Tirane-"Djemtë" e Berishës nuk vjedhin vetëm buxhetin e shtetit dhe në qeveri, por edhe brenda partisë së tyre. Skandali është zbuluar nga vetë kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryeministër i vendit, përmes një hetimi të ndërmarrë prej vetë atij. "Zbulimi" është bërë pas deklarimit të shifrave zyrtare të partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 18 Shkurtit. Kandidatët e përzgjedhur nga PD, fitues apo jo në garën për kryetar komuna dhe bashkie, kanë dorëzuar në parti fatura të fryra shpenzimesh të cilat kanë kaluar nëpër lupën e Berishës. Kjo ka cuar në zbulimin e një vjedhjeje skandaloze, e cila nuk po kalon pa zhurmë brenda partisë.
Vjedhja 7 milionë dollarë
Abuzimi me paratë e partisë të marra për fushatën e zgjedhjeve të 18 Shkurtit arrin në shifrën e 7 milionë dollarëve. Vetë Berisha që ka bërë hetimin mbi paratë e vjedhura, ka në dorë edhe emrat e atyre që kanë abuzuar me faturat e shpenzimeve për fushatë, të paguara nga partia me paratë e mbledhura nga donatorët. Burime brenda partisë shprehen të sigurt se bëhet fjalë për emra të njohur kandidatësh, në qytete kryesore të vendit, të cilët për më tepër as nuk kanë fituar mandatin nga këto zgjedhje. Shifra e konsiderueshme e shpenzimeve, për më tepër të pajustifikuara nga një fitore në zgjedhje, mësohet të ketë tërbuar edhe më tepër kryetarin Berisha. Por jo deri aty sa të lejojë që skandali të dalë jashtë partisë. Të paktën jo pa u marrë masat ndaj abuzuesve.
Abuzim me paratë e donatorëve
Një pjesë e mirë e parave të dhuruara nga donatorë për fushatën e Partisë Demokratike, kanë përfunduar në xhepat e emrave të përzgjedhur prej partisë si kandidatë. Donacionet e deklaruara zyrtarisht edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryesisht nga biznesmenë të ndërtimit, por edhe të emëruar si drejtorë me mbërritjen e qeverisë Berisha nga 1 milionë lekë për secilin, nuk kanë shkuar të gjitha për qëllimin për të cilin janë dhuruar. Kjo është konfirmuar nga vetë kryeministri, i cili nuk i ka besuar askujt tjetër hetimin mbi vjedhjen përvec vetes së tij. Jo vetëm për të shmanguar në mënyrën më absolute zhurmën mbi skandalin, por edhe për të gjetur vetë përgjegjësit për abuzimin në shifra marramendëse të parave të dhëna nga donatorët për fushatë.
Si u vodhën paratë brenda PD
Kandidatët e përzgjedhur nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 18 Shkurtit kanë deklaruara në parti, duke dorëzuar madje edhe fatura për shpenzime të fushatës së tyre. Kryesisht për reklama, postera dhe billbordera në hapësirat publike të qyteteve kryesore. Partia ka qenë plotësisht dakord me shumën e shkruar nëpër fatura, derisa vetë kryeministri ka dëgjuar zëra, të cilat nuk ka nguruar t'i vërtetojë më pas. Pas hetimit i rezultoi se kandidatët e tij kishin paguar edhe për shërbime që i kishin marrë falas!! Sipas faturave që kanë dorëzuar në Partinë Demokratike dhe kjo ka marrë përsipër t'ua paguajë nga paratë e donatorëve për fushatë, kandidatët kanë paguar për reklamimin e posterave dhe motove të tyre nëpër billbordera, postera elektronikë dhe deri tek postera gjigandë në fasada pallatesh. Por këto fatura, qoftë përsa i përket shumës ashtu edhe zërit të shpenzimeve, bien poshtë nga vetë bizneset që u kanë ofruar reklamimin. Në një garë, për t'u mburrur kush më parë e kush më shumë për shërbimet që i kanë ofruar gratis Partisë Demokratike në fushatën e zgjedhjeve të 18 Shkurtit, këta biznesmenë kanë nxjerrë të palarat e kandidatëve. Atë që ishte nuhatur nga Berisha që me deklarimin e shifrave në KQZ, por që erdhi duke u përforcuar më tepër kur ata që merren me biznesin e reklamës raportuan se nuk kishin marrë asnjë qindarkë për të vendosur posterat e kandidatëve demokratë nëpër qytete, sepse këta ia kishin bërë shërbim partisë. Atëherë ku përfunduan 7 milionë dollarë të deklaruara si të shpenzuara pikërisht për këto lloj reklamash?! E ku tjetër përvec se në xhepat e cunave të besuar të Berishës!
Kandidatët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit në vjedhje
Vetë Berisha, pas hetimit, ka arritur në konkluzionin se emrat më të njohur, të zgjedhur prej tij për të fituar drejtimin e qyteteve kryesore janë përfshirë në vjedhjen e madhe të 7 milionë dollarëve. Duke filluar nga kandidati i Tiranës, Durrësit, Elbasanit, të cilët kanë deklaruar shuma të mëdha të shpenzuara për bordet e reklamimit të posterave të tyre, justifikuar nga garimi në bashki të mëdha. Por me siguri jo nga fitimi i mandatit, pavarsisht besimit të kryetarit të partisë tek kandidaturat e zgjedhura. Megjithatë lista e fajtorëve për abuzimin miliona dollarësh nuk mbaron thjesht me emrin e të zgjedhurve nga PD. Brenda faturës së dëmit llogaritet edhe emri i një botuesi të njohur, i cili u angazhua fort me fushatën e partisë jo vetëm në Tiranë.
Hetim per vjedhjen nga vete Berisha
Tiranë- Jo shumë kohë pas deklarimit të shifrave zyrtare të parave të mbledhura nga Partia Demokratike por edhe shpenzimeve të bëra prej saj në fushatën e zgjedhjeve të 18 Shkurtit, Berisha iu rikthye sërish faturave. Jo thjesht për të bërë një llogari të vërtetë, jashtë shifrave zyrtare të deklaruara, por edhe për të përligjur një dyshimin e tij lidhur me abuzime të bëra me paratë e donatorëve nga ana e kandidatëve të zgjedhur nga partia për të garuar. Pas deklarimeve të shumë përfaqësuesve të bizneseve të reklamave se kishin ofruar shërbime falas për Partinë Demokratike gjatë fushatës, kryetari i partisë nisi të dyshonte për faturat e paguara të kandidatëve pikërisht për këto shërbime. Madje edhe në qytetet kryesore të vendit. Një kthim tek llogaritë e faturave e coi Berishën në konkluzionin se paratë e paguara nga Partia Demokratike, nuk kishin shkuar aspak për bordet e reklamave, sic ishte deklaruar nga kandidatët kur kishin paraqitur faturat në parti, por tek xhepat e vetë kandidatëve. Në përfundim të hetimit mbi këtë vjedhje, kryetari i partisë por edhe kryeministri i vendit doli në një shifër të saktë të abuzimit të bërë me paratë e donatorëve, të mbledhura për fushatë. Për më tepër gjeti edhe emrat e abuzuesve, që kishin firmosur faturat e rrema. Lista nis me emrin e Olldashit në Tiranë, Telitit në Durrës, Bocit në Elbasan dhe kështu me rradhë. Me duart në vjedhje është gjetur edhe i përzgjedhuri tjetër për të menaxhuar fushatën e Partisë Demokratike. Të gjithë bashkë janë përgjegjës për zhdukjen e 7 milionë dollarëve që mund të ishin kursyer.
Fushata e PD, 146 mln lekë nga donatorët
Tiranë- Fushata e zgjedhjeve të 18 Shkurtit është konsideruar si më e kursyera nga ana e Partisë Demokratike. Për faktin e thjeshtë dhe modest se nga shpenzimet e bëra për fushatë janë kursyer 76 milionë lekë. Sipas një fatura analitike për gjithë zërat e shpenzimeve, kjo parti ka llogaritur edhe paratë për blerjen e fishekzjarreve në një vlerë prej më shumë se 3 milionë lekësh. Për zgjedhjet e 18 shkurtit në përballimin e fushatës elektorale PD-ja ka publikuar pranë KQZ-së 19 donatorë, me një shifër totale prej 14.630.365 lekësh. Ndër shpenzimet e fushatës përfshihet pagesa e punonjësve, e cila kap shifrën e 2.605.000 lekëve. Kurse për flamuj të vegjël dhe të mëdhenj demokratët kanë shpenzuar në total një shifër prej 7.114.150 lekësh. Pjesën më të madhe të fondit të fushatës demokratët e kanë shpenzuar për spotet televizive, me një vlerë prej 8.972.565 lekësh, kurse për postera ka shpenzuar 200 mijë lekë. Këto janë shpenzimet më të mëdha të kryera nga ana e PD-së për fushatën elektorale. Ndërsa janë shpenzuar 52 mijë lekë për kapele dhe bluza për fushatën elektorale. Pjesa tjetër e fondit është përdorur për shpenzimeve operative materiale për zyrën e shtypit, kancelari, shtypshkrime, aparatura fonie, podiume me qira dhe të tjera. Në bazë të letrës së paraqitur në KQZ dhe të firmosur nga financieri i PD-së, Blerim Çela, janë 12 sponsorizues që kanë derdhur në arkën e PD-së nga një shumë prej 1 milion lekësh. Ndërsa në arkën e PD-së ka derdhur për fushatën e 18 shkurtit edhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, ku shuma kap shifrën e 400 mijë lekëve. PD-ja ka zhvilluar një sondazh paraprak për zgjedhjet, duke angazhuar INSTAT-in, një institucion që është në varësi të shtetit. Për realizimin e këtij sondazhi, PD-ja ka shpenzuar 2.45 milionë lekë. Ndërsa për amerikanët e BG&R, PD-ja ka derdhur një shumë të vogël, e cila kap shifrën e 511.811 lekëve.
Thursday, April 26, 2007
Vjedhje 7 milione dollare ne PD
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment