillojnë subjektivizmin dhe mbytin frymën e autokritikës". Berisha:Burokracia, virus i tmerrshëm Në këtë shqyrtim tërësor të procedurave të këtij shtetit, një drejtim tjetër do të jetë shkurtimi i afateve. Afatet janë mekanizmi i vrasjes së kohës. Afatet shfrytëzohen nga zyrtarët burokratë, për të mos ju përgjigjur deri ditën e fundit, gjë e cila përbën një pengesë shumë serioze. Në vend të pasionit për të dhënë përgjigje mundësisht ditën e parë, burokracia vuan nga virusi i vrasjes së kohës, virusi më i tmerrshëm Tiranë- Në 26 Mars 2007, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, kryeministri Sali Berisha, flet për domosdoshmëinë e reformave në administratë. Njësoj si në fjalimin e Enver Hoxhës në vitin 1966, kjo reformë konsistonte në largimin e virusit të burokracisë nga administrata e shtetit.
Vetëm se në atë kohë ky cilësohej me termin e vjetër dhe sot të dalë nga moda të "shfaqjeve të huaja". Edhe në fjalën e mbajtur nga kryeministri përpara grupit të tij parlamentar, përmenden ca tipa burokratësh në administratë që bëjnë sikur i dinë të gjitha dhe që sorollasin qytetarët gjithë ditën nëpër zyra. Njësoj si në fjalimin e Hoxhës ku thuhet: "Për një kërkesë të thjeshtë, qoftë kjo cështje burse, pensioni apo futjeje në punë, qytetarit i kërkohet një mori certifikatash dhe dokumentash, që i sjellin njerëzit me ditë të tëra nga një zyrë në tjetrën". Në të njëjtën linjë është edhe Berisha, 41 vite më pas: "Dua t'ju informoj se një drejtim kryesor i reformave është reforma e administratës. Vetëm një administratë kompetente, e përgjegjshme mund të bëhet lokomotiva e vërtetë e reformave dhe mund të përmbushë misionin e saj jashtëzakonisht të rëndësishëm, mund të garantojë shërbimet më cilësore dhe më të merituara për qytetarët". "Në këtë shqyrtim tërësor të procedurave të këtij shtetit, një drejtim tjetër do të jetë shkurtimi i afateve.
Afatet janë mekanizmi i vrasjes së kohës. Afatet shfrytëzohen nga zyrtarët burokratë, për të mos ju përgjigjur deri ditën e fundit, gjë e cila përbën një pengesë shumë serioze. Në vend të pasionit për të dhënë përgjigje mundësisht ditën e parë, burokracia vuan nga virusi i vrasjes së kohës, virusi më i tmerrshëm, i trashëguar nga diktatura, e cila ishte regjim i kohës së ndalur. I përcjellë në qindra e mijëra mënyra, ky virus duhet përfundimisht të dalë nga administrata, duhet të dalë nga psikologjia e saj, psikologji e cila ka të bëjë me vlerësimin e gjithçkaje tjetër përveç kohës që është më e çmuara. Koha, që ka çmimin më të lartë në trashëgiminë tonë, është mjerisht më pak e kuotuara. Ndaj dhe kjo reformë synon që të nxjerrë administratën nga një sëmundje me pasoja shumë të dëmshme për shoqërinë. Burokrati thotë se ka kohë, se ligji i njeh këtë apo atë afat. Por të gjitha këto do të rishqyrtohen në sensin e shpejtimit të kohës".
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment