Tuesday, November 27, 2007

Provohet fshehja, Berisha paratë tek vajza, Argita me superpasuri

Tiranë- Çdo qindarkë e kryeministrit Berisha është shënuar në emër të vajzës së tij dhe kjo është arsyeja pse nga viti në vit ai deklarohet gjithnjë e më i varfër. Gjithë faktet e sjella, të vërtetuara katërcipërisht edhe nga dokumentat zyrtarë, janë konfirmuar edhe nga vetë Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.



"Karakteri i z. Berisha, imuniteti që ka fituar gjithë këto vite, e ka bërë atë që të mos japë asnjë të dhënë në akuzat ndaj tij për pasurinë. Për verifikimin e tyre janë disa rrugë. E para, duhet të bësh padi civile. Ju e dini tashmë që Kryeministri nuk ka asnjë qindarkë, sepse i ka kaluar te familjarët, bile edhe pasurinë e paluajtshme nuk e ka në emër të tij, por në emër të gocës" ka qenë deklarata e kryeprokurorit. Nuk ka qenë vetëm dyshim ai i hedhur më së pari pikërisht nga gazeta "Zëri i Popullit" për një super pasuri në emër të vajzës së kryeministrit, Argita Berisha. Në deklarimin zyrtar të kësaj pasurie, ajo ka shënuar të paktën pesë shtëpi dhe të tjera pasuri të paluajtshme, pa përfshirë këtu edhe miliona të tjera "cash" ose rreth 800 mijë dollarë, të deklaruara si të fituara nga puna në Kosovë. Kryeministri dhe maxhoranca kanë kundërshtuar fort nismën për ngritjen e një komisioni hetimor të pasurisë dhe lidhjes nepotike të familjes së Berishës, pa asnjë arsye ligjore dhe mbi të gjitha bindëse. Në vend të tij ngriti sa për fasadë një komision që do të hetonte pasurinë e gjithë zyrtarëve, deputetëve deri tek presidenti. Në të vërtetë ky komision nuk punoi as edhe një ditë të vetme, ndërsa pasuria e familjes Berisha pati kohë edhe një vit tjetër për t'u shtuar akoma. Por gjithmonë jo në emrin e kryeministrit, por të vajzës së tij. Dhe Argita nuk zhgënjeu, sepse një vit më pas deklaroi më tepër para të thata në depozitat e saj, të shtuara edhe nga biznesi i ri që ka hapur që pas mbërritjes nga Kosova. Në një ballafaqim të shifrave me UNMIK, rezultoi se të ardhurat e deklaruara prej saj ishin më shumë se paga e saj reale. Një "detaj" që megjithatë kaloi pa u vënë re nga institucionet që duhet të merren me hetimin dhe transparencën e pasurisë së zyrtarëve të detyruar nga ligji për të treguar xhepat. Megjithatë jo nga opozita që në vazhdimësi kërkoi hetim të pasurisë së familjes Berisha, si dhe të lidhjeve nepotike që kanë kapur çdo hallkë të shtetit. Kryeministri i shpëtoi sërish komisionit dhe hetimeve, por duke vazhduar të deklarojë se është plotësisht i hapur dhe transparent. Madje edhe se nuk ka pasur asnjëherë asgjë për të fshehur. Kjo mund të jetë e vërtetë, për sa kohë gjithë pasuria e Berishës është e shënuar në formularët e vajzës së tij, me Argita Malltezi ( Berisha) si pronare të ligjshme. Gazeta ka sjellë në vazhdimësi gjithë faktet se si pasuria e kryeministrit dhe vajzës së tij nuk lidhen vetëm tek një hua prej 2.1 milionë lekësh vite më parë, por që e detyroi të bijën të deklarojë pasurinë. Madje as tek njëra prej shtëpive në emër të Argitës dhe ku banon aktualisht kreu i qeverisë. Lidhja mes kryeministrit dhe vajzës së tij shkon më tej për sa i përket shifrave dhe pronësisë mbi pasurinë zyrtare por edhe atë jo zyrtare, të gjitha të mbetura jashtë verifikimeve dhe hetimeve.



Skemë nepotike në drejtimin e Tatimeve, emërimi i drejtoreshës nga Argita vetëm fillimi i kapjes



Tiranë- Emërimi i drejtoreshës së Tatimeve nga vajza e kryeministrit ishte vetëm fillimi i aplikimit të skemës së kapjes edhe të këtij institucioni. Në vijim të zbatimit të kësaj skeme që ka nisur që pas 3 Korrikut 2005 drejtoria e përgjithshme e Tatimeve është bërë "mikpritësja" e radhës. Në vend të qindra punonjësve që u larguan vetëm pak kohë më parë për hir të një "reforme", bazuar edhe në vendim zyrtar, janë emëruar familjarë të ministrave dhe deputetëve. Si në çdo rast të njëjtë, asnjë prej këtyre lëvizjeve nuk është bërë transparente dhe publike, pavarësisht se qeveria premtoi të ishte e tillë në çdo vendim të saj. Përndryshe do të ishte e detyruar të na tregonte se si ka mbushur çdo zyrë shtetërore me të emëruar vetëm mbi kritere politike dhe aspak profesionale, mjaft që të jenë të afërm të zyrtarëve dhe qeveritarëve. Fenomeni i denoncuar nga mediat nuk u tentua as të mbulohej nga qeveria që do të luftonte nepotizmin dhe konfliktin e interesit. Paralelisht me lirimin e vendeve të punës për shkak të largimeve në masë të atyre që u cilësuan si militantë të qeverisë së mëparshme, u bë zëvendësimi i tyre me besnikët më besnikë të partisë së kryeministrit në fillim, pastaj të tjerët. Nuk ka qenë e nevojshme që emërimet të bëhen në bazë të aftësive apo përgatitjes arsimore të personave që kanë tani një post për shkak të lidhjes me familjen Berisha. Ky ka qenë kriteri i vetëm dhe kryesori dhe nuk ka për të ndërruar as në emërimet e tjera që do të bëhen në vazhdim. Ne do t'u sjellim fakte të reja lidhur me dhënien e posteve vetëm në bazë të lidhjeve të gjakut, apo interesave si për familjen e kryeministrit ashtu edhe pjesëtarë të tjerë të qeverisë.


Përfaqësuesit vendorë të PD, abuzime me tokat

Tiranë- Rasti i kryetarit të bashkisë së Lushnjës, i vënë tashmë nën ndjekje penale nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është modeli me të cilin Partia Demokratike përfaqëson drejtimin e pushtetit vendor. Ai dhe modeli që ai përfaqëson është denoncuar fillimisht pikërisht nga gazeta "ZP", bashkë me kryetarë të tjerë komunash që shfrytëzuan karrigen për ndere personale dhe për të fituar para. Abuzimi me detyrën, shpërdorimi i pushtetit, tejkalimi i kompetencave por sidomos abuzimi me shpërndarjen e tokave dhe me paratë e taksapaguesve janë disa prej shkeljeve që kanë për autor jo vetëm ish kryebashkiakun e Lushnjës, Kadri Gega. Shpërndarja gjeografike e fenomenit, model i qeverisjes vendore të Partisë Demokratike vijon me komunat e Tiranës, si Farka, Kashari apo Dajti. Për këtë arsye, disa prej këtyre kryetarëve u ndëshkuan me votë nga elektorati në zgjedhjet më të fundit të pushtetit vendor. Të tjerë janë duke u ndjekur penalisht për shkeljet dhe abuzimet e bëra, për t'u përgjigjur para ligjit dhe përpara qytetarëve në kurrizin e të cilëve vazhdojnë të rëndojnë veprimet dhe vendimet e padrejta të këtyre përfaqësuesve demokratë të pushtetit vendor.

Pasuria e familjes Berisha

"Djali nuk i bindet Kryeministrit, nuk e deklaron. Argita, xhiro 7.6 mln lekë në vit...

Djali i Kryeministrit Sali Berisha nuk rezulton të ketë plotësuar formular të deklarimit të pasurisë as për vitin 2006. Ndryshe nga ajo çka shefi i ekzekutivit ka premtuar prej një viti më parë në deklaratat publike në Shkodër e Vlorë, vetëm vajza Argita Malltezi ka kryer një veprim të tillë dy herë. Ndërsa Berisha nënkuptonte se përveç vajzës, pasurinë e ka deklaruar edhe i biri, inspektorati konfirmon se në këtë institucion nuk ka një deklaratë pasurie nga Shkëlzen Berisha. Paralelisht me këtë sqarohet motivi se pse ligjërisht ai nuk është objekt i kontrollit dhe si u bë përjashtim rasti i vajzës Argita. Ndërsa transaksionet e saj për vitin 2006 duken në vlera të konsiderueshme, vazhdon të ketë hua pa afat nga babai shumën prej 2,1 milionë lekësh të vjetra. Deklarata Në 30 gusht të vitit 2006, Kryeministri Sali Berisha pati komentuar akuzat e bëra nga opozita në drejtim të familjes së tij. Kreu i mazhorancës konstatoi atëherë se çdo gjë e deklaruar nga vajza është e saktë dhe e verifikueshme. "Fëmijët e mi janë të vetmit fëmijë qeveritarësh që kanë mbushur formularët për deklarimin e pasurisë ndonëse janë veprimtari tërësore private", qe shprehur Berisha. Ndërsa shtoi se çdo gjë është kryer jashtë ndonjë detyrimi ligjor. "Edhe njëherë mund t‘ju them se, jo mbi bazën e kërkesës ligjore, por mbi bazën e kërkesës sime personale, fëmijët e mi, të cilët nuk jetojnë me mua, kanë deklaruar çdo pasuri që disponojnë dhe kjo është bërë me qëllimin e vetëm që shqiptarët të kenë të qarta pasuritë e tyre", u shpreh Berisha. Sipas tij, ata do të deklarojnë çdo vit, për sa kohë që unë (Berisha) do të jem në politikë, burimin e të ardhurave të tyre. Inspektorati Burimet zyrtare nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive konfirmojnë se djali i Kryeministrit nuk ka plotësuar ndonjë formular deklarimi pasurie. Sipas tij, shkaku i kësaj është fakti se Shkëlzen Berisha nuk ka qenë deri më tani objekt i kontrollit të inspektoratit sipas asaj çka përcakton ligji. Rasti i vajzës Argita Malltezi (Berisha) sipas burimeve nga ILDKP është një rast tjetër specifik. Kjo pasi në deklaratën e pasurisë për pasuritë e ndryshuara gjatë vitit 2005 Kryeministri Berisha kishte shkruar se i ka dhënë një hua të bijës. Kaq mjaftonte që në bazë të ligjit mbi të cilin funksionon institucioni në fjalë t‘i kërkohet deklarimi i pasurisë edhe vajzës. Pas konstatimit të kësaj lidhjeje një vit më parë, titullari i inspektoratit i nisi një kërkesë Argita Malltezit (Berishës) ku i kërkonte të plotësonte formularin. Menjëherë pas kësaj, vajza e Kryeministrit e kreu deklarimin e pasurisë së saj personale. Në të njëjtën kohë sqaroi edhe rrethanat dhe shumën e marrë borxh nga babai i saj. Por krahas kësaj, emri i djalit nuk ka figuruar në dokumentacionin e inspektoratit. Ky institucion nuk ka gjetur ndonjë indicie për të ftuar atë të plotësojë të dhënat personale. Sakaq, çdo gjë ka mbetur në mbështetje të deklaratës së vetë Kryeministrit një vit më parë. Pasuria Në deklaratën e pasurisë për vitin 2006, vajza e Kryeministrit ka shënuar mbylljen e dy llogarive bankare. Argita ka hapur tri llogari të tjera me gjendje; -1 euro, e dyta 3029 euro, e treta 72345 lekë. Një llogari e mëparshme i kalon në pronësi me shumën 4838 dollarë. Vajza e Berishës ka deklaruar në llogari ekzistuese; Credins -49 dollarë, Chery Chase 718 dollarë ku është në pronësi 50%, UNFCU 22192 dollarë në pronësi ka 50%.

Të ardhurat nga puna si pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë janë 803.995 lekë, ndërsa nga konsulenca ligjore ka përfituar 413280 lekë. Xhiroja vjetore dhe të ardhurat nga avokatia 7632200 lekë, të ardhurat nga qiraja e apartamentit për një periudhë dymujore janë 2 mijë euro. Nga rroga e bashkëshortit Jamarber Malltezi ka shënuar shumën 110 mijë lekë në muaj. Argita vazhdon të deklarojë se ka një hua pa afat nga babai. Ajo ka shënuar edhe një kredi të mëparshme nga e cila ka shlyer 5827 euro duke lënë për të shlyer 141737 euro. D.M. Të ardhurat e deklaruara nga vajza Argita Berisha (2005) 7 apartamente ( 5 janë të pa hipotekuar ) 1 vilë në bregdet 1 dyqan 3000 m2 tokë në Priskë 8 llogari bankare 805.000 dollarë të ardhura 143.000 euro kredi 2 autovetura (2006) Ka mbyllur dy llogari bankare (ABA, Emporiki) Ka hapur tri llogari; njëra -1 euro, e dyta 3029 euro, e treta 72345 lekë. Llogari e mëparshme që i kalon në pronësi 4838 dollarë Llogari ekzistuese; Credins -49 dollarë, Chery Chase 718 dollarë (50%), UNFCU 22192 dollarë (50%) Të ardhurat nga puna F.Drejtësisë 803.995 lekë Konsulencë ligjore 413280 lekë Xhiro vjetore të ardhura nga avokatia 7632200 lekë Të ardhura nga qiraja e apartamentit (2 muaj X 1 mijë euro) 2 mijë euro Rroga e bashkëshortit 110 mijë lekë në muaj Hua nga babai pa afat Kredi e mëparshme ka shlyer 5827 euro, ka detyrim dhe 141737 euro Berisha (30 gusht 2006) "Edhe njëherë mund t‘ju them se, jo mbi bazën e kërkesës ligjore, por mbi bazën e kërkesës sime personale, fëmijët e mi, të cilët nuk jetojnë me mua, kanë deklaruar çdo pasuri që disponojnë dhe kjo është bërë me qëllimin e vetëm që shqiptarët të kenë të qartë pasuritë e tyre. Ata do të deklarojnë çdo vit, për sa kohë që unë do të jem në politikë, burimin e të ardhurave të tyre. Më lejoni të theksoj diçka, ata janë të vetmit fëmijë të politikanëve shqiptarë që kanë mbushur formularin, ndonëse janë veprimtari tërësore private. Asnjeri prej tyre nuk është në administratën shtetërore".

No comments: