Showing posts with label topchannel. Show all posts
Showing posts with label topchannel. Show all posts
Saturday, April 21, 2007
Familjarët e Berishës pronarë në televizion privat !
Tiranë- Familjarët e kryeministrit Berisha nuk janë vetëm pronarë firmash ndërtimi, por edhe pronarë televizionesh. Pas denoncimit të bërë nga deputetë të opozitës, se sjellja arbitrare e kreut të qeverisë ndaj mediave të lira dhe të pavarura ka për shkak pikërisht lidhjen e të afërmit të tij me pronësinë mbi televizion, Berisha nuk ka dhënë asnjë sqarim lidhur me këtë fakt.
Ndërsa vetë kunati i tij, i cili u përmend si aksioner në televizionin "Mediasat", Agim Rama është shprehur se e ka shitur përqindjen e tij të aksioneve në këtë media. Një fakt i tillë nuk është verifikuar prej tij, sidomos në deklarimin e pasurisë së bashkëshortes së Ramaj, ku nuk figuron as shitje e aksionesh dhe as zotërim i tyre, në përqindje apo në vlerë financiare. Institucioni i vetëm kompetent për dhënien e një informacioni të tillë ka kthyer përgjigje të vonuar ndaj kërkesës së bërë nga gazeta. Kushëriri, pronar në "Mediasat" Në shkresën me numër protokolli nr.371/1 Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit thotë se televizioni "mediasat" ka katër aksionerë. Mes emrave pak ose aspak të panjohur, gjendet edhe emri i kushëririt të bashkëshortes së kryeministrit. Astrit Hana figuron të ketë 20 përqind të aksioneve në pronësinë e këtij televizioni. I njëjti që ka në zotërim edhe shoqërinë e ndërtimit me emrin "M.S.A Konstruksion", i licencuar nga ministria e Punëve Publike. Shkresa e KKRT nuk tregon një kohë kur Hana është bërë pronar i aksioneve dhe as prej kujt i ka blerë po faktet janë shumë të thjeshta për t'u kuptuar. Për më tepër kur më parë është përfolur të jetë pronar në këtë televizion, pikërisht kushëriri i tij, Agim Ramaj. Pronësia brenda familjes Aksionet kanë lëvizur nga Agim Ramaj për tek Astrit Hana. Ky rezulton të jetë bërë pronari i 20 përqind të aksioneve, por kjo do të thotë në të njëjtën kohë se pronësia ka mbetur po brenda për brenda familjes. Deputetët e opozitës denoncuan faktin se kunati i kryeministrit ishte pronar tek "Mediasat", kurse Ramaj deklaroi pak ditë më pas se i kishte shitur aksionet. Në kohën kur Astrit Hana është emri në listën e pronarëve dhe njëkohësisht është kushëriri i tij, mbetet e thjeshtë për t'u kuptuar se mes cilave duar është bërë transaksioni. Nuk mund të thuhet asgjë mbi vlerën e tyre, në blerje dhe shitje, por ësthë mëse i sigurt fakti se pronësia tek televizioni privat ka mbetur brenda familjes së Berishës, ashtu si edhe licencat për ndërtim. Astrit Hana, babai i drejtoreshës së ISKSH I njohur tashmë si pronari i 20 përqind të aksioneve në televizionin "Mediasat", por edhe i shoqërisë së ndërtimit "M.S.A Konstruksion" është kushëriri i bashkëshortes së kryeministrit Berisha. Astrit Hana është njëkohësisht edhe babai i Elvana Hanës, që prej kohësh tashmë mban detyrën e drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Fakt i denoncuar nga gazeta që me emërimin e saj, por vetë kryeministri heshti duke mohuar cdo lidhje familjare me Elvana Hanën. Mesa duket pas kësaj heshtjeje, janë fshehur më shumë favore se thjesht një emërim të krye të një institucioni të rëndësishëm. Duhet përfshirë këtu edhe shoqëri ndërtimi me veprimtari në Tiranë, edhe pse në këtë rast kreu i qeverisë është plotësisht në konflikt të hapur interesi, përderisa është kryetari i entit prokurues më të madh në vend. Ndërsa pronësia në një televizion privat pa dyshim duhet t'i atribuohet të ardhurave të mjaftueshme të kushëririt, një më shumë në rradhën e familjarëve të kamur të kryeministrit Berisha. Ndryshimi në Regjistër Përgjigjia e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit i është referuar të dhënave të marra në Rregjistrin Tregëtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, sepse në të janë ndryshuar emrat e pronarëve që pas kryerjes së transaksionit. Ndërsa ndryshimi i emrave në KKRT nuk është bërë brenda kësaj kohe. Të paktën kjo del nga vetë shkresa që Këshilli Kombëtar i Radios dhe i Televizionit i drejton gazetës, në kthim të përgjigjes për informacionin e kërkuar. "Nga verifikimi i arkivës së KKRT-së si dhe në vijim të konfirmimit të kryer nga ana e KKRT-së në Rregjistrin Tregtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë...". Në letrat e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit mund të figurojë akoma emri i Agim Ramaj si pronar tek MediaSat edhe pse ky pretendon t'i ketë shitur aksionet që në prillin e një viti më parë. Për këtë arsye, ky institucion ka preferuar të përgjigjet pak më vonë, por duke iu referuar të dhënave të regjistrit. Pranë kësaj strukture, ndryshimi i emrave të pronarëve ndodh që në momentin e shitjes së aksioneve tek një person tjetër. Ndërsa ndryshimi i emrave në KKRT nuk është e thënë të ndodhë kaq shpejt. Madje ka rezultuar se për televizione që kanë ndryshuar pronarë të paktën dy vjet më parë, në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit kanë figuruar të njëjtët emra pronarësh. Në këtë rast, nuk ka pse të përjashtohet edhe televizioni "Mediasat" dhe emri i Agim Ramaj në listën e aksionerëve të tij. Para se këto të fundit të kalonin tek kushëriri i tij, për të mbetur sërish brenda familjes. Berisha fsheh familjaret pronare Tiranë- Duke nisur që nga zaptimi i ambienteve të Kinostudios dhe deri tek deklarimi më i fundit i vetë Agim Ramaj, sipas të cilit ka shitur aksionet në televizion dhe megjithatë është futur me forcë në ambientet ku ndodhet pikërisht ky televizion. Sipas të dhënave, vetëm investimi në aparatura që po vazhdon të futet në Kinostudio kap shifrën e 3 milionë dollarëve, për të cilat as kunati dhe as kryeministri "transparent" nuk kanë deklaruar se ku dhe si janë gjetur. Berisha i zbatimit të ligjit ka lejuar dhe po lejon akoma që kunati i tij të mbajë me forcë ambientet e një prone publike, kundrejt asnjë lloj qeraje dhe pagese. Thjesht sepse ai është i afërm i kreut të qeverisë, nuk duhet t'i paguajë asgjë shtetit, përvec se të marrë prej tij aq sa i ofron Berisha në shfrytëzim të hapur të postit të tij. Agim Ramaj i lejon vetes të mashtrojë jo vetëm institucionin ku mbart detyrimin të deklarojë pasurinë e tij, në të cilin është e qartë se ka mashtruar, por gjithë opinionin publik ashtu si edhe vetë kryeministri. Rasti i kunatit është shembulli më i mirë se si Berisha dhe familja e tij po zapton dhe rrëmben cfarë të mundë. Të paktën dy prej familjarëve të tij janë pronarë jo vetëm në ndërtim, por edhe në media. Por kryeministri është përpjekur me të gjitha mënyrat për ta fshehur një fakt të tillë, që nuk është shumë në harmoni me fjalimet e tij të fundit për vaska të florinjta dhe të varfër që nuk duhet të jenë më të tillë, sepse qeveria ka për t'i ndihmuar. Thjesht dhe vetëm teori sepse praktika është krejt e ndryshme. Ramaj,me dhunë në Kinostudio Tiranë- Që pas 3 Korrikut 2005 nuk rezulton asnjë shpallje e vetme për tender të ambienteve të Kinostudios, si mënyra e vetme ligjore për të shitur një pronë publike. Megjithatë, kunati i kryeministrit Berisha është bërë pronar i një sipërfaqeje të konsiderueshme brenda këtyre ambienteve. Burime të sigurta kanë pohuar se ai ka hyrë forcërisht në Kinostudio por nuk është lëvizur më pas që aty, për shkak të lidhjes familjare me kreun e qeverisë. Prej muajsh, Agim Ramaj ka hyrë në ambientet e Kinostudios, thjesht duke hapur dyert. Nuk ka asnjë kontratë qeraje dhe asnjë detyrim të tij për të paguar qoftë edhe me tarifa të ulta. Nuk ka asnjë dyshim se vetë Berisha është në dijeni të këtij fakti por nuk ka marrë asnjë lloj mase për të nxjerrë prej Kinostudios kunatin e tij. Një gjë e tillë nuk kishte si të ndodhte nëse më parë, Agim Ramaj nuk do të merrte lejen e kryeministrit. As njëri dhe as tjetri nuk kanë parë të arsyeshme të firmosin letra dhe kontrata për detyrime financiare ndaj shtetit. Madje në bazë të ligjit, një pronë publike duhet të jepej për shfrytëzim vetëm përmes një ankandi. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë. Për më tepër nuk është bërë kurrë një njoftim për ankand, prej të cilit me siguri që do të dilte fitues pikërisht kunati i kryeministrit. Ky i fundit ka shmangur cdo procedurë zyrtare, në bashkëpunim me Berishën. Bashkë me procedurën ka shmangur edhe detyrimet financiare ndaj shtetit për shfrytëzimin e një prone publike sic është Kinostudioja. Ndërkohë që kryeministri bërtet për evazion dhe korrupsion, vetë kunati i tij i lejon vetes edhe zaptimin e pronave publike kundrejt asnjë lloj pagese. Thjesht zaptimin e tyre. Sërish me lejen dhe bekimin e Berishës, ky veprim është fshehur në vazhdim.
Saturday, April 14, 2007
100 mijë herë mjaft Berishës
"Me mire nje fund i tmerrshem se nje tmerr pa fund"
Manifestim madhështor në Tiranë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kontrolleve arbitrare ndaj Top Medias. Përmes "Digitalb" ndiqet në të gjithë Evropën e SHBA
Shqiptarët kanë zhvilluar mbrëmë protestën më të madhe e më shembullore në Sheshin "Skënderbej" të kryeqytetit. Të bashkuar në atë miting madhështor, i cili ishte më i madhi i realizuar deri tani në Shqipëri ishin më shumë se kurrë plot 100 mijë qytetarë. I organizuar nga shoqëria civile dhe mediat, ai tregoi fuqinë e madhe të qytetarisë. Të gjithë njëzëri me duart lart i thanë qeverisë stop akuzave pa fakte dhe mjaft goditjes së mediave. Të mbledhur nga ora 19:00 dhe deri vonë kur mbaroi protesta duke festuar, qytetarët janë shprehur larg sloganeve politike kundër dhunës ndaj fjalës së lirë, që është iniciuar nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Ndryshe nga protestat e zhvilluara për 17 vjet në Shqipëri, ishte hera e parë që iu tha STOP sulmit të qeverisë ndaj medias së pavarur, të lirë dhe kritike nën atmosferën e një rok-proteste. Mungonin flamujt e partive politike, munguan sharjet, të bërtiturat, ngacmimet e jetës private të ndonjë politikani, madje edhe deklaratat në skenë të politikanëve. Tre veprimtarët e shoqërisë civile, Mustafa Nano, Andrea Stefani dhe kreu i lëvizjes "Mjaft!", Erion Veliaj kanë qenë të vetmit, të cilët vetëm për disa minuta, pa fjalime të gjata dhe lodhëse për publikun, kanë bërë edhe turmën në sheshin "Skënderbej" të thërrasë njëzëri MJAFT ndaj sulmit të mediave. Njëzëri turma e mbledhur në sheshin madhështor të metropolit shqiptar i ka thënë "mjaft" akuzave pa fakte të kreut të qeverisë. "Ka ardhur koha të shpallemi të gjithë opozitarë ndaj regjimit më të shpifur të Evropës", tha Nano, duke injoruar përmendjen e emrit të Kryeministrit Berisha, ku gjatë fjalës së tij ai përmendi vetëm "ai" me gishtin drejtuar nga Kryeministria.
Pas disa vitesh, pasardhësit tanë do të shikojnë arkivat dhe do të zbulojnë se Shqipëria është qeverisur në fund të shek XX dhe në fillim të shekullit XXI nga një njeri që vetëm ka bërtitur në sheshe, në mbledhje, në Parlament etj., dhe ata do të pyesin: "Si është e mundur që paraardhësit tanë kanë rënë dakord të qeverisen nga një njeri i tillë?. Të dashur miq! Merret vesh se në 3 korrik ne kemi bërë një gabim, dhe një zgjedhje që historia nuk do na i falë: rizgjodhëm me votën e lirë, bolshevikun stalinist të vetëm në Evropë, rizgjodhëm me votën tonë të lirë një njeri që me votën e lirë nuk ikën nga pushteti. Ka ardhur koha të shpallemi opozitarë dhe ta rrëzojmë po me votë të lirë, se nuk e meriton të jetë qiraxhiu i pallatit kryeministror". Po kaq të ashpër ishin gjatë argumentimeve të tyre edhe pjesëmarrësit e tjerë që mbajtën fjalime në këtë manifestim. "Eshtë e vështirë të konkurrosh me fjalë-këngën, megjithatë, unë do dëshiroja të shprehja këtu atë që na bashkon sot: Eshtë shqetësimi për median e lirë dhe për fjalën e lirë, askush më mirë se shqiptarët nuk e di se, pa fjalën e lirë, edhe kënga burgoset. E kemi provuar këtë gjë për më shumë se 40 vjet, ndaj dhe nuk do të lejojmë që situata të tilla të përsëriten. Jemi të shqetësuar dhe të alarmuar për kërcënimin që i bëhet lirisë në të gjitha dimensionet: lirisë së pronës, asaj të drejtësisë, lirisë së universiteteve, lirisë së shkencës dhe tani lirisë së të gjitha lirive: lirisë së fjalës.
E kërcënon këtë liri autoritarizmi që në strategjitë qeverisëse, të tejmbushura me kalvare fiskale mbi median. Po hartohen ligje të këqija, që mbi të gjitha duan të nxjerrin jashtë loje median.
Fakti që ju jeni këtu, është shprehje e alarmit, por dhe mrekullia e demokracisë! Nuk jemi ne që ju tregojmë teori, por jeni ju ata që na jepni mbështetje ne gazetarëve për të mbrojtur lirinë e fjalës". "Vetëm mbi të vërtetën, e cila përfaqësohet nga media", tha më tej Stefani, "mund të themelohet demokracia. Berisha kërkon të shmangë drejtësinë. Por ne, nga presioni do të vijmë në këtë shesh që është mëmëdheu i lirisë dhe fjalës së lirë, një shesh që politikanët e kanë përdorur për të thirrur e bërtitur, por më tej kanë bërë të kundërtën e asaj që kanë thënë këtu". Erion Veliaj, drejtues i Lëvizjes MJAFT, iu drejtua qytetarëve të pranishëm në shesh, dhe miliona të tjerëve që e ndoqën këtë manifestim nga ekranet e televizioneve, me fjalët "Imagjinoni një Shqipëri pa fjalën e lirë, imagjinoni një vend ku mijëra vetë humbasin vendet e punës, por nuk ka media që ta denoncojë këtë gjë, imagjinoni një vend ku bizneset falimentojnë e ku kompanitë më të mëdha largohen nga sytë këmbët, imagjinojeni atë vend pa një media të lirë, ku të transmetoheshin këto halle". Kjo ishte koncert-protesta e paralajmëruar që Lëvizja MJAFT së bashku me median e lirë në vend, organizuan menjëherë pasi qeveria e drejtuar nga Berisha nisi disa sulme selektive dhe të cilësuara si tejet të rrezikshme, ndaj institucioneve të pavarura mediatike në vend".
Protesta-koncert ndiqet nëpërmjet Digitalb në SHBA dhe Evropë
Organizatorët e koncertit madhështor të bërë në sheshin "Skënderbej" kishin menduar të ideonin në mënyrën më perfekte mënyrën e realizimit të tij, duke filluar nga skeleti i programit dhe deri te transmetimi i tij edhe në diasporë. Shqiptarët të cilët nuk kanë mundur dot të vinin në Shqipëri, kanë ndjekur LIVE nëpërmjet paketës Digitalb në kanalin "Top News rok" protestën, ku merrnin pjesë emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Mesazhe të pafund nga njerëzit që jetojnë jashtë Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë Evropës kanë ardhur në mbështetje të kësaj proteste. Koncerti-protestë është transmetuar i plotë nga "Top News", i cili bën pjesë në paketën Digitalb, të cilën disa ditë më parë, qeveria u përpoq ta sekuestronte, por që, fatmirësisht, nuk ia arriti dot këtij qëllimi. Koncerti-protestë është dhënë drejtpërdrejt edhe nga shumë televizione të tjera në mbështetje të fjalës së lirë. Krahas këtij fakti, e veçanta tjetër është se për herë të parë politikanët shqiptarë u bën njësh me turmën, duke lënë poltronin e skenës dhe duke qenë bashkëspektatorë të protestës madhështore. Politika shqiptare proteston njësoj me qytetarët. Ndryshe nga herët e tjera, ku ata zinin vendin e nderit dhe mbanin rolin kryesor gjatë një proteste, këtë herë politika bashkohet me qytetarët në rresht. Pesë liderët e opozitës, Edi Rama, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Neritan Ceka kanë qenë të pranishëm në mes të turmës, duke ngritur duart për t‘u thënë stop akuzave pa fakte të kreut të ekzekutivit. Deputeti socialist, Kastriot Islami, i pranishëm në këtë protestë, tha se media e biznesi janë të kërcënuara nga shteti, po kjo betejë qoftë nga mediat, qoftë nga qytetarët është e fituar. Ndërsa deputeti i PS-së, Petro Koçi, tha se pjesëmarrja e madhe në këtë shesh është solidaritet i madh për fjalën e lirë dhe kundër ndaj politikave të qeverisë. Protesta u organizua nga media dhe shoqëria civile për t`i thënë stop presionit të Kryeministrit Berisha ndaj mediave kritike ndaj pasqyrimit të aktiviteteve të qeverisë.
Wednesday, April 4, 2007
Berisha i ndërsen tatimet Top Medias
Tatimorët paralajmërojnë të tjera sulme ndaj Top Channel. Pranojnë se kanë shkelur ligjin. Kamerat dhe deputetët e Kuvendit i detyrojnë të zmbrapsen
Berisha i ndërsen tatimet Top Medias
Pas katër muajsh kontrollesh dhe presionesh, dje dështoi urdhër-sekuestro ndaj "Digitalb"
Tjetër sulm i tatimorëve ndaj "Top Medias". Pas kontrolleve të shumta në "Top Channel", Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kërkuar të kontrollojë dje, brenda pak orësh dhe në mënyrë të
paligjshme, kompaninë e njohur mediatike, duke filluar një sulm
tjetër të paprecedent ndaj mediave në vend. Mëngjesin e së martës, një grup policësh tatimorë kanë hyrë në ambientet e kompanisë "Digitalb" për ta kontrolluar përsëri atë, jashtë çdo kuadri ligjor, pasi tatimorët kishin ushtruar më parë një kontroll tjetër, por në kundërshtim me ligjin, nuk nxorën për tri muaj asnjë relacion lidhur me të. Tatimorët nuk arritën të gjenin asnjë parregullsi gjatë kontrollit në fjalë. Dje, në mëngjes, policët tatimorë janë paraqitur në mjediset e "Digitalb", për t‘u rikthyer
përsëri pas më pak se dy orësh. Kësaj radhe, me forca më të shumta dhe të shoqëruar nga policia e rendit. Kontrolli i tyre i përsëritur është konsideruar i jashtëligjshëm nga drejtuesit e kompanisë "Digitalb". "Në këtë kontroll ka shkelje të përsëritura të ligjit. Ne i kemi paraqitur sot (djeshënimi i redaktorit) Kryeministrit
dhe ministrit të Financave ankesat tona për shkelje procedurash
dhe për këtë do të ngremë padi penale ndaj drejtorit të Tatimeve",
tha drejtori i "DigitAlb", Alban Jaho. Ai u ka bërë të qartë tatimorëve gatishmërinë për t‘u dhënë të gjithë dokumentacionin
e kërkuar, megjithëse u ishte dhënë atyre disa herë.
Nga ana tjetër, vetëm pak minuta më vonë, Ministria e Financave
kishte lajmëruar mediat se kompania "Digitalb" do të sekuestrohej.
Për afro një orë, forca të shumta tatimore kanë qëndruar
përballë zyrave të kësaj kompanie, në pritje të urdhrave të rinj. Tatimorët kanë komunikuar herë pas here në telefon me drejtuesit e tyre, derisa kanë hyrë brenda mjediseve të "Digitalb". Rruga midis kompanisë dhe godinës së Radio Televizionit Shqiptar, u bllokua nga forca të shumta të policisë së Rendit dhe grupe të gatshme, që po përgatisnin hyrjen me forcë në zyrat e "Digitalb", kompania që ka si klientë të saj mbi 350 mijë familje
shqiptare. Por prania e mediave të shumta dhe e deputetëve të
Parlamentit shqiptar ka ndërruar kursin e tatimorëve. Përballë
pranisë së deputetëve Spartak Ngjela, Pandeli Majko, Ben
Blushi, Petrit Vasili, Sokol Dervishi etj., njeriu që udhëhiqte grupin e
tatimorëve deklaroi se ishin të papërgatitur për kontrollin dhe se,
kërkonte vetëm dokumentacionin e kësaj kompanie të fotokopjuar, edhe pse prezenca e tij brenda ambienteve u pranua edhe nga vetë ai që ishte e jashtëligjshme. Përkundër pretendimeve të ministrit të Financave, Ridvan Bode, se kompania po bllokon punën e kontrollorëve, dokumentacioni i është vënë në
dispozicion grupit të tatimorëve nga drejtuesit e "Digitalb".
Zyrtarët shkelin ligjet: Na kanë urdhëruar të vijmë
Deputetë të Kuvendit shqiptar në mbrojtje të lirisë së medias
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve
ka kërkuar të kontrollojë gjatë së
ditës së djeshme, brenda pak orësh,
në mënyrë të paligjshme kompaninë
"Top Media", duke nisur një sulm të paprecedent
ndaj mediave. Mëngjesin e së martës, një grup
tatimorësh kanë hyrë në ambientet e "Digitalb"
për të rikontrolluar këtë kompani jashtë çdo
kuadri ligjor, pasi tatimorët kishin kryer një kontroll
më parë, por në kundërshtim me ligjin nuk
kishin nxjerrë për tre muaj asnjë relacion lidhur
me të, pasi nuk kishin arritur të gjenin asnjë parregullsi.
Duke debatuar me përfaqësuesit e
Drejtorisë së Tatimeve, drejtori i "Digitalb", Alban
Jaho, është shprehur: "Ky është lajmërimi i
tretë që vjen brenda tre muajve. Në këtë seri kontrollesh
vihet re një parregullsi apo shkelje e
përsëritur. Mua më vjen keq që ju z. Latif jeni një
auditues i Ministrisë së Financave dhe ju e dini
shumë mirë që ju nuk duhet të jeni këtu. Ky është
një konflikt interesi dhe më vjen keq që ju keni
ardhur për së dyti në një nga kompanitë e ‘Top
Medias‘...
Procedurat janë të tilla, ka tre elemente kontrolli.
Ka mosnjohje të raporteve të kontrollit të
firmosura nga organet tatimore. Ka mosnjohje
të raporteve të kontrollit në dy vjet e gjysmë të
aktivitetit të "Digitalb"-it dy raporte kontrolli të
firmosura të dyja të mos njihen. Ka një program
kontrolli, i cili për mua është i paparë, nuk është
ky standardi që ju përdorni, sepse ne i njohim
standardet tuaja. Ka një ankesë tonën drejtuar
Drejtorisë së Përgjithshëm të Tatimeve që më 25
janar, e cila në bazë të ligjit duhej të na përgjigjej
brenda 30 ditëve, e cila nuk ka reaguar. Pra, ka
një raport kontrolli të miratuar nga organet tatimore
pa nxjerrë motiv vlerësimi tatimor, mirë apo
keq, organi tatimor është i detyruar ta pranojë.
Në këtë kuadër, ne i kemi paraqitur sot Kryeministrit,
ministrit të Financave, Bode dhe kryetarit
të degës tatimore ankesën tonë ligjore për shkelje
procedurash. Avokatët tanë do të hapin një
padi penale nesër ndaj drejtorit të Përgjithshëm
të Tatimeve, i cili ka lejuar që të përsëriten shkeljet
e ligjore, jo të iniciohen, por të përsëriten. Ka
një heshtje të tatimorëve me drejtorin e
Përgjithshëm prej tre muajsh. Unë ankohem, ai
është i detyruar të përgjigjet. Dhe pa u përgjigjur,
ai vazhdon të nxjerri lajmërime".
Vetëm pak minuta më vonë, Ministria e Financave
ka lajmëruar mediat e tjera, se kompania
"Digitalb" do të sekuestrohej. Përreth një orë,
forca të shumta tatimore kanë qëndruar përballë
zyrave të kësaj kompanie, në pritje të urdhrave
të reja. Rruga është bllokuar nga forca të shumta
të rendit dhe grupe të tjera të gatshme, të cilët
po përgatisnin futjen me forcë në zyrat e "Digitalb"
klientë të së cilës janë mbi 350 mijë familje
shqiptare.
Por, prania e mediave të shumta, si edhe e
deputetëve të parlamentit ka ndërruar kursin e
tatimorëve. Përballë pranisë së parlamentarëve
nga të gjitha krahët, njeriu që i udhëhiqte ata
deklaroi se ishin të papërgatitur për kontrollin
dhe se kërkonte vetëm dokumentacionin e kësaj
kompanie të fotokopjuar, edhe pse prania e tij
brenda ambienteve u pranua që ishte e jashtëligjshme.
Alban Jaho, drejtori i "Digitalb", deklaroi se "ju
kemi dërguar ankesa dhe nuk kemi marrë ende
përgjigje. Janë tre lajmërime kontrolli për tre
muaj. Kam një raport kontrolli të firmosur nga ju,
i cili nuk do të pranohet. Me ligj jeni të detyruar
që një raport kontrolli të firmosur nga organi tatimor
ta njihni. Ju nuk shpreheni akoma për atë,
lëshoni një tjetër lajmërim kontrolli në mars dhe
vazhdoni një lajmërim kontrolli dje, tani vazhdoni
dhe kërkoni fotokopje dokumentacioni.
Unë nuk e kuptoj se çfarë kuptimi ka kjo? Kanë
kaluar tre muaj e gjysmë, nuk keni shprehur një
vlerësim tatimor. Çfarë ndodh? Unë janë
ankimuar dy herë dhe po pres përgjigjen e tatimorëve,
pasi drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve
nuk është përgjigjur fare. Sot kam bërë një tjetër
ankimim". Ndërkaq, deputeti i PD, Spartak Ngjela,
i drejtohet përfaqësuesit të auditimit të Ministrisë
së Financave, duke deklaruar se "urdhri i
paligjshëm nuk zbatohet se e mban ti
përgjegjësinë. Përderisa jam këtu, për diçka
kam ardhur. Mua më thanë se do të vinit sekuestro
dhe sekuestro është e paligjshme. Nuk paska
sekuestro. Unë mendoj se të gjithë konfliktet
që keni me njëri-tjetrin t‘i zgjidhni në gjykatë".
Përkundër pretendimeve të ministrit të Financave
se kompania po bllokon punën e kontrollorëve,
dokumentacioni i është vënë në dispozicion
grupit të tatimorëve nga drejtuesit e "Digitalb",
edhe pse në mënyrë arbitrare kanë ndërruar
motivin e kontrolleve të tyre, kontrolle të
cilat gjithnjë e më shumë po humbin karakterin
tatimor dhe po marrin karakter politik, nga një
qeveri, e cila si në vitet ‘92-‘97 i futet sërish një
beteje me mediat megjithëse e di se si do të përfundojë
ajo. Pas incidenteve në "Digitalb", inspektorët
e tatimeve janë paraqitur në zyrat e
"Top Channel", duke dorëzuar një kërkesë për
një tjetër kontroll edhe aty në një kohë kur kontrollet
e mëparshme nuk kishin rezultuar me
probleme.
Prej disa muajsh, "Top Media" është vënë në
shënjestër të Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë
së Përgjithshme të Tatimeve, të cilat po
ushtrojnë kontrolle të njëpasnjëshme, në përpjekje
për të kapur shkelje dhe parregullsi, të
cilat deri tani nuk kanë mundur t‘i gjejnë.
Tatimorët, debate me shefin: Pse na merr në qafë
Ishte një moment që zgjati vetëm pak sekonda, por që tregoi qartë thelbin e kontrolleve që po ushtrohen nga tatimorët ndaj "Top Medias". Këtë e ka zbuluar krejt pa dashje pikërisht personi që udhëhiqte grupin e policëve tatimorë. Teksa e kuptoi se si auditues, prania e tij në mjediset e një kompanie private ishte e jashtëligjshme, ai u tërhoq në pak minuta nga kontrolli. Por kur po dilte nga zyra e drejtorit të "Digitalb", një nga kontrollorët, pa uniformë, por me kostum kadifeje, e pyeti: Po tani çdo të bëjmë? Vazhdoni procedurën, iu përgjigj ai, duke u munduar të fshehë hipokrizinë e përgjigjes që sapo dha. "Si, procedurën...",
tha ai që kishte pyetur, për të shprehur dufin me pak fjalë: "O
shef, po pse na merrni në qafë, sillini këtu ata që duhen, jo ne".
Subscribe to:
Posts (Atom)