AKUZAT E KRYEMINISTRIT PËR MAFIEN E LIDHUR ME MEDIAN
TIRANË - Lëvizja MJAFT! i kërkoi dje Prokurorisë së Përgjithshme që të sqarojë qytetarët e këtij vendi, përmes hapësirës që i jep ligji, se kush thotë të vërtetën: Kryeministri Sali Berisha, i cili e akuzon medien për lidhje me mafien, apo media që i përgjigjet atij me të njëjtën mënyrë. Leart Kola, aktivist i Lëvizjes MJAFT! tha se, “është e papranueshme që kryeministri i vendit e krahason medien me hanxharë të mafies. Por po aq e papranueshme është fakti që Prokuroria, e cila duhej të hetonte gjithçka, hesht”. Më pas Kola theksoi se “në fund të fundit asnjë qytetar nuk ja ka kujt për borxh që të dëgjojë nga mëngjesi në darkë akuza pafund”, ndaj ai në emër të aktivistëve të tjerë, i bëri organit të akuzës një kërkesë të thjeshtë: “të na sqarojë nëse ajo që thotë kryeministri është e vërtetë dhe cila media përdoret vërtet nga mafia, ose në të kundër të na thotë se kryeministri Berisha gënjen”. Për këtë arsye, aktivistë të lëvizjes MJAFT! vendosën dje në hyrje të Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë një televizor, ndërkohë që i vunë atij përsipër një oktapod me tentakulat e të cilit mbulohej ekrani i televizorit, ku shfaqej imazhi i kryeministrit. Realisht, për shumë shqiptarë, oktapodi dhe tentakulat e tij janë identifikuar me simbolin e mafies dhe lidhjeve të ngatërruara të saj. Faktikisht, kjo kërkesë e MJAFT erdhi dy ditë mbasi kryeministri Sali Berisha ripërsëriti akuza të rënda për medien, duke e akuzuar atë për lidhje me mafien. Berisha tha shprehimisht gjatë një mbledhje të qeverisë se: “mediet po përdoren si hanxharë nga mafia për të demonizuar procese dhe individë”. Por pas kësaj, media ju përgjigj kryeministrit me të njëjtat akuza.
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment