Wednesday, April 4, 2007

Hanxhari i kujt është zoti Berisha ?

Mbrëmë, teksa kjo gazetë po shtypej në shtypshkronjë, teksa të gjithë ne ishim në gjumë, në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara debatonte lidhur me propozimet e zotit Marti Ahtisari për pavarësinë e Kosovës. Bëhet fjalë për ngjarjen më të madhe me karakter mbarëkombëtar të këtyre 100 viteve të fundit, përjashtuar këtu vetëm shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndoshta edhe ditën e Çlirimit të vendit. Si e tillë, në çdo televizion, radio dhe gazetë duhej që kjo ngjarje të zinte vend të dukshëm të parë në edicionet informative, në talk show, në komente dhe analiza. Mbase do të qëllonte dikush që nuk do ta vinte lajm të parë për motive komercialiteti, por dikur ndër të parët patjetër.

Vetëm se vështirë që gjithkush prej jush që keni ndjekur edicionet informative të ditës së djeshme në mediat kryesore të vendit do të ketë parë lajme nga Kosova apo nga Nju Jorku në 15-20 minutat e para të çdo edicioni. Nuk do të lexoni shumë as sot në gazeta. Gjithçka është përqendruar te një njeri i vetëm. Të gjithë vëmendjen tashmë e merr mbi vete Kryeministri dhe të gjitha energjitë harxhohen për të korrigjuar atë, sikundër ai të gjitha energjitë i shpenzon për të zgjidhur problemet e tij personale politike, në vend që të zgjidhë problemet e vendit dhe t‘u shpjegojë shqiptarëve, që presin çdo ditë, se përse nuk është realizuar asnjë reformë deri tani, apo cilat janë reformat që ka ndër mend të bëjë. Pa retorika fjalësh.

Dita e djeshme nuk ndryshonte fare nga përditshmëria e këtyre 18 muajve të qeverisjes së zotit Berisha. Ditë e mbushur me konfliktualitet, përplasje, akuza, kontrolle, presione. Dhe nuk kishte shqiptar që të ndiqte lajmet te Top Channel, News 24, Vizion Plus e të tjerë që të mos ishte informuar gjerësisht që në drekë, se tatimet kishin tentuar të sekuestronin kompaninë "Digitalb", apo ta kontrollonin atë me forcë, të shoqëruar edhe nga policia e rendit, në një kohë kur në pak muaj kanë zhvilluar plot tre kontrolle, duke mos gjetur shkelje e parregullsi. Dhe kur si padashur zbulohet një dokument i tatimeve që të tregojë natyrën e vërtetë të këtyre kontrolleve "në zbatim të ligjit", vetëm në një media dhe në bizneset e vetëm një personi, pronarit të Top Channel, duke lënë jashtë listës së Bodes mediat dhe bizneset mike.

E gjitha kjo u kushtoi dje dhe u kushton gjithmonë kohë informative miliona shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, në Kosovë, Maqedoni dhe shtete të tjera të Evropës ku jetojnë shqiptarë, të cilët nuk do të dëshironin të dëgjonin përsëri bëmat e kësaj qeverie dhe të këtij Kryeministri, por mund të kishin dëshirë të dinin se çfarë bëhet me të ardhmen e bashkëkombësve të tyre dhe çfarë pritet të ndodhë me Kosovën. Eshtë e vështirë t‘ua shpjegosh sërish këtyre miliona njerëzve se fatkeqësisht në krye të qeverisë është një person që pushtetin e tij personal e konsideron më të rëndësishëm, sesa fatet e një kombi të tërë. Dhe këtë e ka provuar edhe në vitin 1997, kur iku nga pushteti, duke lënë pas faturën e disa mijëra vetëve të vrarë dhe një vendi në buzë të greminës. Prandaj është e vështirë t‘ua shpjegosh sërish 10 vjet më vonë, sepse fjalët do të ishin të tepërta. Eshtë e vështirë t‘u shpjegosh përsëri shqiptarëve që ky Kryeministër kërkon me çdo kusht të ndëshkojë me mbyllje, reprezalje e gjoba arbitrare biznesin, të mbyllë gojën e çdo medie dhe të kontrollojë sërish të gjithë zinxhirin deri tek individi më i thjeshtë, nëse i rrezikohet pushteti personal. Edhe nëse përpara në rrugën e tij i del Kosova, siç ndodhi dje.

Në këtë mënyrë shtrohet pyetja se përse duhet të meritojmë një Kryeministër që nuk ndalet për egon e tij, as përpara një prej ditëve më historike të kombit të tij. Një Kryeministër që akuzon këdo që është kundër tij si kriminel dhe mafioz, si hanxharë të mafies dhe me epitete të tjera afërsisht të njëjta me fjalorin e rrugëve apo kafeneve të periferisë. Me logjikën e tij, nëse ky Kryeministër pushton hapësirën informative të shqiptarëve në ditën më të rëndësishme të tyre, zhvendos vëmendjen nga tryezat ku diskutohen fatet e kombit te tyre, atëherë hanxhar i kujt është vetë ky zoti Berisha? Të tilla ngjarje nuk do t‘i shkonin përshtat askujt në Prishtinë. Ndoshta të tjerëve në Beograd dhe në Moskë.

Bledar Zaganjori

No comments: