Friday, March 14, 2008

"Qemal Stafa", atavizëm komunist


Një fondacion rinor me prirje të majta, që ka mbledhur të rinj modernë intelektualë-sa mirë! Por sa keq që ky fondacion mban një emër që vjen nga errësira e komunizmit: "Qemal Stafa"! Është absurde që sot në vitin 2007, pas 17 vjetësh të rrëzimit të komunizmit, t'i vihet emri i një prej liderëve më të famshëm të komunizmit, një fondacioni, që edhe sepse është i majtë, duhet të ishte po aq antikomunist, sa ç'janë të gjithë fondacionet e tjera rinore në botën perëndimore. Kjo ngjarje nuk e ka shkakun vetëm tek naiviteti, apo tek nostalgjia, apo tek dritëshkurtësia e atyre që e pagëzuan, pra të rinjtë e PS-së. Shkaqet janë më të thella, dhe përfshijnë edhe lidershipin politik në pushtet, berishizmin, e më gjerë, të gjithë shoqërinë tonë. Zgjidhja?! E shpejta, t'i ndërrohet urgjentisht emri atij fondacioni; e gjata, të ndërrojmë mendësitë tona.

Para se te vazhdojmë më tej këtë shkrim, i sigurojmë veteranët komunistë të luftës së dytë botërore, se nuk kemi gjë me ta, e respektojmë sakrificën e tyre për atdheun. Bile themi se edhe ne, mbase në atë kohë do të vepronim siç vepruan ata. Por sot arsyetohet dhe veprohet me mend e sotme, dhe jo me mend e para 70 vjetëve.

Emri "Qemal Stafa" lidhet me dy figura (simbole) historike në të njëjtin njeri. E para, pozitivja, ajo "e mira", është ajo e patriotit, ajo e luftëtarit kundër pushtuesve, e anti-fashistit, e dëshmorit për mbrojtjen e pavarësisë së atdheut, e djaloshit letrar e të talentuar e liridashës, e luftëtarit për liri e barazi sociale.

E dyta, negativja, "e keqja", është ajo e politikanit. Kemi figurën tipike të një komunisti të kohës. Ai burgoset nga shteti shqiptar, si pjesëmarrës në grupe subversive komuniste që kërkonin rrëzimin me dhunë të regjimit kushtetues. Ai ka si shembull Bashkimin Sovjetik (BS), dhe udhëheqësin të tij të lavdishëm, Stalinin. Burgosja e tij, pranimi i fajit, duke deklaruar në gjyq se "po, jam komunist", janë ngjarje të vitit 1939 (shkurt), kur tashmë komunizmi e kishte treguar praktikën e vet: dihej se në BS ishin vrarë miliona njerëz thjeshtë për bindjet e tyre politike apo ekonomike. Ndër kohë dihej edhe se BS po flirtonte me nazi-fashistët, flirt që u konkludua me paktin Molotov-Ribbentrop, më 23.8.1939, në dëm të vendeve evropiane (një javë pas paktit, plasi lufta e dytë botërore). Edhe Shqipëria u pushtua në këtë frymë miqësie sovjeto-fashiste, vetëm 4 muaj para formalizimit të atij pakti, dhe dy muaj pas gjykimit të Qemalit.

Është pikërisht në Shqipërinë e pushtuar nga fashistët, që Qemali gjen lirinë, megjithëse ishte dënuar me 6 vjet burg si komunist. Ai del menjëherë nga burgu edhe bile shkon për studime në Italinë fashiste!

Vetëm pasi nazi-fashistët u prishën me Stalinin dhe sulmuan BS-në (më shumë se pas dy vjetëve që Shqipëria lëngonte nën pushtimin fashist), atëherë Qemalit me shokë, u kujtohet për të luftuar fashistët. E nis me krijimin e një partie komuniste (dy vjet e gjysmë pasi vendi ishte i pushtuar nga fashistë, dhe vetëm rreth 4 muaj pasi u sulmua BS). Partia e tij organizohet nga dy të huaj (jugosllavë), që vinin nga një shtet që atdheut të tij, të Qemalit, i kishte grabitur gjysmën e vet, Kosovën.

Nuk ka veprimtari politike më negative sesa krijimi i asaj partie, komuniste. E keqja e saj e dukshme lehtë, ishte që për 49 vjet me radhë vrau-preu popullin shqiptar, që e frenoi ekonomikisht, dhe që e futi në kampin anti-perëndimor, anti-amerikan, anti-evropian, anti të gjithë miqve të sotëm të Shqipërisë, që janë edhe miq të PS-së, edhe të PD-së aktuale, edhe të gjithë partive parlamentare shqiptare. E keqja që nuk para shihet lehtë, është krijimi i mendësive komuniste tek shqiptarët, mentalitet i cili ka zënë vend edhe në sa e sa antikomunistë (i quajmë "antikomunistë komunistë"), dhe që vazhdon të jetë shkaku i shumë të këqijave që kemi si shoqëri aktuale. Po le të kthehemi më afër temës konkrete.

Sado mashtruese të jetë historia jonë, nuk sajon dot disidentin kundër komunizmit, nga kryetari i rinisë komuniste, Qemali. Nuk e zbut "figurën e keqe", as versioni se "Qemalin e vrau Enver Hoxha". Edhe e vërtetë të ishte, nuk ka fare të bëjë, sepse nuk është e vërtetë thënia që u pëlqen shumë vetëve: "armiku i armikut tim, është miku im". Nuk e zbut figurën e keqe politike, as veshja e tij me sofizmin: "Qemal Stafa solli në kohëra të vështira frymën e lirisë, reformimit dhe modernizmit, duke pasqyruar vlerat që politika e sotme ka nevojë"-kjo jo vetëm që nuk është e vërtetë historikisht, pra është një sajim, por as që mund të ngjante një gjë e tillë, sepse nuk mund të rrijnë bashkë komunizmi me lirinë.

Nejse, mos të zgjatemi më në detajet e figurës së Qemalit si politikan, sepse edhe sa thamë, qenë të nevojshme për mendësitë tona, sepse për shumë popuj të tjerë të botës, do të mjaftonte vetëm fakti i thjeshtë: ai ishte një nga krijuesit e përbindëshit "partia komuniste shqiptare".



Të vijmë tek e sotmja: vënia e emrit të Qemal Stafës, një fondacioni rinor. Për t'i dalë përpara çdo sofizmi, le të gjykojmë me nge, duke shtruar paraprakisht pyetjen: cila nga figurat e mësipërme është pasur parasysh në pagëzimin e fondacionit, ajo e patriotit dhe e humanistit, apo ajo e politikanit terrorist komunist? Për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetje, duhet të shohim se cili është qëllimi i krijimit, cili do të jetë aktiviteti i fondacionit aktual "Qemal Stafa". Ja se çfarë shkruhet në një dokument të tij: "Fondacioni synon të rritë përfshirjen publike në procesin politik, duke përafruar kështu praktikat perëndimore dhe duke ndihmuar konsolidimin e demokracisë në Shqipëri [...] është thjeshtë një fondacion politik, ku çdo shqiptar mund të gjejë veten nëpërmjet pjesëmarrjes dhe përfshirjes." Pra nuk ka asnjë mëdyshje se ky është një fondacion politik, dhe nuk ka të bëjë fare me luftën kundër Italisë fashiste etj. Si i tillë, natyrisht që është zgjedhur një figurë politike për emrin e fondacionit, pra fatkeqësisht është zgjedhur pikërisht ajo figura e dytë, "Qemali si politikan", pra është zgjedhur ajo e keqja!

Ky pagëzim kalon caqet e një fondacioni rinor, përfshin të gjithë Shqipërinë. Tregon sesa e pashëruar politikisht, por edhe sa hipokrite, është shumica e shoqërisë sonë aktuale. Themi se shoqëria jonë është politikisht e sëmurë, edhe sepse ky fondacion ka marrë bekimin direkt të PS-së, edhe sepse ka drejtues të bordit të tij këshillmor, ish-sekretarin e PS-së, ish-presidentin e vendit pas rënies së komunizmit, kryetarin e Akademisë së Shkencave, të sapo "zgjedhur" në regjimin berishist, Rexhep Mejdanin. E ky, me "përkufizim" duhet të ishte antikomunist, prandaj edhe i dilte detyrë "të këshillonte" drejtuesit e fondacionit, me ngulm (deri në mospranimin e kryesimit të bordit):

"Nuk vete ky emër, të rinj të dashur, sepse e majta shqiptare ka nevojë të shkëputet krejtësisht nga trashëgimia komuniste, duke parë para drejt perëndimit. Nuk mundet të "ndihmojë modernizimin e PS-së, duke konsoliduar kanalet e komunikimit me shtetasit dhe grupet e interesuara", siç shpreheni ju, nëse niset nga shembulli i keq, shembulli i një kryekomunisti deri në vdekje. Ky emër do të na i largojë të rinjtë, do të na i largojë "shtetasit shqiptarë" nga fondacioni."

As edhe nga berishizmi nuk po ndjehet njeri, megjithëse ka uzurpuar emrin e PD-së, të partisë që rrëzoi komunizmin në 1991-92-shin. Asgjë nuk është e rastit tek ata, pra as edhe kjo heshtja e liderëve të tyre, as edhe heshtja e zëdhënësve: ata nuk lënë gjë pa kapur, por këtë herë nuk kanë komentuar fare për këtë pagëzimin skandaloz që po diskutojmë. Thuhet se në shtëpinë e të varurit, nuk përmendet litari-litari i berishizmit është fakti që shumica e udhëheqësve të tij, janë vetë sekretarë partie të Enver Hoxhës, apo të niveleve të ngjashme.

Edhe pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare tregon se i mungon pjekuria, edhe "shoqëria civile shqiptare", edhe ata kanë preferuar heshtjen. Vetëm në kafene dëgjon diskutimet fataliste: "dihet se komunistët e kanë në dorë!"

Themi se e gjithë kjo tregon sesa hipokrite është shoqëria jonë aktuale, sepse bëhet një veprim që edhe formalisht nuk ka fare koherencë. Pikërisht sot kur Perëndimi kërkon që të dëshmojmë antikomunizmin tonë, së paku duke kujtuar krimet e komunizmit, kur të gjithë shqiptarët, duke filluar nga Kuvendi, bëjmë be e rrufe se jemi antikomunistë tashmë të bindur, po ne, po këta antikomunistë, lejojnë të pagëzohet një fondacion rinor me emrin e një kryekomunisti.

A vërtetë mendojmë se komunizmin tonë, po ua kalojmë nën hundë, ashtu pa u vënë re, miqve tanë të sotëm, atyre që po na ndihmojnë të mësojmë dhe të zbatojmë lirinë dhe demokracinë, atyre që na çliruan Kosovën, perëndimorëve?! E pra, nëse shumica jonë po i harrojmë të zezat që i ka bërë komunizmi vendit tonë, nuk i harrojnë të zezat e komunizmit, për asnjë moment, miqtë tanë, vendet e tjera, popujt e tjerë perëndimorë. Nuk i harrojnë, jo vetëm si konkluzion i doktrinave politike, por edhe sepse nuk i harrojnë të vrarët e tyre në luftërat antikomuniste, si ato të Koresë së Jugut, të Vietnamit, të Amerikës Latine etj. Nuk harron njerëzimi as gulagët rusë, as krimet e Pol Potit në Kamboxhia, as ato të Mao Ce Dunit në Kinë etj. Shqipërinë e largon nga Perëndimi, një harresë e tillë. Ne duhet të pikëllohemi për veten tonë: po bëjmë gabime të mëdha.

Ne shqiptarët, kemi nisur rrugën drejtë shoqërisë perëndimore, e cila është e papajtueshme me komunizmin. Nëse duam të ecim drejt saj, drejt pranimit në BE, duhet t'i heqim urgjent emrin fondacionit në fjalë, me hir apo me pahir. Nëse duhet vënë emri i një personaliteti, atëherë ka mjaft figura historike shqiptare, që janë shembuj të politikave të majta perëndimore, si Musine Kokalari, Gjergj Kokoshi, Skënder Muço etj.

z. Bashkim Kopliku [Gazeta Shqiptare, 23.11.2007]

1 comment:

Agobooks said...

Mirësetëgjeta, fillimisht!
Dhe dy vrejtje krejt miqësore:
Krimi i Një Epoke(dhe jo e një epoke) dhe në nëntitull, referimi që i bëhet origjinës së personit në fjalë(unë as emrin nuk dua ti përmend) me nota nënvleftësuese, i ul doemos seriozitetin blogut.
Faleminderit dhe shkrime të frytshme!