Me fitoren e z. Rama në Tiranë, përfundimisht humbi berishizmi. Tani PD-ja, e djathta, ka rastin të rilindë, të spastrohet nga berishizmi. Por duhet vepruar me shpejtësi: ka shumë pak kohë: në 2007-n do të kemi zgjedhje të parakohshme: nuk zgjidhet dot një president nga ky Kuvend i paligjshëm.
E gjithë Shqipëria ishte përqendruar tek rezultatet e votimit në Tiranë: votohej formalisht në mes Ramës dhe Olldashit, por në fakt votohej në mes berishizmit dhe antiberishizmit. Zoti Rama ka marrë votat e një fronti anti-berishist, ku përfshihen edhe votat e shumë të djathtëve që nuk duronin degjenerimin e PD-së në një parti të ekstremit të majtë. Në këto zgjedhje, ka fituar Shqipëria.
Berishizmi përfaqëson autoritarizmin, përfaqëson diktatin e një personi mbi të gjithë partinë, nëpërmjet shtypjes së mendimit të lirë, nëpërmjet heqjes së votimit të lirë. Por atij nuk i mjafton vetëm PD-ja. Berishizmi u sul të gllabëronte edhe të gjithë Shqipërinë: provoi me zjarr në 1997, por dështoi; mashtroi më 3 korrik 2005, dhe arriti të marrë 53% deputetë, kur kishte marrë vetëm 41% të votave. Por fatmirësisht, ky sulm i berishizmit u thye rëndë më 18 shkurt 2007.
Berishizmi është një fenomen politik i ekstremit të majtë. Majtizmi i tij ekstrem shihet thjeshtë, duke grupuar qëndrimet e tij, në tri ndarje. E para, goditja e tregut të lirë, me vendosjen e çmimeve shtetërore shumë të ulëta (jo të tregut), për legalizimin e tokave të grabitura nga informalët, duke shkatërruar jo vetëm tregun e tokës, por edhe duke hequr bazën ekonomike të kompensimit të drejtë të ish-pronarëve të tokës. E dyta, përqendrim i pushtetit në qendër, duke luftuar çdo tendencë decentralizimi dhe kalimi të pushtetit në bashkitë dhe komunat: ndërhyrjet brutale në punët e Bashkive, sidomos të asaj të Tiranës, ku u shkatërruan disa milionë dollarë; apo zvarritjet për të kaluar policinë e ndërtimit në varësi të bashkive. E treta, etatizmi, i shprehur në mbajtjen në dorë të shtetit, të aktiviteteve ekonomike, pra mosprivatizimi i telekomit, i KESH, i ujësjellës-kanalizime ve, i dhjetëra ndërmarrjeve (bazave) tregtare, si dhe në moslejimin e zgjerimit të aktiviteteve private në shëndetësi (spitale, etj.), në shërbimet portuale etj. Në të tria këto, berishizmi është më majtas se PS-ja, duke konkurruar me partinë komuniste.
E djathta moderne duhet të zërë në politikën shqiptare, vendin që kishte në fillim të viteve ’90. Edhe një herë po jepet mundësia e kthimit të PD-së, në vendin e saj të lindjes, në një parti të qendrës së djathtë. Natyrisht që një kthim në origjinë, për një parti të zaptuar nga oktapodi berishist, nuk është një gjë e lehtë, por ky proces është lehtësuar shumë tani, pas votës së popullit më 18 shkurt. Ky spastrim i PD-së nga berishizmi, nuk duhet që të lihet për t’u bërë nga lart poshtë, sepse lart, berishizmi, si dikur enverizmi, është kujdesur të vendosë një klikë ushtarësh të bindur të diktatorit. Kthimi i PD-së në origjinë, mund të bëhet vetëm me angazhim e të gjithë të djathtëve, nga poshtë lart. E para, ky kthim duhet të fillojë nga degët e partisë, e pikërisht nga degët ku ka humbur PD-ja aktuale, si p.sh. dega e PD-së në Tiranë: janë ata që kanë humbur që janë tashmë pa eufori dhe të pa babëzitur nga pushteti. E dyta, në këtë proces është shumë i nevojshëm kontributi i deputetëve, apo funksionarëve të tjerë të PD-së, që janë njerëz të lirë, e që pranojnë të rrezikojnë kolltukët e tyre, në favor të pastrimit të PD-së. E treta, tek PD-ja duhet të afrohen të rinjtë liberalë të djathtë, ata që janë shkolluar këto 16 vjet në shkollat perëndimore, e që sorollaten të pabashkuar, në erërat e politikës çoroditëse të berishizmit. E katërta, duhet t’i ribashkohen PD-së të larguarit, ata që u larguan sepse nuk pranuan të bashkëjetojnë me berishizmin në PD; të gjithë, që ata të goditjeve të para berishiste të vitit 92, ata të larguarit me shkatërrimin e vendit në 1996-97, e deri tek ata të larguarit nga pisllëqet e emërimeve berishiste nepotike të këtij një viti e gjysmë të qenies në pushtet. Berishizmi nuk i hiqet PD-së me “kërkesa dorëheqje të z.Berisha”; jo, ai hiqet me rrëzimin e tij e të klikës së tij, me votën e lirë brenda PD-së që vetëpastrohet.
Nëse PD-ja nuk është e aftë të bëjë spastrimin e saj, atëherë e djathta duhet të shohë urgjentisht krijimin e një force të tretë jashtë PD-së, të shkëputet e gjitha nga PD-ja, duke e lënë vetëm berishizmin, gjë që përfundimisht do ta hidhte në harresë dhe në dënim historik, siç është hedhur Partia e Punës, enverizmi.
Bashkim Kopliku
19.02.2007
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment