Tuesday, April 3, 2007

Berisha dhunë mbi bizneset

Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi parimisht pas shumë debatesh ligjin mbi gjobat, ndryshe mënyrën e re të ankimimit. Kështu qeveria Berisha 2, e formatuar pas humbjes së zgjedhjeve në qytetet e mëdha, me ligjin e ri i jep goditjen më të rëndë biznesit. Gjoba e vendosur nga tatimori, është apo jo e drejtë, duhet të paguhet para se të ankimohet dhe çdo gjë i lihet në dorë apelimit. Me ligjin e ri, Berisha shkel nenin 42 dhe 43 të Kushtetutës, nene të cilët parashikojnë një proces të drejtë ligjor. Me këtë paketë ndryshimesh të qeverisë nuk ka një proces të ndershëm ligjor përderisa qeveria merr pagesën e plotë para se të shkojnë të apelohet kjo çështje.Konkretisht neni 43, i ligjit mbi procedurat tatimore, i cili parashikon të drejtën e apelimit, duke ju referuar këtyre propozimeve të qeverisë do të kemi falimentimin e plotë të shumë bizneseve të vogla dhe të mëdha nëse do kishim këtë mënyrë procedure. Pavarësisht kësaj, anëtarët e mazhorancës e votuan pa marrë parasysh pasojat që sjell ndryshimi i ligjit për bizneset.
Debati
Është diskutuar dje në komisionin e ekonomisë ndryshimet e bëra në ligjin mbi procedurat tatimore ku i pranishëm ishte zv/ministri i Financave Florjon Mima. Anëtarët opozitar të komisionit e kundërshtuan me forcë ligjin e ri, sipas të cilëve penalizon mjaft rëndë biznesin. Sipas opozitës, ndryshimet që sjell qeveria për miratim bëhen për të mbuluar humbjet në planin e të ardhurave nga tatimet për 3 muajt e parë ’07. por Mima i quajti të pavërteta. Sipas tij, biznesi ka 2 mundësi ose të parapaguajë detyrimin tatimor ose të vendosë një garanci bankare për atë në detyrimin tatimor. “Në gjykimin tonë më të mirë klauzola e dytë ka shërbyer si treg dhe kjo për disa tatim- pagues jo për të gjithë për të mos paguar kurrë detyrimet tatimore. Kjo pasi me përfundimin e të gjithë hallkave të ankimit administrativ dhe gjyqësor, atëherë kur administratës tatimore i lind e drejta që të merrte garancinë përsëri niste një proces apelimi i ri, që nga shkalla e parë administrative deri në gjykatë. Ka qenë kjo arsyeja që sot borxhet e administratës tatimore kanë arritur në nivelin e 40 miliardë lekëve”. Sipas ish ministrit të Financave Arben Malaj, procedurat e reja të ankimimit nuk do të sjellin ndonjë gjë të re pasi faktet tregojnë që administrata tatimore ka pasur probleme edhe me rimbursimin e TVSH. Kështu kthimi mbrapsht i parave (pa interesin) do të sjellë vonesa të tjera, vijoi Malaj. “Pagesa e detyrimit para se të ankimohet sjell vështirësi financiare për biznesin pavarësisht se ajo do të kthehet nëse të tria shkallët nxjerrin fitues biznesin” tha Malaj. I të njëjtës linjë ishte dhe Shpëtim Idrizi, ish Drejtor i Tatim-Taksave, sipas të cilit qeveria ka marrë një vendim pa u konsultuar më parë me biznesin. Sipas tij, nuk është normale që të sillen për miratim copëza të vogla të paketës fiskale kur ndërkohë duhet të ishte bërë qartë e pastër në fund të ’06, periudhë që diskutohet buxheti i shtetit. Por sipas Mimës, ndryshimet e sjella për miratim nuk janë pjesë e paketës fiskale. “Janë disa ndryshime për të cilat puna ka filluar në Nëntor të ’06 dhe ishin të domosdoshme për tu ligjëruar. Paketa fiskale dhe “Shqipëria 1 Euro” janë tjetër gjë, miratimi i të cilave do të vijë më vonë”. Ndërsa për Dritan Priftin, anëtar komisioni (ish drejtues i KESH), ndryshimet e kërkuara nga qeveria, nuk sjellin asnjë efekt pozitiv në buxhet apo në mirë administrimin e procedurave tatimore, por vetëm rrisin forcën e taksambledhësit dhe të Drejtorisë së Tatimeve për të goditur biznesin në mënyrë të pandershme. Pavarësisht se dha parimisht votën pro ligjit, kryetari i komisionit Edmond Spaho kërkoi nga Mima që nga diskutimi nen për nen të shikohet edhe një herë forma e pagimit të gjobës.

Ja çfarë propozon ligi
Ndryshimet propozohen në ligjin nr 8560 ekzistues janë: Heqja e detyrimeve tatimore me vlerë deri 1 mijë lekë, duke lehtësuar tatimpaguesit e vegjël nga procedurat administrative të derdhjes së detyrimeve dhe duke rritur efektivitetin e administratës tatimore; Heqja e garancisë bankare, si një ndër dokumentet e vlefshme për përfitimin e pagesës me këste të detyrimit tatimor dhe të apelimit tatimor. Tatimpaguesit vazhdojnë të kenë të drejtën e shlyerjes me këste të detyrimit tatimor dhe të apelimit tatimor, mbi bazën e procedurave të përcaktuara me ligj; Plotësimi i procedurave të apelimit tatimor. Sipas ligjit ekzistues, para se të paraqesin apelimin administrativ, tatimpaguesit duhet të parapaguajnë detyrimin tatimor, pa përfshirë gjobat dhe interesat. Shtesa që propozohet në këtë projektligj është që kur paraqesin apelimin gjyqësor, tatimpaguesit duhet të kenë paguar edhe gjobat dhe interesat për detyrimin që apelojnë; Ndryshimi i sanksioneve për mosregjistrimin e tatimpaguesve në organet tatimore dhe për mospasjen e tyre me certifikatë tatimore. Për këto raste në ligjin ekzistues parashikohen këto masa: mbyllja e veprimtarisë për 15 ditë, vendosja e gjobës, vendosja e sekuestrosh mbi mallrat, kallëzimi penal. Projektligji parashikon këto sanksione: bllokim të veprimtarisë deri në pajisjen e tatimpaguesit me certifikatë tatimore, sekuestrim të pasurive kur ai, dhe pas kësaj mase, vazhdon të ushtrojë veprimtarinë. Këto sanksione do të ndikojnë në kufizimin e evazionit fiskal; Ndryshimin e sanksioneve për mosdokumentimin e mallrave. Sipas ligjit ekzistues, në këto raste ndaj tatimpaguesit vendosej gjobë, ndërsa sipas projektligjit, këto raste dënohen me sekuestrimin e mallrave të padokumentuar. Kjo masë do të përmirësojë punën për dokumentimin e mallrave nga tatimpaguesit.

No comments: