
Relacioni:Ndryshimi,per aplikim te takses se sheshte
Tiranë- Propozimi i bërë nga dy deputetët demokratë për ndryshimin e taksës së kalimit të pronësisë bëhet në kuadër të zbatimit të taksës së sheshtë. Kjo lexohet qartë në relacionin që i është bashkangjitur projektligjit, të kaluar në mënyrën më të fshehtë në komisionin e Ekonomisë edhe më parë varianti nuk është parë dhe nuk ka marrë mendimin e qeverisë. Ky duhet të ishte mëse i domosdoshëm për faktin e thjeshtë dhe të vetëm se ndryshimi i taksës së kalimit të pronësisë ka efekte të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit. Megjithatë projektligji është tashmë gati për t'i kaluar seancës parlamentare. "Në kuadrin e implementimit të parimit të taksës së sheshtë, është parashikuar qe edhe tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme të barazohet me tarifën e tatimit mbi të ardhurat e tjera personale që taksohen me 10 përqind sikurse janë tatimi mbi interesat, dividentët, qeratë, të drejtat e autorit etj". Në relacionin e projektligjit, dy deputetët që kanë marrë përsipër propozimin e ndryshimit të taksës së kalimit të pronësisë, "betohen" se kjo bëhet në zbatim të vendimit të qeverisë për aplikimin e kësaj takse të sheshtë. Kjo sipas tyre do të sjellë shmangien e abuzimeve në sektorin e ndërtimit, "njohja si shpenzime të zbritshme të biznesit e vlerës së sipërfaqes së truallit që përdor shoqëria dhe taksimi konform ligjit edhe i asaj pjese të sipërfaqes që përfitohet nga pronarët e truallit". Në këtë pikë konsistonte edhe fjalimi i pak kohëve më parë të kryeministrit Berisha, për të justifikuar aplikimin e taksës së sheshtë edhe në këtë sektor, me siguri jo si një mënyrë për të shmanguar abuzimet, ashtu sic thuhet.
Projektligji - trajtim selektiv Qeverisë
Tiranë- Ka mjaftuar një fjalim i kryeministrit Berisha, që deputetët e tij të vihen në lëvizje për të hartuar një projektligj. Ky është shpjegimi i vetëm për ndryshimet që kërkohen të bëhen në taksën e kalimit të pronësisë. Jo më larg se 28 Marsi i këtij viti, kreu i qeverisë ka deklaruar se ndërtimi është një prej sektorëvë më informalë në vend, duke paralajmëruar masat që do të vinin më pas. "Lufta kundër kontrabandës është vetëm një aspekt i kësaj lufte që duhet të zhvillohet në çdo sektor. Ky vit është përcaktues i suksesit të qeverisë në luftën kundër informalitetit Ka informalitet në sektorë kryesore të ekonomisë. Informaliteti është i pranishëm në sektorin e ndërtimeve. Ka ndërtues, të cilët e blejnë tokën me 1 milionë $ sipërfaqen dhe mbushin dokumenta fallco sikur e kanë blerë me 40 mijë $ dhe këtë e bën për ti shpëtuar tatimeve të pronarit që u shiti tokën, duke mos folur pastaj për shitjet që kapin shifrën 1000 apo 1500 euro për metër katror, duke plotësuar dokumenta sikur shiten me 500 apo 600 euro për metër katror. Ky fenomen nuk është në shumicë, por mund të ndodhë në të ardhmen, duke dëmtuar ndërtuesit e ndershëm". Pas kësaj, vjen nisma e dy deputetëve të maxhorancës që kërkojnë të vënë kontrollin mbi këtë sektor, duke filluar nga taksa që paguan pronari i tokës kur ia jep një firme ndërtimi. Madje vetë qeveria do të vendosë edhe cmimet. Të paktën këtë tenton të bëjë projektligji, duke cuar të tjera kompetenca dhe njëherësh edhe para në duart e qeverisë. Llogaritjet do të jenë në dorë të saj, me vendosjen e cmimeve dhe kjo do të thotë trajtim selektiv për një pjesë të bizneseve të ndërtimit.
No comments:
Post a Comment