Dhe kjo i ndodhi brenda kabinetit të tij qeverisës.
Pyetjet që po i bëhen përditë kryeministrit Sali Berisha nga qytetarët, kanë lidhje me faktin, që dëshmitë dhe deklaratat e atyre që janë përzierë në këto punë, përmendin edhe emrin e tij dhe të pjesëtarëve të familjes së tij, të afërmve të tij. Këto pyetje shpeshtohen dhe intensifikohen deri në këmbëngulje edhe për faktin, që kryeministri doli në parlament dhe deklaroi, se “nuk kishte asnjë lidhje me këtë aferë korruptive dhe trafik vrasës, që “shkuli nga rrënjët” një fshat, që vrau afro 30 persona, që plagosi 300 të tjerë dhe shkatërroi 3000 shtëpi e 600 biznese. Kryeministrin Berisha e pyesim, sepse në dëshmitë e tij, ai nuk u tregua i sinqertë, kur deklaroi publikisht në tempullin e ligjvënies, se “nuk e kishte dëgjuar asnjëherë, as emrin e fshatit Gërdec”, ku kishte ndodhur kjo tragjedi e rëndë. Ai deklaroi, se “nuk kishte asnjë informacion për rrezikun e ngjarjes që pritej”, ndërkohë që media i publikoi dokumentin dërguar atij, prej Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Kryeministrit i duhen bërë disa pyetje dhe po ia bëjmë 25 të tilla, mbasi ai duhet të jap disa përgjigje të sinqerta, të hapura, fundja edhe të detyrueshme, mbasi ai ka përgjegjësi dhe është personi Kushtetues, që në kohë paqeje kontrollon dhe drejton forcat e armatosura. Ai e anashkaloi edhe këtë detyrim. E mohoi edhe këtë pozicion. Kryeministrit i duhen bërë pyetjet, sepse ai, ende nuk ka dalë të kërkoj falje publike për lejimin e kësaj tragjedie. Atij i duhen bërë këto pyetje, sepse rezultoi në intervistat Trebickës, që djali i tij ka realizuar takime me të, duke biseduar në mënyrë të kundraligjshme për problemin e tregtisë së armëve dhe municioneve.
1. A ka qënë djali juaj Shkëlzen Berisha në Gërdec dhe përse?
2. Cili ka qenë motivi i takimit të fshehtë dhe të porositur i djalit tuaj, me tregtarin e armëve e municioneve, Kosta Trebicka?
3. A ka patur djali juaj lidhje me Ylli Pinarin?
4. A e keni në zyrë, korrespondencën e Shtabit të Përgjithshëm dhe informacionet e SHISH, në lidhje me trafikun, me aferat dhe rrezikun e Gërdecit?
5. A keni biseduar me Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, për këto inforamacione dhe a e keni urdhëruar, të mos futet në këtë problem?
6. Ku dhe kur është takuar djali juaj, me Diverolin?
7. A kishte pjesë fitimi familja juaj, nga aktiviteti i Gërdecit?
8. Sa herë ka shkuar djali juaj në Ministrinë e Mbrojtjes, me cilin dhe cilëve u është imponuar dhe përse?
9. Sa herë është takuar djali juaj me Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, ku dhe çfarë kanë biseduar?
10. A e dinit, apo vërtetë nuk e dinit, që ekzistonte punishtja e Gërdecit?
11. Përse qeshte Delijorgji kur ishte në pranga dhe kujt ia dërgonte atë buzëqeshje nga ekrani i mediave?
12. Po Ylli Pinari, me cilin komunikonte në pranga, duke bërë shenja drejt kamerës televizive?
13. Sa herë keni biseduar me Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu për Gërdecin dhe për çfarë e ka kërkuar ndërhyrjen tuaj në lidhje me trafikun e armëve?
14. Cili është raporti që ju ka sjellë kreu i bashkisë Vorë në lidhje Gërdecin?
15. Kur dhe ku e keni bërë takimin e fundit me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, për Gërdecin?
16. Kur do të shkoni të dëshmoni në organet e drejtësisë për ngjarjen e Gërdecit?
17. Sa herë keni bërë konflikt me djalin tuaj, në lidhje me shoqërimin publik me Delijorgjin, Pinarin, Trebickën?
18. Cili e autorizoi djalin tuaj, të takohej me Kosta Trebickën për punë “sekret shtetëror”?
19. A jeni atakuar me Topin për deklaratën e Oketës, duke e ngarkuar me përgjegjësi për Gërdecin?
20. A do të dorëzoni në prokurori, dosjen me letrat informuese të Gërdecit?
21. A është djali juaj në Shqipëri? Nëse po, a mund të dilni publikisht me të? Nëse jo, ku e keni nisur dhe përse?
22. A i keni dhënë urdhër Ministrit të Mbrojtjes Oketa, për të ngurosur materialet e tenderëve të trafikut të armëve?
23. A keni dijeni për zhvillimin e këtyre tenderëve dhe a duheshin bërë ato pa dijeninë tuaj si kryeministër?
24. A keni kontaktuar me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe a ka pranuar ai propozimet tuaja?
25. Shqiptarët presin dorëheqjen tuaj. Kur do ta jepni?
Marjan Gryka: PD ndihet e rrezikuar nga Berisha, ka braktisur vlerat e idealizmit politik e nacional
Ju drejtoni një shoqatë nacionaliste e politike që ka emrin e heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Cili është kontributi i saj?
Kjo shoqatë, u krijua si domosdoshmëri për të përjetësuar dhe vazhduar idealet kombëtare e demokratike të Azem Hajdarit. Akti demokratik i Azem Hajdarit, për instalimin e pluralizmit politik nëpërmjet protestave studentore e më pas si politikan, janë vlera që meritojnë vëmëndje edhe sot, jo thjeshtë si kontribute. Ne i jemi përmbajtur këtij synimi dhe këtyre vlerave, duke mos lejuar askënd, kushdo qoftë në PD dhe jashtë saj, që të cënojë personalitetin e këtij formacioni të madh e të fuqishëm, të krijuar si pjesë integrale e PD, por që tashmë ka “pushtetin” dhe veprimtarin e vet.
Si duhet kuptuar deklarata, që shoqata që drejtoni ju, “ka pushtetin e vet”?
Edhe po të mos e deklaroj ynë këtë fakt, mesazhin e asaj që thashë më lartë e kanë kuptuar prej kohësh gjithë demokratët e ndershëm, gjithë nacionalistët, të gjithë ata që themeluan PD, ata që mbështetën Azem Hajdarin në lëvizjen e tij studentore dhe në veprimtarinë demokratike e nacionaliste, të gjithë ata që i besuan lidershipit të PD, i cili duhet thënë, se nuk e ka përligjur këtë ideal të madh të kësaj figure të madhe. Ne u futëm në “vijën” e demokracisë, me bindjen se do të kishim një shoqëri ndryshe, por në fakt nuk ndodhi kështu. Unë e kam ndjekur për 17 vjet politikën e këtij vendi, kam qënë dhe vazhdoj të jem pjesë aktive e saj, tashmë prej 9 vjetësh, në drejtimin e veprimtarisë së shoqatës “Azem Hajdari”. Jo vetëm unë, por të gjithë ata që kanë orientim idealin e Azemit, ndihen të motivuar për të mos u bërë pjesë e të keqes që ka pllakosur drejtimin politik të PD dhe praktikën qeverisëse të pushtetit të saj. Misioni ynë si drejtues dhe anëtarë të kësaj shoqate, ka pikë takimi vetëm me progresin dhe me idealin e pastër demokratik, duke shpërfillur pa asnjë ndrojtje, ata që e kanë harruar dhe që e kanë braktisur idealin e Azem Hajdarit e që fatkeqësisht ndodhen edhe në kupolën e PD.
A mund të shpjegoni motivimet tuaja, në këtë deklaratë?
Ne jemi një shoqatë që mban emrin e Aem Hajdarit. Krijimi i saj ishte vepër e demokratëve të vërtetë, që kishin besim tek ai, edhe pse u vra Azemi, por nuk u “vra” figura, kontributi dhe idealet e tij, të cilat vetë Azemi, nuk i shkeli asnjëhërë edhe pse u përballë shumë herë, me atë kontingjent ish-komunistësh fanatikë, të cilët edhe pse ishin (dhe janë pjesë e drejtimit të PD), nuk kishin asnjë ideal demokratik e nacionalist, përkundrazi kishin depërtuar brenda saj, si “desantë” të PPSH, për ta shkatërruar demokracinë dhe idealin e Azemit e të të gjithë studentëve dhe shqiptarëve, që përmbysën diktaturën komuniste. Sa për ilustrim, po përmend një merak të përhershëm që kishte Azem Hajdari, pranë të cilit kam qëndruar në çdo sekondë: Lufta për demokracinë dhe nacionalizmin është më e vështirë me këta që na pengojnë nga brenda, sepse kundërshtarët politikë, i njohim dhe dimë të pozicionohemi!
A është aktual ky merak i Azem Hajdarit edhe sot në PD, pra brenda linjës politike?
PO! Ato që ka deklaruar Azem Hajdari në lidhje me pseudodemokracinë dhe pjesën jo demokratike, prokomuniste dhe antishqiptare brenda PD, janë një realitet brenda këtij formacioni politik. Shoqata jonë, ashtu si Azemi është atakuar me këtë “skalion” që ekziston dhe madje drejton në PD. Me këtë shpjegohet edhe fakti, që shoqata që ne krijuam, nuk u prit mirë prej tyre, madje duhet thënë, se u tentua të shkatërrohej, të përbaltej, të mos ekzistonte. Dhe kur mbahet ky qëndrim ndaj një shoqate, që ka emrin e simbolit dhe krenarisë së demokracisë kombëtare, kuptohet që PD dhe lidershipi i saj, nuk e kanë patur “problemin” me emblemën dhe drejtuesit e saj, por me forcën e personalitetit që ka Azem Hajdari edhe pse e ndëshkuan me plumba disa herë, deri sa e vranë. Konfirmojë faktin, që disa herë kemi kërkuar mbështetjen e kreut të PD, zotit Sali Berisha, njeriut që çdo 12 shtator dhe 5 maj, çon lule dhe derdh lotë tek memoriali i Heroit Azem Hajdari. Por çuditërisht, nuk e kemi patur këtë mbështetje. Kjo ka krijuar rezerva, për të cilat edhe pse i është kërkuar shpjegim, ai nuk është shpjeguar asnjëherë. Dhe kjo mendoj, se nuk ka qënë dhe nuk është normale. Ne kur krijuam shoqatën e konceptuam dhe e deklaruam hapur, madje e kemi edhe në statut e në program, se nuk jemi parti paralele me PD, por pjesë integrale, forcë aktive e PD, mbështetës të Berishës, duke mbajtur si orientim idealin e Azemit. Ne e vazhduam dhe po e avzhdojmë këtë rrugë. PD, me sa kuptuam atëherë dhe me sa shohim tani, ka nisur tjetër rrugë dhe kjo është shmangie nga ajo që nisi në dhjetor 1990.
Cili është vlerësimi juaj për Sali berishën e sotëm?
Ne që krijuam PD si idealistë dhe që përmbysëm komunizmin si shqiptarë, që synuam një tjetër jetë me liri të plotë dhe me progres, pranuam që ta kemi Sali Berishën në krye të PD, duke menduar se kemi në krye një intelektual modern e jo një zyrtar politik, i cili në mënyrë graduale, dëshmoi dhe po dëshmon, se nuk po përmbush idealet e asaj lëvizjeje demokratike. Karriera e tij 17 vjeçare në krye të demokratëve, ka shumë “pika” që duhen pastruar. Ne këtë, nuk e arritëm dot në asnjë moment edhe pse kemi bërë presion të hapur e dashamirës për të ndërtuar një PD moderne, të hapur si mendim dhe veprim e jo si “stallë”, për t’u futur e për të përfituar karrieristët, sharlatanët. Ne kërkuam të ndërtonim një PD të demkratëve e jo të komunistëve. Ne kërkuam të kishim një PD pa klane, pa bërryla, pa përjashtime vlerash, pa mendësi komuniste në drejtim, duke iu përmbajtur idealit të Azem Hajdarit dhe të gjithë atyre që u ngritën sinqerisht dhe me sakrifica në dhjetor 1990. Por nuk mundëm dhe tashmë kemi një PD “larmane”, të kthyer në një ekip të ngushtë, që ka cënuar rëndë, madje që ka zhdukur nga përmbajtja e saj idealizmin e dhjetorit 1990, që ka nxjerr jashtë “shtëpie”, ata intelektualë dhe idealistë, që mbartnin dhe përcillnin vlera të shëndosha morale e politike.
A mendoni se duhet rihapur dosja “Hajdari” dhe ku duhet të nis kjo hapje?
Dosja e vrasjes së liderit të demkracisë shqiptare, simbolit të shoqatës tonë, mendoj dhe kam kërkuar në vazhdimësi që të hapet e të hetohet e plotë. Kjo duhet bërë sepse ajo dosje nuk i ka “fletët” e hetimit të bardha. Dhe kjo hapje, mendoj se duhet të nis nga dëshmia e kreut të PD, zotit Sali Berisha, i cili ka deklaruar se do të hap këtë dosje dhe se kur të vinte PD në pushtet, do të dëshmonte deklarimin e vrasësve të vërtetë të tij. tani është koha për këtë.
Cili është komenti juaj për zhvillimet e fundit politike?
Ne dëshirojmë të ketë paqe publike dhe mesa kemi konstatuar dhe provuar në këto 18 vjet demokraci ende në tranzicion, kjo përcaktohet nga politika. Situata aktuale politike në Shqipëri vazhdon të përjetoj një “duel” politik mes palëve, sikur të jenë dy grupe private. Kjo frymë konfliktuale, që herë zbutet dhe herë ashpërsohet, tregon se brenda politikës ka interesa që nuk përputhen plotësisht me interesat kombëtare. Kur flitet për zgjidhje politike, ka debat deri armiqësor mes palëve, ndërsa kur flitet psh, për strehimin, apo minimumin jetik, për pagat dhe pensionet, nuk ndihet askush. Opozita flet disi për të tilla probleme, ndërsa pozita, pra qeveria, vepron me veto.
Cili do të jetë në vazhdim, qëndrimi i shoqatës tuaj në raport me PD dhe me politikën në përgjithësi?
Ne e kemi të përcaktuar qëndrimin tonë si shoqatë. Përballë PD kemi këtë mesazh: të vlerësoj dhe të vazhdojë idealin e Azem Hajdarit. Përballë politikës në përgjithësi, kemi këtë pozicion: Opozitë me të gjithë ata që shkelin këto ideale.
No comments:
Post a Comment