Saturday, March 31, 2007

Berisha po ngrin pronat! Ngjela: Si Hitleri

Tiranë- Seanca e djeshme e Kuvendit të Shqipërisë ka sjellë një çudi të madhe kur nga ana e shumicës së djathtë në lidhje me ndryshimet në ligjin për regjistrimin e pasurive të paluajtshme është propozuar miratimi i një moratoriumi pronat. Është parë si një gjë tejet e papranueshme sepse, pasi kishim një moratorium për lumenjtë, për skafet, moratorium për anëtarësimin në partinë demokratike, mund të ketë edhe moratorium për pronën. Paradoksi më i madh pas shpalljes së këtij moratoriumi, është tashmë gjithkush e ka pronën e tij, por për shkak se dikush që mban një post si regjistrues, mund të dyshojë se kjo është prona e tij, mund të "ngrijë" pronën ta pezullojë të drejtën e pronës deri sa ai të bindet që nuk është i drejtë ky pezullim. Dikush mund të ketë vite që e gëzon pronën e tij, dhe për shkak të një dyshimi që ka regjistruesi, i paraqet këtë dyshim kryeregjistruesit dhe ai vendos pezullimin e të drejtës së pronës nga ana e atij që e gëzon deri në atë moment pronën, këtë pezullim e bën me anë të një shënimi në regjistër. Pra pezullohet titulli i pronësisë deri në momentin që poseduesi i pronës i tregon dhe i vërteton kryeregjistruesit se ajo është prona e tij e vërtetë dhe se ai dyshim që kryeregjistruesi kishte, është i kotë.

Propozimi për
moratoriumin për pronën
Në një raport të paraqitur dje në Kuvend në lidhje me Projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr.7843, datë 13.7.1994 "Për regjistrimin e pasurive te paluajtshme", të ndryshuar", Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut në mbledhjen e datës 28.03.2007, mori në shqyrtim projektligjin "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", të ndryshuar", nismë e Këshillit të Ministrave, për të shqyrtuar amendamentet e paraqitura në seancën plenare të datës 26.03.2007 nga deputetët Arjan Madhi, Dashnor Sula si dhe nga grupi parlamentar i Partisë Social Demokrate. Në mbledhje ishin të pranishëm ministri i Drejtësisë Ilir Rusmajli, zëvendësministri Eduart Halimi dhe drejtori i kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë Viktor Gumi. Gjatë diskutimit u morën parasysh edhe vërejtjet e dërguara nga Avokati i popullit. Në përfundim të diskutimeve u ra dakort që në seancë plenare të paraqiten ndryshimet e mëposhtme. Përsa i përket ndryshimit të nenit 20, deputetët e opozitës u shprehën kundër.
1. Neni 1, në fund shtohen fjalët: "dhe në nenin 192 të Kodit Civil".
2. Neni 5:
- paragrafi i pare, në fund, pas fjalëve: "njofton palën dhe palët e interesuara", shtohen fjalët: "brenda 10 sitësh. Konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse".
- paragrafi i fundit riformulohet si vijon: "Kryeregjistruesi merr vendim brenda 30 ditësh nga marrja e kërkesës. Në rast të mosmarrjes së vendimit nga Kryeregjistruesi zbatohet neni 328 i Kodit të Procedurës Civile. Vendimi i Kryeregjistruesit i njoftohet palës dhe palëve të interesuara brenda 10 ditësh dhe konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse.
3. Neni 7, referenca në nenin "29" të bëhet në nenin "20".
4. Neni 10, shkronja "c" riformulohet si vijon: c) Për kalimin në pronësi të sipërfaqes kur në dokumentin e pronësisë është bërë shënimi "oborr në përdorim", kërkuesit duhet t'i drejtohen organeve të kthimit dhe kompensimit të pronave. Për rastet, të cilat nuk janë subjekt i ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, kërkuesit i drejtohen institucionit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Procedura e kalimit të kësaj sipërfaqeje në pronësi, në këto raste, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave".
5. Neni 14, paragrafi i katërt dhe neni 15, paragrafi i katërt, fjala: "mund" zevendesohet me fjalën: "duhet".
6. Neni 20, që shton në ligjin bazë nenin 48/a, riformulohet si vijon:
"Neni 48/a
Fshirja e regjistrimit të parregullt për shkak të elementeve të formës
Kur regjistruesi konstaton se regjistrimi i një pasurie është kryer në mënyrë të parregullt si pasojë e elementeve të formës, i kërkon pronarit të paraqesë brenda 45 ditësh aktin në formën e kërkuar nga ligji. Me kalimin e këtij afati regjistruesi i kërkon kryeregjistruesit nxjerrjen e vendimit, pezullimin e këtij regjistrimi, duke bërë shënimin në kolonën përkatese dhe kthimin e pasurisë në gjendjen juridike para këtij regjistrimi.
Kërkesa e regjistruesit duhet të jetë e argumentuar dhe të përmbajë bazën ligjore. Deri në nxjerrjen e vendimit të kryeregjistruesit për miratimin ose refuzimin e kësaj kërkese, regjistruesi bën pezullimin e regjistrimit dhe mbi pasurinë nuk mund të kryhen veprime, si dhe njofton palën/palët e interesuara brenda 10 ditësh. Konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse.
Kryeregjistruesi merr vendim brenda 30 ditësh nga marrja e kërkesës së regjistruesit. Vendimi i njoftohet palës/palëve të interesuara brenda 10 ditësh dhe konfirmimi i marrjes së njoftimit depozitohet në dosjen përkatëse. Kundër vendimit të kryeregjistruesit ose mosmarrjes së tij mund të bëhet ankim në gjykate sipas nenit 328 të Kodit të Procedurës Civile.
Në kuptim të këtij neni "elementë të formës" janë:
a) në rastin e akteve administrative, zbatimi i nenit 106 të Kodit të Procedurës Administrative;
b) në rastin e kontratave për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme, akti noterial duhet të përmbushë kërkesat e nenit 49 dhe nenit 50 të ligjit nr. 7829, datë 1.6.1994 "Për noterinë", i ndryshuar.
c) në rastin e vendimeve gjyqësore, zbatimi i kërkesave të nenit 451/a dhe të nenit 510 shkronja "a" të Kodit të Procedurës Civile".
7. Neni 22, fjalia e dytë riformulohet si vijon:
"Kundër vendimit të regjistruesit mund të bëhet ankim tek kryeregjistruesi brenda 30 ditësh. kundër vendimit të kryeregjistruesit ose mosmarrjes së tij, mund të bëhet ankim në gjykatën e rrethit ku është kryer kundërvajtja brenda 30 ditësh nga data e njoftimit".
8. Pas Nenit 22 shtohet neni 22/1 me këtë përmbajtje:
"Neni 22/1
Forma dhe përmbajtja e vendimeve që merr regjistruesi dhe kryeregjistruesi në zbatim të këtij ligji përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave".
9. Pas nenit 22/1 shtohet neni 22/2 me këtë përmbajtje:
Ngarkohet Këshilli i Ministrave për miratimin e akteve nënligjore në zbatim të neneve 10. 14, 15 dhe 22/1 të këtij ligji".

Projektin se mbron tjeter njeri perveç Rusmajlit

Tiranë- Askush tjetër përveç Rusmajlit në Kuvendin e Shqipërisë dje nuk e ka mbrojtur idenë e ndryshmit të projektligjit për ndryshime në ligjin për regjistrimin e Pasurisë të Paluajtshme. Ilir Rusmjali duke qenë edhe ministër drejtësie përgjatë gjithë seancës së djeshme ka qenë e vetmja figurë përjashtuar kreun e kabinetit në të cilin bën pjesë, që e ka mbrojtur me fanatizëm ndryshimet e propozuara në këtë projektligj. Sipas Rusmajlit ndryshimet janë thelbësore dhe duhet të bëhen dhe nuk ka asnjë pengesë ligjore që ato të kalonin në Kuvend, madje sipas tij është paska e vonuar një ndryshim i tillë. Argumentave të opozitës se me një ligj të tillë, nuk kanë për të patur asnjë fuqi gjykatat pas atributin e tyre e merr vetëm një person i vetëm që është kryeregjistruesi i Shqipërisë, pra kreu i zyrës së regjistrimit të Pasurive në Shqipëri, Rusmajli e ka kundërshtuar duke thënë se kjo nuk është e vërtetë, por ky ndryshim duhet bërë sepse vetëm në këtë mënyrë sipas arsyetimit të Rusmajlit do të sillte një zgjedhje të problemeve shumëvje-çare me pasurinë e paluajtshme. Pra aktivizimi dhe mbrojtja me fanatizëm e tij ka treguar se pas gjithë kësaj historie fshihet vetëm Ilir Rusmajli, pra është ky që ka marrë përsipër të hyjë në sherr me të gjithë shqiptarët është pikërisht ky njeri që pretendon se ligji do të sjellë përmirësime në marrëdhëniet me qytetarët.

Parlamenti
nuk voton,nuk
ka kuorum

Tiranë- Kuvendi i Shqipërisë edhe dje ka treguar se nuk e ka kuorumin e nevojshëm për të miratuar ligje dhe për të kaluar ndryshme në ligjet aktuale. Edhe pse në seancën e djeshme kanë qenë të pranishëm pothuaj të gjithë deputetët dhe ka patur një diskutim për pothuaj katër orës në këtë seancë, në fund të saj nuk është bërë e mundur që projektligjit të kalojnë, dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë është detyruar që ti kalojë ato për një tjetër ditë, pikërisht për ditën e hënë që është edhe seanca më e afërt me atë të djeshme. Pavarësisht përkushtimit të deputetëve për të diskutuar dhe për të bërë ndryshime sa të esenciale dhe jo ndryshme që mund të kishin edhe kosto tejet të mëdha për vendin, në lidhje me ndryshimin në ligjin për regjistrimin e pasurisë së Paluajtshme, në seancë këto ndryshime nuk kanë mundur të kalohen. Duke i ripërsëritur si jo rrallëherë fakti që në një seanca gjërat nuk arrihen të miratohen duke lënë për një tjetër pasardhëse, edhe dje në parlament kjo ndodhi. Edhe pas një pushimi që ka bërë kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, në momentin që është bërë votimit për prezencën e deputetëve, ka vërejtur se nuk i ka votat mjaftueshme për të kaluar një farsë ligjore, siç ishte ai i moratoriumit për pronën. Pra ndryshimet në ligjin 7843 "për regjistrimin e Pasurive të Paluajtshme", kanë për të kaluar vetëm në seancën e pasdites të së hënës në rast se në parlament ka për tu arritur kuorumi i deputeteve për të miratuar ligje.

No comments: