Sunday, January 6, 2008

Berisha: Mirënjohje për Presidentin Ramiz Alia

Gazeta Shqip
12 Dhjetor 2007

EKSKLUZIVE/ “Fiks Fare” zbardh të plotë fjalën e Kryeministrit aktual, Sali Berisha, në mitingun e 12 dhjetorit 1990 në Qytetin Studenti



“Fiks Fare” ka zbardhur të plotë fjalën e Kryeministrit aktual, Sali Berisha, në mitingun e 12 dhjetorit 1990, në Qytetin Studenti, me rastin e shpalljes së themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Fjala e tij është ndërprerë shpesh nga brohoritjet, por edhe fishkëllimat. Këto të fundit, sidomos në momentin kur Berisha ka përmendur emrin e Presidentit të atëhershëm, Ramiz Alia. “Mirënjohja jonë e madhe padyshim shkon së pari te Presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë…”, është shprehur Berisha, fjala e plotë e të cilit vijon më poshtë:

Pluralizmi politik, që erdhi te ne si imperativ i kohës, ka gëzue shumë shqiptarët kudo që ata janë. Ai shënon një arritje të madhe për zhvillimin e demokracisë në vendin tonë, renditjen e Shqipërisë në radhën e vendeve demokratike të Evropës, integrimin e saj në rrjedhat e proceseve përparimtare bashkëkohore. Ky lajm është një gëzim i madh në këtë dimër plot të ftohtë, shtypje dhe terror që përjetojnë vëllezërit (brohoritje: liri-demokraci) tanë në Kosovën martire (brohoritje: Kosova-Republikë). Por ai është gjithashtu një gëzim i madh për diasporën shqiptare, e cila e ka gjithnjë të pashuar mallin dhe dashurinë për Shqipërinë.

Shqiptarët kudo që janë kanë një tempull dhe ky tempull është Shqipëria, Shqipëria demokratike (ovacione: urraaa). Personalisht unë kam mbështetur idenë e pluralizmit politik, duke pasur bindjen dhe shpresën se fetë e ndryshme, se partitë e ndryshme jo vetëm që nuk do ta përçajnë kombin tonë, por përkundrazi, në përputhje me idealet e tij kombëtare e demokratike, ato do të pasurojnë filozofinë, kulturën, shpirtin e tij të mirë, të madh dhe të paepur (duartrokitje). Të gjithë së bashku këtu jemi të gëzuar dhe për një arsye tjetër të madhe, sepse shqiptarët i treguan botës tjetër të qytetëruar pjekurinë e tyre të madhe politike, se për ta fjala është më e rëndë se guri dhe se me dialog, ata dinë të marrin vendime të mëdha historike.

Në këtë mes, mirënjohja jonë e madhe padyshim shkon së pari te Presidenti, shoku Ramiz Alia (ovacione dhe duartrokitje), i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare (fishkëllima), udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë (fishkëllima). Mirënjohja jonë sigurisht është dhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që me guxim dhe mençurinë e tyre u shndërruan në protagonistë të këtij dialogu historik (fishkëllima dhe duartrokitje), duke treguar se brezi ynë i ri di t‘i qëndrojë gjithnjë drejt historisë. Për kombin tonë, rinia ka qenë një realizues i ëndrrave të tij të mëdha dhe shpreh bindjen se edhe në të ardhmen ajo do të dijë të realizojë aspiratat e tij të mëdha kombëtare, do të begatojë gjithnjë e më shumë vendin tonë. Duke përfunduar, ju ftoj të brohorasim njëherësh “Rroftë rinia jonë” (duartrokitje: urraaa). Si një mik, si një mik që dëshiroj e shpresoj të mbetem i Partisë Demokratike, due t‘i uroj asaj suksese gjithnjë e më të mëdha në punën e saj për begatinë e Shqipërisë (ovacione) për të mirën e kombit tonë. Dhe tashti më lejoni t‘u lexoj një mesazh që na e dërguan para dy ditësh punëtorët e Kombinatit të Tekstileve.

(Berisha lexon mesazhin)

Ju jeni bij dhe bijat tona, ashtu siç na doni dhe ju duam. Ju keni marrë një aksion të madh, i keni bërë me mençuri kërkesat Presidentit të shtetit dhe mirë keni bërë. Është e drejta juaj të veproni kështu. Por duam t‘ju shprehim edhe juve dëshirën dhe kërkesën tonë: “Ruani gjakftohtësinë! Mos bëni asnjë veprim që do t‘ju çojë në gjakderdhje. Boll ka derdhur gjak shqiptari. Asnjë shqiptar nuk duhet të sakrifikohet dhe kështu jemi mjaft pak. Kërkesat tuaja duhet të zgjidhen vetëm me dialog. Ky është amaneti i popullit. Rroftë populli” (brohoritje: Liri Demokraci).

Fjala tjetër e Sali Berishës, po në mitingun e 12 dhjetorit 1990

(Dëgjohet zëri i Genc Pollos që prezanton në mikrofon: Po flet Sali Berisha)

Berisha: Njëmbëdhjetë, njëmbëdhjetë dhjetori do të hyjë në histori krahas datave më të shënuara të kombit tonë, i ndarë, i ndarë, tragjikisht nga historia në tre pjesë, sot fillon, sot shënohet, kjo datë shënon fillimin e unifikimit të tij kombëtar. Shqiptarët do ta festojnë përjetë këtë datë. Në qoftë se kam qenë partizan i këtyre kërkesave të studentëve, kam qenë i bindur se as vetë, as partitë, se përçajnë, por e forcojnë unitetin e popullit tonë. Ato pasurojnë filozofinë e tij kombëtare. Së fundi, dua të them edhe diçka tjetër. Në ndonjë moment dëshpërimi, në një moment dëshpërimi, gëzimi ynë është i dyfishtë sot, sepse, sepse, i pari është për të gjithë ju, po i dyti, se, në një moment dëshpërimi që mund të kem pasë, shpresa ime e vetme dhe kryesore ka qenë rinia (duartrokitje: rinia, rinia…), ajo, ajo, ajo, bani ‘24-ën (shënim: Berisha e ka fjalën për Revolucionin e Qershorit të Fan Nolit në 1924, i cili në fakt ka qenë një kryengritje e armatosur dhe grusht shteti, por që historiografia e regjimit komunist të Enver Hoxhës e konsideronte si ngjarjen më të madhe në historinë e Shqipërisë), njërën prej faqeve më të lavdishme të historisë sonë, ajo çliroi vendin, e uroj dhe jam i bindur se ndoshta jo larg, një ditë ajo do ta bashkojë kombin tonë. Prandaj sot, prandaj sot, prandaj sot, ju ftoj të gjithëve të brohorasim njëherë: Rroftë Rinia jonë studentore (ovacione: urra, urra), ajo nuk është vetëm e ardhmja, por është e sotmja jonë (urra). Rroftë organizata e saj demokratike (zëra që dëgjohen qartë nga turma: Rroftë Partia Demokratike! Na e shpifi ky, etj). Rroftë Partia jonë Demokratike! Uroj, uroj, uroj nga zemra dhe shpreh bindjen time të thellë se demokracia do të ecë e zhvillohet gjithnjë, sepse në rast se ndalon, ajo kthehet në iluzion (zëra: Bravo të qoftë! Kosova Republikë, Kosova Republikë). Zgjedha e saj e mjerë dhe e trishtuar është lajmi i madh dhe lajm i gëzueshëm ky që kujtojmë sot. Dua gjithashtu dhe ju ftoj gjithashtu të brohorasim edhe njëherë për Presidentin Ramiz Alia (zëra: Rroftë Ramiz Alia, Rroftë Ramiz Alia), duke shpresuar se, duke besue se do të krijojë të gjitha kushtet e mundësitë për arritjen e plotë të demokracisë në vendin tonë (fërshëllima, zëra: Gramoz Pashko, Gramoz Pashko).

Më pas në miting e merr fjalën dhe Arben Imami, i cili thotë:

Ne kemi partinë tonë të studentëve, kush nuk do, të largohet dhe të krijojë parti tjetër.

Intervistë e Berishës me disa gazetarë vendas dhe të huaj, po me 12 dhjetor 1990, gjatë mitingut me rastin e shpalljes së themelimit të PD-së

Un jam gëzue sot, sepse, sepse, sepse e kam konsiderue dhe e konsideroj gjithnjë pluralizmin politik, si një konditë të domosdoshme për zhvillimin e demokracisë në vendin tonë, si një kusht që do të rendisë Shqipërinë, krahas vendeve të tjera të Evropës.

Pyetje: Po për Partinë e Studentëve dhe Intelektualëve të rinj, ç‘mendim keni?

Përgjigjet Berisha: Unë i uroj asaj, unë i uroj asaj, të kontribuojë në zhvillimin dhe begatimin e Shqipërisë demokratike.

No comments: