Saturday, October 6, 2007

Loja e ndryrë e “Lejimit të shpifjes”

Nga Bashkim Kopliku
[Gazeta Shqiptare, 7.5.2007]

Na dha haberin kryeministri, se e ka gati projektligjin për të hequr, “nga Kodi Penal”, dënimin e gazetarëve për shpifje, dhe kur shpifja bëhet ndaj një njeriu të zakonshëm, jo nëpunës i shtetit.


Nuk synon ky ligj të mbrojë gazetarët e ndershëm. Ky ligj synon të lërë qytetarin krejt të pambrojtur nga sulmet e gazetarëve shpifarakë—nuk u dëgjua asnjë ndryshim në Kodin Civil, që të garantohet mbrojtja e qytetarit! Skuadrat e Shpifarakëve të berishizmit, të quajtur “gazetarë”, do të marrin licencën për të shpifur, duke i shkatërruar jetën kujtdo—viktimat lihen pa asnjë mbrojtje ligjore, si në një vend ku nuk ekziston shteti. Viktimat kryesore do të jenë kundërshtarët politikë.
Është e vjetër kërkesa e perëndimorëve për të kaluar sanksionet kundër shpifjes, nga Kodi Penal, tek ai Civil. Por perëndimorët nuk kanë thënë asnjë moment që qytetarët të mos mbrohen nga shpifja, por të kundërtën. Ja një citim nga sa i kanë shkruar qeverisë sonë: “Shqipëria duhet të heqë shpifjen nga Kodi Penal, por duke e zëvendësuar me amendimet e nevojshme të Kodit Civil”, e më tej, ata theksojnë se qytetarët e zakonshëm nuk duhet ta kenë të vështirë të mbrojnë të drejtat e tyre kundër shpifjeve që mund t’u bëhen, duke u bazuar në Kodin Civil. Kurse tani, berishizmi i lë qytetarët shqiptarë krejtësisht në mëshirën e shpifësve—asnjë amendament në Kodin Civil, që aktualisht ka veç një gjysmë neni (të nenit 625) që përdoret kundër shpifësve, e që natyrisht duhet amenduar e saktësuar, që gjykimet të jenë më efektshme.
Është naivitet i skajshëm të besosh se berishizmi e ka hallin tek “liria e shtypit”. Nuk ka ndërruar në përmbajtje, nuk ka ndërruar nga mentalitetet e burgosjes, djegies etj. të shtypit. Me ligjin e shpifjes, berishizmi do që t’u japë shumë vetëve licencën për të shpifur. Kjo do t’i lejonte atij që të krijonte “skuadrat e shpifarakëve”, institucione të tëra shpifje, që do t’ia kishin zili organet e propagandës naziste, apo staliniste—as ata, Hitleri, Stalini etj., nuk patën arritur deri këtu, sa të heqin edhe mbrojtjen formale të njerëzve nga shpifja. “Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen,” thotë një fjalë e urtë. E berishizmi do t’u “thyejë kockat” kundërshtarëve, duke lejuar shpifjen.
Berishizmi tentoi ta rregullonte ndryshe, që të tijtë të shpifnin, e mos t’i gjente gjë, po nuk ia arriti—e ai ka ngut. Provoi të futë nën thundrat e tij, Prokurorinë, Gjykatat, por ja që ngeci. Tani situata po i rëndohet, edhe deputetët e tij nuk po e durojnë dot, e po i rebelohen. Nuk pret dot sa të ikë presidenti Moisiu, të vërë një president kukull, e të nënshtrojë pastaj edhe Prokurorinë, edhe Gjykatën—shpifja i duhet tani, në moment. Ah sa mirë do të ishte po t’i kishte shtënë në dorë Gjykatën dhe Prokurorinë, se me ta nën komandë, nuk kishte nevojë për ligje të lejimit të shpifjes: thjeshtë i urdhëronte, dhe asnjë ligj nuk zbatohej, si vaktit—mund të shpifje, të rrihje, të digjje për berishizmn, e kurrgjë s’të gjente.
Pra, nuk e do për vete personalisht ligjin, kryetari i berishizmit, kryeministri aktual, e do për gazetarët e tij shpifarakë. Ai, me ligjin në fuqi, ka shpifur sa ka dashur. Civilizimi shqiptar i shekullit të XXI-të, nuk ka arritur të zbatojë ligjet, konkretisht të marrë si të pandehur, dhe pastaj edhe të dënojë si shpifës, njerëzit e një niveli të caktuar në hierarkinë shtetërore, apo të biznesit.
Shpifësit i duhen berishizmit tamam tek masmedia, sepse ajo mund të përdoret me efikasitet për shpërndarjen e shpifjes anë e mbanë. Skuadrat e shpifarakëve, të përbëra nga “gazetarë”, do të përcjellin shpifjet që do të fabrikohen në stanin e shpifarakëve të berishizmit.
Mendoni kur gazetat e televizionet berishiste të buçasin me sajime për “gjyshet, motrat, nënat putana, lesbike, hajdute etj.”, për “gjyshat, baballarët, djemtë hajdutë, vrasës, pederastë, kurvarë, impotentë etj. etj.”, të gjitha këto të thëna edhe për njerëz që nuk kanë asgjë prej sa u shpifet. Do të sulmohen thjeshtë se diku ia kanë prishur vizën berishizmit.
Por kur të hapet loja e shpifjeve, ajo do të jetë pronë jo vetëm për luftën politike, por edhe për goditje “për motive të ulëta”, pra “ordinere”. Do të bëhet një kasaphanë e vërtetë, më keq se për pronat, për gjaqet, për moral etj., ku ka ligje, por shteti nuk është efikas në dënimin e fajtorëve. Heqja e ligjeve që mbrojnë qytetarin nga shpifja, do të rrisin rastet e vetëgjyqësisë. E dihet se tek ne, vetëgjyqësia konkretizohet në përdorimin e mjeteve të ndryshme, që nga kallashnikovi e thikat, e deri tek grushtet. Të shkretët gazetarë se ç’po u përgatit berishizmi.
Kuvendi, Shqipëria nuk duhet të kalojë një ligj të tillë. Duhet thjeshtë të kalojë shpifja, nga Kodi Penal, tek ai Civil, dhe kaq. Nuk i duhet lënë në dorë berishizmit, që ta bëjë çorap Shqipërinë.

No comments: