Showing posts with label edirama. Show all posts
Showing posts with label edirama. Show all posts

Monday, April 16, 2007

Taksa e sheshtë e Berishës, sjell varfëri

Tiranë- Me siguri që taksa e sheshtë në pagën e kryeministrit nuk do të ketë efekt negativ përvec se heqjes së vetëm 10% të saj. Por për rrogat e tjera, nga minimale deri tek ato mesatare ky efekt do të jetë shumë herë më i ndjeshëm. Ndonëse qeveria ka deklaruar më së fundi vullnetin për të rritur pagat minimale, kjo në të vërtetë nuk do të jetë aspak një rritje për arsyen e thjeshtë se tatimi rritet në një vlerë prej 10 përqind për të gjitha pagat. Duke tatuar njësoj, me 10% edhe pagat e larta por edhe ato të ulta, kryeministri pretendon se po aplikon taksën e sheshtë. Në fakt kjo taksë nuk është vecse taksa e varfërimit. Taksimi me 10% i një page prej 20 mijë lekësh të reja është shumë, ndërsa nuk është efekt i njëjtë në pagën prej 2 milionë lekësh të vjetra të pagës së kryeministrit. Megjithatë, qeveria ka deklaruar gjithë vullnetin të nisë aplikimin e kësaj takse në të ardhurat. Kjo duket sepse deputetët e partisë në pushtet, duke dëgjuar fjalimet direktiva të kreut të qeverisë i shkojnë nga pas me projektligje të tipit të paraqitur nga Blerim Cela dhe Aleksandër Biberaj për vendosjen e taksës së sheshtë edhe në sektorin e ndërtimit. Në prezantim të parë me qëllimin për të shmangur abuzimet që bëhen në këtë sektor, por e thënë hapur edhe për të aplikuar taksën e varfërisë, efektet e të cilës do të ndihen shumë më tepër në familjet me të ardhura të pakta por edhe në ato me të ardhura të mesme.

Relacioni:Ndryshimi,per aplikim te takses se sheshte

Tiranë- Propozimi i bërë nga dy deputetët demokratë për ndryshimin e taksës së kalimit të pronësisë bëhet në kuadër të zbatimit të taksës së sheshtë. Kjo lexohet qartë në relacionin që i është bashkangjitur projektligjit, të kaluar në mënyrën më të fshehtë në komisionin e Ekonomisë edhe më parë varianti nuk është parë dhe nuk ka marrë mendimin e qeverisë. Ky duhet të ishte mëse i domosdoshëm për faktin e thjeshtë dhe të vetëm se ndryshimi i taksës së kalimit të pronësisë ka efekte të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit. Megjithatë projektligji është tashmë gati për t'i kaluar seancës parlamentare. "Në kuadrin e implementimit të parimit të taksës së sheshtë, është parashikuar qe edhe tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme të barazohet me tarifën e tatimit mbi të ardhurat e tjera personale që taksohen me 10 përqind sikurse janë tatimi mbi interesat, dividentët, qeratë, të drejtat e autorit etj". Në relacionin e projektligjit, dy deputetët që kanë marrë përsipër propozimin e ndryshimit të taksës së kalimit të pronësisë, "betohen" se kjo bëhet në zbatim të vendimit të qeverisë për aplikimin e kësaj takse të sheshtë. Kjo sipas tyre do të sjellë shmangien e abuzimeve në sektorin e ndërtimit, "njohja si shpenzime të zbritshme të biznesit e vlerës së sipërfaqes së truallit që përdor shoqëria dhe taksimi konform ligjit edhe i asaj pjese të sipërfaqes që përfitohet nga pronarët e truallit". Në këtë pikë konsistonte edhe fjalimi i pak kohëve më parë të kryeministrit Berisha, për të justifikuar aplikimin e taksës së sheshtë edhe në këtë sektor, me siguri jo si një mënyrë për të shmanguar abuzimet, ashtu sic thuhet.

Projektligji - trajtim selektiv Qeverisë

Tiranë- Ka mjaftuar një fjalim i kryeministrit Berisha, që deputetët e tij të vihen në lëvizje për të hartuar një projektligj. Ky është shpjegimi i vetëm për ndryshimet që kërkohen të bëhen në taksën e kalimit të pronësisë. Jo më larg se 28 Marsi i këtij viti, kreu i qeverisë ka deklaruar se ndërtimi është një prej sektorëvë më informalë në vend, duke paralajmëruar masat që do të vinin më pas. "Lufta kundër kontrabandës është vetëm një aspekt i kësaj lufte që duhet të zhvillohet në çdo sektor. Ky vit është përcaktues i suksesit të qeverisë në luftën kundër informalitetit Ka informalitet në sektorë kryesore të ekonomisë. Informaliteti është i pranishëm në sektorin e ndërtimeve. Ka ndërtues, të cilët e blejnë tokën me 1 milionë $ sipërfaqen dhe mbushin dokumenta fallco sikur e kanë blerë me 40 mijë $ dhe këtë e bën për ti shpëtuar tatimeve të pronarit që u shiti tokën, duke mos folur pastaj për shitjet që kapin shifrën 1000 apo 1500 euro për metër katror, duke plotësuar dokumenta sikur shiten me 500 apo 600 euro për metër katror. Ky fenomen nuk është në shumicë, por mund të ndodhë në të ardhmen, duke dëmtuar ndërtuesit e ndershëm". Pas kësaj, vjen nisma e dy deputetëve të maxhorancës që kërkojnë të vënë kontrollin mbi këtë sektor, duke filluar nga taksa që paguan pronari i tokës kur ia jep një firme ndërtimi. Madje vetë qeveria do të vendosë edhe cmimet. Të paktën këtë tenton të bëjë projektligji, duke cuar të tjera kompetenca dhe njëherësh edhe para në duart e qeverisë. Llogaritjet do të jenë në dorë të saj, me vendosjen e cmimeve dhe kjo do të thotë trajtim selektiv për një pjesë të bizneseve të ndërtimit.

Saturday, April 14, 2007

100 mijë herë mjaft Berishës

"Me mire nje fund i tmerrshem se nje tmerr pa fund"


Manifestim madhështor në Tiranë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kontrolleve arbitrare ndaj Top Medias. Përmes "Digitalb" ndiqet në të gjithë Evropën e SHBA
Rock-protesta në sheshin "Skënderbej" mbledh më shumë njerëz se mitingjet e politikës


Shqiptarët kanë zhvilluar mbrëmë protestën më të madhe e më shembullore në Sheshin "Skënderbej" të kryeqytetit. Të bashkuar në atë miting madhështor, i cili ishte më i madhi i realizuar deri tani në Shqipëri ishin më shumë se kurrë plot 100 mijë qytetarë. I organizuar nga shoqëria civile dhe mediat, ai tregoi fuqinë e madhe të qytetarisë. Të gjithë njëzëri me duart lart i thanë qeverisë stop akuzave pa fakte dhe mjaft goditjes së mediave. Të mbledhur nga ora 19:00 dhe deri vonë kur mbaroi protesta duke festuar, qytetarët janë shprehur larg sloganeve politike kundër dhunës ndaj fjalës së lirë, që është iniciuar nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Ndryshe nga protestat e zhvilluara për 17 vjet në Shqipëri, ishte hera e parë që iu tha STOP sulmit të qeverisë ndaj medias së pavarur, të lirë dhe kritike nën atmosferën e një rok-proteste. Mungonin flamujt e partive politike, munguan sharjet, të bërtiturat, ngacmimet e jetës private të ndonjë politikani, madje edhe deklaratat në skenë të politikanëve. Tre veprimtarët e shoqërisë civile, Mustafa Nano, Andrea Stefani dhe kreu i lëvizjes "Mjaft!", Erion Veliaj kanë qenë të vetmit, të cilët vetëm për disa minuta, pa fjalime të gjata dhe lodhëse për publikun, kanë bërë edhe turmën në sheshin "Skënderbej" të thërrasë njëzëri MJAFT ndaj sulmit të mediave. Njëzëri turma e mbledhur në sheshin madhështor të metropolit shqiptar i ka thënë "mjaft" akuzave pa fakte të kreut të qeverisë. "Ka ardhur koha të shpallemi të gjithë opozitarë ndaj regjimit më të shpifur të Evropës", tha Nano, duke injoruar përmendjen e emrit të Kryeministrit Berisha, ku gjatë fjalës së tij ai përmendi vetëm "ai" me gishtin drejtuar nga Kryeministria.

Pas disa vitesh, pasardhësit tanë do të shikojnë arkivat dhe do të zbulojnë se Shqipëria është qeverisur në fund të shek XX dhe në fillim të shekullit XXI nga një njeri që vetëm ka bërtitur në sheshe, në mbledhje, në Parlament etj., dhe ata do të pyesin: "Si është e mundur që paraardhësit tanë kanë rënë dakord të qeverisen nga një njeri i tillë?. Të dashur miq! Merret vesh se në 3 korrik ne kemi bërë një gabim, dhe një zgjedhje që historia nuk do na i falë: rizgjodhëm me votën e lirë, bolshevikun stalinist të vetëm në Evropë, rizgjodhëm me votën tonë të lirë një njeri që me votën e lirë nuk ikën nga pushteti. Ka ardhur koha të shpallemi opozitarë dhe ta rrëzojmë po me votë të lirë, se nuk e meriton të jetë qiraxhiu i pallatit kryeministror". Po kaq të ashpër ishin gjatë argumentimeve të tyre edhe pjesëmarrësit e tjerë që mbajtën fjalime në këtë manifestim. "Eshtë e vështirë të konkurrosh me fjalë-këngën, megjithatë, unë do dëshiroja të shprehja këtu atë që na bashkon sot: Eshtë shqetësimi për median e lirë dhe për fjalën e lirë, askush më mirë se shqiptarët nuk e di se, pa fjalën e lirë, edhe kënga burgoset. E kemi provuar këtë gjë për më shumë se 40 vjet, ndaj dhe nuk do të lejojmë që situata të tilla të përsëriten. Jemi të shqetësuar dhe të alarmuar për kërcënimin që i bëhet lirisë në të gjitha dimensionet: lirisë së pronës, asaj të drejtësisë, lirisë së universiteteve, lirisë së shkencës dhe tani lirisë së të gjitha lirive: lirisë së fjalës.

E kërcënon këtë liri autoritarizmi që në strategjitë qeverisëse, të tejmbushura me kalvare fiskale mbi median. Po hartohen ligje të këqija, që mbi të gjitha duan të nxjerrin jashtë loje median.

Fakti që ju jeni këtu, është shprehje e alarmit, por dhe mrekullia e demokracisë! Nuk jemi ne që ju tregojmë teori, por jeni ju ata që na jepni mbështetje ne gazetarëve për të mbrojtur lirinë e fjalës". "Vetëm mbi të vërtetën, e cila përfaqësohet nga media", tha më tej Stefani, "mund të themelohet demokracia. Berisha kërkon të shmangë drejtësinë. Por ne, nga presioni do të vijmë në këtë shesh që është mëmëdheu i lirisë dhe fjalës së lirë, një shesh që politikanët e kanë përdorur për të thirrur e bërtitur, por më tej kanë bërë të kundërtën e asaj që kanë thënë këtu". Erion Veliaj, drejtues i Lëvizjes MJAFT, iu drejtua qytetarëve të pranishëm në shesh, dhe miliona të tjerëve që e ndoqën këtë manifestim nga ekranet e televizioneve, me fjalët "Imagjinoni një Shqipëri pa fjalën e lirë, imagjinoni një vend ku mijëra vetë humbasin vendet e punës, por nuk ka media që ta denoncojë këtë gjë, imagjinoni një vend ku bizneset falimentojnë e ku kompanitë më të mëdha largohen nga sytë këmbët, imagjinojeni atë vend pa një media të lirë, ku të transmetoheshin këto halle". Kjo ishte koncert-protesta e paralajmëruar që Lëvizja MJAFT së bashku me median e lirë në vend, organizuan menjëherë pasi qeveria e drejtuar nga Berisha nisi disa sulme selektive dhe të cilësuara si tejet të rrezikshme, ndaj institucioneve të pavarura mediatike në vend".

Protesta-koncert ndiqet nëpërmjet Digitalb në SHBA dhe Evropë


Organizatorët e koncertit madhështor të bërë në sheshin "Skënderbej" kishin menduar të ideonin në mënyrën më perfekte mënyrën e realizimit të tij, duke filluar nga skeleti i programit dhe deri te transmetimi i tij edhe në diasporë. Shqiptarët të cilët nuk kanë mundur dot të vinin në Shqipëri, kanë ndjekur LIVE nëpërmjet paketës Digitalb në kanalin "Top News rok" protestën, ku merrnin pjesë emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Mesazhe të pafund nga njerëzit që jetojnë jashtë Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë Evropës kanë ardhur në mbështetje të kësaj proteste. Koncerti-protestë është transmetuar i plotë nga "Top News", i cili bën pjesë në paketën Digitalb, të cilën disa ditë më parë, qeveria u përpoq ta sekuestronte, por që, fatmirësisht, nuk ia arriti dot këtij qëllimi. Koncerti-protestë është dhënë drejtpërdrejt edhe nga shumë televizione të tjera në mbështetje të fjalës së lirë. Krahas këtij fakti, e veçanta tjetër është se për herë të parë politikanët shqiptarë u bën njësh me turmën, duke lënë poltronin e skenës dhe duke qenë bashkëspektatorë të protestës madhështore. Politika shqiptare proteston njësoj me qytetarët. Ndryshe nga herët e tjera, ku ata zinin vendin e nderit dhe mbanin rolin kryesor gjatë një proteste, këtë herë politika bashkohet me qytetarët në rresht. Pesë liderët e opozitës, Edi Rama, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Neritan Ceka kanë qenë të pranishëm në mes të turmës, duke ngritur duart për t‘u thënë stop akuzave pa fakte të kreut të ekzekutivit. Deputeti socialist, Kastriot Islami, i pranishëm në këtë protestë, tha se media e biznesi janë të kërcënuara nga shteti, po kjo betejë qoftë nga mediat, qoftë nga qytetarët është e fituar. Ndërsa deputeti i PS-së, Petro Koçi, tha se pjesëmarrja e madhe në këtë shesh është solidaritet i madh për fjalën e lirë dhe kundër ndaj politikave të qeverisë. Protesta u organizua nga media dhe shoqëria civile për t`i thënë stop presionit të Kryeministrit Berisha ndaj mediave kritike ndaj pasqyrimit të aktiviteteve të qeverisë.

Tuesday, April 3, 2007

Rama: Sulmi ndaj medias do të ndërkombëtarizohet

Kreu socialist denoncon edhe lëvizjet militanteske në Policinë e Shtetit

Çështja e sulmit të ekzekutivit ndaj medias së lirë do të shndërrohet në një çështje ndërkombëtare. Këtë premtoi dje në një komunikim me median kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai gjeti rastin të shpresë shqetësimin lidhur me deklaratat e fundit të Kryeministrit Sali Berisha. Rama u ndal më tej edhe te ndryshimet e fundit që po kryhen në Policinë e Shtetit, duke akuzuar për futjen e një frymë militanteske. Deklaratat e kryetarit të socialistëve vijnë pak ditë pas debateve të shumta që u zhvilluan në seancën e Kuvendit, ku opozita i kërkoi Kryeministrit të faktonte akuzat ndaj medias ose të heshtte.

Media

"Jemi shumë të shqetësuar për një sërë eksesesh aspak të përditshme dhe njëkohësisht alarmante për bashkëjetesën demokratike të vendit raportet midis pushteteve për raportet mes shoqërisë", nënvizoi Rama. Ai konstatoi me shqetësim edhe sulmin irracional jashtë kohe dhe vendi të Kryeministrit ndaj mediave. "Për në është e papërfytyrueshme që në vitin 2007 në një proces integrues si ai ku Shqipëria është futur, nga tribuna e qeverisë, në mënyrë të pakonceptueshme shantazhohet media", u shpreh kreu i opozitës. Ndërsa shtoi se bashkë me shantazhet mediat kërcënohen se do bombardohen me instrumentet e qeverisë. "E konsiderojmë këtë sulm ndaj medias si një hap dramatik mbrapa dhe si një përpjekje jashtëzakonisht të kritikueshme për të mbuluar ato çfarë media zbulon në sytë e të gjithë shqiptarëve që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe abuzimin", konstatoi kreu i socialistëve.

Policia

Lideri i së majtës vuri në dukje edhe ndryshimet e fundit në polici, keqtrajtimin e oficerëve të karrierës. "Transformimin sistematik të Policisë së Shtetit, në një organ ku profesionalizmi vlerësohet më pak dhe ku militantizmi vlerësohet gjithmonë e më shumë përbëjnë një hap tjetër mbrapa me pasoja të mëdha", tha Rama. Sakaq, shtoi ai, sikur të mos mjaftonin këto shfaqet edhe gropa e madhe në buxhetin e shtetit me miliarda që nuk mund të justifikohen dhe që për fat të keq gjenden edhe në faqet elektronike të qeverisë. "Investime pa kryerjen e të cilave nuk kanë asnjë justifikim që sigurojnë të kryera apo të paguara", tha ai. Rama vlerësoi se ka po ashtu pagesa të bëra, ndërkohë që volumet e punës nuk janë kryer dhe që janë bërë më dokumente të falsifikuara e kështu më radhë. "Pra sulmi ndaj medias, sulmi për zotërimin partiak të Policisë së Shtetit dhe gropa e madhe në buxhet janë rrjedhë e një qeverie që ka humbur tërësisht fokusin, ka humbur tërësisht tempin e shërbimit dhe të qytetarëve që është tërësisht i papërfillshëm", nënvizoi kreu i PS-së. Fakte këto që për socialistët përbëjnë një tjetër kambanë alarmi. PS u shpreh solidaritet të gjithë përfaqësuesve të denjë të medias moderne shqiptare të gjithë redaktorëve, kryeredaktorëve dhe gazetarëve që gjenden në linjën e parë të luftës kundër korrupsionit. Duke e konsideruar të papranueshme që Shqipëria të hyjë në listën e vendeve ku liria e fjalës dhe e shtypit është e kërcënuar, kur e drejta e qytetarëve për informacion vihet në patronazhin e qeverisë.