Showing posts with label partia demokratike. Show all posts
Showing posts with label partia demokratike. Show all posts

Saturday, October 20, 2007

Rrëzimi i berishizmit, rilindje e PD-së

Me fitoren e z. Rama në Tiranë, përfundimisht humbi berishizmi. Tani PD-ja, e djathta, ka rastin të rilindë, të spastrohet nga berishizmi. Por duhet vepruar me shpejtësi: ka shumë pak kohë: në 2007-n do të kemi zgjedhje të parakohshme: nuk zgjidhet dot një president nga ky Kuvend i paligjshëm.




E gjithë Shqipëria ishte përqendruar tek rezultatet e votimit në Tiranë: votohej formalisht në mes Ramës dhe Olldashit, por në fakt votohej në mes berishizmit dhe antiberishizmit. Zoti Rama ka marrë votat e një fronti anti-berishist, ku përfshihen edhe votat e shumë të djathtëve që nuk duronin degjenerimin e PD-së në një parti të ekstremit të majtë. Në këto zgjedhje, ka fituar Shqipëria.

Berishizmi përfaqëson autoritarizmin, përfaqëson diktatin e një personi mbi të gjithë partinë, nëpërmjet shtypjes së mendimit të lirë, nëpërmjet heqjes së votimit të lirë. Por atij nuk i mjafton vetëm PD-ja. Berishizmi u sul të gllabëronte edhe të gjithë Shqipërinë: provoi me zjarr në 1997, por dështoi; mashtroi më 3 korrik 2005, dhe arriti të marrë 53% deputetë, kur kishte marrë vetëm 41% të votave. Por fatmirësisht, ky sulm i berishizmit u thye rëndë më 18 shkurt 2007. Berishizmi është një fenomen politik i ekstremit të majtë. Majtizmi i tij ekstrem shihet thjeshtë, duke grupuar qëndrimet e tij, në tri ndarje. E para, goditja e tregut të lirë, me vendosjen e çmimeve shtetërore shumë të ulëta (jo të tregut), për legalizimin e tokave të grabitura nga informalët, duke shkatërruar jo vetëm tregun e tokës, por edhe duke hequr bazën ekonomike të kompensimit të drejtë të ish-pronarëve të tokës. E dyta, përqendrim i pushtetit në qendër, duke luftuar çdo tendencë decentralizimi dhe kalimi të pushtetit në bashkitë dhe komunat: ndërhyrjet brutale në punët e Bashkive, sidomos të asaj të Tiranës, ku u shkatërruan disa milionë dollarë; apo zvarritjet për të kaluar policinë e ndërtimit në varësi të bashkive. E treta, etatizmi, i shprehur në mbajtjen në dorë të shtetit, të aktiviteteve ekonomike, pra mosprivatizimi i telekomit, i KESH, i ujësjellës-kanalizimeve, i dhjetëra ndërmarrjeve (bazave) tregtare, si dhe në moslejimin e zgjerimit të aktiviteteve private në shëndetësi (spitale, etj.), në shërbimet portuale etj. Në të tria këto, berishizmi është më majtas se PS-ja, duke konkurruar me partinë komuniste. E djathta moderne duhet të zërë në politikën shqiptare, vendin që kishte në fillim të viteve ’90. Edhe një herë po jepet mundësia e kthimit të PD-së, në vendin e saj të lindjes, në një parti të qendrës së djathtë. Natyrisht që një kthim në origjinë, për një parti të zaptuar nga oktapodi berishist, nuk është një gjë e lehtë, por ky proces është lehtësuar shumë tani, pas votës së popullit më 18 shkurt. Ky spastrim i PD-së nga berishizmi, nuk duhet që të lihet për t’u bërë nga lart poshtë, sepse lart, berishizmi, si dikur enverizmi, është kujdesur të vendosë një klikë ushtarësh të bindur të diktatorit. Kthimi i PD-së në origjinë, mund të bëhet vetëm me angazhim e të gjithë të djathtëve, nga poshtë lart. E para, ky kthim duhet të fillojë nga degët e partisë, e pikërisht nga degët ku ka humbur PD-ja aktuale, si p.sh. dega e PD-së në Tiranë: janë ata që kanë humbur që janë tashmë pa eufori dhe të pa babëzitur nga pushteti. E dyta, në këtë proces është shumë i nevojshëm kontributi i deputetëve, apo funksionarëve të tjerë të PD-së, që janë njerëz të lirë, e që pranojnë të rrezikojnë kolltukët e tyre, në favor të pastrimit të PD-së. E treta, tek PD-ja duhet të afrohen të rinjtë liberalë të djathtë, ata që janë shkolluar këto 16 vjet në shkollat perëndimore, e që sorollaten të pabashkuar, në erërat e politikës çoroditëse të berishizmit. E katërta, duhet t’i ribashkohen PD-së të larguarit, ata që u larguan sepse nuk pranuan të bashkëjetojnë me berishizmin në PD; të gjithë, që ata të goditjeve të para berishiste të vitit 92, ata të larguarit me shkatërrimin e vendit në 1996-97, e deri tek ata të larguarit nga pisllëqet e emërimeve berishiste nepotike të këtij një viti e gjysmë të qenies në pushtet. Berishizmi nuk i hiqet PD-së me “kërkesa dorëheqje të z.Berisha”; jo, ai hiqet me rrëzimin e tij e të klikës së tij, me votën e lirë brenda PD-së që vetëpastrohet. Nëse PD-ja nuk është e aftë të bëjë spastrimin e saj, atëherë e djathta duhet të shohë urgjentisht krijimin e një force të tretë jashtë PD-së, të shkëputet e gjitha nga PD-ja, duke e lënë vetëm berishizmin, gjë që përfundimisht do ta hidhte në harresë dhe në dënim historik, siç është hedhur Partia e Punës, enverizmi.

Saturday, October 6, 2007

Loja e ndryrë e “Lejimit të shpifjes”

Nga Bashkim Kopliku
[Gazeta Shqiptare, 7.5.2007]

Na dha haberin kryeministri, se e ka gati projektligjin për të hequr, “nga Kodi Penal”, dënimin e gazetarëve për shpifje, dhe kur shpifja bëhet ndaj një njeriu të zakonshëm, jo nëpunës i shtetit.


Nuk synon ky ligj të mbrojë gazetarët e ndershëm. Ky ligj synon të lërë qytetarin krejt të pambrojtur nga sulmet e gazetarëve shpifarakë—nuk u dëgjua asnjë ndryshim në Kodin Civil, që të garantohet mbrojtja e qytetarit! Skuadrat e Shpifarakëve të berishizmit, të quajtur “gazetarë”, do të marrin licencën për të shpifur, duke i shkatërruar jetën kujtdo—viktimat lihen pa asnjë mbrojtje ligjore, si në një vend ku nuk ekziston shteti. Viktimat kryesore do të jenë kundërshtarët politikë.
Është e vjetër kërkesa e perëndimorëve për të kaluar sanksionet kundër shpifjes, nga Kodi Penal, tek ai Civil. Por perëndimorët nuk kanë thënë asnjë moment që qytetarët të mos mbrohen nga shpifja, por të kundërtën. Ja një citim nga sa i kanë shkruar qeverisë sonë: “Shqipëria duhet të heqë shpifjen nga Kodi Penal, por duke e zëvendësuar me amendimet e nevojshme të Kodit Civil”, e më tej, ata theksojnë se qytetarët e zakonshëm nuk duhet ta kenë të vështirë të mbrojnë të drejtat e tyre kundër shpifjeve që mund t’u bëhen, duke u bazuar në Kodin Civil. Kurse tani, berishizmi i lë qytetarët shqiptarë krejtësisht në mëshirën e shpifësve—asnjë amendament në Kodin Civil, që aktualisht ka veç një gjysmë neni (të nenit 625) që përdoret kundër shpifësve, e që natyrisht duhet amenduar e saktësuar, që gjykimet të jenë më efektshme.
Është naivitet i skajshëm të besosh se berishizmi e ka hallin tek “liria e shtypit”. Nuk ka ndërruar në përmbajtje, nuk ka ndërruar nga mentalitetet e burgosjes, djegies etj. të shtypit. Me ligjin e shpifjes, berishizmi do që t’u japë shumë vetëve licencën për të shpifur. Kjo do t’i lejonte atij që të krijonte “skuadrat e shpifarakëve”, institucione të tëra shpifje, që do t’ia kishin zili organet e propagandës naziste, apo staliniste—as ata, Hitleri, Stalini etj., nuk patën arritur deri këtu, sa të heqin edhe mbrojtjen formale të njerëzve nga shpifja. “Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen,” thotë një fjalë e urtë. E berishizmi do t’u “thyejë kockat” kundërshtarëve, duke lejuar shpifjen.
Berishizmi tentoi ta rregullonte ndryshe, që të tijtë të shpifnin, e mos t’i gjente gjë, po nuk ia arriti—e ai ka ngut. Provoi të futë nën thundrat e tij, Prokurorinë, Gjykatat, por ja që ngeci. Tani situata po i rëndohet, edhe deputetët e tij nuk po e durojnë dot, e po i rebelohen. Nuk pret dot sa të ikë presidenti Moisiu, të vërë një president kukull, e të nënshtrojë pastaj edhe Prokurorinë, edhe Gjykatën—shpifja i duhet tani, në moment. Ah sa mirë do të ishte po t’i kishte shtënë në dorë Gjykatën dhe Prokurorinë, se me ta nën komandë, nuk kishte nevojë për ligje të lejimit të shpifjes: thjeshtë i urdhëronte, dhe asnjë ligj nuk zbatohej, si vaktit—mund të shpifje, të rrihje, të digjje për berishizmn, e kurrgjë s’të gjente.
Pra, nuk e do për vete personalisht ligjin, kryetari i berishizmit, kryeministri aktual, e do për gazetarët e tij shpifarakë. Ai, me ligjin në fuqi, ka shpifur sa ka dashur. Civilizimi shqiptar i shekullit të XXI-të, nuk ka arritur të zbatojë ligjet, konkretisht të marrë si të pandehur, dhe pastaj edhe të dënojë si shpifës, njerëzit e një niveli të caktuar në hierarkinë shtetërore, apo të biznesit.
Shpifësit i duhen berishizmit tamam tek masmedia, sepse ajo mund të përdoret me efikasitet për shpërndarjen e shpifjes anë e mbanë. Skuadrat e shpifarakëve, të përbëra nga “gazetarë”, do të përcjellin shpifjet që do të fabrikohen në stanin e shpifarakëve të berishizmit.
Mendoni kur gazetat e televizionet berishiste të buçasin me sajime për “gjyshet, motrat, nënat putana, lesbike, hajdute etj.”, për “gjyshat, baballarët, djemtë hajdutë, vrasës, pederastë, kurvarë, impotentë etj. etj.”, të gjitha këto të thëna edhe për njerëz që nuk kanë asgjë prej sa u shpifet. Do të sulmohen thjeshtë se diku ia kanë prishur vizën berishizmit.
Por kur të hapet loja e shpifjeve, ajo do të jetë pronë jo vetëm për luftën politike, por edhe për goditje “për motive të ulëta”, pra “ordinere”. Do të bëhet një kasaphanë e vërtetë, më keq se për pronat, për gjaqet, për moral etj., ku ka ligje, por shteti nuk është efikas në dënimin e fajtorëve. Heqja e ligjeve që mbrojnë qytetarin nga shpifja, do të rrisin rastet e vetëgjyqësisë. E dihet se tek ne, vetëgjyqësia konkretizohet në përdorimin e mjeteve të ndryshme, që nga kallashnikovi e thikat, e deri tek grushtet. Të shkretët gazetarë se ç’po u përgatit berishizmi.
Kuvendi, Shqipëria nuk duhet të kalojë një ligj të tillë. Duhet thjeshtë të kalojë shpifja, nga Kodi Penal, tek ai Civil, dhe kaq. Nuk i duhet lënë në dorë berishizmit, që ta bëjë çorap Shqipërinë.

Friday, May 25, 2007

Nipi i Sali Berishes, perjashtuar nga policia, behet profesor

Policia i gjen një vend pune si specialist të kurrikulave në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari”, kryeinspektorit Dritan Berisha, nip i Kryeministrit Sali Berisha. Emërimi është kryer vetëm pak ditë më parë, ose një muaj pas kërkesës së kryeinspektorit Berisha për t’u rifutur në Polici. Dritan Berisha u përjashtua me “ceremoni” nga policia, teksa ushtronte detyrën e oficerit të INTERPOL Tiranës, 21 qershorin e vitit të kaluar. Së bashku me të u përjashtua edhe i vëllai, Agron Berisha, agjent në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Sipas burimeve në Ministrinë e Brendshme, të cilat nuk preferuan të citoheshin, mësohet se Dritan Berisha u është nënshtruar të gjitha procedurave të emërimeve. Një muaj më parë ai kishte paraqitur kërkesën për t’u rikthyer në punë. Bashkangjitur në dosjen e tij ishte edhe vendimi i gjykatës, që e rrëzonte vendimin e ministrisë për përjashtimin e nga policia, si dhe kërkonte rikthimin në punë. Emërimi nuk ka vonuar të ketë pasur edhe interpretime nga forcat politike të së majtës. Për to, emërimi është mjaft kontradiktor me zhvillimet në Akademinë e Policisë. Ai vjen pas një reforme, që me motivacionin e shkurtimit të funksionit, i kushtoi vendin e punës gati 50 për qind të gjithë personelit, shumica e të cilëve janë në gjyq me shtetin për shkarkim të padrejtë.
Peripecitë
Vendimi për përjashtimin u mor pas incidentit me studentin e juridikut, Nelson Ruçi, ku dy vëllezërit, në gjaknxehtësi e sipër qëlluan me armët e shërbimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Emërimi i Dritan Berishës në zyrën e kurrikulave të lëndëve të Akademisë së Policisë dhe kurseve, vjen në një kohë kur në emër të reformës janë përgjysmuar më shumë nga gjysma e punonjësve të shkollës së policisë. Ndërsa janë në radhë duke pritur që Drejtoria e Burimeve Njerëzore t’u gjej një vend të lirë pune, me dhjetëra oficerë dhe punonjës policie, të cilët si edhe Dritan Berisha kanë fituar pafajësinë në akuzat e ngritura ndaj tyre, si dhe kanë fituar nga gjykata të drejtën për t’u rikthyer në punë.
Vendimi
Ka qenë një maratonë e vërtetë gjyqësore për Dritan Berishën për të shfuqizuar vendimin e Ministrisë së Brendshme për përjashtimin nga detyra dhe “detyrimin” e saj për ta rikthyer në punë. Pas denoncimit të kryer nga studenti Ruçi, Dritani dhe i vëllai, Agroni, u përballën fillimisht me nisjen e një procedimi penal nga Prokuroria. Por siç duket, edhe vetë interesi i studentit për të ndjekur çështjen, ka rënë shumë shpejt. Çështja u zgjidh me pajtimin e palëve dhe u mbyll që në Prokurori. Beteja e dytë për Dritanin ishte shfuqizimi i vendimit të përjashtimit nga policia. Si mbi 80 për qind e oficerëve të policisë të përjashtuar, Dritani nuk e pati aspak të vështirë të fiton këtë betejë me shtetin. Por Dritani duket se ka pasur mjaft më shumë fat se e gjithë kjo masë ish-oficerësh të policisë, pasi në krye të një muaji nga kërkesa e tij për t’u rifutur në polici, është marrë në punë. Grada e ulët në krahasim me shumicën e të “përzënëve” nga policia, e ka favorizuar Berishën që ta gjejë mjaft shpejt një vend pune. Të paktën ky është versioni zyrtar për emërimin në postin e specialistit të kurrikulave në Akademinë e Policisë, për Dritan Berishën. re.kro.

-Olldashi përjashtoi nga policia Dritan Berishën
Në qershor të vitit të kaluar, ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Sokol Olldashi përjashtoi nga Policia e Shtetit nipin e Kryeministrit, Dritan Berishën. Motivacioni i këtij ndëshkimi ishte për “thyerje të rëndë të disiplinës, duke kryer veprime që cenojnë dinjitetin e punonjësit të policisë”. E njëjta masë u mor edhe për vëllain e Dritanit, Agron Berishën, i cili gjithashtu u përjashtua një vit më parë nga radhët e Policisë së Shtetit. Ky vendim i ish-ministrit të Brendshëm, erdhi pasi dy vëllezërit Berisha, që në njëjtën kohë janë nipa (djemtë e të vëllait) të Kryeministrit Sali Berisha, u grindën me një student nga qyteti i Vlorës, Nelson Ruçi, përballë tavernës “Dajti”, në bulevardin kryesor të Tiranës. Përveç grushteve, vëllezërit Berisha kishin qëlluar në ajër edhe me armët e tyre të shërbimit. Motivi i kësaj ngjarjeje ka qenë banal, për një vend parkimi përpara tavernës “Dajti”. I pari që kishte nisur konfliktin me studentin ishte Agron Berisha, i cili pas goditjes që mori nga studenti i ishte kundërpërgjigjur. Më pas, në ndihmë të vëllait të tij erdhi edhe Dritani. Gjatë grindjes, studenti tentoi të largohej me autoveturën e tij dhe në këtë moment, dy vëllezërit Berisha kanë qëlluar në ajër me armët e tyre të shërbimit. Ngjarja krijoi një situatë paniku në bulevard, ku krismat e armëve traumatizuan kalimtarët, që ishin të shumtë në atë moment. Në lidhje me këtë ngjarje reagoi menjëherë Ministria e Brendshme, e cila dy ditë më pas, pasi kishte njoftuar nisjen e hetimeve për vëllezërit Berisha, ka njoftuar zyrtarisht edhe përjashtimin e tyre nga Policia e Shtetit.

-PS: Nishani evidenton specialistë për dhunë
Riemërimi në Policinë e Shtetit të Dritan Berishës, nipit të Kryeministrit Sali Berisha, ka shkaktuar reagimin e partisë më të madhe opozitare në vend. Në një komunikim për shtyp, zëdhënësi i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri e ka cilësuar emërimin e Dritan Berishës si plotësimin e tablosë së servilizmit të ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani ndaj Kryeministrit. Duke ju referuar emërimit të Dritan Berishës si specialist në zyrën e kurrikulave në Akademinë e Rendit, zëdhënësi i Partisë Socialiste, Tahiri është shprehur se, është absurde të mendohet se çfarë edukimi mund t’u japë studentëve të policisë, një person që për të parkuar makinën private, përdor armën e shtetit për të vrarë një qytetar të ndershëm. “Ky person, që duke vlerësuar rrethanat e ngjarjes nuk mund të cilësohet tjetër veçse një kaçak i kohëve moderne, një kriminel ordiner i emëruar në atë kohë në Policinë e Shtetit në kundërshtim me kriteret ligjore, vetëm sepse përmbushte kriterin e farefisnisë me Kryeministrin, është ngarkuar sërish nga Bujar Nishani të trajnojë policët e rinj që diplomohen në Akademinë e Rendit”, - citohej në komunikatën për shtyp të Partisë Socialiste. Më tej, zëdhënësi i PS- së, Tahiri ka denoncuar nepotizmin e qeverisë Berisha, që sipas tij ka kapërcyer çdo kufi të imagjinatës, në një vend ku shkarkohen specialistët më të mirë të trajnuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe emërohen kriminelë ordinerë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, në institucionin që pikërisht duhet të edukojë oficerët e rinj të policisë. Riemërimin e nipit të Kryeministrit në radhët e Policisë së Shtetit, Partia Socialiste e ka cilësuar si një tallje dhe përdhosje të institucioneve të shtetit dhe të gjithë shqiptarëve.

Thursday, April 26, 2007

Vjedhje 7 milione dollare ne PD

Tirane-"Djemtë" e Berishës nuk vjedhin vetëm buxhetin e shtetit dhe në qeveri, por edhe brenda partisë së tyre. Skandali është zbuluar nga vetë kryetari i Partisë Demokratike, njëherësh edhe kryeministër i vendit, përmes një hetimi të ndërmarrë prej vetë atij. "Zbulimi" është bërë pas deklarimit të shifrave zyrtare të partisë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të 18 Shkurtit. Kandidatët e përzgjedhur nga PD, fitues apo jo në garën për kryetar komuna dhe bashkie, kanë dorëzuar në parti fatura të fryra shpenzimesh të cilat kanë kaluar nëpër lupën e Berishës. Kjo ka cuar në zbulimin e një vjedhjeje skandaloze, e cila nuk po kalon pa zhurmë brenda partisë.

Vjedhja 7 milionë dollarë
Abuzimi me paratë e partisë të marra për fushatën e zgjedhjeve të 18 Shkurtit arrin në shifrën e 7 milionë dollarëve. Vetë Berisha që ka bërë hetimin mbi paratë e vjedhura, ka në dorë edhe emrat e atyre që kanë abuzuar me faturat e shpenzimeve për fushatë, të paguara nga partia me paratë e mbledhura nga donatorët. Burime brenda partisë shprehen të sigurt se bëhet fjalë për emra të njohur kandidatësh, në qytete kryesore të vendit, të cilët për më tepër as nuk kanë fituar mandatin nga këto zgjedhje. Shifra e konsiderueshme e shpenzimeve, për më tepër të pajustifikuara nga një fitore në zgjedhje, mësohet të ketë tërbuar edhe më tepër kryetarin Berisha. Por jo deri aty sa të lejojë që skandali të dalë jashtë partisë. Të paktën jo pa u marrë masat ndaj abuzuesve.

Abuzim me paratë e donatorëve
Një pjesë e mirë e parave të dhuruara nga donatorë për fushatën e Partisë Demokratike, kanë përfunduar në xhepat e emrave të përzgjedhur prej partisë si kandidatë. Donacionet e deklaruara zyrtarisht edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kryesisht nga biznesmenë të ndërtimit, por edhe të emëruar si drejtorë me mbërritjen e qeverisë Berisha nga 1 milionë lekë për secilin, nuk kanë shkuar të gjitha për qëllimin për të cilin janë dhuruar. Kjo është konfirmuar nga vetë kryeministri, i cili nuk i ka besuar askujt tjetër hetimin mbi vjedhjen përvec vetes së tij. Jo vetëm për të shmanguar në mënyrën më absolute zhurmën mbi skandalin, por edhe për të gjetur vetë përgjegjësit për abuzimin në shifra marramendëse të parave të dhëna nga donatorët për fushatë.

Si u vodhën paratë brenda PD
Kandidatët e përzgjedhur nga Partia Demokratike për zgjedhjet e 18 Shkurtit kanë deklaruara në parti, duke dorëzuar madje edhe fatura për shpenzime të fushatës së tyre. Kryesisht për reklama, postera dhe billbordera në hapësirat publike të qyteteve kryesore. Partia ka qenë plotësisht dakord me shumën e shkruar nëpër fatura, derisa vetë kryeministri ka dëgjuar zëra, të cilat nuk ka nguruar t'i vërtetojë më pas. Pas hetimit i rezultoi se kandidatët e tij kishin paguar edhe për shërbime që i kishin marrë falas!! Sipas faturave që kanë dorëzuar në Partinë Demokratike dhe kjo ka marrë përsipër t'ua paguajë nga paratë e donatorëve për fushatë, kandidatët kanë paguar për reklamimin e posterave dhe motove të tyre nëpër billbordera, postera elektronikë dhe deri tek postera gjigandë në fasada pallatesh. Por këto fatura, qoftë përsa i përket shumës ashtu edhe zërit të shpenzimeve, bien poshtë nga vetë bizneset që u kanë ofruar reklamimin. Në një garë, për t'u mburrur kush më parë e kush më shumë për shërbimet që i kanë ofruar gratis Partisë Demokratike në fushatën e zgjedhjeve të 18 Shkurtit, këta biznesmenë kanë nxjerrë të palarat e kandidatëve. Atë që ishte nuhatur nga Berisha që me deklarimin e shifrave në KQZ, por që erdhi duke u përforcuar më tepër kur ata që merren me biznesin e reklamës raportuan se nuk kishin marrë asnjë qindarkë për të vendosur posterat e kandidatëve demokratë nëpër qytete, sepse këta ia kishin bërë shërbim partisë. Atëherë ku përfunduan 7 milionë dollarë të deklaruara si të shpenzuara pikërisht për këto lloj reklamash?! E ku tjetër përvec se në xhepat e cunave të besuar të Berishës!

Kandidatët e Tiranës, Durrësit, Elbasanit në vjedhje
Vetë Berisha, pas hetimit, ka arritur në konkluzionin se emrat më të njohur, të zgjedhur prej tij për të fituar drejtimin e qyteteve kryesore janë përfshirë në vjedhjen e madhe të 7 milionë dollarëve. Duke filluar nga kandidati i Tiranës, Durrësit, Elbasanit, të cilët kanë deklaruar shuma të mëdha të shpenzuara për bordet e reklamimit të posterave të tyre, justifikuar nga garimi në bashki të mëdha. Por me siguri jo nga fitimi i mandatit, pavarsisht besimit të kryetarit të partisë tek kandidaturat e zgjedhura. Megjithatë lista e fajtorëve për abuzimin miliona dollarësh nuk mbaron thjesht me emrin e të zgjedhurve nga PD. Brenda faturës së dëmit llogaritet edhe emri i një botuesi të njohur, i cili u angazhua fort me fushatën e partisë jo vetëm në Tiranë.

Hetim per vjedhjen nga vete Berisha

Tiranë- Jo shumë kohë pas deklarimit të shifrave zyrtare të parave të mbledhura nga Partia Demokratike por edhe shpenzimeve të bëra prej saj në fushatën e zgjedhjeve të 18 Shkurtit, Berisha iu rikthye sërish faturave. Jo thjesht për të bërë një llogari të vërtetë, jashtë shifrave zyrtare të deklaruara, por edhe për të përligjur një dyshimin e tij lidhur me abuzime të bëra me paratë e donatorëve nga ana e kandidatëve të zgjedhur nga partia për të garuar. Pas deklarimeve të shumë përfaqësuesve të bizneseve të reklamave se kishin ofruar shërbime falas për Partinë Demokratike gjatë fushatës, kryetari i partisë nisi të dyshonte për faturat e paguara të kandidatëve pikërisht për këto shërbime. Madje edhe në qytetet kryesore të vendit. Një kthim tek llogaritë e faturave e coi Berishën në konkluzionin se paratë e paguara nga Partia Demokratike, nuk kishin shkuar aspak për bordet e reklamave, sic ishte deklaruar nga kandidatët kur kishin paraqitur faturat në parti, por tek xhepat e vetë kandidatëve. Në përfundim të hetimit mbi këtë vjedhje, kryetari i partisë por edhe kryeministri i vendit doli në një shifër të saktë të abuzimit të bërë me paratë e donatorëve, të mbledhura për fushatë. Për më tepër gjeti edhe emrat e abuzuesve, që kishin firmosur faturat e rrema. Lista nis me emrin e Olldashit në Tiranë, Telitit në Durrës, Bocit në Elbasan dhe kështu me rradhë. Me duart në vjedhje është gjetur edhe i përzgjedhuri tjetër për të menaxhuar fushatën e Partisë Demokratike. Të gjithë bashkë janë përgjegjës për zhdukjen e 7 milionë dollarëve që mund të ishin kursyer.

Fushata e PD, 146 mln lekë nga donatorët

Tiranë- Fushata e zgjedhjeve të 18 Shkurtit është konsideruar si më e kursyera nga ana e Partisë Demokratike. Për faktin e thjeshtë dhe modest se nga shpenzimet e bëra për fushatë janë kursyer 76 milionë lekë. Sipas një fatura analitike për gjithë zërat e shpenzimeve, kjo parti ka llogaritur edhe paratë për blerjen e fishekzjarreve në një vlerë prej më shumë se 3 milionë lekësh. Për zgjedhjet e 18 shkurtit në përballimin e fushatës elektorale PD-ja ka publikuar pranë KQZ-së 19 donatorë, me një shifër totale prej 14.630.365 lekësh. Ndër shpenzimet e fushatës përfshihet pagesa e punonjësve, e cila kap shifrën e 2.605.000 lekëve. Kurse për flamuj të vegjël dhe të mëdhenj demokratët kanë shpenzuar në total një shifër prej 7.114.150 lekësh. Pjesën më të madhe të fondit të fushatës demokratët e kanë shpenzuar për spotet televizive, me një vlerë prej 8.972.565 lekësh, kurse për postera ka shpenzuar 200 mijë lekë. Këto janë shpenzimet më të mëdha të kryera nga ana e PD-së për fushatën elektorale. Ndërsa janë shpenzuar 52 mijë lekë për kapele dhe bluza për fushatën elektorale. Pjesa tjetër e fondit është përdorur për shpenzimeve operative materiale për zyrën e shtypit, kancelari, shtypshkrime, aparatura fonie, podiume me qira dhe të tjera. Në bazë të letrës së paraqitur në KQZ dhe të firmosur nga financieri i PD-së, Blerim Çela, janë 12 sponsorizues që kanë derdhur në arkën e PD-së nga një shumë prej 1 milion lekësh. Ndërsa në arkën e PD-së ka derdhur për fushatën e 18 shkurtit edhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, ku shuma kap shifrën e 400 mijë lekëve. PD-ja ka zhvilluar një sondazh paraprak për zgjedhjet, duke angazhuar INSTAT-in, një institucion që është në varësi të shtetit. Për realizimin e këtij sondazhi, PD-ja ka shpenzuar 2.45 milionë lekë. Ndërsa për amerikanët e BG&R, PD-ja ka derdhur një shumë të vogël, e cila kap shifrën e 511.811 lekëve.