Thursday, March 27, 2008
Një dosje e zhdukur e Sigurimit të Shtetit dhe vepra e shokut Sali në Gërdec
Në kohën e komunizmit, në fund të viteve gjashtëdhjetë, kur me imitimin e Revolucionit Kulturor Kinez në Shqipëri, filloi një fushatë për ta mbushur vendin në çdo cep me parulla ideologjike, një shkrues parullash, në një rreth të Shqipërisë së Jugut, për shkak të punës së gjatë e të lodhshme, deri edhe natën, me ndriçim të posaçëm, bëri një gabim, duke shkruar një parullë.Atëherë porsa kishte dalë vepra nr. 1 e Enver Hoxhës dhe po shkruheshin parulla me përmbajtje “Të studiojmë me laps në dorë veprën e shokut Enver”.
Shkruesi i parullave në fjalë, kur shkroi këtë parullë, harroi gërmën “p” tek fjala “veprën”, të cilën e kishte shkruar me dy “ë”, sipas dialektit të krahinës së tij (atëherë nuk kishte dalë drejtshkrimi i gjuhës shqipe) dhe parulla, që shkruhej me germa kapitale doli kështu: TË STUDIOJMË ME LAPS NË DORË VËRËN E SHOKUT ENVER. Fjala “vërë” në një nëndialekt të toskërishtes ka kuptimin “vrimë”, ose siç thuhet në gegërisht: “birë”, “brimë”. Pra, dilte sikur shqiptarët ftoheshin të studionin vrimën e prapanicës së shokut Enver me laps në dorë, duke fituar fjala “laps” në këtë rast kuptimin figurativ të organit seksual mashkullor. E shkruara u vu re në moment nga spiunët dhe autori u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, ashtu siç ishte me “laps” në dorë, dhe parulla u vu në ruajtje nga policia si element i veprës penale, pasi u mbulua që të mos shihej nga njerëzit. Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Rrethit (shefi i Sigurimit të Shtetit në rreth), duke e kuptuar se kjo çështja e “vërës” ishte shumë delikate dhe mund të shndërrohej në një “vërë të zezë” të kobshme, si ato kozmike, që ta thithte edhe atë vetë, vuri në dijeni Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Sekretarin e Parë të Partisë të Rrethit (vëra e shokut Enver ishte para së gjithash kompetencë e partisë), i cili raportoi në Tiranë, në Komitetin Qendror. Para se të vinte ndonjë udhëzim nga Tirana, kryetari i zellshëm i Degës së Brendshme, duke dashur t’ i marrë të gjitha masat e sigurisë që të mos thithej nga “vrima e zezë” e kësaj çështjeje, e kishte bërë shkruesin e parullave të pranonte se ishte pjesëtar i një grupi agjenturor të lidhur me CIA-n, që kishin si detyrë të njollosnin figurën e shokut Enver, dhe të tregonte edhe bashkëpunëtorët, nga shtresat e deklasuara. Kryetari i degës së Brendshme priste që nga qendra të vinte udhëzimi për t’ u bërë një gjyq shembullor, ku të jepej një dënim i rreptë, që do t’ u shërbente si mësim të gjithë atyre që nën zë përgojonin udhëheqësin për vesin e pederastisë që kishte pasur që në rini dhe që thuhej se e ushtronte ende. Por, për habinë e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme nga Tirana erdhi porosia që fajtori të lirohej, dosja e hapur për të dhe materialet e saj të asgjësoheshin, dhe suvaja e murit ku ishte shkruar parulla të kruhej dhe muri të risuvatohej dhe atje të rishkruhej parulla kështu: TË STUDIOJMË VEPRËN E SHOKUT MAO CE DUN. Është e qartë se Enver Hoxha, të cilit sigurisht që i kishte shkuar fjala për atë që kishte ndodhur, kishte menduar se veprimi më i mirë do të ishte që çështja të mbyllej, se çdo mënyrë tjetër veprimi do ta dëmtonte më tepër. Sa për fajtorin me të merreshin në një mënyrë tjetër. Duke u rishkruar parulla me emrin e Mao Ce Dunit, edhe jehona e ngjarjes do të projektohej tek udhëheqësi kinez, duke mbetur larg vërës së shokut Enver. Por kjo ngjarje sigurisht që e bëri pak Enver Hoxhën të reflektonte. Ai e dinte mirë se përfolej si pederast, madje si pedofil, tek ata që e njihnin mirë brenda vendit dhe tek emigracioni antikomunist shqiptar në Perëndim. Me ato mënyra misterioze që përhapen gjëra të tilla në diktaturë ky lajm ishte përhapur dhe ishte në mendjen e një pjese të madhe të njerëzve, të cilët dashur pa dashur i shqyrtonin nga kjo pikëpamje veprimet e udhëheqësit. Enver Hoxha kishte obsesionin se çdo gjest i tij shqyrtohej nga kjo pikëpamje, prandaj pothuajse nuk merrte kurrë në krahë dhe të përkëdhelte djem të vegjël, por vetëm vajza.
Enver Hoxha e dinte se shqiptarët ishin marrë dhe në një farë mënyrë ende merreshin me studimin e vërës së tij, prandaj mënyra më e mirë për ta zgjidhur këtë çështje ishte që t’ i bënte shqiptarët të hapnin dhe të studionin vëra të tjera, gjithandej vendit. Ju gjej unë vëra për të studiuar juve, ka menduar ai, me atë mënyrën e tij diabolike për t’ i përdorur gjërat në mënyrë të dyfishtë, u bëj unë ta hiqni mendjen nga vëra ime e ta çoni në vëra të tjera me të cilat do t’ u gjejë belaja sot e për 100 vjet. Kështu, i vuri shqiptarët të hapin tunele (vëra) ushtarake gjithandej vendit, deri edhe në nëntokën e qytetit të Tiranës. Pjesën më të madhe të këtyre tuneleve i mbushi me municion të të gjitha llojeve. Pjesa më e madhe e këtyre tuneleve u hapën pas spastrimeve që u bënë në ushtri në vitet 1974-1975, nuk është e rastit që e gjithë kjo u bë pas eliminimit të ushtarakëve vërtet profesionistë dhe të zotë, të cilët do të ishin sigurisht skeptikë për këtë marrëzi. Gjeneralët, si ushtarakë profesionistë, të dalë nga një shkollë shumë serioze ushtarake si ajo ruse, e kuptonin se Shqipëria e vogël nuk mund të rezistonte në luftë kundër një superfuqie, e aq më pak kundër një koalicioni superfuqish siç thoshte Enver Hoxha, dhe se përgatitjet për luftë të vendit kishin sens veç nëse vendi do të rezistonte në kuadrin e një fronti më të madh dhe me ndihmë të huaj.
Enver Hoxha i spastroi këta dhe i zëvendësoi me njerëz të dalë nga shkollat ushtarake shqiptare ku mësohej strategjia enveriane, sipas së cilës populli shqiptar me tunelet (“vërat”) e shokut Enver do të mundte NATO-n dhe Traktatin e Varshavës njëkohësisht. Shqiptarët hoqën keq për vite të tëra për t’ i hapur “vërat” e shokut Enver (tunelet), pastaj për t’ i mbushur “vërat” e shokut Enver me municion të të gjitha llojeve, në sasi aq të madhe sa do të mjaftonte për të bërë 10 vjet luftë (5 vjet me NATO-n dhe 5 vjet me Traktatin e Varshavës). Ende dhe sot mbetet mister se sa njerëz, ushtarë, oficerë, punëtorë, u vranë gjatë hapjes së këtyre tuneleve që bëhej me metodë tashmë primitive, me shpërthim dinamiti, si dhe transportit të municioneve, apo mirëmbajtjes së tyre. Dihet se janë shumë më tepër se ata që janë vrarë në Gërdec, Qafë-Shtamë etj. Kur erdhën ndryshimet në vitet 1990-1991, shqiptarët menduan se më në fund shpëtuan nga “vërat” e Enver Hoxhës. Por nuk ishte e thënë. Tashmë doli problemi tjetër që “vërat” e Enver Hoxhës duheshin zbrazur pasi ishin mbushur, se ishte e rrezikshme të mbeteshin të mbushura, pasi njerëzit mund ta merrnin municionin, bombat, apo lëndën plasëse dhe ta përdornin për keqbërje, ose ta trafikonin. Tashmë me studimin e vërave të shokut Enver do të merrej NATO, që i vuri detzrë Shqipërisë që për të hyrë në aleancë duhej të bënte demilitarizimin, pra t’ i zbrazte vërat e shokut Enver nga municionet me të cilat ishin mbushur, duke i çmontuar, shitur, deri edhe duke i shkatërruar ato. Pushtetarëve shqiptarë të të dy krahëve, si të PS, ashtu dhe të PD, u pëlqyen më tepër dy mënyrat e para, pra shitja dhe çmontimi, pasi ato ishin fitimprurëse. Kështu, të dy palët kur ishin në pushtet u vunë të zbrazin “vërat” e shokut Enver duke shitur armë e municione ku të mundnin nëpër botë, si dhe duke çmontuar sa të mundnin për të shitur skrap, barut etj. Shqiptarët e shkretë dhe të varfër, që njëherë e pësuan duke hapur dhe mbushur vërat e shokut Enver, tashmë e pësuan duke i zbrazur, siç e tregoi Gërdeci. Krateri i Gërdecit është VË(P)RA e shokut Sali, e bërë pasi ky studioi me laps në dorë VË(P)RAT e shokut Enver, për 22 vjet si anëtar dhe sekretar organizate i PPSH. Shoku Sali e bëri VË(P)RËN e tij me një funksion të dyfishtë, si shoku Enver, duke qenë funksioni i dytë në përmbushje të vesit. Në fakt askush nuk po merrej me VË(P)RËN e shokut Sali, kështu që ai nga kjo anë nuk kishte arsye që të bënte atë që bëri. Por vesi i shokut Sali ishte kupiditeti, lakmia për pasurim, të cilin Enver Hoxha gjithashtu e kishte, por duke qenë se e kishte gjithë Shqipërinë pronë personale të përjetshme, nuk kishte nevojë të bënte ato që bënë politikanët që erdhën pas tij, në kohën e pluralizmit. Opozita, me Edi Ramën në krye, pasi e studioi “me laps në dorë” VË(P)RËN e shokut Sali në Gërdec, konkludoi dhe kërkoi, me të drejtë, që përgjegjësia e shokut Sali është aq e madhe sa ai duhet që të japë dorëheqjen dhe të shkojë në burg. Por duket se opozita nuk e kupton se shoku Sali nuk është gjë tjetër veçse individi kuintesencial i së majtës tradicionale shqiptare, me origjinë komuniste, çka PS sot e mbron si vlerë. Sali Berisha ka lindur në 15 tetor 1944, vetëm 20 ditë para se regjimi komunist të vendosej në Tropojë, dhe vetëm 44 ditë para se regjimi komunist të vendosej në gjithë vendin. Pra, Berisha ishte një individ me trurin tabula rasa kur u vendos regjimi komunist. Ai do të formësohej në mjedisin shoqëror dhe shkollat e Shqipërisë komuniste, duke qenë një produkt i pastër i makinës shtetërore të prodhimit të njeriut të ri komunist. Në kraterin e Gërdecit u tret dhe tradita e së majtës komuniste, e ruajtur si vlerë nga PS, si dhe çdo vlerësim pozitiv për Enver Hoxhën. Me Berishën si politikan, në kraterin e Gërdecit merr fund dhe truku politik i Ramiz Alisë i shndërrimit të partisë së Enverit, PPSH, në PS, thjesht duke ndryshuar emrin, dhe se në Gërdec mori fund dhe ngrehina e së majtës, ashtu siç e ndërtoi Ramiz Alia në 1991, dhe se duhet një formulë e re. Tashmë në Gërdec kanë ardhur ekspertë amerikanë për të studiuar VË(P)RËN e Saliut dhe të Mediut. Gjëja e parë që duhet të kuptojnë amerikanët duke studiuar kraterin e Gërdecit është se mori fund skema politike që ata kanë bërë së bashku me Ramiz Alinë për Shqipërinë, në 1990, dhe ku ka një rol dhe Edi Rama. Edi Rama tashmë i ka çuar punët në atë pikë në PS si autokrat, saqë njerëzit atje sillen sipas parimit: TË STUDIOJMË VEPRËN E SHOKUT EDI. Por, duke ditur se Edi Rama në publicistikën e vet të dikurshme ka shprehur me një lloj cinizmi snob, që ai atëherë e paraqiste si sens modern, gjëra që shtojnë rreth tij përfoljet si ato për shokun Enver, si homoseksual, atëherë mbetet të shohim se çfarë do të bëjë Rama që t’ i largojë shqiptarët nga mendimi: TË STUDIOJMË VË(P)PRËN E SHOKUT EDI.
Kastriot Myftaraj
Labels:
edi rama,
enver hoxha,
gerdec,
komunizmi,
mao ce dum,
sali berisha,
sigurimi i shtetit
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment