Policia i gjen një vend pune si specialist të kurrikulave në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”, kryeinspektorit Dritan Berisha, nip i Kryeministrit Sali Berisha. Emërimi është kryer vetëm pak ditë më parë, ose një muaj pas kërkesës së kryeinspektorit Berisha për t’u rifutur në Polici. Dritan Berisha u përjashtua me “ceremoni” nga policia, teksa ushtronte detyrën e oficerit të INTERPOL Tiranës, 21 qershorin e vitit të kaluar. Së bashku me të u përjashtua edhe i vëllai, Agron Berisha, agjent në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Sipas burimeve në Ministrinë e Brendshme, të cilat nuk preferuan të citoheshin, mësohet se Dritan Berisha u është nënshtruar të gjitha procedurave të emërimeve. Një muaj më parë ai kishte paraqitur kërkesën për t’u rikthyer në punë. Bashkangjitur në dosjen e tij ishte edhe vendimi i gjykatës, që e rrëzonte vendimin e ministrisë për përjashtimin e nga policia, si dhe kërkonte rikthimin në punë. Emërimi nuk ka vonuar të ketë pasur edhe interpretime nga forcat politike të së majtës. Për to, emërimi është mjaft kontradiktor me zhvillimet në Akademinë e Policisë. Ai vjen pas një reforme, që me motivacionin e shkurtimit të funksionit, i kushtoi vendin e punës gati 50 për qind të gjithë personelit, shumica e të cilëve janë në gjyq me shtetin për shkarkim të padrejtë.
Peripecitë
Vendimi për përjashtimin u mor pas incidentit me studentin e juridikut, Nelson Ruçi, ku dy vëllezërit, në gjaknxehtësi e sipër qëlluan me armët e shërbimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Emërimi i Dritan Berishës në zyrën e kurrikulave të lëndëve të Akademisë së Policisë dhe kurseve, vjen në një kohë kur në emër të reformës janë përgjysmuar më shumë nga gjysma e punonjësve të shkollës së policisë. Ndërsa janë në radhë duke pritur që Drejtoria e Burimeve Njerëzore t’u gjej një vend të lirë pune, me dhjetëra oficerë dhe punonjës policie, të cilët si edhe Dritan Berisha kanë fituar pafajësinë në akuzat e ngritura ndaj tyre, si dhe kanë fituar nga gjykata të drejtën për t’u rikthyer në punë.
Vendimi
Ka qenë një maratonë e vërtetë gjyqësore për Dritan Berishën për të shfuqizuar vendimin e Ministrisë së Brendshme për përjashtimin nga detyra dhe “detyrimin” e saj për ta rikthyer në punë. Pas denoncimit të kryer nga studenti Ruçi, Dritani dhe i vëllai, Agroni, u përballën fillimisht me nisjen e një procedimi penal nga Prokuroria. Por siç duket, edhe vetë interesi i studentit për të ndjekur çështjen, ka rënë shumë shpejt. Çështja u zgjidh me pajtimin e palëve dhe u mbyll që në Prokurori. Beteja e dytë për Dritanin ishte shfuqizimi i vendimit të përjashtimit nga policia. Si mbi 80 për qind e oficerëve të policisë të përjashtuar, Dritani nuk e pati aspak të vështirë të fiton këtë betejë me shtetin. Por Dritani duket se ka pasur mjaft më shumë fat se e gjithë kjo masë ish-oficerësh të policisë, pasi në krye të një muaji nga kërkesa e tij për t’u rifutur në polici, është marrë në punë. Grada e ulët në krahasim me shumicën e të “përzënëve” nga policia, e ka favorizuar Berishën që ta gjejë mjaft shpejt një vend pune. Të paktën ky është versioni zyrtar për emërimin në postin e specialistit të kurrikulave në Akademinë e Policisë, për Dritan Berishën. re.kro.
-Olldashi përjashtoi nga policia Dritan Berishën
Në qershor të vitit të kaluar, ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Sokol Olldashi përjashtoi nga Policia e Shtetit nipin e Kryeministrit, Dritan Berishën. Motivacioni i këtij ndëshkimi ishte për “thyerje të rëndë të disiplinës, duke kryer veprime që cenojnë dinjitetin e punonjësit të policisë”. E njëjta masë u mor edhe për vëllain e Dritanit, Agron Berishën, i cili gjithashtu u përjashtua një vit më parë nga radhët e Policisë së Shtetit. Ky vendim i ish-ministrit të Brendshëm, erdhi pasi dy vëllezërit Berisha, që në njëjtën kohë janë nipa (djemtë e të vëllait) të Kryeministrit Sali Berisha, u grindën me një student nga qyteti i Vlorës, Nelson Ruçi, përballë tavernës “Dajti”, në bulevardin kryesor të Tiranës. Përveç grushteve, vëllezërit Berisha kishin qëlluar në ajër edhe me armët e tyre të shërbimit. Motivi i kësaj ngjarjeje ka qenë banal, për një vend parkimi përpara tavernës “Dajti”. I pari që kishte nisur konfliktin me studentin ishte Agron Berisha, i cili pas goditjes që mori nga studenti i ishte kundërpërgjigjur. Më pas, në ndihmë të vëllait të tij erdhi edhe Dritani. Gjatë grindjes, studenti tentoi të largohej me autoveturën e tij dhe në këtë moment, dy vëllezërit Berisha kanë qëlluar në ajër me armët e tyre të shërbimit. Ngjarja krijoi një situatë paniku në bulevard, ku krismat e armëve traumatizuan kalimtarët, që ishin të shumtë në atë moment. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi menjëherë Ministria e Brendshme, e cila dy ditë më pas, pasi kishte njoftuar nisjen e hetimeve për vëllezërit Berisha, ka njoftuar zyrtarisht edhe përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit.
-PS: Nishani evidenton specialistë për dhunë
Riemërimi në Policinë e Shtetit të Dritan Berishës, nipit të Kryeministrit Sali Berisha, ka shkaktuar reagimin e partisë më të madhe opozitare në vend. Në një komunikim për shtyp, zëdhënësi i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri e ka cilësuar emërimin e Dritan Berishës si plotësimin e tablosë së servilizmit të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani ndaj Kryeministrit. Duke ju referuar emërimit të Dritan Berishës si specialist në zyrën e kurrikulave në Akademinë e Rendit, zëdhënësi i Partisë Socialiste, Tahiri është shprehur se, është absurde të mendohet se çfarë edukimi mund t’u japë studentëve të policisë, një person që për të parkuar makinën private, përdor armën e shtetit për të vrarë një qytetar të ndershëm. “Ky person, që duke vlerësuar rrethanat e ngjarjes nuk mund të cilësohet tjetër veçse një kaçak i kohëve moderne, një kriminel ordiner i emëruar në atë kohë në Policinë e Shtetit në kundërshtim me kriteret ligjore, vetëm sepse përmbushte kriterin e farefisnisë me Kryeministrin, është ngarkuar sërish nga Bujar Nishani të trajnojë policët e rinj që diplomohen në Akademinë e Rendit”, - citohej në komunikatën për shtyp të Partisë Socialiste. Më tej, zëdhënësi i PS- së, Tahiri ka denoncuar nepotizmin e qeverisë Berisha, që sipas tij ka kapërcyer çdo kufi të imagjinatës, në një vend ku shkarkohen specialistët më të mirë të trajnuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe emërohen kriminelë ordinerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në institucionin që pikërisht duhet të edukojë oficerët e rinj të policisë. Riemërimin e nipit të Kryeministrit në radhët e Policisë së Shtetit, Partia Socialiste e ka cilësuar si një tallje dhe përdhosje të institucioneve të shtetit dhe të gjithë shqiptarëve.
Friday, May 25, 2007
Nipi i Sali Berishes, perjashtuar nga policia, behet profesor
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment