"Me mire nje fund i tmerrshem se nje tmerr pa fund"
Manifestim madhështor në Tiranë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kontrolleve arbitrare ndaj Top Medias. Përmes "Digitalb" ndiqet në të gjithë Evropën e SHBA
Rock-protesta në sheshin "Skënderbej" mbledh më shumë njerëz se mitingjet e politikës
Shqiptarët kanë zhvilluar mbrëmë protestën më të madhe e më shembullore në Sheshin "Skënderbej" të kryeqytetit. Të bashkuar në atë miting madhështor, i cili ishte më i madhi i realizuar deri tani në Shqipëri ishin më shumë se kurrë plot 100 mijë qytetarë. I organizuar nga shoqëria civile dhe mediat, ai tregoi fuqinë e madhe të qytetarisë. Të gjithë njëzëri me duart lart i thanë qeverisë stop akuzave pa fakte dhe mjaft goditjes së mediave. Të mbledhur nga ora 19:00 dhe deri vonë kur mbaroi protesta duke festuar, qytetarët janë shprehur larg sloganeve politike kundër dhunës ndaj fjalës së lirë, që është iniciuar nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Ndryshe nga protestat e zhvilluara për 17 vjet në Shqipëri, ishte hera e parë që iu tha STOP sulmit të qeverisë ndaj medias së pavarur, të lirë dhe kritike nën atmosferën e një rok-proteste. Mungonin flamujt e partive politike, munguan sharjet, të bërtiturat, ngacmimet e jetës private të ndonjë politikani, madje edhe deklaratat në skenë të politikanëve. Tre veprimtarët e shoqërisë civile, Mustafa Nano, Andrea Stefani dhe kreu i lëvizjes "Mjaft!", Erion Veliaj kanë qenë të vetmit, të cilët vetëm për disa minuta, pa fjalime të gjata dhe lodhëse për publikun, kanë bërë edhe turmën në sheshin "Skënderbej" të thërrasë njëzëri MJAFT ndaj sulmit të mediave. Njëzëri turma e mbledhur në sheshin madhështor të metropolit shqiptar i ka thënë "mjaft" akuzave pa fakte të kreut të qeverisë. "Ka ardhur koha të shpallemi të gjithë opozitarë ndaj regjimit më të shpifur të Evropës", tha Nano, duke injoruar përmendjen e emrit të Kryeministrit Berisha, ku gjatë fjalës së tij ai përmendi vetëm "ai" me gishtin drejtuar nga Kryeministria.
Pas disa vitesh, pasardhësit tanë do të shikojnë arkivat dhe do të zbulojnë se Shqipëria është qeverisur në fund të shek XX dhe në fillim të shekullit XXI nga një njeri që vetëm ka bërtitur në sheshe, në mbledhje, në Parlament etj., dhe ata do të pyesin: "Si është e mundur që paraardhësit tanë kanë rënë dakord të qeverisen nga një njeri i tillë?. Të dashur miq! Merret vesh se në 3 korrik ne kemi bërë një gabim, dhe një zgjedhje që historia nuk do na i falë: rizgjodhëm me votën e lirë, bolshevikun stalinist të vetëm në Evropë, rizgjodhëm me votën tonë të lirë një njeri që me votën e lirë nuk ikën nga pushteti. Ka ardhur koha të shpallemi opozitarë dhe ta rrëzojmë po me votë të lirë, se nuk e meriton të jetë qiraxhiu i pallatit kryeministror". Po kaq të ashpër ishin gjatë argumentimeve të tyre edhe pjesëmarrësit e tjerë që mbajtën fjalime në këtë manifestim. "Eshtë e vështirë të konkurrosh me fjalë-këngën, megjithatë, unë do dëshiroja të shprehja këtu atë që na bashkon sot: Eshtë shqetësimi për median e lirë dhe për fjalën e lirë, askush më mirë se shqiptarët nuk e di se, pa fjalën e lirë, edhe kënga burgoset. E kemi provuar këtë gjë për më shumë se 40 vjet, ndaj dhe nuk do të lejojmë që situata të tilla të përsëriten. Jemi të shqetësuar dhe të alarmuar për kërcënimin që i bëhet lirisë në të gjitha dimensionet: lirisë së pronës, asaj të drejtësisë, lirisë së universiteteve, lirisë së shkencës dhe tani lirisë së të gjitha lirive: lirisë së fjalës.
E kërcënon këtë liri autoritarizmi që në strategjitë qeverisëse, të tejmbushura me kalvare fiskale mbi median. Po hartohen ligje të këqija, që mbi të gjitha duan të nxjerrin jashtë loje median.
Fakti që ju jeni këtu, është shprehje e alarmit, por dhe mrekullia e demokracisë! Nuk jemi ne që ju tregojmë teori, por jeni ju ata që na jepni mbështetje ne gazetarëve për të mbrojtur lirinë e fjalës". "Vetëm mbi të vërtetën, e cila përfaqësohet nga media", tha më tej Stefani, "mund të themelohet demokracia. Berisha kërkon të shmangë drejtësinë. Por ne, nga presioni do të vijmë në këtë shesh që është mëmëdheu i lirisë dhe fjalës së lirë, një shesh që politikanët e kanë përdorur për të thirrur e bërtitur, por më tej kanë bërë të kundërtën e asaj që kanë thënë këtu". Erion Veliaj, drejtues i Lëvizjes MJAFT, iu drejtua qytetarëve të pranishëm në shesh, dhe miliona të tjerëve që e ndoqën këtë manifestim nga ekranet e televizioneve, me fjalët "Imagjinoni një Shqipëri pa fjalën e lirë, imagjinoni një vend ku mijëra vetë humbasin vendet e punës, por nuk ka media që ta denoncojë këtë gjë, imagjinoni një vend ku bizneset falimentojnë e ku kompanitë më të mëdha largohen nga sytë këmbët, imagjinojeni atë vend pa një media të lirë, ku të transmetoheshin këto halle". Kjo ishte koncert-protesta e paralajmëruar që Lëvizja MJAFT së bashku me median e lirë në vend, organizuan menjëherë pasi qeveria e drejtuar nga Berisha nisi disa sulme selektive dhe të cilësuara si tejet të rrezikshme, ndaj institucioneve të pavarura mediatike në vend".
Protesta-koncert ndiqet nëpërmjet Digitalb në SHBA dhe Evropë
Organizatorët e koncertit madhështor të bërë në sheshin "Skënderbej" kishin menduar të ideonin në mënyrën më perfekte mënyrën e realizimit të tij, duke filluar nga skeleti i programit dhe deri te transmetimi i tij edhe në diasporë. Shqiptarët të cilët nuk kanë mundur dot të vinin në Shqipëri, kanë ndjekur LIVE nëpërmjet paketës Digitalb në kanalin "Top News rok" protestën, ku merrnin pjesë emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Mesazhe të pafund nga njerëzit që jetojnë jashtë Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë Evropës kanë ardhur në mbështetje të kësaj proteste. Koncerti-protestë është transmetuar i plotë nga "Top News", i cili bën pjesë në paketën Digitalb, të cilën disa ditë më parë, qeveria u përpoq ta sekuestronte, por që, fatmirësisht, nuk ia arriti dot këtij qëllimi. Koncerti-protestë është dhënë drejtpërdrejt edhe nga shumë televizione të tjera në mbështetje të fjalës së lirë. Krahas këtij fakti, e veçanta tjetër është se për herë të parë politikanët shqiptarë u bën njësh me turmën, duke lënë poltronin e skenës dhe duke qenë bashkëspektatorë të protestës madhështore. Politika shqiptare proteston njësoj me qytetarët. Ndryshe nga herët e tjera, ku ata zinin vendin e nderit dhe mbanin rolin kryesor gjatë një proteste, këtë herë politika bashkohet me qytetarët në rresht. Pesë liderët e opozitës, Edi Rama, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Neritan Ceka kanë qenë të pranishëm në mes të turmës, duke ngritur duart për t‘u thënë stop akuzave pa fakte të kreut të ekzekutivit. Deputeti socialist, Kastriot Islami, i pranishëm në këtë protestë, tha se media e biznesi janë të kërcënuara nga shteti, po kjo betejë qoftë nga mediat, qoftë nga qytetarët është e fituar. Ndërsa deputeti i PS-së, Petro Koçi, tha se pjesëmarrja e madhe në këtë shesh është solidaritet i madh për fjalën e lirë dhe kundër ndaj politikave të qeverisë. Protesta u organizua nga media dhe shoqëria civile për t`i thënë stop presionit të Kryeministrit Berisha ndaj mediave kritike ndaj pasqyrimit të aktiviteteve të qeverisë.
No comments:
Post a Comment