Tuesday, April 1, 2008

Ja se si fitonin 200 milionë euro nga biznesi i Gërdecit Delijorgji & Co

Afera e Gërdecit dhe afera e armëve janë megaskandalet e qeverisjes gangstere të Sali Berishës. Tashmë shteti shqiptar brenda këtyre ditëve vërtetoi katërcipërisht përpara shqiptarëve fytyrën e saj të vërtetë korruptive.
Familja Mafioze "Berisha"
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, nëse në vitet 1992-1997 performoi para shqiptarëve një virtyt, atë të ndershmërisë, mesa duket u deshën pak ditë për të rrëzuar mitin e ndershmërisë, duke stigmatizuar si figurën më të korruptuar, mundet edhe në kontinent. U bë ditë që shqiptarët kanë dëgjuar ditë pas dite afera me Berishë, afera me Medi,afera me Delijorgjë, afera me Pinarë, afera me tregti armësh dhe afera me jetë njerëzish. Por një fakt është duke u ekspozuar lakuriq para shqiptarëve: Fakti që qeveritarët shqiptarë janë gangsterët, trafikantët dhe njerëzit më të paskrupullt në rruzullin tokësor. Padyshim që shumë prej tyre ndihen keq para konstatimeve të tilla dhe shpeshherë i përkufizojnë si shkelje etike, por e vërteta të detyron ti deklarosh me modesti të tilla përkufizime. Padashur shikojmë që djali i doktorit na takohet pa dashje me një biznesmen që qenka i përzierë në afera armësh. Dje Kosta Trebicka nxori një tjetër detaj, është takuar me Shkëlzenin në makinën e tij. Lindin pyetjet, çfarë do djali i kryeministrit të vendit në makinën e biznesmenit Trebicka? Kush është ky baba që lejon të birin të bëjë bisedime të fshehta për punët e shtetit shqiptar? Çfarë tagre ka Shkëlzeni i Saliut për të biseduar me njerëzit? Çfarë fshihet pas kësaj bisede dhe pse duhet të sqarojë njerëzit dhe biznesmenët i biri i Berishës kur nuk ka asnjë funksion shtetëror? A mos vallë ky njeri është i implikuar vetë në këto afera? A mos vallë përfiton nga milionat e eurove të trafikut të armëve? Deri tani kemi vetëm përgënjeshtrime që Shkëlzen Berisha nuk e ka takuar Delijorgjin. Nëse del ndonjë fakt që vërteton të kundërtën a do e përgënjeshtrojë kryeministri ynë Sali Berisha? Padashur shikojmë që kemi një kryeministër që gënjen dhe del blof brenda disa ditësh me mashtrimet e tij. Brenda pak ditësh shikojmë se kupola shtetërore shqiptare qenka kupolë mafioze. Megjithëse tashmë ka plasur ky skandal, shikojmë se mazhoranca shqiptare paska qenë e implikuar në trafiqe dhe krime, duke kërkuar që këtë implikim ta mbulojë nëpërmjet skemave të tjera korruptive, duke u munduar të fshehë faktet që të çojnë në këtë megaskandal korruptiv. Nëse deri dje mazhoranca u mundua nëpërmjet blofeve të hiqte dyshimet e implikimit të saj në këtë aferë, tani kjo mazhorancë po bën përpjekjet maksimale ta minimizojë implikimin e qeveritarëve dhe familjarëve të qeveritarëve në këtë implikim. Kur themi mazhoranca, nënkuptohet me të gjitha institucionet shqiptare duke filluar që nga organet e hetimit të cilat përfaqësohen nga kryeprokurorja Ina Rama dhe duke implikuar këtu kryeparlamentaren Topalli, presidentin Topi, kryetarin e kontrollit të Shtetit Çeku, duke vazhduar me doganat dhe mbyllur me ministrinë e Mbrojtjes. Të gjithë në unison duan së bashku të manipulojnë provat, të bllokojnë parlamentin, të bllokojnë mediat, me qëllimin e vetëm: kjo tragjedi të shuhet dhe ky trafik të katandiset në një hetim të rëndomtë dhe të përfundojë me pafajësi dhe pakujdesi.
Afera e skrapit dhe implikimi i kryeministrit Berisha
Përsa i përket hetimit të Gërdecit dhe të trafikut të armëve mesa duket tashmë qeveria kërkon të manipulojë të gjithë dokumentacionin që e implikon në këtë skandal. Nëse deri tani janë zbardhur dy kontrata për demolimin e fishekëve, në mënyrë të qëllimshme po lihet pa zbardhur se ç’ndodhte me materialin bazë që ngelej dhe përdorej për skrap. Në Gërdec demoloheshin mijëra ton municione që kishin vlera të jashtëzakonshme monetare. Në mënyrë të qëllimshme ministria e Mbrojtjes dhe qeveria nuk ka zbardhur kontratën me AlbDemil. Kontratë e cila konsistonte në shitjen e skarpit. Siç mësohet nga burime brenda ministrisë së Mbrojtjes sasia prej njëmijë fishekësh i jepej Delijrgjit me vlerën 2.2 USD ose e konvertuar në lekë e barabartë me 160 lekë. Pesha specifike e 1000 fishekëve shkonte rreth 16 kilogram. Vlera në bursë e materialeve me ngjyrë shkonte në rreth 5-7 euro kilogrami. Nga shitja e 1000 fishekëve, Delijorgji merrte rreth 80-90 euro për 1000 fishekë. Kontrata e parë midis Albdemil dhe Ministria e Mbrojtjes përfshinte 100 milionë fishekë, ose një milion arka. Duke llogaritur se për një arkë në mënyrë aproksimative fitimi shkon në 90 milionë euro për kompaninë e Delijorgjit. Këtu nuk kemi llogaritur fishekët 12.7 të cilët ishin 20 milionë copë në llogari të Delijorgjit dhe fishekët 14.5 të cilët ishin 20 milionë copë. Të gjithë këto fishekë u demoluan për një vit nga kompania e Delijorgjit i cili përfitoi para edhe nga demolimi për të cilën paguante shteti shqiptar 1.611.200 usd. Pra duket qartë që kjo kontratë diskriminuese për shtetin është dhënë në mënyrë të qëllimshme për Delijorgjin me një çmim të barabartë me një bukë me çmimet e ngritura nga klika e Berishës. Ndërkohë që përsa i përket predhave 100 mm, të cilat në përmbajtjen e tyre kishin tetë kilogram material me ngjyrë dhe 15 kilogram çelik special, Ministria e Mbrojtjes ja faturonte Albdemil për vleftën 4.2 usd ose e konvertuar në 340 lekë. Në të gjithë këtë aferë skandaloze duket se këto fishekë nuk ishin mall për tu hedhur, por përbënin një pasuri të çmuar kombëtare. Vetëm nga të dy kontratat, kjo aferë përfshinte vlera që cilat i kalonin 200 milonë eurot. Pra po të vërejmë me vëmendje, e gjithë kjo aferë është ndërtuar nëpërmjet një skeme e cila sillte fitime marramendëse për pushtetarët shqiptarë. Gjithë kjo aferë skandaloze dhe përfshirja e një biznesi kaq fitimprurës nuk ka shpëtuar nga vëmendja e Berishës. Fakti që baxhanaku i tij numëronte sasinë e arkave që dilnin nga Gërdeci në drejtim të kompanive greke të shkrirjes të skrapit, tregon qartë se kryeministri i vendit ishte i mirëinformuar dhe i mirëpaguar në këtë biznes. Detyra e Berishës dhe e strukturave që ai ka në varësi është që të mbajnë opinionin publik sa më larg biznesit të sipërpërmendur. Tashmë nuk mund të dalë në skenë as kontrata e Delijorgjit me MEICO, për çmimet dhe sasinë e skrapit të eksportuar, por ndërkohë edhe drejtori i Doganave, Dervishi, nuk ka ndërmend të publikojë asnjë të dhënë rreth eksporteve të bëra nga kompania e Delijorgjit. Të gjithë në unison duan të shpëtojnë Sali Berishën nga përfshirja në këtë skandal monstruoz dhe kriminal. Në shërbim të mbjelljes të errësirës informative është vënë e gjithë makina shtetërore shqiptare. Në mënyrë të hapur janë hedhur në pararojë skalionet kamikaze të Sali Berishës, duke filluar siç thamë më lart nga Kryeprokurorja Rama, e cila nuk ka ndërmend të zbardhë implikimin e kryeministrit por të mbulojë atë, si dhe të gjithë deputetët e mazhorancës me në krye Topallin, Bejën e shumë të tjerë. Makineria shtetërore po funksionon në unison për të nxjerrë sa më të pastër dhe të larë Sali Berishën nga një aferë që nuk e shpëton as kthimi i orës mbrapsht. Tashmë për këtë qeveri e ka dhënë verdiktin vetë korrupsioni i saj. Nëse kryeprokurorja Rama mendon të hyjë në historinë e akuzës shqiptare me qëllimin e sakrifikimit të saj për të shpëtuar Sali Berishën, ky do të jetë dhe fundi i turpshëm i karrierës së saj të sapofilluar. Nga kjo aferë nuk e shpëton dot Sali Berishën asnjë kryeprokuror dhe gjykatës. Për Berishën e vetmja rrugë është të japë dorëheqjen, për të mos diskretituar të djathtën shqiptare, të cilën e ka shndërruar në një formacion ekstremist të majtë ashtu siç është edhe vetë ai.

Deja vu enverhoxhiane e Mbledhjes së Bukureshtit për Berishën


Nga Kastriot Myftaraj - Kur në qershor të vitit 1960 bëhej Mbledhja e Bukureshtit, e partive komuniste, që në mitologjinë politike enveriane konsiderohej si një nga pikat kryesore të luftës së PPSH kundër revizionizmit, kryeministri Sali Berisha ishte një djalë 16 vjeçar, që tregohej shumë i zellshëm në mbledhjet e rinisë, me premisa të qarta për t’ u bërë një komunist i devotshëm. Në Mbledhjen e Bukureshtit të vitit 1960, Enver Hoxha nuk shkoi vetë, se trembej se mos e eliminonin, ashtu siç kishin bërë sovjetikët edhe me liderë të tjerë të vendeve komuniste,të cilët kishin vdekur në raste të tilla nga sëmundje të papritura, ose ishin çuar për kurim të detyruar në Bashkimin Sovjetik, ku kishin qëndruar derisa kishin vdekur, në ndonjë qytet të humbur, si diktatori hungarez, Rakoshi. Enver Hoxha çoi në Bukuresht Hysni Kapon, pasi donte të sigurohej për qëllimet e sovjetikëve, pra nëse këta donin të hiqnin qafe Enver Hoxhën dhe të mbanin Shqipërinë pa të, siç kishin me vendet e tjera komuniste, ku kishin larguar diktatorët stalinistë, apo donin të braktisnin Shqipërinë, për shkak të pazareve me amerikanët, por duke mbetur Shqipëria komuniste, në ç’ rast u interesonte mbetja e Enver Hoxhës në pushtet. Në Mbledhjen e Bukureshtit Enver Hoxha u sigurua se ishte fjala për të dytën, pra se sovjetikët do të braktisnin Shqipërinë, për shkak të pazareve të tyre me amerikanët, por donin që ajo të mbetej komuniste, çka i interesonte dhe Enver Hoxhës, se sovjetikët nuk kishin ku gjenin njeri më të mirë se ai për ta mbajtur Shqipërinë zyrtarisht të prishur me Bashkimin Sovjetik, por edhe komuniste dhe të ndarë nga Perëndimi. Pasi Enver Hoxha siguroi në Bukuresht, në qershor 1960, atë që donte, ai mund të shkonte i qetë në Moskë, në nëntor të atij viti për të luajtur komedinë e prishjes me Hrushovin, në mënyrë që edhe ky të siguronte një alibi tek të vetët për braktisjen e Shqipërisë. Në Mbledhjen e Bukureshtit në 1960, Shqipëria faktikisht u shkëput nga Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës, jo me dëshirën e Enver Hoxhës, por të sovjetikëve. Kjo kuptohet nga fakti se, edhe pse Bashkimi Sovjetik i preu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në 1961, Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës (aleanca ushtarake lindore, ekuivalenti i NATO). Në ditët e sotme, në Shqipëri, po flitet përsëri për një tjetër Mbledhje të Bukureshtit, që këtë herë është takimi i nivelit të lartë i NATO, ku Shqipëria shpresohet të marrë ftesën për t’ iu bashkuar aleancës atlantike. Në prag të kësaj mbledhjeje në Bukuresht, pozita e kryeministrit Berisha është një deja vu e asaj të Enver Hoxhës në prag të Mbledhjes së Bukureshtit në 1960. Pozita politike e kryeministrit Berisha është shumë e tronditur për shkak të ngjarjes së Gërdecit. Megjithatë, Berisha po shkon edhe vetë në Bukuresht së bashku me “Hysni Kapon” e vet (Bamir Topin). Berishën, në Bukuresht, në takimet që do të ketë, mund ta presë kërkesa për dorëheqje, ashtu siç dyshonte Enver Hoxha se do t’ i ndodhte në Bukuresht, në 1960. Në vend të anëtarësimit në NATO, Shqipëria mund ta dalë nga Mbledhja e Bukureshtit pa qeverinë ekzistuese. Mbledhja e Bukureshtit e vitit 1960 ndryshoi orientimin gjeopolitik të Shqipërisë, jo për meritë të Enver Hoxhës. Mbledhja e Bukureshtit e vitit 2008 është pritur që të formalizojë orientimin e ri gjeopolitik të Shqipërisë, duke u anëtarësuar Shqipëria në NATO. Kryeministri Berisha gjithë këto ditë ka thënë se tragjedia e Gërdecit po kërkohet të përdoret për të penguar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Por kryeministri Berisha duhet ta kishte ditur se ata që nuk e duan anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, si brenda dhe jashtë vendit, do të kërkonin të përdornin pikat e dobëta të vendit për të krijuar situata që do të dëmtonin imazhin e vendit në prag të takimit të NATO. Prandaj qeveria “Berisha” duhet të ishte treguar shumë e kujdesshme që të mos lejonte të krijoheshin situata si ajo që çoi në shpërthimin e Gërdecit. Berisha mund të mos e dinte se ku binte Gërdeci dhe çfarë bëhej atje, por ai e dinte se ishte duke ecur një proces demilitarizimi në kuadrin e të cilit bëhej çmontim municionesh, dhe kryeministri duhej të ishte interesuar se ku bëhej dhe në ç’ kushte bëhej ky proces. Të njëjtën gjë duhej të kishte bërë edhe “Hysni Kapo” i Berishës, Presidenti Topi që po shkon dhe ai në Bukuresht. Logjikisht, Berisha nuk duhet të kishte shkuar në Bukuresht, pas asaj që ndodhi në Gërdec, duke shkuar në Bukuresht vetëm Presidenti. Fakti që Berisha po shkon në Bukuresht nuk tregon gjë tjetër veç asaj se Berisha nuk mund të luajë lojën e Enver Hoxhës në 1960 dhe se Berisha tashmë e di se do të japë dorëheqjen, por kërkon të luajë farsën e fundit, duke gjetur edhe njëherë “photo oportunity” me liderët e vendeve të mëdha të botës, si dhe duke marrë disa komplimente prej tyre, që do t’ i shërbejnë si epitafi i tij politik.

"Albtelekom", afera korruptive Nano-Berisha me “Çalik”


Pas aferës korruptive që finalizoi qeveria e Berishës me privatizimin e “ALB-TELECOM” në favor të turqve, si vazhdim i kontratës “korruptive” siç u konsiderua prej tij, ishin gjermanët ata që reagun dhe e konsideruan shitjen e “ALB-TELECOM” në favor të turqve, si aferë korruptive të qeverisë shqiptare, sidomos të Berishës, i cili bëri pazare të reja private dhe vazhdoi këtë akt shitje të pistë. Për të qetësuar gjermanët, Berisha aktivizoi ministrin e Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, për të joshur me tjetër ofertë po private, investitorët e cënuar gjermanë.Ai u deklaroi tyre në emër të Berishës, se po shqyrtohej mundësia, për hapjen e licencës së katërt të operatorit GSM, brenda disa-muajve. Sipas Olldashit, ky operator do t’u jepej gjermanëve në shkëmbim të nxjerrjes së tyre nga loja e blerjes së “ALB-TELECOM”, ku gjermanët kishin ofruar afro tre herë më tepër se turqit e “Çalik”. Ministri Olldashi, ftoi palën gjermane, të jetë e pranishme dhe se do të ishte e preferuar, në aplikimin për marrjen e licencës së katërt, për tregun e telefonisë mobile në Shqipëri, duke tentuar kështu, të shlyente “borxhin”, që qeveria shqiptare kishte ndaj investitorëve gjermanë, duke e nxjerrë humbës në tenderin e shitblerjes së “ALB-TELECOM”, ku ata kishin ofertën më të madhe. Kujtojmë, se gjermanët kishin ofruar 300 milionë dollarë për blerjen e 76% të aksioneve të “ALB-TELECOM”, duke përfshirë brenda ofertës edhe operatorin “Eagle Mobile”. Dhe këtë ofertë, investitorët gjermanë e kishin paraqitur, një muaj para se pala jonë t’ia shiste turqve të “Çalik” për 140 milionë dollarë. Madje për këtë çështje, ka patur kontakte shkresore mes ministrit genc Ruli dhe autoriteteve qeveritare Gjermane. Sipas Rulit, oferta e kompanisë “Axos Capital”, gjoja “u paraqit me vonesë, pra kur procedurat kishin marrë formën përfundimtare”. Megjithatë, sipas ministrit Olldashi, paralelisht me hedhjen në treg të licencës së katërt, po shihet mundësia e licencimit të operatorëve, që do të përdorin brezin e frekuencave “ëitemax”, si një mundësi për të hyrë në terrenin e telekomunikacionit. Ministri i Punëve Publike Olldashi, u paraqiti investitorëve gjermanë, një sërë projektesh të fushave të ndryshme, të cilat mund të paraqesin interes, për t’u operuar me koncesion.
Pas aferës kundër gjermanëve, vërshojnë premtim mashtrimet Berisha-Olldashi
Nga viti 2008, biznesi gjerman pritet të hap një zyrë të posaçme në Shqipëri. Dhoma Tregtare Gjermane, do të ketë për qëllim organizmin më të mirë të kompanive gjermane, që do të investojnë në vendin tonë. Në këtë synim, kur u bë deklarimi promovues, ishte i pranishëm edhe personi që i nxorri jashtë loje gjermanët, duke ofruar mundësi të tjera për ta në Shqipëri. Kryeministri Berisha, deklaroi po me mashtrime, se synimi i qeverisë ishte ta kthente Shqipërinë, në vendin më tërheqës për investimet e huaja. Sipas demagogjisë së tij, projekti më i madh në fushën e zhvillimit të infrastrukturës dhe shërbimeve të transportit shqiptar, si dhe investimi i huaj më i rëndësishëm në këtë fushë, ishte kontrata koncesionare e Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza". Ndër projektet rrugore, që mund të paraqesin interes për partneritet në formë koncesionare, pjesët e rrugëve Thumanë-Rrogozhinë, Rruga e Arbrit, superstrada Tiranë-Durrës etj. Me interes nga sipërmarrësit, do të ishte nisma e fundit e ndërmarrë për privatizimin e Kontrollit Teknik të Automjeteve (gjë kjo që po projektohet të bëhet me aferë korruptive). Momentalisht parku i automjeteve në Shqipëri, ka të regjistruar 320.000 automjete, ndërsa ritmet e rritjes së numrit të mjeteve në Shqipëri janë më të larta se mesatarja Evropiane. Ndërkohë, Berisha, nëpërmjet gojës së Olldashit, ka deklaruar, se po punohet për zgjerimin e kapaciteteve përpunuese të porteve të Sarandës dhe Shëngjinit, përpunimi i mbetjeve të ngurta etj.

Marsi 2008 kaloi, “Eagle Mobile” nuk është futur në treg
Operatori i tretë celular “Eagle Mobile”, zyrtarisht duhet të kishte nisur veprimtarinë e plotë në treg, brenda muajit mars 2008, në të kundërt, sipas kontratës ligjore, i skadon licenca. Deklarata në lidhje me këtë afat është bërë nga ministri i Ekonomisë, Genc Ruli i cili gjatë një prononcimi për mediat lidhur me procesin e privatizimit të “ALB-TELECOM”, foli dhe për celularin e tretë. Për këtë qëllim, kompania turke “Çalik Energi”, tashmë pronari i ri shoqërisë “ALB-TELECOM”, parashikon të investojë rreth 30 milionë dollarë investime. Për ministrin Ruli, ky është një kusht i pranuar nga kompania turke, Çalik, e cila ka blerë aksionet e “ALB-TELECOM”. Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat ratifikoi marrëveshjen e privatizimit të shoqërisë fikse “ALB-TELECOM”. ku ndër të tjera nuk munguan dhe debatet. Prej pesë vitesh rresht shqiptarët kanë vuajtur në komunikimin celular, me tarifa tepër të larta në krahasim me fqinjët e tyre të Ballkanit, madhe edhe të Evropës. Por kjo falë tregut, i cili shoqërohej nga dy kompani celulare, që megjithëse ulën ndjeshëm tarifat e interkonjeksionit vitin e kaluar, sërish përbëjnë kosto të lartë për konsumatorin. Futja në treg e operatorit të tretë celular, shikohet si një mundësi e mirë për abonentët që të përdorin impulse më të lira, kjo pasi konkurrenca pritet të paraqitet më e fortë. Në fakt duhet thënë se “Eagle Mobile” ka marrë licencën për të operuar që prej tri vjetësh por shtyrja e privatizimit të “Albtelecom”, mbajti peng zhvillimin e mëtejshëm të hedhjes në treg. Deri autoritetet shqiptare kanë investuar miliona euro për rrjetin celular “Eagle Mobile” duke krijuar kushte komode për investitorin në mënyrën që ky ta hedh sa më shpejtë në treg celularin. Por pavarësisht kësaj turqit e “Çalik Energi”, kanë premtuar se do të investojnë rreth 30 milionë euro për modernizimin e aparaturave dhe në burimet njerëzore.
Ndërkohë turqit e “Çalik Energi” janë pronarët dhe përfituesi i vetëm dhe i ligjshëm i të gjitha aksioneve që përbëjnë “Eagle Mobile”, në një total prej 157 483 mijë aksione në vlerën e 35 milion eurove. Por në pikën e kontratës mbi pronësinë, nuk ka asnjë kontratë, marrëveshje që vendos ndonjë barrë në lidhje me shitjet e aksioneve të këtij operatori, të një pale të tretë. Pra, në kontratë thuhet shprehimisht, se “asnjë person nuk pretendon që ka ndonjë të drejtë, mbi ndonjë barrë lidhur me ndonjë nga aksionet në shitje, ose aksionet e Eagle Mobile”. Përveç kësaj kontrate të shitjes së aksioneve të “Eagle Mobile”, qeveria nuk ka firmosur asnjë marrëveshje, apo detyrim tjetër që parashikon transferimin, riblerjen apo dhënien e së drejtës së një personi, i cili kërkon riblerjen e ndonjë aksioni të kapitalit të “Eagle Mobile”. Gjithashtu kjo riblerje nuk ka kufizim në një preferencë, apo të drejtën për të ofruar i pari ose të drejtën e parablerjes apo këmbim. E megjithëse premtoi, se brenda marsit 2008, ky operator do të niste shërbimin, deri sot rezulton pa nisur aktivitetin.

“Eagle Mobile”, me liçensë, por pa veprimtari
Licencën e ka marrë në marsin e vitit 2004, për të qenë operatori i tretë celular, por që në fakt nuk është hedhur ende në treg. Procesi i stërzgjatur i privatizimit të Albtelekom solli pengesa ligjore për lëshimin e këtij celulari, duke mbajtur peng përgjatë kësaj periudhe tarifat e larta në bisedat e telefonisë mobile. Me ardhjen e pronarëve të rinj të Albtelekom, tashmë i hapet rrugë hedhjes në treg të këtij operatori. Sipas kontratës së firmosur në maj 2007, mes qeverisë shqiptare dhe koncerciumit turk “Calik Enerji&Turk Telekom”, operatori i tretë celular Eagle Mobile duhet të hidhet në treg përpara afatit që përkon me marsin e vitit të ardhshem. Por burime zyrtare pranë shoqërisë në fjalë pohojnë për gazetën se, pronarët e rinj në planin e tyre strategjik parashikojnë ta hedhin në treg MB përpara këtij afati, kjo e lidhur ngushtë dhe me tregun vendas i cili zotërohet nga shoqëritë AMC dhe Vodafone.
Në fillim të muajit tetor, Calik parashikon të nisë fazën konkrete të investimeve për këtë operator i cili mendohet të shtrihet në fillim në qytetet e mëdha si Tirana dhe Durrësi, për t0u shtrirë më tej në qytetet e tjera. Për sa i përket vlerës së investimit mendohet se do të jenë si fillim rreth 30 milionë euro e më tej, për t’u zgjeruar në planet gjera të teknologjisë së rëndë. Burime nga shoqëria pohojnë, se priten zgjerime të stafit, madje në këtë fazë po aplikohen konkurse për punonjësit e rinj. Kujtojmë se Calik-Turk Telekom e bleu “ALB-TELECOM” për 120 milionë euro (afërsisht 140 milionë dollarë), ku në paketën e aksioneve prej 76 për qind përfshihej dhe licenca e tretë e Eagle Mobile.
Eagle Mobile është operatori i tretë i telefonisë celulare në Shqipëri, i cili u deklarua se do të hynte në treg me shërbime cilësore, të larmishme, me tarifa konkurruese dhe me një zonë të madhe mbulimi. Eagle Mobile, është shoqëri anonime shqiptare, me kapital shtetëror, themeluar në mbështetje të Ligjit Nr. 9127, datë 29.07.2003 “Për disa shtesa në Ligjin nr. 8810, datë 17.05.2001 “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime Albtelecom”. Shoqëria “ALB-TELECOM” zotëron 100% të aksioneve të saj. Shoqëria e re, si operator celular është pjese e paketës së shitjes së shoqërisë “ALB-TELECOM”, tashmë në zotërim të turqve të kompanisë “Çalik”. Në mars 2004, Enti Rregullator i Telekomunikacioneve, i dorëzoi Licencën Individuale të Klasit të Parë kompanisë “Eagle Mobile”, për të ofruar shërbim publik të lëvizshëm, tokësor, standardi GSM, në Republikën e Shqipërisë.

PLANI I MBULIMIT
Rrjeti: GSM-900, GSM-1800
Vitin e parë EM sh.a. do të implementojë rrjetin për Ofrimin e Shërbimeve Telefonike të Shërbimeve Tokësore, Standardi GSM si më poshtë:

Faza I
Qytetet:
Tiranë, Durrës, Shijak, Vorë.
Akset rrugore:
Tiranë- Vorë- Durrës
Tiranë –Ndroq-Durrës,Vore – Rinas

Faza II
Qytetet:
Kavajë, Lushnjë, Fier, Fushë-Krujë, Krujë, Laç dhe Lezhë
Akset rrugore:
Vorë – Fushë-Krujë – Laç – Lezhë dhe Fushë-Krujë - Krujë

Faza III
Qytetet:
Vlorë, Elbasan, Shkodër, Divjakë
Akset rrugore:
Fier - Vlorë, Tiranë - Qafë Kërrabë - Elbasan, Lezhë - Shkodër, Çermë - Divjakë


Doktor Berisha dhe i “sëmuri i Adriatikut”


Nga Veledin DURMISHI - Garancitë personale me të cilat Sali Berisha ( edhe pse ai mbante mbi shpinë një pjesë të mëkatit të vitit’ 97), vendosi të bëjë ndoshta sfidën më të madhe të jetës së tij politike, ishin të pamjaftueshme përballë rrezikut që të jep pushteti për një hegjemoni të plotë në të gjitha platformat e tij. Njeri me guxim të admirueshëm politik, por që realisht, pas gati tri vjet në pushtet, ai nuk mundi dot të frenojë gangrenën e shtetit dhe popullit shqiptar, që sigurisht nuk është se nuk mundi dot të njihte rrezikun imediat të tij, por që ndoshta nuk ngriti dot sfondin e nevojshëm e të domosdoshëm politik e juridik, nuk krijoi dot atë staf qeverisës që të ishte përbetuar të mos thyhej nga korrupsioni a në rastin më të keq të mos përlyhej nga ai, që sigurisht edhe në korrik ’05, nuk ishte edhe me aq duar të pastra sa na u paraqitën. U dha më shumë pas luftës për përqendrimin në duart e veta të të gjitha pushteteve, harxhoi energji e kohë pafund, pushtet ekonomik e politik për të denigruar kundërshtarin e vet, duke lëshuar mbi qiellin e tyre akuza pas akuzash, të cilat ai nuk mundi dot t’i provojë kurrë. Dimensioni biblik që shqiptarët gjithnjë u kanë veshur udhëheqësve të tyre, bie dikur, bie kur zhgënjimi prek deri edhe humbjen e shpresës te ky lider e te pjesa tjetër e politikës duke pritur një shpëtimtar tjetër, ndoshta jashtë kufijve që ka prekur e përdhosur politika. Situata politike në Shqipëri, që vlerëson karizmën e të zgjedhurve më shumë se sa aftësinë për të punuar në grup, ka sjellë e mbajtur gjallë në politikë njerëz si kryeministri ynë, të cilët i lind dhe i mëkon sistemi dhe që të duket se ne shqiptarët nuk bëjmë dot pa ta! Sigurisht që Berisha duhet ta ketë marrë atë mesazh popullor i cili ka shënuar se ndryshimet tona nuk mund të vijnë më nga kjo pjesë e politikës e cila është provuar e provuar për 17 vjet rresht e që ka prodhuar vetëm kriza. Anijen e shpëtimtarit e mori Berisha në vitin ’05. Dhe shqiptarët, duke qenë në kulmin e dëshpërimit të tyre, ia besuan atij këtë mision, por që tani, të zhgënjyer, nuk dinë kë të kryqëzojnë veç Berishës. Socialistët nuk e morën me vete korrupsionin. Ai është ende mes nesh, diku më i egër, diku më i rafinuar, por ulur këmbëkryq. Këtë perceptim nuk e kanë vetëm shqiptarët që jetojnë me duart e korrupsionit te gryka, por e kanë edhe ndërkombëtarët të cilët kohë pas kohe hedhin një rrufe mbi qiellin e politikës sonë. Por qeverisja e Partisë Demokratike pati shansin e madhe që të hynte në historinë pluraliste si një qeveri që do të largonte korrupsionin e të korruptuarit nga skena ku i vendosi qeverisja socialiste; do të hynte si një qeverisje që me reformat që do të ndërmerrte në të gjtha fushat do ta fuste Shqipërinë në rrugën e bashkësisë evropiane, por pas tri vjetësh qeverisjeje, ajo që konsumoi këtë shans historik i hoqi të drejtën vetes të dalë para qytetarëve për një mandat tjetër qeverisës. Qëndrimi i kryeministrit nuk ka mundur dot të shënojë atë pikë kthese që do t’i jepte kuptimin e qenësishëm asaj vote në vitin ’05. Si gjithnjë, ai ka qenë pika rreth të cilit debati politik pështjellohet, vullneti i tij për hegjemoni kalon kufijtë që e formatojnë një lider të kuptueshëm e të pranueshëm nga të gjithë, një lider që pretendon se do të sjellë përmbysje të mëdha e që në emër të saj ai erdhi në krye të shtetit. Kryeministri është ajo pikë rrethi që zakonisht shënohet me 0 e që nga ajo pikë hiqen rrathë të tjerë. Janë rrathë klanesh politike, ekonomike, mediatike që e ushqyen dhe e mbajtën gjallë korrupsionin edhe tri vjet të tjera pas ikjes së socialistëve. Kjo është evidente po të mendojmë se qëndrimi pro dhe kundër tij është tregues vlerash, kjo është evidente kur sistemi ynë politik rrëzohet nëse ky simbol rrëzohet e ikën pa menduar asnjëherë se koha e liderëve të tillë po mbaron. Sa parime demokratike të cilat ai kur ishte në opozitë i quante të shenjta, janë dhunuar? Ato janë parime themelore pa të cilat demokracia nuk funksionon, ose funksionon keq. Dhe vjen një kohë që populli i bën thirrje të largohet. Sinjalin ai e mori në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar; i është kërkuar nga familjet shqiptare që ndriçohen me qiri, nga qindra protestues pensionistë, ushtarakë, të përndjekur politikë, nga ish-pronarë, nga të papunë të cilët në të gjitha kohët në njërin krah të politikës kanë parë vetëm një protagonist; Berishën. Veç tribalizmit, nepotizmit, ajo që te kryeministri ynë është aq e dallueshme, është demagogjia e cila fryhet sa bëhet e denjë për ndonjë estard fshati! Nismat e tij tani u ngjajnë kështjellave në rërë e se shumëkush mendon se fjalëve të tij tashmë edhe ai vetë nuk u beson më. Thua kaq budallenj i mendon shqiptarët kryeministri?! Periudha gati tri vjeçare për shqiptarët dhe për vetë Berishën ishte e mjaftueshme për të ndërtuar një shtet në të gjitha strukturat e veta dhe stafi drejtues do të gëzonte ata status që të jep një kohë që shënon një proces historik. Por dëshira e Berishës (madje ai vuan nga kjo), për përqëndrim e hegjemoni të pushtetit në duart e veta, ka sjellë përplasje të cilat kanë tronditur themelet që mbajnë shtetin e ushqejnë demokracinë e që kanë lëkundur edhe stabilitetin tonë ekonomik e politik. Kjo mani e Berishës ka çuar deri në votimin e ligjeve antikushtetuese duke i lënë fre sindromës se partia që fiton shumicën duhet të kontrollojë të gjitha pushtetet. Kjo gjë dëshmon se ende kryeministri ynë është i sunduar nga totalitarizmi, por që ka kohë që është mbështetur prej ledhi. Fitorja e tij në zgjedhjet e fundit nuk i dha atij atë shumicë absolute e ai ishte i detyruar ta siguronte atë duke marrë hua edhe nga të tjera forca politike të cilat, jashtë përgjegjësive morale që të jep qeverisja, kanë sjellë pështjellime më tepër se sa kanë qënë faktor politik në qeverisje e vendimmarrje. Dhe ai e di mirë këtë. Një dorëheqje e tij në atë kohë, kur ky proces u ravijëzua aq qartë, do t’i kishte dhënë të tjera ngjyrime politikës, por frika e tij për t’u përballur me elektoratin e detyroi atë që të shtyjë një mandat me ushkur të zgjidhur. Ndoka, Lesi, Dule, Xhuveli, Mediu kanë ditur të menaxhojnë mirë projektet e tyre, por që koston tani e paguan Partia Demokratike e së pari Berisha. Ata kanë monopolizuar në rastin më të keq gjithë dikasteret e tyre duke i bërë hysmet vetëm interesave personale a ato të kreditimit politik të partisë së tyre, pa menduar asnjëherë për punën në ekip që lartëson vlerën e një qeverisjeje efikase. Drejtor i uzinës së armatimit në Poliçan qënka një agronom vetëm sepse ai është i Partisë Republikane!!!Ndoka kërkon demokristianë atje ku ka vetëm myslymanë të pastër… Raste të tilla ka me qindra dhe kryeministri në këto kushte duket i dorëzuar dhe krejt i pafuqishëm. Vetëm një dorëheqje e shpëton nga ky makth të cilin po ia shtrëngon rreth vetes edhe ngjarja e fundit në Gërdec, ku asnjë rrethanë nuk është lehtësuese për të e Ministrin e Mbrojtjes. Ngjarjet e fundit kanë çuar në kuota minimale qeverisjen e P.D.-së pa i dhënë mundësi për një ringritje për të kapur objektivat e pretenduara. Gërdeci ishte një autogol i qeverisë, një autogol që nuk i jep asaj të drejtën të rifillojë lojën politike nga qendra. Gërdeci i la dopjo gjashtën në dorë Partisë Demoratike e cila tani ngushëllohet e krenohet duke menaxhuar fushatën post-mortum. Koha prej një viti e gjysmë qeverisje, kohë kjo e mjaftueshme për të parë edhe strumbullarin rreth të cilit do të ndërtohej politika qeverisëse ka kaluar. Kaluan tri vjet qeverisje, por ato dëshmuan në mënyrë permanente se Shqipëria nuk mund të eci dot pa kriza! Historia qeverisëse në këto vite, dëshmoi se problemet që janë bartur nga koha në kohë kanë sjellë kriza të njëpasnjëshme, duke e lënë Shqipërinë në të njëjtat kuota, çka po tregon se konceptet teknike, administrative ecin në të njëjtin shtrat që ecnin edhe në qeverisjen e mëparshme, edhe pse qeverisja e re, ka punuar për t’u mbushë mendjen qytetarëve se gjithçka nuk do të jetë si më parë, duke paraqitur platforma të reja e duke sjellë në krye të tyre stafe të rinj, profesorë, doktorë; të diplomuar në perëndim, por që për fatin e keq nuk është vënë re ai ndryshim për të cilat u bë aq bujë. Çdo vit po precipiton në fundin e tij të gjitha prapësitë e qeverisjeve, diletantizmin euforik, pedantizmin butaforik, paaftësinë në menaxhimin e mundësive që të jep pushteti, duke u lënë terren zgjedhjeve aty për aty, e që tani pas 17 vjetësh, populli ynë po sheh e po ndien efektet e një politikbërjeje të tillë. Edhe shqiptari më pak i vëmendshëm ndaj politikës që është ndjekur në Shqipëri, nuk ka harruar butaforizmin me të cilën politikanët tanë dalin para elektoratit duke shpallur atë e këtë prioritet të qeverisë e më tepër, kur në krye është x ministër a deputet që para emrit ka një varg epitetesh si prof. doc. as... laureuar, diplomuar... Dhe dhjetra syresh kanë qenë në krye të ministrive, madje edhe kryeministra. Profesorët tanë të nderuar të cilët japin leksione edhe në Harward, por që ekonomia e shtetit shqiptar nuk do të ishte më keq sikur ajo të ishte drejtuar nga një ekonomist kooperative mbaruar në Kamëz, me kohë të pjesshme. Së shumti, qeverisja e P.D.-së gjithnjë është qarë se erdhi në një tokë të djegur nga ai që iku, duke treguar me gisht paraardhësin si shkaktarin kryesor të kësaj gjëndjeje, ndërsa ata vetë, erdhën për të bërë ndryshimet e bujshme e aq të pritshme; për të zgjidhur krizat, të cilat do të bëjnë të mundur të futin ekonominë në atë rrugë që do të pakësonte familjet që kanë në rrezik edhe bukën e gojës. Por pamundësia e qeverive tona për të futur në rrugën e zgjidhjes qoftë edhe një problem kombëtar (përsëritja i ka kthyer ato në kriza), po dëshmon për një universalizëm të krizave në Shqipëri. Për sa strategji kombëtare ka folur kryeministri?! Por vitet njëri pas tjetrit treguan se drejtuesit e punëve tona u kanë dhënë problemeve të tyre trajtimin elektoral: a i shërben ky investim publik, kapitalit tim politik në zgjedhjet e ardhshme?! Të mendosh kështu do të thotë të ndjekësh po ato praktika si paraardhësi yt, s’ke mundur dot të sjellësh risi të reja për të cilat ti edhe je thirrur aty. Por qenka e vështirë të përmbysësh koncepte edhe pse mund të jesh profesor e mund ta dish mirë se ajo që po bën është e gabuar. Kjo do të thotë se duke përmbysur edhe mësime universale e koncepte strategjike, je bërë vegël e politikës. Ti je thirrur aty të thuash e të dëshmosh diçka që do t’i vlejë jo partisë tënde, por popullit tënd që ka 17 vjet dhe nuk po del dot në atë rrugë për të cilën edhe ti ke inspiruar aq shumë. Vërtet kuotat e arritura në politikën e jashtme të Shqipërisë janë të mira; ajo ka orientimin e duhur të paqortueshëm duke u bërë faktor stabiliteti në rajon, por përballja e saj me objektivat e premtuara e nxjerr zbuluar në shumë prej tyre. Korrupsioni në mjekësi është evident edhe pse aty erdhi Ndoka!, korrupsioni në K.E.SH. po u zë frymën shqiptarëve edhe pse iku një drejtor pasi vodhi ai e di sa, korrupsionin në drejtësi e dinë vetëm ata që përballen me të, korrupsioni me pronat po i lë lakuriq shqiptarët e po mbush burgjet me të zgjedhurit vendorë e kjo listë e gjatë hallesh po ua bën jetën shqiptarëve gjithnjë e më të varfër e më të pasigurt. Kjo është Shqipëria jonë ,“e sëmura e Adriatikut”!

1 comment:

Anonymous said...

top [url=http://www.c-online-casino.co.uk/]uk casinos online[/url] hinder the latest [url=http://www.casinolasvegass.com/]casino bonus[/url] unshackled no set aside reward at the best [url=http://www.baywatchcasino.com/]charitable casino games
[/url].