Saturday, March 31, 2007

Berishizmi do të blejë edhe komunistët

U ble LZHK-ja, e fundit e djathtë që nuk kishte rënë nën thundrën e berishizmit
(PD-së aktuale). Nga e majta ka mbetur për t’u blerë edhe partia Komuniste e
Shqipërisë, pasi u ble z. Xhuveli. Me përfundimin e këtij transaksioni, mbaron
monopolizimi (oligolipolizimi, do të thonin manjakët e saktësisë) i politikës
shqiptare aktuale. Ne themi se komunistët, që akoma janë të paangazhuar ndër
pakte, do t’i blejë berishizmi, duke u nisur nga ngjashmëritë e doktrinave, por
edhe e prejardhjes së liderëve të tyre aktualë.

z.Bashkim Kopliku

Doktrina
Si doktrinë, berishizmi u ka premtuar t’u falë tokat pushtuesve antiligjorë. Po
të njëjtën gjë premton edhe komunizmi: pasuri e përbashkët, t’u merret të
pasurve, e t’u jepet të varfërve. Berishizmi nuk do t’u japë gjë, në fund të
fundit, pushtuesve të tokës: vetëm do t’i mbajë me rrena, sa t’u marrë votat në
disa fushata zgjedhore. Po kështu, edhe komunizmi u premton njerëzve “lugën e
floririt”, gjithë të mirat e botës, e pastaj, kur merr pushtetin, u jep
mjerimin, tallonin, urinë, tmerret.

Doktrina e PS-së e kompani, është më larg komunizmit, sesa ajo e berishizmit.
P.sh., PS-istët iu mbajtën principeve të ekonomisë së tregut: nuk ua falën tokën
grabitësve të saj. Ata edhe me privatizimin, edhe me demokracinë e brendshme të
partisë, qoftë dhe formale, janë më larg komunizmit sesa berishizmit që është
njësoj si enverizmi.

Prejardhja
Por edhe nga prejardhja, është më afër me komunizmin berishizmi, sesa PS-istët.
Prejardhja ka shumë rëndësi, sepse ne shqipot jemi klanor, apo tribal, siç kanë
filluar të thonë tani, sipas frankofilëve. Berishistët, së paku ata që janë
liderë apo qeveritarë, janë, shumë syresh, ish-komunistë të nivelit të lartë, si
sekretarë të partisë së institucioneve, apo nëndrejtorë të instituteve më
kryesore të komunizmit etj.. Në këto kushte, i bien të jenë më larg prejardhjes
komuniste liderët e PS-së sesa berishistët, sepse ata të PS-së, përveç njërit,
nuk kanë qenë vetë as anëtarë të partisë së punës, e jo më sekretarë partie.


Pazarllëqet
Komunizmi i duhet berishizmit, sepse ata marrin tani nja “0,26%” të votave të
shqiptarëve, të atyre që janë nostalgjikë të Enverit. Berishizmi është i
babëzitur mbas pushtetit, dhe edhe për aq pak vota nuk ka skrupull t’i thotë
derrit dajë.

Kurse LZHK-në, berishistët e blenë jo për votat që do t’u sjell ajo në vath, nën
thundrën e tyre, sepse tani pas shitjes së saj, ajo vdiq përfundimisht, votat e
saj janë praktikisht zero. Berishistët e blenë LZHK-në, siç blenë përpara të
birin e mbretit Zog, me një hesap si vijon: po t’i linin të pavarur, ata mund të
mblidhnin shumë vota, mbase mbi 20% (po mos të arrinin t’u vidhnin votat, PD-ja
e PS-ja, si më 3 korrik 2005), e bëheshin parti vendimtare në aleancat, u
rritesh vlera ngaqë shumë të djathtë do të jepnin votën e tyre për ta, për
LZHK-në dhe për pasardhësit e mbretit Zog. Pra berishizmit i dilte më me
leverdi t’u hidhte nga një copë, si ndonjë nënkryetar bashkie, apo ndonjë vilë e
ndonjë truall—fundja se mos nxirrte gjë nga xhepi i tij.

Në pamje të parë, duket sikur blerje-shitjet e ndodhura, kanë forcuar
berishistët.

Forca e tretë
Por dardha e ka bishtin mbrapa: berishizmin me të gjithë “pseudo të djathtët”
rreth tij, po i mbyt zullumi i vet, po demaskohen përfundimisht, duke afruar
ardhjen e forcës së tretë. Kësaj herë është krijuar një boshllëk i plotë për të
djathtën: të djathtët nuk kanë ku hedhin votën, as duke bërë kompromiset më të
skajshme me bindjet e tyre doktrinore. Ky boshllëk krijon një trysni negative
(thithje) aq të madhe, saqë do të mbushet, se s’bën, me krijimin e asaj forcës
së tretë, të djathtës së vërtetë shqiptare.


Bashkim Kopliku
9.12.2006

No comments: