Edhe përballë tragjedisë së rëndë njerëzore, të ndodhur në Gërdec, kryeministri Berisha dëshmoi dy planet e qëndrimit të tij: Si organizator dhe si mbulues i kësaj tragjedie. Këtë “portret”, Berisha e publikoi në të dy konferencat e tij për shtyp, në të cilat edhe pse me sy të mullosur nga sikleti dhe përgjegjësia e plotë dhe direkte që ka në këtë krim ekonomiko-njerëzor, mundohej të shpëtonte nga kjo përgjegjësi, duke bërë të “paditurin”. Përballë një fakti të tillë, kjo është anormale edhe për një kapter xhenjoje e jo më për një kryeministër, ministrisë së mbrojtjes së të cilit, i plasi “bomba” në dorë, veçse jo mbi zyrat dhe kokat e tyre,por mbi 130 punonjës fatkeqë, mbi një zonë të banuar dhe mbi një shtet që më së fundi, me këtë ngjarje, dëshmoi se është krejt i shkrehur. Dhe në këtë gjendje këtë vend e ka katandisur në mënyrë sistematike së pari, kryeministri i vendit, i cili po dëshmon, se qeveris me skandale dhe tragjedi. Rasti i fundit i shpërthimit të bazës ushtarake të Gërdecit, sado i rëndë me përmasa skandali ekonomik dhe jetë njerëzish, nuk e “detyroi” Berishën të pranonte më së fundi, se është pikërisht qëndrimi i tij pajtues dhe pronësor me këtë skandal ekonomik, që shkaktoi këtë krim që tronditi edhe botën. Ne e dëgjuam edhe dje Berishën dhe dëgjuam me trishtim dhe neveri, se ai, në mënyrë të papërgjegjshme, vazhdoi të shmangte përgjegjësinë, të mbulonte skandalin dhe krimin e ndodhur në Gërdec, që e ka startin pikërisht dhe vetëm tek drejtimi i tij, tek qeveria e drejtuar prej tij. Madje mund dhe duhet thënë pa asnjë mëdyshje, se Berisha është organizatori që i ka hequr “siguresën” kësaj “bombe” që shkuli nga themelet një zonë të tërë, që copëtoi trupa njerëzish, mes tyre edhe fëmijë. Pse e themi këtë? Sepse kryeministri shqiptar, ndërsa Gërdeci vazhdon të jetë në flakë, ndërsa nën gërmadhat e bazës ushtarake gjenden trupa njerëzish të djegur e të copëtuar, ndërsa dihet se cila është firma që ka krijuar këtë tragjedi dhe pse e ka krijuar dhe ç’lidhje ka me kryeministrin dhe klanin e tij, Berisha vazhdon me të gjithë mënyrat, të mohoj përgjegjësinë, të mbulojë me “gjethe fiku” të vërtetën edhe pse gjendet përballë një (auto)skandali dhe (auto)krimi njerëzor e pronësor, që e ka pikënisjen vetëm tek kabineti dhe rrethi i tij familjar e shoqëror. Madje çmenduria e këtij individi që fatkeqësisht ndodhet në krye të vendit si kryeministër, shkon deri atje, sa përgjegjësinë e tij dhe të klanit të tij që shkaktoi tragjedinë prej aferave të pista, tenton ta përcjellë deri në qeverinë dhe firmat amerikane. Dhe këtë e përcjellje, këtë shmangie, Berisha e bënë edhe pasi SHBA ka deklaruar disa herë hapur dhe me argumente, se nuk ka asnjë lidhje me tragjedinë shqiptare të Gërdecit.
Berisha ia faturon përgjegjësinë dhe aferën korruptive firmës amerikane edhe pse SHBA deklaron, se nuk ka asnjë lidhje, me skandalin ekonomik-financiar të fabrikës “kioskë” të “kompanisë Berisha-Mediu-Delijorgji shpk”, duke e kthyer në biznes fitimprurës asgjësimi municionesh, një bazë ushtarake. Vetëm një fakt: Biznesi i skrapit të predhave ka qenë ekskluzivitet i ish-ministrit Majko në Mjekës të Elbasanit, në Poliçan, në Gramsh dhe në Tiranë me shitjen e tankeve, të cilët u shitën si skrap për “një copë bukë”. Ky skrap shitej me 60 dollarë 1 ton, kur çmimi i tij në bursën ndërkombëtare ishte 200 dollarë. Me ardhjen në pushtet të qeverisë së “duarve të (pa)pastra” të Berishës dhe “djemve të tij të KOP”, ky biznes u bë ekskluvizitet i klanit të afërt korruptiv të Berishës. Pikërisht pas këtij pushteti, Berisha vuri nën kontroll edhe këtë biznes tepër fitimprurës, duke shpërfillur çdo ligj dhe siguri për jetën e shqiptarëve. Ndërsa tani del në ekranet e TV dhe bënë sikur qan, bënë sikur ngushëllon, premton se do të ndërtojë shtëpitë, se do të paguajë varrimin e të vdekurve... ai është aktor dhe ka 17 vjet që i bënë këto “lojëra aktoriale”, duke derdhur edhe “lot” për tragjedinë. Lotët e tij false, janë hipokrizi tradicionale e këtij individi të veshur me pushtet të lartë politikë e qeveritar. Ndërsa përpjekjet për të fshehur realitetin e hidhur korruptiv deri në pasoja kriminale, janë një qëndrim i njohur i tij në shumë raste tragjedish të ndodhura me jetën e shqiptarëve, nën qeverisjet e tij. Ne pamë dje për së dyti në konferencën e shtypit të kryeministrit Berisha, përpjekjet për të mos deklaruar emrat e firmës reale (Mediu-Delijorgji-Berisha i ri,) që ishte lejuar të bënte biznes “gjaku” me jetët e njerëzve. Dje, ai vazhdoi lojën e tij mashtruese, duke deklaruar se “nuk e dinte, që në Gërdec asgjësoheshin predha”. Tha kështu edhe pse sipas burimeve, gjatë vizitës së presidentit Bush, në operacionin investigues paraprak për sigurinë e presidentit të SHBA, helikopterët kishin konstatuar këtë aktivitet tepër të rrezikshëm e të pasigurt dhe i kishin kërkuar personalisht kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Mbrojtjes dhe kreut të SHISH, që aktiviteti i kësaj baze të pasigurt, të pezullohej deri në përfundimin e vizitës së presidentit Bush. Po sipas burimeve, kryeministri Berisha i garantuar SHBA, se në fabrikën e “vdekjes”, nuk do të kishte punë gjatë kësaj vizite dhe për këtë kishte dhënë edhe urdhër të formës së prerë(deklaratë e Fatmir Mediut pas dorëheqjes). Po atëherë, përse gënjen ky kryeministër, kur thotë “nuk di gjë”?! Kuptohet. Berisha nuk mund të deklarojë, që ka informacion mbi këtë aktivitet të paligjshëm e të pasigurt, sepse duhet të deklarojë që ka një aferë korruptive të skrapit. Duhet të deklarojë, se cilët zyrtarë dhe klane rreth tij, fshihen pas këtij biznesi të pistë. Duhet të deklarojë se fundi edhe dorëheqjen e tij, të cilën edhe thjeshtë për qëndrimin që po mbanë në lidhje me këtë tragjedi, duhet ta jap menjëherë.
Krateri i Gërdecit, “varri politik” i Berishës
Nga Kastriot Myftaraj - Sali Berisha, kur u bë lider politik, filloi të mbante dy-tre libra xhepi me citate nga njerëz të mëdhenj, ku përzgjidhte citate për t’ i përdorur në biseda, debate, fjalime. Winston Churchill ka thënë: “Është një gjë e mirë për një njeri të pamësuar të lexojë libra me citate”. Para zgjedhjeve të vitit 2005, kryeministri i sotëm, Berisha, në një takim ndërkombëtar në Vienë, shkëmbeu replika me deputeten socialiste Arta Dade, duke iu drejtuar me një shprehje të Winston Churchill, i cili ia kishte thënë dikur një kundërshtareje politike të tij: “Unë do të bëhem përsëri kryeministër, kurse ju do të mbeteni kjo që jeni!”Berisha për t’ u bërë kryeministër e shpërfilli një tjetër citat të Winston Churchill, të cilin ky i fundit ia pati thënë kryeministrit britanik Chamberlain pas Marrëveshjes së Mynihut: “Mes luftës dhe turpit, ju zgjodhët turpin, por do ta keni dhe luftën”. Berisha, herën e parë që ishte në pushtet, zgjodhi luftën me grekët, të cilët edhe për shkak të konjukturave patën mbështetjen e amerikanëve, dhe Berisha u rrëzua nga pushteti. Për t’ u rikthyer në pushtet Berisha vendosi të bënte gjithçka që donin grekët, duke zgjedhur “turpin”, sipas shprehjes së Churchill, natyrisht duke pasur Berisha përfitime abuzive, të cilat grekët nuk do t’ ia kursejnë. Por, Berisha, duke vepruar kështu e pati dhe “luftën” me ngjarjen e Bërdecit, ku tolerimi abuziv i bizneseve greke, solli një situatë katastrofike lufte, që në Tiranë nuk kishte ndodhur as në vitin 1997. Është një humor i zi që Berisha në pushtet merr si dhuratë nga grekët luftën, si kur u kundërvihet atyre, edhe kur është i dëgjueshëm ndaj tyre. Kur kryeministri Berisha rrinte në kolltukun kryeministror, duke e ditur se fare pranë Tiranës gjendej një e ashtuquajtur fabrikë ku çmontoheshin municione në mënyrë krejt primitive dhe nga amatorë, atëherë atij i shkon shprehja e Churchill: “Kështu ata (qeveria) shkojnë në një paradoks të çuditshëm, të vendosur vetëm për të qenë të pavendosur, solidë në fluiditet dhe të plotfuqishëm në pafuqishmëri”. Nëse kryeministrit Berisha do t’ i kishte mbetur një minimum dinjiteti, atëherë ai do të duhej të jepte dorëheqjen, në atë mënyrë siç erdhi në pushtet në 2005, pra duke parafrazuar një citat të Churchill. Berisha do të duhej të jepte dorëheqjen duke thënë se: “Midis luftës dhe turpit unë zgjodha turpin, por e pata dhe luftën”. Nëse Berisha ka një fije dinjiteti ai duhet të japë dorëheqjen, duke thënë se ai është i pafuqishëm të cenojë bizneset e privilegjuara greke, çfarë ishte fabrika e vdekjes e Mihal Delijorgjit. Një kryeministër në historinë e Shqipërisë, Hasan Prishtina, në vitin 1921, ka dhënë dorëheqjen, duke denoncuar një forcë okulte që vepronte në vend, për interesa të caktuara, përballja me të cilën ishte përtej fuqive të tij, apo të qeverisë së tij. Pas ngjarjes së Gërdecit, Berisha nuk do të qeverisë më, por do të vegjetojë. Krateri i Gërdecit është “varri” politik i hapur i qeverisë së Berishës, dhe pas ngjarjes së Gërdecit, Berisha politikan dhe qeveria e tij, do të enden edhe për disa kohë si një “zombie” (i vdekur i ngjallur në fenë vudu me ritet e magjistarëve), derisa të hyjnë në “varrin” politik. Çështja është nëse Berisha do të hyjë në “varrezat” e politikës me një farë nderi, apo edhe atë do ta bëjë me turp si leitnanti i vet, Fatmir Mediu. Le të ketë Berisha kurajën e profesor Servet Pëllumbit, i cili para pak kohës deklaroi se edhe në Shqipëri ishte zbatuar Platforma e Katovicës. Duket se Berisha ka zgjedhur që të hyjë me turp në “varrezën” e politikës shqiptare.
Puna dhe afera e zezë e skrapit të predhave, kanë autorë klanin Berisha-Mehdiu-Delijorgji
Ngjarja e rëndë e Gërdecit, nuk ishte një aksident, por një hapësirë e plotë abuzimi e klaneve ekonomike-financiare, që menaxhonin tregun e skrapit të predhave dhe municioneve të tjera, me synim përfitimesh kolosale, të dirigjuara nga grupe interesash brenda kupolës së qeverisjes shqiptare. Përballë kësaj tragjedie, që tronditi jo vetëm shqiptarët, por mbarë botën, i vetmi institucion që nuk e hapi gojën ishte ministria e Punës e drejtuar dhe e komanduar nga grekët. E themi këtë, mbasi kjo ministri ka përgjegjësi direkte në kontrollin e punësimit. Në rastin konkret të tragjedisë së Gërdecit, u zbulua se në firmën e çmomtim-asgjësimit të predhave, punonin 130 punonjës civilë, banorë të kësaj zone. Ka një Kod Pune në Shqipëri, që ndalon punësimin e grave dhe të miturve në punë me profesione të vështira, për më tepër në një aktivitet punësimi që ka lidhje me çmontimin e minave, predhave dhe asgjësimin e tyre. Mirëpo ky ligj pune, nuk u zbatua nga firma dhe nuk u kontrollua nga ministria e Punës. Janë disa probleme, që lidhen me paligjshëmrinë e këtij aktiviteti:
Ndalohet ngritja e fabrikave private në bazat ushtarake
Aktiviteti në sektorin ushtarak ka disa kushte, qoftë edhe kur ai ka natyrë civile. Dhe kushti bazë është ky: Në trajtimin e municioneve nuk lejohet të punojë asnjë punonjës civil, i pa trajnuar. Kjo në rastin e Gërdecit nuk është respektuar. Sipas ligjit, ndërmarrjet civile që ushtrojnë veprimtari ekonomike, ose shërbime të tjera publike, janë vetëm ato ndërmarrje që merren me aktivitete ndihmës. Mirëpo, në fakt, në mënyrë krejt të paligjëshme brenda bazës ushtarake të Gërdecit, u lejua aktivitet privat me një fabrikë krejt me natyrë civile, e cila ushtronte aktivitetin e çmontim-asgjësimit të predhave, me punonjës të pa kualifikuar.
Sipas bisedës me specialistë të ushtrisë, që njohin specialitetin e trajtimit dhe asgjësimit të predhave, ky proces është i detyrueshëm të bëhet në reparte speciale, nga ekipe speciale, të miratuar dhe të trajnuar nga NATO. Ky kusht garantues për këtë lloj shërbimi specifik, nuk u respektua nga qeveria shqiptare dhe për më tepër, nga ministria e Mbrojtjes. Qeveria shqiptare, nisur nga interesat private të “komandos” që ka në dorë pushtetin, i lidhur me fije të forta e të pastra korrupsioni, miratoi ngritjen e një fabrike primitive brenda një baze ushtarake municioni e armatimi, duke shpërfillur çdo ligj shqiptar dhe çdo udhëzim të NATOS.
Kujtojmë, që në vitin 2000, NATO i kërkoi Shqipërisë asgjësimin e lëndëve plasëse dhe municioneve, në kuadrin e projektit “Integrim 2000”. Sipas këtij projekti, qeveria shqiptare, nëpërmjet ministrisë së Mbrojtjes dhe ministrisë së Rendit, duhej të asgjësonte, ose më saktë, të pastronte depot e ushtrisë nga lëndët shpërthyese luftarake dhe nga disa mjete luftarake pa asnjë vlerë, siç ishin tanket, armët e rënda, topat e kalibrave të ndryshëm etj. Në kuadër të këtij projekti, që do të zgjaste 12 vjet, Banka Botërore akordoi 20 milion dollarë. Aksioni nisi në Mjekës të Elbasanit, me asgjësimin e lëndës plasëse dinamit dhe me predhat e kalibrave të larta. Gjatë këtij procesi, pati shpërthime dhe dëmtime njerëzish e banesash në fshatin Krye-Zjarr të Elbasanit. Procesi u bllokua, mbasi ekspertët e NATO, konstatuan se ky proces po bëhej me 200 punonjësit e Uzinës së Mjekësit, të cilët ishin prodhues lëndësh plasëse dhe municioni, por jo të specializuar për asgjësimin e tyre. Madje, atëherë u fol edhe për korrupsion me metalet e predhave, të cilat u bënë monopol i njerëzve të qeverisë dhe konkretisht, të dirigjuar nga ish-ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko, lidhjet e të cilit me këtë aferë korruptive, shkonin deri në Greqi. Kjo procedurë, vazhdoi edhe në Poliçan, edhe në Gramsh. Po kështu edhe nga pushteti i Berishës, nën dirigjimin e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mehdiu, i cili u konfirmua, se ka lidhur kontrata me firmat monopoliste të prodhimit të skrapit nëpërmjet asgjësimit të predhave, aferë kjo, që realizohej në mënyrë të fshehtë e të kundërligjëshme në Gërdec të Vorës, shumë afër Tiranës, aeroportit të Rinasit dhe brenda një qendre të madhe të banuar.
Asgjësimi i predhave duhet bërë nga specialistë të sektorit përkatës
Sipas specialistëve të ushtrisë, predhat duhen asgjësuar sipas një programi super teknik, nën mbikëqyrjen e specialistëve ndërkombëtarë dhe me ekipe pune të specializuar për këto procese. Asgjësimi dhe çmontimi i predhave, pra kthimi i tyre në inaktivitet shpëthyes, nuk është si të asgjësosh domate e tranguj. Këto janë lëndë shpërthyese me fuqi shkatërruese, aq më tepër, që në rastin konkret nuk flitej për fishekë karabine, por për predha artilerie topash, kundërajrori etj. E përfshirë në projektet e NATO, ushtria shqiptare kishte detyrimin për të asgjësuar gjithë municionin ekzistues. Por kjo procedurë nuk duhej bërë me fermerë, me barinj dhe fëmijë, por me specialistë. Ushtria shqiptare ka të tillë, por që nuk janë aktivizuar nga qeveria dhe nga Ministria e Mbrojtjes. Këtu nis dhe abuzimi, mbasi flitet për një aferë e cila nis tek puna e zezë, tek kryerja e procesit me kosto sa më të ulët dhe jashtë kontrollit.
Në këtë proces, firma e përzgjedhur nga klani Berisha-Mediu-Delijorgji, tërhoqi në këtë proces 130 punonjës civilë, të marrë nga fushat e prasit dhe mullarët e barit. Mirëpo ushtria e ka të ndaluar këtë aktivizim kontigjentesh punonjësish civilë, pa asnjë kualifikim, për më tepër të mitur, të cilët tashmë është konfirmuar, se kanë qënë punonjës që merreshin me asgjësimin dhe çmontimin e predhave. Në sektorin e ushtrisë janë 36 ndërmarrje të tilla, të cilat janë ngritur që përpara 50 vjetësh. Asnjera prej tyre nuk është miratuar me ligj, që të merret me asgjësim predhash. Ky proces është e drejtë ekskluzive vetëm e ekipeve të specializuar e të miratuar me vendim qeverie, propozuar nga ministria e Mbrojtjes, të miratuar me ligj parlamenti, të cilët duhet t’i nënshtroen më parë, një kualifikimi extra prej 5 muajsh pranë, ose në prezencë të institucioneve përkatëse të NATO. Kjo nuk është bërë dhe për këtë, përgjegjësinë direkte e ka qeveria, e ka parlamenti dhe në mënyrë të plotë e ka shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare, i cili ka lejuar, që të ngrihet një fabrikë private e pa specializuar për këto procese, brenda një baze ushtarake municionesh, që aktivizoi në këtë proces, punonjës të rëndomtë, kryesisht gra dhe fëmijë, sikur të ishte një baxho, apo linjë inertesh.
Ministria e Punës nuk ka bërë asnjë kontroll, ka lejuar aktivitetin e rrezikshëm
Në ish repartin e artilerisë së rëndë, të kthyer në bazë municionesh, u ngrit në mënyrë të kundraligjëshme një fabrikë me punonjës civilë, brenda të cilës punonin 130 punonjës, mes tyre gra dhe fëmijë, ligjërisht dhe faktikisht të mitur, mosha e të cilëve ishte dhe 14 vjeç. Kjo është e ndaluar me ligj, veçanërisht për punësimin e të miturve, sikur këta të ishin të punësuar edhe në lavazhe e jo më në një bazë të rrezikshme ushtarake, ku bëhej asgjësimi dhe çmontimi i predhave të artilerisë së rëndë. Në këtë skandal, të shoqëruar me krim njerëzor mbi një zonë të tejpopulluar, kemi të bëjmë me qëndrimin bashkëpunues të ministrisë së Punës. Në raste tilla, sipas ligjit kombëtar dhe ndërkombëtar, duhet patjetër, që kontrata të tilla, me firma që merren me trajtimin e municioneve që asgjësohen, duhet të ketë një mbikqyrje të plotë dhe nga ministria e Punës. Ministria e Punës, nuk ka ushtruar asnjë kontroll në këtë fabrikë vrasëse, të ngritur brenda një baze ushtarake. Madje ende nuk po del të deklarohet, se përse janë lejuar të punësohen në këtë fabrikë jo vetëm punonjës të pa specializuar, por edhe të mitur! Këtë fakt, me vështirësi dhe i detyruar prej realitetit e pranoi edhe kryeministri Berisha në konferencë shtypi, por nuk e morri “për veshi” ministrin grek të qeverisë shqiptare dhe ta nxirrte përpara opinionit e përpara ligjit, për lejimin e kësaj katastrofe, që sipas ligjit, nis tek lejimi dhe mungesa e kontrollit mbi aktivitetin.
Dy muaj më parë, në firmën turke “Kurum” në Elbasan, në një nga furrat e shkrirjes plasi një predhë prej të cilës u vra një metalurg. Mund të ketë qënë edhe predhë e ardhur nga Gërdeci, bashkë me skrapin e fabrikës Delijorgji-Mediu-Berisha. Në këtë aksident, kreu i inspektoriatit të Punës, Thoma Miço, nxitoi dhe blloki aktivitetin e kësaj fabrike turke. Në rastin konkret, nuk po del të thotë një fjalë. Nuk shkoi as më parë të kontrollonte dhe të ndalte punën në fabrikën e predhave, mbasi në të ishte pronar jo një turk, por një bashkëkombës i tij, i quajtur Mihal Delijorgji, ortak i familjes (krye)ministrore shqiptare Berisha në këtë biznes. Ndaj dhe nuk flitet për të, ndaj dhe bëhet sikur nuk ka patur shkelje ligji të punësimit edhe pse aty të 130 punonjësit ishin të punësuar në të zezë, edhe pse aty punonin fëmijë të moshës 14-16 vjeç.
No comments:
Post a Comment