Tuesday, April 10, 2007

Kunati i Kryeministrit mori Kinostudion. Dje vazhdonte ndërtimi i studiove për televizionin

Ndërtesa më e madhe e Kinostudios po bëhet gati për të nisur sinjalin e televizionit më të ri, të biznesit familjar të kryeministrit Berisha. Deputetët socialistë akuzojnë kreun e qeverisë se ka shpërdoruar detyrën duke përdorur ndikimin e tij për deformimin e konkurencës në tregun mediatik. Tiranë- Gjithë hapësira e Kinostudios së vjetër është vënë në shfrytëzim nga kunati i kryeministrit. Në një zonë të vecuar disi, ku cdo lëvizje bie në sy, banorët ndjekin me vëmendje cfarë po ndodh me godinën e madhe të lënë pas dore. Në orët e vona të paradites, një makinë e madhe shkarkonte nga dera e pasme e ndërtesës, ndërsa dera e përparme është prej kohësh funksionale për stafin e televizionit Antena 1, që tashmë ka marrë emrin e ri "MediaSat". Interesimi për ambiente me qera gjen përgjigje të zellshme, edhe pse sipërfaqja e mbetur në dispozicion është shumë e pakët. Një ndërtesë e nxjerrë jashtë funksioni prej kohësh është e vetmja e tërë që të ofrohet. Ndërsa ndërtesa e madhe po përdoret nga të dyja anët. Kjo do të thotë që sipërfaqja e saj është zënë e gjitha. Megjithatë sqarimet jepen të pakta. Sidomos përsa i përket emrit të pronarit të televizionit të ri, por që ka marrë në shfrytëzim edhe një pjesë të konsiderueshme të ambienteve të Kinostudios. Kjo është një pasuri publike, e cila mund të jepet me qera vetëm përmes vendimeve të marra nga institucionet shtetërore. Më saktë nga vetë kryeministri, që ia ka ofruar këtë privilegj pikërisht kunatit të tij.

Berisha në shpërdorim detyre
Kryeministri Berisha ka shpërdoruar detyrën kur ka marrë vendim për vënien në dispozicion të ambienteve të një prone publike tek kunati i tij. Deputetët e opozitës kanë rikujtuar se ky kryeministër ka premtuar tarifa tregëtare për gjithë ambientet publike të dhëna me qera me qëllime biznesi. Por kjo nuk ka ndodhur për biznesin e tij familjar, për të cilin janë përdorur tarifa nga më minimalet në një kohë kur sipërfaqja e dhënë me qera në ambientet e Kinostudios është në përmasa të konsiderueshme. Kreu i qeverisë po përdor postin e tij për të hyrë me një biznes familjar edhe në tregun mediatik, por duke shkelur hapur ligjin. Nga ana tjetër, prej disa kohësh ai ka nisur sulmet dhe presionet ndaj mediave të tjera të lira, me qëllim deformimin e konkurencës në treg dhe krijimin e hapësirave për televizionin në pronësi të kunatit të tij. Një shembull i qartë për këto veprime dhe ndikime të Berishës është rasti i pashembullt ndaj kompanisë Top Media. Prej dy ditësh tashmë, deputetët socialistë kërkojnë vënien nën hetim të këtij fakti, duke theksuar se kryeministri po kërkon të ndikojë në tregun mediatik duke shpërdoruar detyrën e tij, duke goditur media të pavarura dhe me shumë audiencë, me qëllimin që t'i japë përparësi biznesit familjar që po lulëzon brenda ambienteve të Kinostudios.

"Kinostudioja më e re"
për 1 euro?
Në fakt nuk bëhet fjalë për atë Kinostudion "e re" që paraqiste filma shqiptarë të prodhuar prej saj. Deri më tani, brenda saj ka funksionuar një redaksi modeste që transmetonte nën siglën e "ATN1". Duket se koha për ndryshim ka ardhur edhe për të, pasi Kinostudioja do të na ofrohet me një model akoma më të ri. Të paktën përsa i përket arredimit brenda ndërtesave të vjetra. Kontrata e qerasë, prej atyre që do të zbatohen pavarsisht kushteve pa asnjë diskutim, nuk është bërë transparente edhe pse marrësi i saj është një person i afërt me familjen e kryeministrit. Ajo që mund të thuhet pa asnjë lloj dyshimi dhe pa nevojë për matje është se sipërfaqja që është marrë në dispozicion të këtij televizioni është e madhe. Më e madhe se pjesa tjetër e sipërfaqes së zënë apo të mbetur të Kinostudios. Por askush nuk di të thotë se sa ka paguar kunati i kryeministrit për një metër katror të këtyre ambienteve. Me siguri cmime preferiencale, pse jo në vazhdë të nismës "për 1 euro", që vetë Berisha ndërmori dhe la në mes pasi plotësoi interesat e ca bizneseve të lidhur me familjen e tij. Ndërkohë në këto ambiente po vazhdon akoma puna për sistemimin dhe instalimin, edhe pse ndërkohë televizioni transmeton.

Investimi 3 milionë dollarë
As kjo shifër nuk është bërë e njohur publikisht, por konfirmohet nga personat që janë marrë me instalimin e aparaturave të shtrenjta brenda Kinostudios. Ata shprehen të sigurt se investimi i kunatit të kryeministrit, për ngritjen e këtij televizioni të vjetër po me emër të ri dhe zgjerim, ka kapur shumën e 3 milionë dollarëve. Kjo vetëm përsa i përket aparaturave dhe sistemeve që do të bëjnë funksional transmetimin në siglën e "MediaSat". Ndërsa krejt tjetër është shifra me të cilën është paguar, apo paguhet qeraja e ambienteve që do të vihen plotësisht në shfrytëzim. Sigurisht në varësi të kontratës së lidhur mes kunatit të kreut të qeverisë dhe shtetit, që në këtë rast është i vetmi që mund të japë me qera këtë pasuri publike. Ndonëse Berishës i ka qëlluar të betohet shpesh për paprekshmërinë e këtyre të fundit, apo dhënien e tyre për shfrytëzim vetëm në bazë të ligjit, duket se kreu i qeverisë ka ndryshuar edhe në këtë drejtim. Për më tepër që në këtë rast bëhet fjalë për të favorizuar një biznes familjar, ndaj të cilëve Berisha ka treguar se ka gjithë angazhimin maksimal. Gazeta është duke kërkuar gjithë faktet që provojnë se pikërisht kunati i kryeministrit figuron në kontratën e marrjes me qera të ambienteve në Kinostudio dhe po kështu edhe si pronar i televizionit të ri, për t'ua sjellë në mënyrën më të pamohueshme edhe për vetë Berishën, që në raste të tilla të ngjashme ka preferuar të heshtë duke pranuar.

Ku gjeti kunati
3 milionë dollarët?!
Duke iu referuar qoftë deklarimit të pasurisë së kunatit të kryeministrit, por edhe mungesës së një reagimi të këtij të fundit për këto shifra, duket e thjeshtë për familjarin e Berishës të sigurojë edhe 3 milionë dollarë për t'u bërë pronar i një televizioni. Gjithsesi të pajustifikuara me të ardhurat, ashtu si edhe në rastin e pasurive të tjera të deklaruara në formular. Kjo do të thotë që këtë herë kryeministri na detyrohet disa shpjegime se si kunati i tij, që me mbërritjen në qeveri të Berishës mori të drejtën për të ndërtuar një televizion pasi ka marrë më parë me qera ambientet e një pasurie publike. Kreu i qeverisë duhet të na sqarojë gjithashtu se ku i gjeti 3 milionë dollarët kunati i tij i pasur, të cilat përbëjnë vetëm shifrën që ai ka investuar për blerjen e aparaturave për televizionin. Bashkë me këto shpjegime, Berisha duhet të na tregojë se si po përdor pushtetin e tij për të siguruar pozita të mira në tregun mediatik, për të mos thënë më të mirat për një televizion të ri, vetëm e vetëm pse ky i përket kunatit të tij. Kryeministri nuk mund të mohojë se sulmet më të fundit ndaj mediave të pavarura kishin për qëllim pikërisht këtë. Deputetët e opozitës kanë denoncuar faktin se kunati i Berishës është bërë tashmë pronar i një televizioni që prej pak kohësh ka nisur transmetimin nën një sigël të ndryshuar. Por gjithcka që ka patur të bëjë me shkresa zyrtare, vendime dhe akte që i përkasin instancave shtetërore ka qenë krejtësisht jo transparente. Duke filluar nga dhënia me qera e një sipërfaqeje të konsiderueshme në Kinostudio, deri tek ndryshimi i emrit tek pronësia mbi televizionin.

Kunati milioner dhe pronar televizioni

Tiranë- Më parë, kunati i kryeministrit është bërë i njohur sidomos për pasurinë dhe pronat e tij të shënuara pa asnjë mëdyshje dhe kompleks edhe në formularin e deklarimit. Megjithatë pasuria e tij ka qenë mëse e dukshme edhe pa qenë nevoja e një deklarimi pasurie, duke filluar nga sarajet në zonën e ish-bllokut por edhe shtëpi të tjera nëpër kryeqytet. Shifra të jashtëzakonshme për një person të profesionit të tij, për më tepër në kohë kur këto shuma kishin vlerë edhe më të madhe. Pavarsisht kësaj, me të ardhur në pushtet, kryeministri Berisha i dha një dorë tjetër kunatit të tij. Të paktën që mund të konfirmohet nga shkresa zyrtare. Ai e emëroi anëtar të bordit drejtues të portit të Durrësit, një prej porteve më të mëdha në vend. Në vazhdën e kësaj ndihme, nuk kemi pse të mos besojmë se vjen edhe pronësia tek një televizion, duke patur mundësinë që më parë të marrë në shfrytëzim edhe ambientet e një prone publike. Pas kësaj vjen rradhe e ndereve dhe favoreve të tjera dhe Berisha nuk është aspak i përtuar. Madje as të ndikojë për t'i dhënë këtij televizioni hapësirën e televizioneve të tjerë, pavarsisht kohës së shkurtër të hyrjes në treg. Dhe gjithmonë duke përdorur mjete aspak të ligjshme që përfshijnë sulme, kërcënime dhe presione ndaj mediave të tjera. Për kunatin pronar televizioni, Berisha po përdor pa ngurim pushtetin që askush nuk ia besoi. As për këtë qëllim.

No comments: