Showing posts with label parlamenti shqiptar. Show all posts
Showing posts with label parlamenti shqiptar. Show all posts

Saturday, October 20, 2007

Rrëzimi i berishizmit, rilindje e PD-së

Me fitoren e z. Rama në Tiranë, përfundimisht humbi berishizmi. Tani PD-ja, e djathta, ka rastin të rilindë, të spastrohet nga berishizmi. Por duhet vepruar me shpejtësi: ka shumë pak kohë: në 2007-n do të kemi zgjedhje të parakohshme: nuk zgjidhet dot një president nga ky Kuvend i paligjshëm.




E gjithë Shqipëria ishte përqendruar tek rezultatet e votimit në Tiranë: votohej formalisht në mes Ramës dhe Olldashit, por në fakt votohej në mes berishizmit dhe antiberishizmit. Zoti Rama ka marrë votat e një fronti anti-berishist, ku përfshihen edhe votat e shumë të djathtëve që nuk duronin degjenerimin e PD-së në një parti të ekstremit të majtë. Në këto zgjedhje, ka fituar Shqipëria.

Berishizmi përfaqëson autoritarizmin, përfaqëson diktatin e një personi mbi të gjithë partinë, nëpërmjet shtypjes së mendimit të lirë, nëpërmjet heqjes së votimit të lirë. Por atij nuk i mjafton vetëm PD-ja. Berishizmi u sul të gllabëronte edhe të gjithë Shqipërinë: provoi me zjarr në 1997, por dështoi; mashtroi më 3 korrik 2005, dhe arriti të marrë 53% deputetë, kur kishte marrë vetëm 41% të votave. Por fatmirësisht, ky sulm i berishizmit u thye rëndë më 18 shkurt 2007. Berishizmi është një fenomen politik i ekstremit të majtë. Majtizmi i tij ekstrem shihet thjeshtë, duke grupuar qëndrimet e tij, në tri ndarje. E para, goditja e tregut të lirë, me vendosjen e çmimeve shtetërore shumë të ulëta (jo të tregut), për legalizimin e tokave të grabitura nga informalët, duke shkatërruar jo vetëm tregun e tokës, por edhe duke hequr bazën ekonomike të kompensimit të drejtë të ish-pronarëve të tokës. E dyta, përqendrim i pushtetit në qendër, duke luftuar çdo tendencë decentralizimi dhe kalimi të pushtetit në bashkitë dhe komunat: ndërhyrjet brutale në punët e Bashkive, sidomos të asaj të Tiranës, ku u shkatërruan disa milionë dollarë; apo zvarritjet për të kaluar policinë e ndërtimit në varësi të bashkive. E treta, etatizmi, i shprehur në mbajtjen në dorë të shtetit, të aktiviteteve ekonomike, pra mosprivatizimi i telekomit, i KESH, i ujësjellës-kanalizimeve, i dhjetëra ndërmarrjeve (bazave) tregtare, si dhe në moslejimin e zgjerimit të aktiviteteve private në shëndetësi (spitale, etj.), në shërbimet portuale etj. Në të tria këto, berishizmi është më majtas se PS-ja, duke konkurruar me partinë komuniste. E djathta moderne duhet të zërë në politikën shqiptare, vendin që kishte në fillim të viteve ’90. Edhe një herë po jepet mundësia e kthimit të PD-së, në vendin e saj të lindjes, në një parti të qendrës së djathtë. Natyrisht që një kthim në origjinë, për një parti të zaptuar nga oktapodi berishist, nuk është një gjë e lehtë, por ky proces është lehtësuar shumë tani, pas votës së popullit më 18 shkurt. Ky spastrim i PD-së nga berishizmi, nuk duhet që të lihet për t’u bërë nga lart poshtë, sepse lart, berishizmi, si dikur enverizmi, është kujdesur të vendosë një klikë ushtarësh të bindur të diktatorit. Kthimi i PD-së në origjinë, mund të bëhet vetëm me angazhim e të gjithë të djathtëve, nga poshtë lart. E para, ky kthim duhet të fillojë nga degët e partisë, e pikërisht nga degët ku ka humbur PD-ja aktuale, si p.sh. dega e PD-së në Tiranë: janë ata që kanë humbur që janë tashmë pa eufori dhe të pa babëzitur nga pushteti. E dyta, në këtë proces është shumë i nevojshëm kontributi i deputetëve, apo funksionarëve të tjerë të PD-së, që janë njerëz të lirë, e që pranojnë të rrezikojnë kolltukët e tyre, në favor të pastrimit të PD-së. E treta, tek PD-ja duhet të afrohen të rinjtë liberalë të djathtë, ata që janë shkolluar këto 16 vjet në shkollat perëndimore, e që sorollaten të pabashkuar, në erërat e politikës çoroditëse të berishizmit. E katërta, duhet t’i ribashkohen PD-së të larguarit, ata që u larguan sepse nuk pranuan të bashkëjetojnë me berishizmin në PD; të gjithë, që ata të goditjeve të para berishiste të vitit 92, ata të larguarit me shkatërrimin e vendit në 1996-97, e deri tek ata të larguarit nga pisllëqet e emërimeve berishiste nepotike të këtij një viti e gjysmë të qenies në pushtet. Berishizmi nuk i hiqet PD-së me “kërkesa dorëheqje të z.Berisha”; jo, ai hiqet me rrëzimin e tij e të klikës së tij, me votën e lirë brenda PD-së që vetëpastrohet. Nëse PD-ja nuk është e aftë të bëjë spastrimin e saj, atëherë e djathta duhet të shohë urgjentisht krijimin e një force të tretë jashtë PD-së, të shkëputet e gjitha nga PD-ja, duke e lënë vetëm berishizmin, gjë që përfundimisht do ta hidhte në harresë dhe në dënim historik, siç është hedhur Partia e Punës, enverizmi.

Loja e ndryrë e "Lejimit të shpifjes"

Na dha haberin kryeministri, se e ka gati projektligjin për të hequr, "nga Kodi
Penal", dënimin e gazetarëve për shpifje, dhe kur shpifja bëhet ndaj një njeriu
të zakonshëm, jo nëpunës i shtetit. Nuk synon ky ligj të mbrojë gazetarët e
ndershëm.

Nano Berisha
Ky ligj synon të lërë qytetarin krejt të pambrojtur nga sulmet e
gazetarëve shpifarakë-nuk u dëgjua asnjë ndryshim në Kodin Civil, që të
garantohet mbrojtja e qytetarit! Skuadrat e Shpifarakëve të berishizmit, të
quajtur "gazetarë", do të marrin licencën për të shpifur, duke i shkatërruar
jetën kujtdo-viktimat lihen pa asnjë mbrojtje ligjore, si në një vend ku nuk
ekziston shteti. Viktimat kryesore do të jenë kundërshtarët politikë.

Është e vjetër kërkesa e perëndimorëve për të kaluar sanksionet kundër shpifjes,
nga Kodi Penal, tek ai Civil. Por perëndimorët nuk kanë thënë asnjë moment që
qytetarët të mos mbrohen nga shpifja, por të kundërtën. Ja një citim nga sa i
kanë shkruar qeverisë sonë: "Shqipëria duhet të heqë shpifjen nga Kodi Penal,
por duke e zëvendësuar me amendimet e nevojshme të Kodit Civil", e më tej, ata
theksojnë se qytetarët e zakonshëm nuk duhet ta kenë të vështirë të mbrojnë të
drejtat e tyre kundër shpifjeve që mund t'u bëhen, duke u bazuar në Kodin Civil.
Kurse tani, berishizmi i lë qytetarët shqiptarë krejtësisht në mëshirën e
shpifësve-asnjë amendament në Kodin Civil, që aktualisht ka veç një gjysmë neni
(të nenit 625) që përdoret kundër shpifësve, e që natyrisht duhet amenduar e
saktësuar, që gjykimet të jenë më efektshme.

Është naivitet i skajshëm të besosh se berishizmi e ka hallin tek "liria e
shtypit". Nuk ka ndërruar në përmbajtje, nuk ka ndërruar nga mentalitetet e
burgosjes, djegies etj. të shtypit. Me ligjin e shpifjes, berishizmi do që t'u
japë shumë vetëve licencën për të shpifur. Kjo do t'i lejonte atij që të
krijonte "skuadrat e shpifarakëve", institucione të tëra shpifje, që do t'ia
kishin zili organet e propagandës naziste, apo staliniste-as ata, Hitleri,
Stalini etj., nuk patën arritur deri këtu, sa të heqin edhe mbrojtjen formale të
njerëzve nga shpifja. "Gjuha kocka s'ka, por kocka thyen," thotë një fjalë e
urtë. E berishizmi do t'u "thyejë kockat" kundërshtarëve, duke lejuar shpifjen.

Berishizmi tentoi ta rregullonte ndryshe, që të tijtë të shpifnin, e mos t'i
gjente gjë, po nuk ia arriti-e ai ka ngut. Provoi të futë nën thundrat e tij,
Prokurorinë, Gjykatat, por ja që ngeci. Tani situata po i rëndohet, edhe
deputetët e tij nuk po e durojnë dot, e po i rebelohen. Nuk pret dot sa të ikë
presidenti Moisiu, të vërë një president kukull, e të nënshtrojë pastaj edhe
Prokurorinë, edhe Gjykatën-shpifja i duhet tani, në moment. Ah sa mirë do të
ishte po t'i kishte shtënë në dorë Gjykatën dhe Prokurorinë, se me ta nën
komandë, nuk kishte nevojë për ligje të lejimit të shpifjes: thjeshtë i
urdhëronte, dhe asnjë ligj nuk zbatohej, si vaktit-mund të shpifje, të rrihje,
të digjje për berishizmn, e kurrgjë s'të gjente.

Pra, nuk e do për vete personalisht ligjin, kryetari i berishizmit, kryeministri
aktual, e do për gazetarët e tij shpifarakë. Ai, me ligjin në fuqi, ka shpifur
sa ka dashur. Civilizimi shqiptar i shekullit të XXI-të, nuk ka arritur të
zbatojë ligjet, konkretisht të marrë si të pandehur, dhe pastaj edhe të dënojë
si shpifës, njerëzit e një niveli të caktuar në hierarkinë shtetërore, apo të
biznesit.

Shpifësit i duhen berishizmit tamam tek masmedia, sepse ajo mund të përdoret me
efikasitet për shpërndarjen e shpifjes anë e mbanë. Skuadrat e shpifarakëve, të
përbëra nga "gazetarë", do të përcjellin shpifjet që do të fabrikohen në stanin
e shpifarakëve të berishizmit.

Mendoni kur gazetat e televizionet berishiste të buçasin me sajime për "gjyshet,
motrat, nënat putana, lesbike, hajdute etj.", për "gjyshat, baballarët, djemtë
hajdutë, vrasës, pederastë, kurvarë, impotentë etj. etj.", të gjitha këto të
thëna edhe për njerëz që nuk kanë asgjë prej sa u shpifet. Do të sulmohen
thjeshtë se diku ia kanë prishur vizën berishizmit.

Por kur të hapet loja e shpifjeve, ajo do të jetë pronë jo vetëm për luftën
politike, por edhe për goditje "për motive të ulëta", pra "ordinere". Do të
bëhet një kasaphanë e vërtetë, më keq se për pronat, për gjaqet, për moral etj.,
ku ka ligje, por shteti nuk është efikas në dënimin e fajtorëve. Heqja e
ligjeve që mbrojnë qytetarin nga shpifja, do të rrisin rastet e vetëgjyqësisë.
E dihet se tek ne, vetëgjyqësia konkretizohet në përdorimin e mjeteve të
ndryshme, që nga kallashnikovi e thikat, e deri tek grushtet. Të shkretët
gazetarë se ç'po u përgatit berishizmi.

Kuvendi, Shqipëria nuk duhet të kalojë një ligj të tillë. Duhet thjeshtë të
kalojë shpifja, nga Kodi Penal, tek ai Civil, dhe kaq. Nuk i duhet lënë në dorë
berishizmit, që ta bëjë çorap Shqipërinë.


Bashkim Kopliku
5.5.2007

Saturday, October 6, 2007

Loja e ndryrë e “Lejimit të shpifjes”

Nga Bashkim Kopliku
[Gazeta Shqiptare, 7.5.2007]

Na dha haberin kryeministri, se e ka gati projektligjin për të hequr, “nga Kodi Penal”, dënimin e gazetarëve për shpifje, dhe kur shpifja bëhet ndaj një njeriu të zakonshëm, jo nëpunës i shtetit.


Nuk synon ky ligj të mbrojë gazetarët e ndershëm. Ky ligj synon të lërë qytetarin krejt të pambrojtur nga sulmet e gazetarëve shpifarakë—nuk u dëgjua asnjë ndryshim në Kodin Civil, që të garantohet mbrojtja e qytetarit! Skuadrat e Shpifarakëve të berishizmit, të quajtur “gazetarë”, do të marrin licencën për të shpifur, duke i shkatërruar jetën kujtdo—viktimat lihen pa asnjë mbrojtje ligjore, si në një vend ku nuk ekziston shteti. Viktimat kryesore do të jenë kundërshtarët politikë.
Është e vjetër kërkesa e perëndimorëve për të kaluar sanksionet kundër shpifjes, nga Kodi Penal, tek ai Civil. Por perëndimorët nuk kanë thënë asnjë moment që qytetarët të mos mbrohen nga shpifja, por të kundërtën. Ja një citim nga sa i kanë shkruar qeverisë sonë: “Shqipëria duhet të heqë shpifjen nga Kodi Penal, por duke e zëvendësuar me amendimet e nevojshme të Kodit Civil”, e më tej, ata theksojnë se qytetarët e zakonshëm nuk duhet ta kenë të vështirë të mbrojnë të drejtat e tyre kundër shpifjeve që mund t’u bëhen, duke u bazuar në Kodin Civil. Kurse tani, berishizmi i lë qytetarët shqiptarë krejtësisht në mëshirën e shpifësve—asnjë amendament në Kodin Civil, që aktualisht ka veç një gjysmë neni (të nenit 625) që përdoret kundër shpifësve, e që natyrisht duhet amenduar e saktësuar, që gjykimet të jenë më efektshme.
Është naivitet i skajshëm të besosh se berishizmi e ka hallin tek “liria e shtypit”. Nuk ka ndërruar në përmbajtje, nuk ka ndërruar nga mentalitetet e burgosjes, djegies etj. të shtypit. Me ligjin e shpifjes, berishizmi do që t’u japë shumë vetëve licencën për të shpifur. Kjo do t’i lejonte atij që të krijonte “skuadrat e shpifarakëve”, institucione të tëra shpifje, që do t’ia kishin zili organet e propagandës naziste, apo staliniste—as ata, Hitleri, Stalini etj., nuk patën arritur deri këtu, sa të heqin edhe mbrojtjen formale të njerëzve nga shpifja. “Gjuha kocka s’ka, por kocka thyen,” thotë një fjalë e urtë. E berishizmi do t’u “thyejë kockat” kundërshtarëve, duke lejuar shpifjen.
Berishizmi tentoi ta rregullonte ndryshe, që të tijtë të shpifnin, e mos t’i gjente gjë, po nuk ia arriti—e ai ka ngut. Provoi të futë nën thundrat e tij, Prokurorinë, Gjykatat, por ja që ngeci. Tani situata po i rëndohet, edhe deputetët e tij nuk po e durojnë dot, e po i rebelohen. Nuk pret dot sa të ikë presidenti Moisiu, të vërë një president kukull, e të nënshtrojë pastaj edhe Prokurorinë, edhe Gjykatën—shpifja i duhet tani, në moment. Ah sa mirë do të ishte po t’i kishte shtënë në dorë Gjykatën dhe Prokurorinë, se me ta nën komandë, nuk kishte nevojë për ligje të lejimit të shpifjes: thjeshtë i urdhëronte, dhe asnjë ligj nuk zbatohej, si vaktit—mund të shpifje, të rrihje, të digjje për berishizmn, e kurrgjë s’të gjente.
Pra, nuk e do për vete personalisht ligjin, kryetari i berishizmit, kryeministri aktual, e do për gazetarët e tij shpifarakë. Ai, me ligjin në fuqi, ka shpifur sa ka dashur. Civilizimi shqiptar i shekullit të XXI-të, nuk ka arritur të zbatojë ligjet, konkretisht të marrë si të pandehur, dhe pastaj edhe të dënojë si shpifës, njerëzit e një niveli të caktuar në hierarkinë shtetërore, apo të biznesit.
Shpifësit i duhen berishizmit tamam tek masmedia, sepse ajo mund të përdoret me efikasitet për shpërndarjen e shpifjes anë e mbanë. Skuadrat e shpifarakëve, të përbëra nga “gazetarë”, do të përcjellin shpifjet që do të fabrikohen në stanin e shpifarakëve të berishizmit.
Mendoni kur gazetat e televizionet berishiste të buçasin me sajime për “gjyshet, motrat, nënat putana, lesbike, hajdute etj.”, për “gjyshat, baballarët, djemtë hajdutë, vrasës, pederastë, kurvarë, impotentë etj. etj.”, të gjitha këto të thëna edhe për njerëz që nuk kanë asgjë prej sa u shpifet. Do të sulmohen thjeshtë se diku ia kanë prishur vizën berishizmit.
Por kur të hapet loja e shpifjeve, ajo do të jetë pronë jo vetëm për luftën politike, por edhe për goditje “për motive të ulëta”, pra “ordinere”. Do të bëhet një kasaphanë e vërtetë, më keq se për pronat, për gjaqet, për moral etj., ku ka ligje, por shteti nuk është efikas në dënimin e fajtorëve. Heqja e ligjeve që mbrojnë qytetarin nga shpifja, do të rrisin rastet e vetëgjyqësisë. E dihet se tek ne, vetëgjyqësia konkretizohet në përdorimin e mjeteve të ndryshme, që nga kallashnikovi e thikat, e deri tek grushtet. Të shkretët gazetarë se ç’po u përgatit berishizmi.
Kuvendi, Shqipëria nuk duhet të kalojë një ligj të tillë. Duhet thjeshtë të kalojë shpifja, nga Kodi Penal, tek ai Civil, dhe kaq. Nuk i duhet lënë në dorë berishizmit, që ta bëjë çorap Shqipërinë.

Saturday, April 21, 2007

Familjarët e Berishës pronarë në televizion privat !

Tiranë- Familjarët e kryeministrit Berisha nuk janë vetëm pronarë firmash ndërtimi, por edhe pronarë televizionesh. Pas denoncimit të bërë nga deputetë të opozitës, se sjellja arbitrare e kreut të qeverisë ndaj mediave të lira dhe të pavarura ka për shkak pikërisht lidhjen e të afërmit të tij me pronësinë mbi televizion, Berisha nuk ka dhënë asnjë sqarim lidhur me këtë fakt. Ndërsa vetë kunati i tij, i cili u përmend si aksioner në televizionin "Mediasat", Agim Rama është shprehur se e ka shitur përqindjen e tij të aksioneve në këtë media. Një fakt i tillë nuk është verifikuar prej tij, sidomos në deklarimin e pasurisë së bashkëshortes së Ramaj, ku nuk figuron as shitje e aksionesh dhe as zotërim i tyre, në përqindje apo në vlerë financiare. Institucioni i vetëm kompetent për dhënien e një informacioni të tillë ka kthyer përgjigje të vonuar ndaj kërkesës së bërë nga gazeta. Kushëriri, pronar në "Mediasat" Në shkresën me numër protokolli nr.371/1 Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit thotë se televizioni "mediasat" ka katër aksionerë. Mes emrave pak ose aspak të panjohur, gjendet edhe emri i kushëririt të bashkëshortes së kryeministrit. Astrit Hana figuron të ketë 20 përqind të aksioneve në pronësinë e këtij televizioni. I njëjti që ka në zotërim edhe shoqërinë e ndërtimit me emrin "M.S.A Konstruksion", i licencuar nga ministria e Punëve Publike. Shkresa e KKRT nuk tregon një kohë kur Hana është bërë pronar i aksioneve dhe as prej kujt i ka blerë po faktet janë shumë të thjeshta për t'u kuptuar. Për më tepër kur më parë është përfolur të jetë pronar në këtë televizion, pikërisht kushëriri i tij, Agim Ramaj. Pronësia brenda familjes Aksionet kanë lëvizur nga Agim Ramaj për tek Astrit Hana. Ky rezulton të jetë bërë pronari i 20 përqind të aksioneve, por kjo do të thotë në të njëjtën kohë se pronësia ka mbetur po brenda për brenda familjes. Deputetët e opozitës denoncuan faktin se kunati i kryeministrit ishte pronar tek "Mediasat", kurse Ramaj deklaroi pak ditë më pas se i kishte shitur aksionet. Në kohën kur Astrit Hana është emri në listën e pronarëve dhe njëkohësisht është kushëriri i tij, mbetet e thjeshtë për t'u kuptuar se mes cilave duar është bërë transaksioni. Nuk mund të thuhet asgjë mbi vlerën e tyre, në blerje dhe shitje, por ësthë mëse i sigurt fakti se pronësia tek televizioni privat ka mbetur brenda familjes së Berishës, ashtu si edhe licencat për ndërtim. Astrit Hana, babai i drejtoreshës së ISKSH I njohur tashmë si pronari i 20 përqind të aksioneve në televizionin "Mediasat", por edhe i shoqërisë së ndërtimit "M.S.A Konstruksion" është kushëriri i bashkëshortes së kryeministrit Berisha. Astrit Hana është njëkohësisht edhe babai i Elvana Hanës, që prej kohësh tashmë mban detyrën e drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Fakt i denoncuar nga gazeta që me emërimin e saj, por vetë kryeministri heshti duke mohuar cdo lidhje familjare me Elvana Hanën. Mesa duket pas kësaj heshtjeje, janë fshehur më shumë favore se thjesht një emërim të krye të një institucioni të rëndësishëm. Duhet përfshirë këtu edhe shoqëri ndërtimi me veprimtari në Tiranë, edhe pse në këtë rast kreu i qeverisë është plotësisht në konflikt të hapur interesi, përderisa është kryetari i entit prokurues më të madh në vend. Ndërsa pronësia në një televizion privat pa dyshim duhet t'i atribuohet të ardhurave të mjaftueshme të kushëririt, një më shumë në rradhën e familjarëve të kamur të kryeministrit Berisha. Ndryshimi në Regjistër Përgjigjia e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit i është referuar të dhënave të marra në Rregjistrin Tregëtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, sepse në të janë ndryshuar emrat e pronarëve që pas kryerjes së transaksionit. Ndërsa ndryshimi i emrave në KKRT nuk është bërë brenda kësaj kohe. Të paktën kjo del nga vetë shkresa që Këshilli Kombëtar i Radios dhe i Televizionit i drejton gazetës, në kthim të përgjigjes për informacionin e kërkuar. "Nga verifikimi i arkivës së KKRT-së si dhe në vijim të konfirmimit të kryer nga ana e KKRT-së në Rregjistrin Tregtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë...". Në letrat e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit mund të figurojë akoma emri i Agim Ramaj si pronar tek MediaSat edhe pse ky pretendon t'i ketë shitur aksionet që në prillin e një viti më parë. Për këtë arsye, ky institucion ka preferuar të përgjigjet pak më vonë, por duke iu referuar të dhënave të regjistrit. Pranë kësaj strukture, ndryshimi i emrave të pronarëve ndodh që në momentin e shitjes së aksioneve tek një person tjetër. Ndërsa ndryshimi i emrave në KKRT nuk është e thënë të ndodhë kaq shpejt. Madje ka rezultuar se për televizione që kanë ndryshuar pronarë të paktën dy vjet më parë, në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit kanë figuruar të njëjtët emra pronarësh. Në këtë rast, nuk ka pse të përjashtohet edhe televizioni "Mediasat" dhe emri i Agim Ramaj në listën e aksionerëve të tij. Para se këto të fundit të kalonin tek kushëriri i tij, për të mbetur sërish brenda familjes. Berisha fsheh familjaret pronare Tiranë- Duke nisur që nga zaptimi i ambienteve të Kinostudios dhe deri tek deklarimi më i fundit i vetë Agim Ramaj, sipas të cilit ka shitur aksionet në televizion dhe megjithatë është futur me forcë në ambientet ku ndodhet pikërisht ky televizion. Sipas të dhënave, vetëm investimi në aparatura që po vazhdon të futet në Kinostudio kap shifrën e 3 milionë dollarëve, për të cilat as kunati dhe as kryeministri "transparent" nuk kanë deklaruar se ku dhe si janë gjetur. Berisha i zbatimit të ligjit ka lejuar dhe po lejon akoma që kunati i tij të mbajë me forcë ambientet e një prone publike, kundrejt asnjë lloj qeraje dhe pagese. Thjesht sepse ai është i afërm i kreut të qeverisë, nuk duhet t'i paguajë asgjë shtetit, përvec se të marrë prej tij aq sa i ofron Berisha në shfrytëzim të hapur të postit të tij. Agim Ramaj i lejon vetes të mashtrojë jo vetëm institucionin ku mbart detyrimin të deklarojë pasurinë e tij, në të cilin është e qartë se ka mashtruar, por gjithë opinionin publik ashtu si edhe vetë kryeministri. Rasti i kunatit është shembulli më i mirë se si Berisha dhe familja e tij po zapton dhe rrëmben cfarë të mundë. Të paktën dy prej familjarëve të tij janë pronarë jo vetëm në ndërtim, por edhe në media. Por kryeministri është përpjekur me të gjitha mënyrat për ta fshehur një fakt të tillë, që nuk është shumë në harmoni me fjalimet e tij të fundit për vaska të florinjta dhe të varfër që nuk duhet të jenë më të tillë, sepse qeveria ka për t'i ndihmuar. Thjesht dhe vetëm teori sepse praktika është krejt e ndryshme. Ramaj,me dhunë në Kinostudio Tiranë- Që pas 3 Korrikut 2005 nuk rezulton asnjë shpallje e vetme për tender të ambienteve të Kinostudios, si mënyra e vetme ligjore për të shitur një pronë publike. Megjithatë, kunati i kryeministrit Berisha është bërë pronar i një sipërfaqeje të konsiderueshme brenda këtyre ambienteve. Burime të sigurta kanë pohuar se ai ka hyrë forcërisht në Kinostudio por nuk është lëvizur më pas që aty, për shkak të lidhjes familjare me kreun e qeverisë. Prej muajsh, Agim Ramaj ka hyrë në ambientet e Kinostudios, thjesht duke hapur dyert. Nuk ka asnjë kontratë qeraje dhe asnjë detyrim të tij për të paguar qoftë edhe me tarifa të ulta. Nuk ka asnjë dyshim se vetë Berisha është në dijeni të këtij fakti por nuk ka marrë asnjë lloj mase për të nxjerrë prej Kinostudios kunatin e tij. Një gjë e tillë nuk kishte si të ndodhte nëse më parë, Agim Ramaj nuk do të merrte lejen e kryeministrit. As njëri dhe as tjetri nuk kanë parë të arsyeshme të firmosin letra dhe kontrata për detyrime financiare ndaj shtetit. Madje në bazë të ligjit, një pronë publike duhet të jepej për shfrytëzim vetëm përmes një ankandi. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë. Për më tepër nuk është bërë kurrë një njoftim për ankand, prej të cilit me siguri që do të dilte fitues pikërisht kunati i kryeministrit. Ky i fundit ka shmangur cdo procedurë zyrtare, në bashkëpunim me Berishën. Bashkë me procedurën ka shmangur edhe detyrimet financiare ndaj shtetit për shfrytëzimin e një prone publike sic është Kinostudioja. Ndërkohë që kryeministri bërtet për evazion dhe korrupsion, vetë kunati i tij i lejon vetes edhe zaptimin e pronave publike kundrejt asnjë lloj pagese. Thjesht zaptimin e tyre. Sërish me lejen dhe bekimin e Berishës, ky veprim është fshehur në vazhdim.

Monday, April 16, 2007

Taksa e sheshtë e Berishës, sjell varfëri

Tiranë- Me siguri që taksa e sheshtë në pagën e kryeministrit nuk do të ketë efekt negativ përvec se heqjes së vetëm 10% të saj. Por për rrogat e tjera, nga minimale deri tek ato mesatare ky efekt do të jetë shumë herë më i ndjeshëm. Ndonëse qeveria ka deklaruar më së fundi vullnetin për të rritur pagat minimale, kjo në të vërtetë nuk do të jetë aspak një rritje për arsyen e thjeshtë se tatimi rritet në një vlerë prej 10 përqind për të gjitha pagat. Duke tatuar njësoj, me 10% edhe pagat e larta por edhe ato të ulta, kryeministri pretendon se po aplikon taksën e sheshtë. Në fakt kjo taksë nuk është vecse taksa e varfërimit. Taksimi me 10% i një page prej 20 mijë lekësh të reja është shumë, ndërsa nuk është efekt i njëjtë në pagën prej 2 milionë lekësh të vjetra të pagës së kryeministrit. Megjithatë, qeveria ka deklaruar gjithë vullnetin të nisë aplikimin e kësaj takse në të ardhurat. Kjo duket sepse deputetët e partisë në pushtet, duke dëgjuar fjalimet direktiva të kreut të qeverisë i shkojnë nga pas me projektligje të tipit të paraqitur nga Blerim Cela dhe Aleksandër Biberaj për vendosjen e taksës së sheshtë edhe në sektorin e ndërtimit. Në prezantim të parë me qëllimin për të shmangur abuzimet që bëhen në këtë sektor, por e thënë hapur edhe për të aplikuar taksën e varfërisë, efektet e të cilës do të ndihen shumë më tepër në familjet me të ardhura të pakta por edhe në ato me të ardhura të mesme.

Relacioni:Ndryshimi,per aplikim te takses se sheshte

Tiranë- Propozimi i bërë nga dy deputetët demokratë për ndryshimin e taksës së kalimit të pronësisë bëhet në kuadër të zbatimit të taksës së sheshtë. Kjo lexohet qartë në relacionin që i është bashkangjitur projektligjit, të kaluar në mënyrën më të fshehtë në komisionin e Ekonomisë edhe më parë varianti nuk është parë dhe nuk ka marrë mendimin e qeverisë. Ky duhet të ishte mëse i domosdoshëm për faktin e thjeshtë dhe të vetëm se ndryshimi i taksës së kalimit të pronësisë ka efekte të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit. Megjithatë projektligji është tashmë gati për t'i kaluar seancës parlamentare. "Në kuadrin e implementimit të parimit të taksës së sheshtë, është parashikuar qe edhe tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme të barazohet me tarifën e tatimit mbi të ardhurat e tjera personale që taksohen me 10 përqind sikurse janë tatimi mbi interesat, dividentët, qeratë, të drejtat e autorit etj". Në relacionin e projektligjit, dy deputetët që kanë marrë përsipër propozimin e ndryshimit të taksës së kalimit të pronësisë, "betohen" se kjo bëhet në zbatim të vendimit të qeverisë për aplikimin e kësaj takse të sheshtë. Kjo sipas tyre do të sjellë shmangien e abuzimeve në sektorin e ndërtimit, "njohja si shpenzime të zbritshme të biznesit e vlerës së sipërfaqes së truallit që përdor shoqëria dhe taksimi konform ligjit edhe i asaj pjese të sipërfaqes që përfitohet nga pronarët e truallit". Në këtë pikë konsistonte edhe fjalimi i pak kohëve më parë të kryeministrit Berisha, për të justifikuar aplikimin e taksës së sheshtë edhe në këtë sektor, me siguri jo si një mënyrë për të shmanguar abuzimet, ashtu sic thuhet.

Projektligji - trajtim selektiv Qeverisë

Tiranë- Ka mjaftuar një fjalim i kryeministrit Berisha, që deputetët e tij të vihen në lëvizje për të hartuar një projektligj. Ky është shpjegimi i vetëm për ndryshimet që kërkohen të bëhen në taksën e kalimit të pronësisë. Jo më larg se 28 Marsi i këtij viti, kreu i qeverisë ka deklaruar se ndërtimi është një prej sektorëvë më informalë në vend, duke paralajmëruar masat që do të vinin më pas. "Lufta kundër kontrabandës është vetëm një aspekt i kësaj lufte që duhet të zhvillohet në çdo sektor. Ky vit është përcaktues i suksesit të qeverisë në luftën kundër informalitetit Ka informalitet në sektorë kryesore të ekonomisë. Informaliteti është i pranishëm në sektorin e ndërtimeve. Ka ndërtues, të cilët e blejnë tokën me 1 milionë $ sipërfaqen dhe mbushin dokumenta fallco sikur e kanë blerë me 40 mijë $ dhe këtë e bën për ti shpëtuar tatimeve të pronarit që u shiti tokën, duke mos folur pastaj për shitjet që kapin shifrën 1000 apo 1500 euro për metër katror, duke plotësuar dokumenta sikur shiten me 500 apo 600 euro për metër katror. Ky fenomen nuk është në shumicë, por mund të ndodhë në të ardhmen, duke dëmtuar ndërtuesit e ndershëm". Pas kësaj, vjen nisma e dy deputetëve të maxhorancës që kërkojnë të vënë kontrollin mbi këtë sektor, duke filluar nga taksa që paguan pronari i tokës kur ia jep një firme ndërtimi. Madje vetë qeveria do të vendosë edhe cmimet. Të paktën këtë tenton të bëjë projektligji, duke cuar të tjera kompetenca dhe njëherësh edhe para në duart e qeverisë. Llogaritjet do të jenë në dorë të saj, me vendosjen e cmimeve dhe kjo do të thotë trajtim selektiv për një pjesë të bizneseve të ndërtimit.

Thursday, April 12, 2007

Berisha miraton diktaturën fiskale ndaj biznesit

Robin Hood-i shqiptar i quajtur Sali Ram Berisha: "Varferoj te pasurit dhe pasuroj te varferit"

Mazhoranca mirato diktaturën fiskale megjithëse ka të gjithë biznesin kundër. Qeveria ka kryer dy shkelje kushtetuese. E para ka lidhje me prezumimin e pafajësisë, pasi me anë të këtij neni, biznesi duhet të paguajë gjobën pavarësisht nëse është fajtor apo jo. Shkelja e dytë kushtetuese ka të bëjë me të drejtë e ankimit në gjykatë. Sipas këtij neni, asnjë person nuk është i privuar të ankimohet në gjykatë për asnjë arsye. Ndërsa në këtë rast biznesi nuk mund të ankimohet në gjykatë pa paguar gjobën

Tiranë - Mazhoranca mirato diktaturën fiskale megjithëse ka të gjithë biznesin kundër. Vetëm me votat e mazhorancës miratohen disa ndryshime ligjore për procedurat tatimore që i heqin mundësinë biznesit të apelojnë një vendim të padrejtë pa paguar më parë gjobat dhe detyrimet. Megjithe kundershtimet e forta te opozites, p/Ligji i diskutuar me debate te forta ne komisionin e ekonomise dhe qe eshte percjelle po me debate te forta edhe nga komuniteti I biznesit eshte miratuar vetem nga te djathtet ne kete komision. Me anë të këtij projektligji, qeveria ka kryer dy shkelje kushtetuese. E para ka lidhje me prezumimin e pafajësisë, pasi me anë të këtij neni, biznesi duhet të paguajë gjobën pavarësisht nëse është fajtor apo jo. Shkelja e dytë kushtetuese ka të bëjë me të drejtë e ankimit në gjykatë. Sipas këtij neni, asnjë person nuk është i privuar të ankimohet në gjykatë për asnjë arsye. Ndërsa në këtë rast biznesi nuk mund të ankimohet në gjykatë pa paguar gjobën. Një shkelje tjetër në marëdhënien e partneritetin shtet biznes parashikohet me anë të këtyre neneve. Nëse biznesi është i detyruar të paguajë gjobën atëherë ai nuk është i barabartë para palës shtet pasi vendoset me anë të këtij ligji pariteti i të fortit, pra dhunës së shtetit. Njëkohësisht me anë të këtij ligji biznesi demotivohet për të kërkuar të drejtën e tij, duke apeluar një vendim të administratës shtetëtërore e cila thjesht ka si objektiv të vetin mbushjen e arkës së shtetit.

Berisha i heq edhe subvencionin e fundit bujqesise

Tirane - Paketa e re fiskale e qeverisë Berisha miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimi më i rëndësishëm negativ i kësaj pakete fiskale ishte ai që kishte të bënte me heqjen e subvencionit të fundit që të paktën indirekt qeveria i bënte fermerëve dhe prodhuesve. Qeveria Berisha do të mbahet mënd për heqjen e subvencioneve për naftën dhe plehrat kimike për fermerët. I vetmi subvencion që i kishte ngelur bujqësisë ishte ai indirekt. Pra i bëhej prodhuesve rimbursimi për blerjet që ata i bënin fermerëve. Prodhuesit i faturonin produktet me TVSH, e cila i rimbursohej më pasa nga shteti. Ndryshimi i fundit në ligjin për TVSH është heqja e së drejtës së rimbursimit për TVSH për prodhuesit bujqësorë. Bizneset që operojnë në industrinë e përpunimit të qumështit, ullirit, rrushit e bluarjes së grurit, përjashtohen nga deklarimi i TVSH për lëndën e parë që blejnë tek fermerët.

Kundershtohet ulja e akcizes

Tirane - Shoqata e Hidrokarbureve ka kundërshtuar uljen e akcizës për solarin dhe mazutin, rrit abuzimet në dogana. Ndryshimet e miratuara nga ana e Parlamentit në ligjin e akcizave, janë kundërshtuar nga ana e Shoqatës së Hidrokarbureve. "Ne kërkojmë të mos miratohet ulja e akcizës për mazutin dhe solarin, pasi nëse bëhet ulja e kësaj akcize, atëherë për këta artikuj krijohet mundësia e abuzimit lidhur me cilësinë (përzierjes) e tregtimit të karburanteve",- ka deklaruar gjatë ditës së djeshme, Shoqata e Hidrokarbureve. Abuzimi vjen, pasi duke paguar akcizë më të ulët për solarin dhe mazutin, në krahasim me naftën, tregtarët abuzojnë duke i përzierë këto lëndë djegëse, për të rritur fitimet. Fenomeni i rritjes dhe uljes së taksave, përfshi këtu edhe akcizën, është bërë i zakonshëm.

Neni 43 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 43
Detyrimi për pagesë të menjëhershme
1. Para se të paraqiten për apelim në shkallët e apelimit administrativ, tatimpaguesit janë të detyruar të parapaguajnë detyrimin tatimor, pa përfshirë interesat dhe gjobat që lidhen me këtë detyrim.
2. Para se të paraqiten për apelim, në shkallët e apelimit për shqyrtim gjyqësor, tatimpaguesit janë të detyruar të paguajnë çdo gjobë dhe interes, që lidhet me detyrimin tatimor të apeluar.

Neni 43, para ndryshimeve
Detyrimi për pagesë të menjëhershme
Para se të paraqiten për apelim, tatimpaguesit janë të detyruar të parapaguajnë vetëm detyrimin tatimor, pa përfshirë interesat dhe gjobat e mundshme, ose të paraqesin garancitë e nevojshme. Në rastin e garancisë, për periudhën e apelimit llogariten të gjitha interesat.

Wednesday, April 11, 2007

Berisha goditje tjeter prones

"Oxhaku nuk behet buxhak" - Ne gjuhen e berishizmit perkthehet "Kafsha nuk behet njeri"


Tiranë- Nën kërcënim janë gjithashtu edhe të gjithë ata qytetarë që kanë ndërtuar në mënyrë të ligjshme mbi truall që nuk është në pronësi të tyre. Ky është amendamenti i dytë që Partia Republikane i paraqet Kuvendit për të ndryshuar në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës.Përfaqësuesit e një prej partive më të mëdha të koalicionit qeverisës pretendojnë se kjo është një zgjidhje e mirë për këta banorë, si një mënyrë për të kërkuar legalizimin edhe të truallit ku kanë ndërtuar. Por kjo do të jetë në varësi të pronarit të tokës, duke filluar nga cmimi që ai do të përcaktojë dhe deri nëse do të lejojë apo jo ndërtimin mbi pronën e tij. Por republikanët nuk kanë zgjidhje për këto probleme, përvec propozimit që kanë bërë në Kuvend dhe presin t'i shtohet ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave me votat e maxhorancës ashtu sic ndryshuan këtë ligj një vit më parë duke cënuar në mënyrën më flagrante të drejtat e ish pronarëve. Tani, ata që do të goditen hapur do të jenë të gjitha ato familje që kanë ndërtuar një banesë të ligjshme mbi një truall që nuk është në pronësi të tyre. Këta, sipas republikanëve do t'i nënshtrohen një pagese për të blerë edhe tokën ku kanë ndërtuar. Këto para janë planifikuar të shkojnë në fondin për kompensimin e ish pronarëve që deri më tani ka qenë në shifra qesharake edhe pse procesi i kompensimit u premtua nga qeveria në afate shumë më të shkurtra për t'u përfunduar. Ndërsa me paratë e planifikuara prej saj, ky proces pritet të zgjatë për të paktën më shumë se një dhjetëvjecar.

PR:Shfuqizim i ligjit 7501, per abuzime me shperndarjen

Tiranë- Qeveria Berisha po bën gati goditjen tjetër ndaj një pjese të konsiderueshme të qytetarëve. Partia e dytë më e madhe e koalicionit qeveritar ka propozuar ndryshimin e rradhës në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, ndonëse ky ligj u ndryshua jo më larg se një vit më parë. Por këtë herë e ka rradhën pika për të cilën kryeministri Berisha nuk pranoi kompromis, pikërisht ligji 7501. Republikanët kanë kërkuar shfuqizimin e këtij ligji, i cili sipas tyre po bën akoma pronarë shumë njerëz, në mënyrë krejtësisht të paligjshme. Përfaqësuesi i grupit parlamentar të kësaj partie, Arjan Madhi, i ka paraqitur Kuvendit draftin për ndryshimet, duke këmbëngulur në fshirjen e një ligji, që vazhdon akoma të ndajë toka për familje në bazë të frymëve. Sipas Madhit, ky rregull madje është shtrembëruar duke ndarë tokë në bazë të interesave. Për këtë arsye ai, në emër të Partisë Republikane, do të kërkojë shfuqizimin e ligjit 7501, që sipas tij është duke dhënë tokë bujqësore pa asnjë lloj kriteri. Por kjo kërkesë e republikanëve dhe për rrjedhojë zhdukja e këtij ligji do të thotë cënim i interesave të shumë familjeve shqiptare si dhe të të drejtës së tyre për pronë, të garantuar nga Kushtetuta. Pas ndryshimeve në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës që vazhdon të jetë në Gjykatën Kushtetuese, ku e kanë cuar ish pronarët që ndihen të cënuar në të drejtat e tyre, tani të tjera ndryshime janë në plan. Ndërsa kryeministri Berisha, këtë herë nuk mund t'i shmanget një pike të debatuar edhe më parë nga bashkëqeverisësit që do të thotë se ligji 7501 nuk do të jetë më në zbatim. Bashkë me të edhe shumë akte dhe nënligje që e shoqërojë dhe që vazhdojnë të funksionojnë akoma. Kërkesa e republikanëve, që pritet të merret parasysh nga qeveria në një ndryshim të dytë të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës përbën një kërcënim për një kategori që ka përfituar prej këtij ligji. Ndërsa të goditurit nga qeveria Berisha për shkak të nismave të saj ligjore vazhdojnë të shtohen gjithmonë e më tepër. Pas ish pronarëve që vazhdojnë të kërkojnë të drejtën e tyre në Gjykatën Kushtetuese, edhe ato familje që kanë përfituar apo që presin të përfitojnë akoma një pronë në bazë të ligjit 7501 nuk do të kenë këtë mundësi pasi qeveria është gati të fshijë ligjin në fjalë. Njëkohësisht kjo do të thotë se në rrezik është edhe procesi i kompensimit të premtuar nga Berisha, pasi republikanët shprehen se shpërndarja e tokës po bëhet pa kriter.

Republikanet kunder Berishes per pronat

Tiranë- Duket se pas përplasjeve të mëparshme mes republikanëve dhe demokratëve vjen konflikti i rradhës, edhe pse bashkëqeverisin. Këtë herë motivi është ligji 7501, për të cilin Partia Republikane kërkon shfuqizimin. Por nga ana tjetër, amendamentet e propozuara nga kjo forcë politike vënë në rrezik, për të mos thënë kërcënojnë me mosrealizim procesin e kompensimit dhe kthimit të pronave, të deklaruar si një prioritet nga qeveria Berisha. Ndarja e tokave në mënyrë të paligjshme, sic vlerësohet ajo përmes ligjit 7501 bie ndesh me premtimet për kompensim të ish pronarëve me tokën e lirë. Por për këtë të fundit nuk ka asnjë të dhënë akoma, ndërkohë që Agjencia e ngritur nga Berisha merret me shpërndarjen me short të shifrave qesharake të kompensimit për ish pronarët.

Tuesday, April 10, 2007

Ligji i Qeverisë Berisha diskriminues për të dy palët

Kjo gjykatë në verdiktin përfundimtar të cështjes vendosi të shfuqizimin e nenit 9 të ligjit 9583 të vitit 2006 për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve, me kërkesë të Shoqatës së Qiramarrësve të Shtëpive Shtetërore në ish-pronë private si tepër diskriminues pasi nuk parashikon detyrimin e shtetit për të marrë përsipër strehimin e qiramarrësve mbi të njëtat kritere që parashikonte ligji "Për privatizimin e banesave. Tiranë- Ish-pronarët të cilët nuk do të posedojnë asnjë prej banesave, pronë e tyre, që iu janë dhënë me qira qiramarrësve nga shteti, para vitit 1992, kanë dënuar vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese si të padrejtë dhe sistematikisht diskriminues ndaj tyre. Kjo gjykatë në verdiktin përfundimtar të cështjes vendosi të shfuqizimin e nenit 9 të ligjit 9583 të vitit 2006 për kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve, me kërkesë të Shoqatës së Qiramarrësve të Shtëpive Shtetërore në ish-pronë private si tepër diskriminues pasi nuk parashikon detyrimin e shtetit për të marrë përsipër strehimin e qiramarrësve mbi të njëtat kritere që parashikonte ligji "Për privatizimin e banesave". Shoqata Kombëtare e të Shpronësuarve "Pronësi me Drejtësi" ka dekretuar edhe një kërkesë ndaj institucionit të lartë kushtetues lidhur me ligjet e cilësuara kushtetuese nga ana e kësaj gjykate, të cilat rregullojnë të drejtën në Shqipëri. Shfuqizimi i nenit 9 lehtëson qeverinë shqiptare nga mosrespektimi në kohë i afateve që parashikonte ky nen, i cili në pikën 3 të tij thotë se lista e të pastrehëve, qiramarrës në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, hartohen nga Enti Kombëtar i Banesave, në bazë të dokumentacionit të njësive të qeverisjes vendore dhe të Agjensisë së Kthimit dhe të kompensimit të Pronave, pas verifikimit në terren të të dhënave dhe miratohet nga Këshilli i Ministrave përpara datës 31 tetor 2006, afat ky i cili ka skaduar.

Qeveria Berisha pergjegjese per ligjin

Tiranë- Sipas konstatimeve të Gjykatës Kushtetuese një pjesë e qiramarrësve të banesave ish-pronë private kanë përfituar banesë në kushtet e ligjit 8647 "Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha". Në këtë mënyrë një trajtim i pafavorshëm i pjesës tjetër të qiramarrësve të cilët janë në të njëjtat kushte me të parët do të përbënte një diskrinim jokushtetues. Kjo ka bërë që Gjykata Kushtetuese të arrijë në përfundimin se neni 9 i ligjit në shqyrtim është në kundërshtim me parimin e së drejtës dhe barazizë para ligjit dhe si e tillë duhet të shfyqizohet si e papajtueshme me Kushtetutën. Kjo do të thotë se ligji është ndërtuar i tillë që të mos garantojë të drejtën e të dyja palëve, pra ai nuk rregullon aspak marrëdhëniet ish-pronarë-qiramarrës, dhe kjo përbën një antikushtetueshmëri më vete për të cilën është përgjegjeëse vetë qeveria.

Asnjë afat për kthimin e pronave

Tiranë- Gjykata Kushtetuese vendimin për shfuqizimin e nenit 9 të ligjit 9583 të vitit 2006 e ka marrë na bazë të një vendimi të mëparshëm të vitit 2005 që shfuqizonte si antikushtetues nenin 9 të ligjit 9235 datë 29 07 2004 "Për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave". Sipas tij "Banesat, pronë e subjekteve të shpronësuara lirohen nga qeramarrësi brenda një afati 3-vjecar. Qiramarrësit vazhdojnë të paguajnë një qira të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave deri në dy vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Këshilli i Ministrave ngarkohet të sigurojë strehimin e qiramarrësve që kanë statutin e të pastrehëve, nëpërmjet banesave me qira të ulët, kredive me interes të ulët ose banesave me qira të kompensuar nga shteti". Duke iu referuar përmbajtjes së nenit 9 të ligjit 9583, datë 17 07 2006, për kthimin dhe kompensimin e pronave, Kushtetuesja vlerësoi se përmban të njëjtat alternativa që kishte edhe neni i shfuqizuar më parë, pra bëhet fjalë për nenin 9 të ligjit 9235 të vitit 2004.

Neni 9 i ligjit 9583 17.07.2006

Banesat, pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilat u janë dhënë me qira qiramarrësve nga shteti dhe shfrytëzohen për strehim, kalojnë në posedim të subjekteve të shpronësuara. Kur qiramarrësit nënshkruajnë kontratën e kredisë me institucionin financiar, kjo duhet të lidhet midis ministrit të Financave dhe institucionit që jep dhe menaxhon kredinë brenda datës 31 dhjetor 2006. personat e pastrehë, qiramarrës në banesat pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilët brenda datës 31 dhjetor 2008 nuk lidhin kontratën, apo që deri në këtë kohë nuk kanë plotësuar nevojat e tyre për strehim, humbasin të drejtën e posedimit të ligjshëm të banesës.

Neni 9 i ligjit 9235 29. 07. 2004

Banesat, pronë e subjekteve të shpronësuara lirohen nga qeramarrësi brenda një afati 3-vjecar. Qiramarrësit vazhdojnë të paguajnë një qira të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave deri në dy vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Këshilli i Ministrave ngarkohet të sigurojë strehimin e qiramarrësve që kanë statutin e të pastrehëve, nëpërmjet banesave me qira të ulët, kredive me interes të ulët ose banesave me qira të kompensuar nga shteti.

2 ligje antikushtetuese ne muaj

Tiranë- Në më pak se 20 muaj qeverisje qeveria Berisha ka nxjerrë të paktën 9 ligje thellësisht antikushtetuese, shumica e të cilave janë rrëzuar edhe nga Gjykata Kushteutese, dhe një pjesë e tyre janë akoma nën hetim e sipër nga institucioni që gjykon shkeljen e garantit primar të ligjit, të Kushtetutës së Shqipërisë. Kryeministrit Berisha në bazë të një matematike të thjeshtë i takon që në cdo muaj qeverisje të propozojë me anë të vendimeve të Këshillit të Ministrave e të miratojë më pas nëpërmjet shumicës së votave në Kuvendin e Shqipërisë, mesatarisht 2 ligje apo akte normative të parapanueshme për Kushtetutën e vendit, madje të vlerësuara edhe nga Gjykata që garanton zbatueshmërinë e saj, si thellësisht antikushtetuese.

Qeveria me antikushtetuese, me 20 muaj 9 shkelje

Tiranë- Numërohen jo pak ligje antikushtetuese të vlerësuara si të tilla ato që kanë dalë të propozuara nga Qeveria dhe më pas të miratuara në Kuvend gjatë 20 muajve të qeverisjes së djathtë. Në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit janë miratuar në këtë periudhë ligji për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Ligji për Nepotizmin, akti normativ për prefektin ku Berisha i mori pushtetit vendor kompetencën ligjore për të drejtuar KRRT, shkarkimi i kryeprokurorit Sollaku, shembja e "Zogut të Zi", ligji për pensionet e ish-ushtarakëve. Gjithashtu janë ende në process shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese ligje antikushtetuese si ligji për pagat e institucioneve të pavarura, ligji për legalizimet si dhe ligji për auditin e brendshëm.

Wednesday, April 4, 2007

Topalli përplaset me Berishën për reformën

Reforma zgjedhore ka krijuar një tjetër përplasje mes Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryeministrit, Sali Berisha. Për Topallin reforma duhet të fillojë nga puna pas zgjedhjes së presidentit duke e argumentuar këtë me kohën që i duhet në dispozicion një çështje kaq të rëndësishme. Ndërkohë që, Berisha dy ditë më parë ka kërkuar ngritjen e menjëhershme të komisionit të reformës zgjedhore dhe bërjen e ndryshimeve në Kushtetutë pikërisht për këtë çështje. Numrit një i Kuvendit mendon se një reformë kaq e rëndësishme nuk ka pse t’i lihet një limit i caktuar kohe që lidhet deri me zgjedhjen e presidentit.Por propozimi i Topallit jo vetëm që është kundër deklaratës së berishës po pritet të hasë kundërshtime të ashpra nga opozitës e cila e konsideron reformën si çështjen me emergjente që politika duhet të nisë.
Reforma
Reforma Zgjedhore pritet të jetë debati i radhës mes mazhorancës dhe opozitës. Gjatë ditës së djeshme nënkryetarja e Partisë Demokratike, njëkohësisht dhe kryetarja e Kuvendit ka propozuar shtyrjen e tryezës për reformën zgjedhore pas zgjedhjes së presidentit. Këtë deklaratë ajo e ka bërë gjatë takimit që ka dje me delegacionin e Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, që kryesohet nga Presidenti i kësaj dhome, Herman De Croo. Si arsye për këtë deklaratë ajo ka dhënë mos premtimin e kohës për realizimin e një çështje kaq të rëndësishme. Janë vetëm dy muaj që na ndajnë nga zgjedhja e presidentit, kohë kjo që sipas kryetares së Kuvendit është e pamjaftueshme. E pyetur për ngritjen e komisionit të reformës që është propozuar nga kryetari i grupit të PD-së, Bamir Topi dhe është mbështetur nga Berisha, Topalli është shprehur se nuk është caktuar ende koha e ngritjes së këtij komisioni. “Ka një iniciativë për të ngritur komisionin e reformës zgjedhore. Se cila do të jetë kohëzgjatja e tij unë nuk jam në gjendje ta them tani. Natyrisht do të doja që të bëhej sa më shpejt, megjithëse mendoj së është më e rëndësishme që kjo reformë të jetë e matur dhe t’i qëndrojë kohës", është shprehur Topalli. Po deklarata e saj bie në kundërshtim me kreun e qeverisë i cili vetëm dy ditë më parë ka kërkuar fillimin nga puna për reformën zgjedhore. Madje ai ka bërë thirrje gjithë forcave politike që të bashkëpunojë për realizimin e reformës sipas standardeve të kërkuara nga bashkimi Evropian.
Standardet
Debati i radhës më maxhorancës dhe opozitës do jetë reforma zgjedhore. Për kryetaren e Kuvendit e nevojshme është që realizimi i reformës zgjedhore t’i plotësojë të gjithë standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian. Ndërkohë që bëri të ditur se reforma zgjedhore do ketë në dispozicion gjithë kohën e nevojshme për përfundimin e saj. Në mënyrë të veçantë ajo theksoi se për maxhorancën e rëndësishme është arritja e standardeve madje theksoi se do luftohet për të arritur një gjë të tillë. "Nëse ka nevojë për më shumë kohë se ajo që premton koha e zgjedhjes së Presidentit, unë mendoj se duhet t’i japim të gjithë kohën që duhet. Për ne është e rëndësishme që reforma zgjedhore të garantojë standardet që ne dhe vendit na duhen për prespektivën europiane. Kështu që nuk do ta përkufizoja kurrë para ose pas zgjedhjes së Presidentit", është shprehur ajo. Por vullneti më i fundit i maxhorancës duket se do hasë në debate të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës duke pasur parasysh këtu qëndrimin e kësaj të fundit që kërkon realizimin e reformës sa më shpejtë të jetë e mundur. Ndërkohë që deri tani vetëm LSI-ja është angazhuar për reformën zgjedhore duke paraqitur një platformë të sajën pavarsisht kontestimeve të ndryshme që i kanë bërë asaj.