Showing posts with label basha luli. Show all posts
Showing posts with label basha luli. Show all posts

Thursday, April 26, 2007

Vjedhje 7 milione dollare ne PD

Tirane-"Djemtë" e Berishës nuk vjedhin vetëm buxhetin e shtetit dhe në qeveri, por edhe brenda partisë së tyre. Skandali është zbuluar nga vetë kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryeministër i vendit, përmes një hetimi të ndërmarrë prej vetë atij. "Zbulimi" është bërë pas deklarimit të shifrave zyrtare të partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 18 Shkurtit. Kandidatët e përzgjedhur nga PD, fitues apo jo në garën për kryetar komuna dhe bashkie, kanë dorëzuar në parti fatura të fryra shpenzimesh të cilat kanë kaluar nëpër lupën e Berishës. Kjo ka cuar në zbulimin e një vjedhjeje skandaloze, e cila nuk po kalon pa zhurmë brenda partisë.

Vjedhja 7 milionë dollarë
Abuzimi me paratë e partisë të marra për fushatën e zgjedhjeve të 18 Shkurtit arrin në shifrën e 7 milionë dollarëve. Vetë Berisha që ka bërë hetimin mbi paratë e vjedhura, ka në dorë edhe emrat e atyre që kanë abuzuar me faturat e shpenzimeve për fushatë, të paguara nga partia me paratë e mbledhura nga donatorët. Burime brenda partisë shprehen të sigurt se bëhet fjalë për emra të njohur kandidatësh, në qytete kryesore të vendit, të cilët për më tepër as nuk kanë fituar mandatin nga këto zgjedhje. Shifra e konsiderueshme e shpenzimeve, për më tepër të pajustifikuara nga një fitore në zgjedhje, mësohet të ketë tërbuar edhe më tepër kryetarin Berisha. Por jo deri aty sa të lejojë që skandali të dalë jashtë partisë. Të paktën jo pa u marrë masat ndaj abuzuesve.

Abuzim me paratë e donatorëve
Një pjesë e mirë e parave të dhuruara nga donatorë për fushatën e Partisë Demokratike, kanë përfunduar në xhepat e emrave të përzgjedhur prej partisë si kandidatë. Donacionet e deklaruara zyrtarisht edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryesisht nga biznesmenë të ndërtimit, por edhe të emëruar si drejtorë me mbërritjen e qeverisë Berisha nga 1 milionë lekë për secilin, nuk kanë shkuar të gjitha për qëllimin për të cilin janë dhuruar. Kjo është konfirmuar nga vetë kryeministri, i cili nuk i ka besuar askujt tjetër hetimin mbi vjedhjen përvec vetes së tij. Jo vetëm për të shmanguar në mënyrën më absolute zhurmën mbi skandalin, por edhe për të gjetur vetë përgjegjësit për abuzimin në shifra marramendëse të parave të dhëna nga donatorët për fushatë.

Si u vodhën paratë brenda PD
Kandidatët e përzgjedhur nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 18 Shkurtit kanë deklaruara në parti, duke dorëzuar madje edhe fatura për shpenzime të fushatës së tyre. Kryesisht për reklama, postera dhe billbordera në hapësirat publike të qyteteve kryesore. Partia ka qenë plotësisht dakord me shumën e shkruar nëpër fatura, derisa vetë kryeministri ka dëgjuar zëra, të cilat nuk ka nguruar t'i vërtetojë më pas. Pas hetimit i rezultoi se kandidatët e tij kishin paguar edhe për shërbime që i kishin marrë falas!! Sipas faturave që kanë dorëzuar në Partinë Demokratike dhe kjo ka marrë përsipër t'ua paguajë nga paratë e donatorëve për fushatë, kandidatët kanë paguar për reklamimin e posterave dhe motove të tyre nëpër billbordera, postera elektronikë dhe deri tek postera gjigandë në fasada pallatesh. Por këto fatura, qoftë përsa i përket shumës ashtu edhe zërit të shpenzimeve, bien poshtë nga vetë bizneset që u kanë ofruar reklamimin. Në një garë, për t'u mburrur kush më parë e kush më shumë për shërbimet që i kanë ofruar gratis Partisë Demokratike në fushatën e zgjedhjeve të 18 Shkurtit, këta biznesmenë kanë nxjerrë të palarat e kandidatëve. Atë që ishte nuhatur nga Berisha që me deklarimin e shifrave në KQZ, por që erdhi duke u përforcuar më tepër kur ata që merren me biznesin e reklamës raportuan se nuk kishin marrë asnjë qindarkë për të vendosur posterat e kandidatëve demokratë nëpër qytete, sepse këta ia kishin bërë shërbim partisë. Atëherë ku përfunduan 7 milionë dollarë të deklaruara si të shpenzuara pikërisht për këto lloj reklamash?! E ku tjetër përvec se në xhepat e cunave të besuar të Berishës!

Kandidatët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit në vjedhje
Vetë Berisha, pas hetimit, ka arritur në konkluzionin se emrat më të njohur, të zgjedhur prej tij për të fituar drejtimin e qyteteve kryesore janë përfshirë në vjedhjen e madhe të 7 milionë dollarëve. Duke filluar nga kandidati i Tiranës, Durrësit, Elbasanit, të cilët kanë deklaruar shuma të mëdha të shpenzuara për bordet e reklamimit të posterave të tyre, justifikuar nga garimi në bashki të mëdha. Por me siguri jo nga fitimi i mandatit, pavarsisht besimit të kryetarit të partisë tek kandidaturat e zgjedhura. Megjithatë lista e fajtorëve për abuzimin miliona dollarësh nuk mbaron thjesht me emrin e të zgjedhurve nga PD. Brenda faturës së dëmit llogaritet edhe emri i një botuesi të njohur, i cili u angazhua fort me fushatën e partisë jo vetëm në Tiranë.

Hetim per vjedhjen nga vete Berisha

Tiranë- Jo shumë kohë pas deklarimit të shifrave zyrtare të parave të mbledhura nga Partia Demokratike por edhe shpenzimeve të bëra prej saj në fushatën e zgjedhjeve të 18 Shkurtit, Berisha iu rikthye sërish faturave. Jo thjesht për të bërë një llogari të vërtetë, jashtë shifrave zyrtare të deklaruara, por edhe për të përligjur një dyshimin e tij lidhur me abuzime të bëra me paratë e donatorëve nga ana e kandidatëve të zgjedhur nga partia për të garuar. Pas deklarimeve të shumë përfaqësuesve të bizneseve të reklamave se kishin ofruar shërbime falas për Partinë Demokratike gjatë fushatës, kryetari i partisë nisi të dyshonte për faturat e paguara të kandidatëve pikërisht për këto shërbime. Madje edhe në qytetet kryesore të vendit. Një kthim tek llogaritë e faturave e coi Berishën në konkluzionin se paratë e paguara nga Partia Demokratike, nuk kishin shkuar aspak për bordet e reklamave, sic ishte deklaruar nga kandidatët kur kishin paraqitur faturat në parti, por tek xhepat e vetë kandidatëve. Në përfundim të hetimit mbi këtë vjedhje, kryetari i partisë por edhe kryeministri i vendit doli në një shifër të saktë të abuzimit të bërë me paratë e donatorëve, të mbledhura për fushatë. Për më tepër gjeti edhe emrat e abuzuesve, që kishin firmosur faturat e rrema. Lista nis me emrin e Olldashit në Tiranë, Telitit në Durrës, Bocit në Elbasan dhe kështu me rradhë. Me duart në vjedhje është gjetur edhe i përzgjedhuri tjetër për të menaxhuar fushatën e Partisë Demokratike. Të gjithë bashkë janë përgjegjës për zhdukjen e 7 milionë dollarëve që mund të ishin kursyer.

Fushata e PD, 146 mln lekë nga donatorët

Tiranë- Fushata e zgjedhjeve të 18 Shkurtit është konsideruar si më e kursyera nga ana e Partisë Demokratike. Për faktin e thjeshtë dhe modest se nga shpenzimet e bëra për fushatë janë kursyer 76 milionë lekë. Sipas një fatura analitike për gjithë zërat e shpenzimeve, kjo parti ka llogaritur edhe paratë për blerjen e fishekzjarreve në një vlerë prej më shumë se 3 milionë lekësh. Për zgjedhjet e 18 shkurtit në përballimin e fushatës elektorale PD-ja ka publikuar pranë KQZ-së 19 donatorë, me një shifër totale prej 14.630.365 lekësh. Ndër shpenzimet e fushatës përfshihet pagesa e punonjësve, e cila kap shifrën e 2.605.000 lekëve. Kurse për flamuj të vegjël dhe të mëdhenj demokratët kanë shpenzuar në total një shifër prej 7.114.150 lekësh. Pjesën më të madhe të fondit të fushatës demokratët e kanë shpenzuar për spotet televizive, me një vlerë prej 8.972.565 lekësh, kurse për postera ka shpenzuar 200 mijë lekë. Këto janë shpenzimet më të mëdha të kryera nga ana e PD-së për fushatën elektorale. Ndërsa janë shpenzuar 52 mijë lekë për kapele dhe bluza për fushatën elektorale. Pjesa tjetër e fondit është përdorur për shpenzimeve operative materiale për zyrën e shtypit, kancelari, shtypshkrime, aparatura fonie, podiume me qira dhe të tjera. Në bazë të letrës së paraqitur në KQZ dhe të firmosur nga financieri i PD-së, Blerim Çela, janë 12 sponsorizues që kanë derdhur në arkën e PD-së nga një shumë prej 1 milion lekësh. Ndërsa në arkën e PD-së ka derdhur për fushatën e 18 shkurtit edhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, ku shuma kap shifrën e 400 mijë lekëve. PD-ja ka zhvilluar një sondazh paraprak për zgjedhjet, duke angazhuar INSTAT-in, një institucion që është në varësi të shtetit. Për realizimin e këtij sondazhi, PD-ja ka shpenzuar 2.45 milionë lekë. Ndërsa për amerikanët e BG&R, PD-ja ka derdhur një shumë të vogël, e cila kap shifrën e 511.811 lekëve.

Friday, April 13, 2007

Vjedhja,”Basha pa limit” është djali i Kryeministrit

"Bem baba qe te te ngjaj apo .. Gjithsecili e ka nje "baba shpirtror !""

Tiranë- Skandali më i fundit i ministrit të Punëve Publike, Lulzim Basha mban firmën e Auditimit të Brendshëm pranë ministrisë së tij. Bëhet fjalë për një shumë prej 500 mijë dollarësh abuzime me tendera që nga 1 Korriku 2005 deri më 31 tetor të vitit 2006. Shkeljet janë bërë në procedurat ligjore të tre tenderave, si ai i realizimit të lotit të parë të rrugës së re Kukës- Morinë, vazhdimin e rrugës së Kamzës dhe spostimin e ujësjellësit të Kamzës. Raporti i Auditit të Brendshëm të ministrisë së Punëve Publike ka bërë të ditur jo vetëm shkeljet dhe dëmet në vlerë financiare, por edhe përgjegjësit për këto shkelje, duke kërkuar përgjegjësi penale për punonjësit. Një raport i tillë ka kaluar me siguri nëpër duart e ministrit të Punëve Publike, por ky ka heshtur njësoj si atëherë kur u denoncua me fakte të sigurta për abuzimin me shifra më shumë se 230 milionë euro.

Shkeljet 500 mijë dollarë
Raporti i Auditimit të Brendshëm ka marrë në shqyrtim periudhën e punës nga 1 Korriku 2005 deri në 31 Tetor 2006 në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve. Pikërisht në këtë kohë janë kryer tendera me vlera të konsiderueshme nga buxheti i shtetit sidomos për lotin e parë të Kukës- Morinë, por edhe vazhdimin e urës së Kamzës. Sipas raportit të botuar dje në "Gazeta Shqiptare" fatura e dëmit shkon në 49.195.187 lekë të reja. Kjo shifër konfirmon edhe njëherë akuzën për 230 milionë euro abuzime nga ana e ministrit të Punëve Publike, Lulzim Basha, gjatë vitit 2006. Denoncimi ka ardhur nga ish zyrtarë të ministrisë, që janë shprehur se abuzimet kanë të bëjnë me financimin e objekteve që nuk janë realizuar asnjëherë. Në fund të vitit të kaluar, ministria ka deklaruar të realizuar gjithë fondin e parave nga buxheti i shtetit për ndërtimin e rrjetit të rrugëve nacionale.

Kukës-Morinë, shkelja më e shtrenjtë
Raporti i Auditimit të Brendshëm të ministrisë së Punëve Publike, ka dalë në konkluzionin se dëmi më i madh është shkaktuar nga tenderi për ndërtimin e rrugës Kukës- Morinë. Fitues nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave është shpallur subjekti "Viktoria Invest", me të cilin është lidhur kontratë. Ndërkohë një subjekt tjetër, "Arifaj&Kastrati", që kishte paraqitur një ofertë më të mirë, ishte skualifikuar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet. Fatura e dëmit që del nga diferenca midis vlerës më të lartë të fituesit dhe asaj më të ulët të kompanisë që duhet të shpallej fituese, arrin në 460.000 dollarë. Në bazë të këtyre shifrave dhe fakte, specialistët që kanë ushtruar kontrollin në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve kanë kërkuar që pesë zyrtarë të kësaj drejtorie të paguajnë dëmin prej 92 mijë dollarësh secili.

Shkelje në dy tendera për Kamzën
Edhe njëherë dëmi shkaktohet nga zgjedhja e një firme tjetër nga ajo që ka bërë ofertën më të mirë. Në rastin e vazhdimit të rrugës së Kamzës dëmi llogaritet në më shumë se 15 milionë lekë, ndërsa në shkeljen e bërë në tenderin për spostimin e ujësjellësit të Kamzës dëmi shkon në më shumë se 7 milionë lekë. Në të dyja rastet është zgjedhur një firmë tjetër nga ajo që ka patur ofertën më të leverdisshme dhe megjithatë si komisioni i Vlerësimit të Ofertave, por edhe vetë drejtoresha ka firmosur pa as më të voglin hezitim. Për këtë arsye, ekspertët që kanë hartuar raportin e Auditimit të Brendshëm të ministrisë së Punëve Publike kërkojnë nga këta punonjës, përfshirë edhe ish drejtoreshën që të mbajnë përgjegjësi penale. Duke filluar nga pagimi i shifrës së dëmit të llogaritur.

Ish drejtoresha, firmë shkeljeve
Me firmosjen e dokumentave të tenderimit ku janë hasur parregullsitë dhe shkeljet është marrë vetë ish drejtoresha, Lejla Saraci. Ajo ka miratuar edhe relacione teknike, pa pasur më parë nënshkrimin e hartuesve të tyre. Këto veprime bien në kundërshtim me vendimin nr.1 datë 01.01.1996 të Këshillit të Ministrave "Për prokurimin publik", i cili kërkon që miratimi i dokumentave të tenderimit është në kompetencë vetëm të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Në dy tenderat për vazhdimin e rrugës së Kamzës dhe spostimin e ujësjellësit të Kamzës, ndër emrat e zyrtarëve përgjegjës për shkeljet dhe dëmin e shkaktuar buxhetit të shtetit është edhe ai i ish drejtoreshës së Përgjithshme të Rrugëve.
Pas saj vijnë me rradhë emra të tjerë, të cilëve u kërkohet nga raporti i Auditimit të Brendshëm që të paguajnë gjoba për shkeljet që kanë bërë dhe abuzimet me tenderat.

Buxheti i tretë për 2006, fshehja e vjedhjes
Në buxhetin e vitit 2006, ministrit të Punëve Publike, Lulzim Basha i ishin besuar plot 15.4 miliardë lekë vetëm në zërin e "Ndërtimit të rrjetit të rrugëve nacionale". Se sa ka arritur t'i bëjë efektive këto para ministri, kjo është mëse e dukshme duke parë gjendjen në këto rrugë kombëtare. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo situatë e mjeruar, Bashës i jepen 19.8 miliardë lekë me buxhetin e tretë të miratuar me urgjencë në parlament. Ministri nuk zhgënjeu. Në fund të vitit 2006, institucioni që ai drejton raportoi për realizim të buxhetit në nivelin e 96%. Një fakt tjetër që konfirmon akuzat e bëra nga ish drejtorë të kësaj ministrie në drejtim të Bashës. Sipas këtij të fundit, edhe shifra prej 4.5 miliardë lekësh që iu shtua buxhetit në zërin e "Ndërtimit të rrjetit të rrugëve nacionale", ishte investuar në 12 ditët që mbeteshin deri në mbylljen e vitit. Një gjë plotësisht e pamundur për t'u arritur. Aq më pak nga një ministër i paaftë dhe i akuzuar shpesh sic është Lulzim Basha. Akuza më e fundit ka qenë ajo e ish drejtorit të Planifikimit të Territorit, Arben Mece, i cili ka denoncuar ministrin për vjedhjen dhe abuzimin e të paktën 230 milionë eurove të marra nga buxheti i shtetit, por për rrugë që nuk janë ndërtuar asnjëherë.

Basha, përgjegjës për zhdukjen e 230 mln euro
Ish drejtori i Planifikimit të Territorit në ministrinë e Punëve Publike, Arben Mece ka deklaruar se abuzimet nisin nga mungesa e një strukture të kontrollit të investimeve, që bashkë me një strukturë të hartimit të politikave do të mund të jepnin sot llogari për shpenzimin e 230 milionë euro pa realizuar qoftë edhe një objekt të vetëm. Ish drejtori thotë se ministri Basha ka lejuar vetë një anarshi përsa i përket funksionimit të strukturave të tilla, ndërkohë që përqëndrimi i tenderimit në duart e tij dhe njerëzve të tjerë të besuar ka bërë që të shmangen në mënyrë absolute kontrollet dhe dhënia e llogarisë. Madje këtë të fundit nuk e ka kërkuar as qeveria, sipas Meces. Për këtë arsye, ish drejtori kërkon që kontrolli të merret përsipër nga organet kompetente, si Prokuroria apo Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke denoncuar si përgjegjësin kryesor vetëm ministrin e Punëve Publike, Lulzim Basha. Madje jo vetëm atë por edhe politikën që u ndoq prej tij për probleme të nxehta sic ishte ajo e legalizimit dhe e bllokimit të lejeve të ndërtimit. Ish drejtori i Planifikimit, propozon që ristrukturimi i kësaj ministrie të nisë nga largimi i ministrit.

Skandalet e “golden Boy”

Tiranë- "Golden Boy" i qeverisë numëron me dhjetëra skandale, që vetëm sa kanë nisur me superpasurinë e shënuar në formularin e tij. Tashmë, pazari bëhet me paratë e buxhetit të shtetit dhe me shifra marramendëse që kapin milionë euro dhe dollarë. Prokuroria duhet të shtojë në dosjen e hetimit të aktivitetit të ministrit të Punëve Publike, Lulzim Basha në drejtimin e këtij dikasteri edhe dy projekte të tjera të ndërtimit të rrugëve. Bëhet fjalë për rrugën Durrës- Morinë si dhe Levan- Vlorë. Nëse kërkon pranë ministrisë, Prokuroria do të gjejë nëpër shkresa provat se zgjedhja e firmave që po ndërtojnë këto rrugë është bërë në mënyrë të paligjshme, për emra që ishin vendosur përpara se të bëhej tenderi. Ministri i Punëve Publike, Lulzim Basha duhet të vihet në hetim edhe për licencimin e një shoqërie të administruar nga djali i dajës së tij. Jo vetëm për shkak të konfliktit të interesit që qendron në firmosjen e katër licencave për "Tirana Eurobus Trade", për shkak të lidhjes familjare mes ministrit dhe kushëririt të tij, Ardjan Hoti. Mbi të gjitha sepse ky i fundit është i paditur për zhvatje të biznesit, për fallcifikim të dokumentave dhe më shumë se kaq nga ish bashkëpunëtori i tij grek në një shoqëri tjetër, e cila gjithashtu është licencuar nga Basha.