Saturday, October 6, 2007

Berishizmi është fanolizmi i sotëm, pra objektivisht

Berishizmi sot është një fanolizëm në traditat e
shkartisura të politikave të Bajram Currit e të Hoxhë
Kadrisë,por më pak folklorik se fanolizmi i Bajram Begut
para 80 vitesh. Nuk është aspak i saktë vlerësimi që jep
Skënder Buçpapa se berishizmi qenka antikomunizëm safi kur
shkruan :"Vitet 1997-2004 treguan se edhe vet lëvizja
demokratike antikomuniste në Shqipëri, pra berishizmi, u
mund dhe në mjaft segmente u shpartallua".

Nuk duhet harruar se Sali Berisha antikomunizmin e ka përdorur më
shumë për demagogji politike në luftën për pushtet sesa si
filozofi politike. Nuk duhet harruar se Sali Berisha
filozofinë e tij politike e përmblodhi qësh në fillim në
parrullat " bashkëfajtorë e bashkëvuajtës" me komunizmin,
"opozitarë , por vëllezër" me komunistët, "nuk ka të vonuar
në demokraci". Antikomunizmi i Berishës ka qenë kryesisht
retorikë politike.
Në një nga ato pamjet e përditëshme në ekranet televizive
ku paraqitet Berisha me të folmen bubulluese e
gjestikuluese dinamike e dëgjuam më 4 nëntor 2004 Saliun të
mburrte aleancën e tij politike me Fatmir Mediun e Partinë
Republikane. Berisha më në fund e bëri fare hapur dallimin
midis aleatëve të vet. E dinim prej kohësh se Berisha
përgjërohet vetëm për Mediun (Godon) e republikanët,sepse
kështu ka nisur karriera politike e Saliut në ortakëri me
Sabri Godon, sepse të dyve u janë përputhur shumë pipëzat
politike, karakteret, huqet e ambiciet politike dhe lidhjet
njerëzore me të tjerët; sepse të dy kishin marrë porositë
politike në të njëjtin vend dhe ishin ngarkuar me misione
që plotësonin njëri tjetrin në skenën politike shqiptare
qysh nga viti 1991.
Por lidhja e Saliut me repubikanët përfaqësonte dhe një
vazhdimësi historiko-politike më të hershme se Lëvizja
demokratike për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri.
Baza ideore e lidhjes së ngushtë të Berishës me Godon e
republikanët është fanolizmi.


Partia Republikane u krijua
nën skeptrin ideor e politik të nolizmit dhe vetëm sa ka
spekuluar me mantelin e djathtë që hidhte krahëve mbi
kostumin politik majtist-nolist. Nuk mund të ketë parti të
djathtë me ideologji e simbolikë të majtë. Nolizmi është
ideologji e majtë Në muret e zyrave të Godos e shokëve të
tij të tjerë qysh në vitin 1991 u varën portrete të mëdha
të Fan Nolit.
Edhe Partia Demokratike që është vetëreklamuar fuqishëm si
e qendrës së djathtë mbeti gjithmonë një parti e qendrës së
majtë, edhe ajo noliste. Në mendimin politik të Berishës që
nga fillimi nolizmi ishte doktrina sunduese. Berisha kur ka
përkujtuar 70-vjetorin e "Revolucionit Demokratik" (shto
fjalën"anti" para demokratik) në vitin 1994 është treguar
edhe më nolist se vet Noli në fjalimin e tij ditirambik për
këtë kryengritje që prodhoi e solli një pushtet të
paligjëshëm në Shqipëri, njësoj si pushteti që rrëzoi
Berishën në mars-qershor të vitit 1997.
Në rrethin e ngushtë të këshilltarëve të Berishës gjithnjë
kanë mbizotëruar nolistë të deklaruar dhe antizogistë
inatçorë, pinjollë të armiqëve më të deklaruar politikë të
Ahmet Zogut. Nëse mbledhim bashkë gjithë elementët ideorë,
politikë, njerëzore, tradicionalë që karakterizojnë lidhjet
e PD të Berishës dhe PR të Godos e Mediut, atëherë duhet
thënë se do të ishte më normale që PR të përfshihej në PD
ose PR të emërtohej PR. Prandaj Berisha i flak me aq
lehtësi e pa sëkëlldi aleatët e përkohëshëm dhe
shumëvjeçarë për hir të Mediut e të PR-së, duke përfshirë
dhe klane balliste të caktuara, apo trashëgimtarë të
politikës së Elez Isufit që radhitej në krahun nolist të
politikës shqiptare në vitet 1920.

Berishizmi paraqitet si bashkim i politikave antizogiste të
para vitit 1924

Është sylesh në politikë kush nuk e ka vënë re se vitet e
fundit Berisha aleancë të vërtetë quan dhe do që të ketë
atë me PR dhe Partinë demokristiane, sepse PD ka marrë
formën e forcave politike të para vitit 1924, janë nolistët
vazhdues të trashëgimisë së Nolit dhe politikanët katolikë
vijues të trashëgimisë politike të Luigj Gurakuqit.
Berisha është në traditën krahinore pasues i Bajram Currit.
Vet Skënderi pohon se : "Fakti që Bajram Curri ishte
antizogist ka ndikuar që në Tropojë në një kohë të
mbizotërojë antizogizmi. Por në Tropojë ka pasur gjithnjë
një krah zogist". Dhe përmend të ndjerin Abedin Mulosmani
si krahu i djathtë i Mbretit Leka I. Berisha dhe klani
berishian tropojan në PD kanë dhënë shumë prova se i
përkasin pikërisht krahut antizogist, atij të Bajram
Currit.
Mjafton të kujtojmë sesi Berisha Leka Zogun në vitin 1991 e
paraqiste në shtypin e Kosovës si agjent të Milosheviçit në
politikën shqiptare që po e përgatisnin të vendoste
diktaturën e djathtë në Shqipëri për qejf të Serbisë.
Mjafton të kujtojmë si e dëboi presidenti Berisha Mbretin
Leka I,bashkë me Abedin Mulosmanin brenda 24 orësh nga
Shqipëria në nëntor të vitit1993. Pastaj në vitin 1994
Berisha bëri ceremonira e deklarata ditirambike për
nolizmin dhe sulme të ashpra kundër zogizmit që nuk
bëheshin as në kohën e Enverit. Berisha i bëri thirrje
Kongresit të XIII të PLL të distancohej nga trashëgimia
zogiste, Gazeta më e zellshme berishiane në Shqipëri "Tema"
në tetor të vitit 2004 ka bërë sulmet më të fëlliqura
kundër Ahmet Zogut, Leka Zogut duke i paraqitur si
bashkëpunëtorë të komunistëve e armiqëve kombëtarë të
shqiptarëve. Kur tentohen analiza serioze, ndryshe
nga"analizat"e Mero Bazes,.gjëra të tilla nuk duhet të
lihen në harresë e të thuhet se berishizmi nuk qenka
antizogizëm.
Prandaj tani merr formë aleanca Fatmir Mediu (lexo Sabri
Godo)- Sali Berisha- Nikoll Lesi ( lexo edhe Jozefina
Topalli, Pjetër Arbnori, Preç Zogaj). Të tjerët (Arben
Imami, Jemin Gjana, Bamir Topi, Leka Meksi etj,) janë si
Rexhep Shala apo Kasem Qafzezi me shokë në "revolucionin
demokratik". Nuk ështË jashtë rregullit as bashkimi i Ilir
Metës me Sali Berishën, sepse kur shkoi një herë për vizitë
në Tropopjë IlirI u mundua t'i qetësonte tropojanët e
zemëruar me fjalët : " kam ardhur si burri tek burri, si
Riza Cerova (i Skraparit) tek Bajram Curri". Kur thoshte
këto fjalë Iliri në krah kishte Namik Doklen dhe kërcënimi
ishte për Berishën. Tani Iliri është shqitur nga Dokle dhe
po ngjitet me Berishën.

Berisha i mori zogistët argat në arën e fanolizmit

Në këto zallAmahira të viteve të tranzicionit legalistët e
monarkistët kanë qenë më shumë si bishti i sqeparit të
berishizmit Legalistët e zogistët më shumë kanë konsumuar
dhjamin historik e kapitalin politik që u la Ahmet Zogu dhe
nuk kanë qenë të zotët as deshën të vinin dhjamin e vet e
kapitalin e tyre politik në Shqipërinë paskomuniste.
Legalistët e zogistët janë treguar gjitHmonë më eklektikët
që kemi takuar në politikën e Shqipërisë, madje duke
filluar qysh nga Konferenca e Pezës e vitit 1942. NjerëZ me
vullnet politik të papërcaktuar e të lëkundur. Diçka duan
të marrin por nuk dinë çfarë e as nuk zgjasin dorën. Diçka
presin gjithmonë nga të tjerët, sidomos nga ndonJë mrekulli
politike ndërkombëtare që do t'i vejë drejtpërsëdrejti në
qoshe të oxhakut të politikës e të pushtetit.
Prandaj, berishizmi e ka pasur shumë lehtë ta kthejë
zogizmin në rezervë politike të vetën, t'i bëjë legalistët
e zogistët argatë të mirë për të punuar për berishizmin në
arën politike të fanolizmit.Sa herë Ekrem Spahia ka bërë
ndonjë gjest të vogël për të treguar se ka edhe ai mendjen
e vet menjëherë bazeberishizmi i është vërsulur nëpërmjet
gazetave "55" e "Tema" me akuzat se është bashkëpunëtor i
Sigurimit të Shtetit, se e paska zënë jesir Gramoz Ruçi, se
e paska blerë Fatos Nano.Pastaj përsëri e kanë renditur
pranë Berishës. Berishizmi nuk ka pikë respekti për
zogizmin. Këtë e tregoi më së miri me sulmet vulgare, të
poshtra që u bënë në gazetën "Tema" të Bazes para një muaji
e gjysëm kundër tërë brezave të familjes Zogolli. Shkuan aq
larg në marrëzitë e tyre sa ta shpallnin Ahmet Zogun edhe
frikacak, edhe komunist. Ky të jetë vallë antikomunizmi i
berishizmit? Kur Berisha vë njerëz të tillë si Kastriot m…
të përgojojë Ahmet Zogun merret lehtë me mend sesa i madh
është antizogizmi i tij.

Berishizmi e shpërfytyron më shumë thelbin e zogizmit

Berisha e berishizmi e zhvleftësojnë atë përfundim ku ka
arritur Skënder Buçpapa se "antizogizmi në thelbin e tij
mund të shikohet vetëm e vetëm si antikomunizëm".Pikërisht
berishizmi po e paraqet zogizmin si komunizëm edhe pse
sipas vlerësimit të Skënderit : "nëse ai është
antikomunizëm nuk mund të jetë antiberishizëm". Duhet një
shpjegim atëherë përse bazeberishizmi e paraqet zogizmin si
komunizëm, pra e dashka vet që të jetë kundër berishizmit!.
Skënderi në këtë pikë nuk është i qartë ose nuk ka dashur
të jetë i qartë. Ai i ka rënë rrotull një teme të tillë për
të bërë predikimin e logjikshëm, por jo sqarues
:"përpjekja për ta interpretuar zogizmin si antiberishizëm,
ngado që të vijë, ka për qëllim që të përplasë në mënyrë të
pashmangshme dy lëvizje të të njëjtit krah të politikës në
Shqipëri dhe ndër shqiptarët". Kush vallë e bën këtë?
Lëvizja e Mbretit Leka nuk ka shpallur objektiv të tillë.
Ajo duket më shumë një lëvizje heterogjene, madje amorfe që
po kërkon një identitet, që kërkon një vend në politikën
shqiptare pasi në bisht të PD-së e të berishizmit as ka
mundur ta tregojë veten, as është respektuar për partnere.
Si lëvizje armiqësore atë e ka paraqitur vetëm propaganda
bazeberishiste e "Temës" që vepron pas urdhërave të
Berishës, i cili zakonisht i lëshon këto urdhëra nëpërmjet
veqilit të tij propagandistik, Mujë Buçpapës.

Kur Leka çorienton Godon bëhet shumë mirë

Berishizmi kërkon "partnerë" pa identitet të spikatur, pa
dinjitet të respktuar, pa individualitet, kërkon vetëm
shegertë. Prandaj berishizmi është bërë shumë idhnak me
LZHK-në. "I mençuri, i duruari" i fanolizmit e berishizmit
Sabri Godo kur u shpall LZHK bëri deklarata për të frenuar
beniaminin e tij, Fatmir Mediun, që nisi menjëherë sulmet
kundër Lëvizjes së Leka Zogut. Por tani Sabriu po bëhet
flamurtar i idhnimeve e zemërimeve me Lekën duke e akuzuar
se nuk marrka vesh nga politika, se veprimet e Lekës qenkan
çorientuese për të lënë në fuqi socialistët. Ah sikur të
ndodhte që veprimet e Leka Zogut të çorientonin politikën e
Sabri Godos që ndihmoi në vitin 1997 të vinin në fuqi
socialistët si fanolistët në vitin 1924 ! Shqipëria do të
fitonte shumë nga ky lloj "çorientimi". Shqipëria ka humbur
nga që kryerepublikani Godo, trashëgimtari jo vetëm
gjenetik i armiqësisë së Totajve kundër Ahmet Zogut, ka
arritur për shumë vite të çorientojë legalistët e zogistët.

Kush e ka fajin që Saliu e Leka rrethohen nga të këqinjtë"?


Skënderi u drejtohet me një thirrje për bashkëpunim e
mirëkuptim berishizmit e zogizmit kur shkruan : " Nuk mund
të besohet se Mbreti Leka I ta mendojë të fituar kauzën
zogiste duke i përqëndruar energjitë kundër Berishës. Nuk
mund të besohet se Berisha ta mendojë të fituar kauzën e
tij duke përqëndruar energjitë kundër Mbretit Leka I".
Kujtesa është e mirë. Po a nuk e dinin vallë Berisha e Leka
këtë gjë? E dinin, si jo. Kush po i përqëndron energjitë
kundër tjetrit? Hë për hë këtë po e bën vetëm Berisha,
sepse çdo gjë është ende në sferën e propagandës.
Berisha ka përqëndruar energji të shumta nëpërmjet
gjuhëhidhurve të tij për të plagosur sa më rëndë zogizmin?
Melhemi që tenton të vejë Buçpapa mbi këto plagë që i kanë
hapur zogizmit egërsirat propagandistike të bazeberishizmit
bëhet djegës edhe pse është vënë me dëshirën e mirë. A do
ta dëgjojë vallë këtë këshillë të mirë të Skënderit vëllai
i tij, Muja, që të ndihmojë Berishën të lidhë egërsirat
propagandistike që zhurmojnë lehaqençe kundër zogizmit?!
Deri tani duket se Berisha e berishizmi po sillen sipas
metodës së tyre hipokrite: mënjanë lëshojnë egërsirat më të
tërbuara të kafshojnë me fjalë gazetash miqtë e aleatët, në
anën tjetër sajojnë dhe ndonjë këshillë të mirë. Por
gjithmonë synimi është tëj veprohet sipas urdhërit " në
gjunj para Berishës". Zogistët e kanë pranuar shpesh këtë
shantazh politik. A do ta pranojnë edhe kësaj radhe?!
Fajtorët për këtë përballje berishizëm -zogizëm Skënder
Buçpapa i ka treguar vetëm në grup, pa emra, duke shkruar :
" Këshilltarë kontrabandë në njerëzit e afërt të njërit apo
tjetrit, tellallë të papaguar as nga njëri as nga tjetri,
të tjerë të papërgjegjëshëm , vegla të SHISH-it dhe të
shërbimeve sekrete antishqiptare mund të përpiqen që të
ndikojnë që dhe berishizmi, edhe zogizmi të mos jenë më
antikomunizëm, por të jenë përkatësisht antizogizëm dhe
antiberishizëm".
Është një realitet i dukshëm se në të dy krahët ka njerëz
të kategorive të tilla që bëjnë atë për të cilën Skënderi
vetëm hamendëson. Ka kohë që po luftojmë për të treguar me
emër e mbiemër disa nga këta, për të treguar se si ata
veprojnë për të kryer shërbime të këqija. Ka, pra, mjaft të
vërteta në paragrafin e sipërcituar, por ka edhe shumë
dykuptimësi, gjëra të lëna gjysëm në dritë, gjysëm në
errësirë. Mujë Buçpapa është njeriu më i lidhur me atë
mjedis e veprimtari ku mund të sqarohen, madje të ndalohen,
ato poshtërsi për të cilat hamendëson Skënderi.
Këtë bindje na e përforcon edhe thënia e Skënderit :
"Mbreti Leka ka një staf të krijuar pothuaj në mënyrë të
rastësishme rrotull". Është dobësi e madhe për rolin që ka
marrë përsipër. Kësaj dobësie me siguri do t'ia shohë
sherrin shumë. Por fatkeqësisht Mbreti Leka ua ka parë
shumë sherrin edhe stafeve të mëparshëm rrotull tij që nuk
ishin krijuar me ngut e në mënyrë të rastësishme. Kurse
Berisha ka pasur mjaft kohë e mjete të gjithfarshme për të
krijuar si i ka dashur qejfi stafet rreth tij. Pse pra edhe
Berishës t'i jenë rrasur deri në prehër e nën sqetulla
"këshilltarë kontrabandë", "tellallë të papaguar";
"daullexhinj pa talent'', " intrigantë pa karar",
"provokues të pacipë"?. Ka vetëm një shpjegim :Berishës i
pëlqen ta bëjë punën kryesisht me njerëz të tillë.
Berisha i ka ngritur atje ku janë grupet më të neveritëshme
të propagandës në Shqipëri. Berisha e ka krijuar
përbindëshin e shpifologjisë e të provokimit gazetaresk,
Mero Bazen. Berisha e ka kthyer përdorimin e "vrasësve me
pagesë në publicistikë" në një dukuri të shëmtuar në
Shqipëri. Nuk është aspak e rastësishme që në propagandën
bazeberishiste u hapet rruga tipave të tillë shpifës e
provokues si Kastriot Myftaraj. Bëhet një libër me gati
1000 faqe materiali denoncues që kam shkruar unë në
"Rimëkëmbja" për të treguar se kush është ky tip dhe kush
fshihet prapa tij. Berisha i ka dhënë hapësira gjithnjë më
të mëdha. Mujë Buçpapa është tutor e mentor i këtij soj
anti-njeriu që tani vepron në bashkëpunim të hapur me Mero
Bazen. Këta janë prodhime të berishizmit dhe pjesë e
makinerisë së berishizmit
Berishizmi nuk mund të shfajsohet vetëm duke e shpallur
antikomunizëm, çka nuk është më e vërtetë në realitet.
Skënderi thotë në mënyrë të përgjithëshme : "njerëz që i
noh mirë dhe që kanë ndërruar pafundësisht flamuj, jam i
sigurt se ata nuk luajnë as për Berishën, as për Mbretin,
por për ustallarët e tyre të vjetër". Edhe unë kam një
bindje të ngjashme. Madje kam folur dhe më konkretisht për
këtë temë. Nga ana tjetër e di që Berisha pikërisht njeërz
të tillë ka dashur të ketë rreth vetes gjithmonë. Ndryshe
nuk do të ngazëllohej aq shumë që pranë tij u rikthyen
Zogaj, Imami apo që u radhit me të Nikollë Lesi, i
përkëdheluri i Fatos Nanos. Për ata ustallarët e vjetër më
shumë po luan Berisha vetë. Këtu ndryshoj rrënjësisht
mendimin tim nga ai i Skënderit. Prandaj luajnë lirshëm
edhe ata të tjerët rreth tij. Prandaj bëhet "dash këmbore"
i berishizmit Nikollë Lesi, Preç Zogaj, Arben Imami e shokë
të tyre. E kam të vështirë ta besoj pa e parë të shkruar që
Skënder Buçpapa e quan në rregull berishizmin edhe tani që
atij po i prijnë desh të tillë këmbore që u kanë prirë
tufave të propagandistëve e skuadroneve të andartëve që
dogjën Shqipërinë në vitin 1997.


Abdi Baleta

No comments: