Showing posts with label albania. Show all posts
Showing posts with label albania. Show all posts

Saturday, April 14, 2007

100 mijë herë mjaft Berishës

"Me mire nje fund i tmerrshem se nje tmerr pa fund"


Manifestim madhështor në Tiranë, në mbrojtje të fjalës së lirë dhe kontrolleve arbitrare ndaj Top Medias. Përmes "Digitalb" ndiqet në të gjithë Evropën e SHBA
Rock-protesta në sheshin "Skënderbej" mbledh më shumë njerëz se mitingjet e politikës


Shqiptarët kanë zhvilluar mbrëmë protestën më të madhe e më shembullore në Sheshin "Skënderbej" të kryeqytetit. Të bashkuar në atë miting madhështor, i cili ishte më i madhi i realizuar deri tani në Shqipëri ishin më shumë se kurrë plot 100 mijë qytetarë. I organizuar nga shoqëria civile dhe mediat, ai tregoi fuqinë e madhe të qytetarisë. Të gjithë njëzëri me duart lart i thanë qeverisë stop akuzave pa fakte dhe mjaft goditjes së mediave. Të mbledhur nga ora 19:00 dhe deri vonë kur mbaroi protesta duke festuar, qytetarët janë shprehur larg sloganeve politike kundër dhunës ndaj fjalës së lirë, që është iniciuar nga kreu i qeverisë, Sali Berisha. Ndryshe nga protestat e zhvilluara për 17 vjet në Shqipëri, ishte hera e parë që iu tha STOP sulmit të qeverisë ndaj medias së pavarur, të lirë dhe kritike nën atmosferën e një rok-proteste. Mungonin flamujt e partive politike, munguan sharjet, të bërtiturat, ngacmimet e jetës private të ndonjë politikani, madje edhe deklaratat në skenë të politikanëve. Tre veprimtarët e shoqërisë civile, Mustafa Nano, Andrea Stefani dhe kreu i lëvizjes "Mjaft!", Erion Veliaj kanë qenë të vetmit, të cilët vetëm për disa minuta, pa fjalime të gjata dhe lodhëse për publikun, kanë bërë edhe turmën në sheshin "Skënderbej" të thërrasë njëzëri MJAFT ndaj sulmit të mediave. Njëzëri turma e mbledhur në sheshin madhështor të metropolit shqiptar i ka thënë "mjaft" akuzave pa fakte të kreut të qeverisë. "Ka ardhur koha të shpallemi të gjithë opozitarë ndaj regjimit më të shpifur të Evropës", tha Nano, duke injoruar përmendjen e emrit të Kryeministrit Berisha, ku gjatë fjalës së tij ai përmendi vetëm "ai" me gishtin drejtuar nga Kryeministria.

Pas disa vitesh, pasardhësit tanë do të shikojnë arkivat dhe do të zbulojnë se Shqipëria është qeverisur në fund të shek XX dhe në fillim të shekullit XXI nga një njeri që vetëm ka bërtitur në sheshe, në mbledhje, në Parlament etj., dhe ata do të pyesin: "Si është e mundur që paraardhësit tanë kanë rënë dakord të qeverisen nga një njeri i tillë?. Të dashur miq! Merret vesh se në 3 korrik ne kemi bërë një gabim, dhe një zgjedhje që historia nuk do na i falë: rizgjodhëm me votën e lirë, bolshevikun stalinist të vetëm në Evropë, rizgjodhëm me votën tonë të lirë një njeri që me votën e lirë nuk ikën nga pushteti. Ka ardhur koha të shpallemi opozitarë dhe ta rrëzojmë po me votë të lirë, se nuk e meriton të jetë qiraxhiu i pallatit kryeministror". Po kaq të ashpër ishin gjatë argumentimeve të tyre edhe pjesëmarrësit e tjerë që mbajtën fjalime në këtë manifestim. "Eshtë e vështirë të konkurrosh me fjalë-këngën, megjithatë, unë do dëshiroja të shprehja këtu atë që na bashkon sot: Eshtë shqetësimi për median e lirë dhe për fjalën e lirë, askush më mirë se shqiptarët nuk e di se, pa fjalën e lirë, edhe kënga burgoset. E kemi provuar këtë gjë për më shumë se 40 vjet, ndaj dhe nuk do të lejojmë që situata të tilla të përsëriten. Jemi të shqetësuar dhe të alarmuar për kërcënimin që i bëhet lirisë në të gjitha dimensionet: lirisë së pronës, asaj të drejtësisë, lirisë së universiteteve, lirisë së shkencës dhe tani lirisë së të gjitha lirive: lirisë së fjalës.

E kërcënon këtë liri autoritarizmi që në strategjitë qeverisëse, të tejmbushura me kalvare fiskale mbi median. Po hartohen ligje të këqija, që mbi të gjitha duan të nxjerrin jashtë loje median.

Fakti që ju jeni këtu, është shprehje e alarmit, por dhe mrekullia e demokracisë! Nuk jemi ne që ju tregojmë teori, por jeni ju ata që na jepni mbështetje ne gazetarëve për të mbrojtur lirinë e fjalës". "Vetëm mbi të vërtetën, e cila përfaqësohet nga media", tha më tej Stefani, "mund të themelohet demokracia. Berisha kërkon të shmangë drejtësinë. Por ne, nga presioni do të vijmë në këtë shesh që është mëmëdheu i lirisë dhe fjalës së lirë, një shesh që politikanët e kanë përdorur për të thirrur e bërtitur, por më tej kanë bërë të kundërtën e asaj që kanë thënë këtu". Erion Veliaj, drejtues i Lëvizjes MJAFT, iu drejtua qytetarëve të pranishëm në shesh, dhe miliona të tjerëve që e ndoqën këtë manifestim nga ekranet e televizioneve, me fjalët "Imagjinoni një Shqipëri pa fjalën e lirë, imagjinoni një vend ku mijëra vetë humbasin vendet e punës, por nuk ka media që ta denoncojë këtë gjë, imagjinoni një vend ku bizneset falimentojnë e ku kompanitë më të mëdha largohen nga sytë këmbët, imagjinojeni atë vend pa një media të lirë, ku të transmetoheshin këto halle". Kjo ishte koncert-protesta e paralajmëruar që Lëvizja MJAFT së bashku me median e lirë në vend, organizuan menjëherë pasi qeveria e drejtuar nga Berisha nisi disa sulme selektive dhe të cilësuara si tejet të rrezikshme, ndaj institucioneve të pavarura mediatike në vend".

Protesta-koncert ndiqet nëpërmjet Digitalb në SHBA dhe Evropë


Organizatorët e koncertit madhështor të bërë në sheshin "Skënderbej" kishin menduar të ideonin në mënyrën më perfekte mënyrën e realizimit të tij, duke filluar nga skeleti i programit dhe deri te transmetimi i tij edhe në diasporë. Shqiptarët të cilët nuk kanë mundur dot të vinin në Shqipëri, kanë ndjekur LIVE nëpërmjet paketës Digitalb në kanalin "Top News rok" protestën, ku merrnin pjesë emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Mesazhe të pafund nga njerëzit që jetojnë jashtë Shqipërisë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë Evropës kanë ardhur në mbështetje të kësaj proteste. Koncerti-protestë është transmetuar i plotë nga "Top News", i cili bën pjesë në paketën Digitalb, të cilën disa ditë më parë, qeveria u përpoq ta sekuestronte, por që, fatmirësisht, nuk ia arriti dot këtij qëllimi. Koncerti-protestë është dhënë drejtpërdrejt edhe nga shumë televizione të tjera në mbështetje të fjalës së lirë. Krahas këtij fakti, e veçanta tjetër është se për herë të parë politikanët shqiptarë u bën njësh me turmën, duke lënë poltronin e skenës dhe duke qenë bashkëspektatorë të protestës madhështore. Politika shqiptare proteston njësoj me qytetarët. Ndryshe nga herët e tjera, ku ata zinin vendin e nderit dhe mbanin rolin kryesor gjatë një proteste, këtë herë politika bashkohet me qytetarët në rresht. Pesë liderët e opozitës, Edi Rama, Ilir Meta, Skënder Gjinushi, Paskal Milo dhe Neritan Ceka kanë qenë të pranishëm në mes të turmës, duke ngritur duart për t‘u thënë stop akuzave pa fakte të kreut të ekzekutivit. Deputeti socialist, Kastriot Islami, i pranishëm në këtë protestë, tha se media e biznesi janë të kërcënuara nga shteti, po kjo betejë qoftë nga mediat, qoftë nga qytetarët është e fituar. Ndërsa deputeti i PS-së, Petro Koçi, tha se pjesëmarrja e madhe në këtë shesh është solidaritet i madh për fjalën e lirë dhe kundër ndaj politikave të qeverisë. Protesta u organizua nga media dhe shoqëria civile për t`i thënë stop presionit të Kryeministrit Berisha ndaj mediave kritike ndaj pasqyrimit të aktiviteteve të qeverisë.

Thursday, April 12, 2007

Berisha miraton diktaturën fiskale ndaj biznesit

Robin Hood-i shqiptar i quajtur Sali Ram Berisha: "Varferoj te pasurit dhe pasuroj te varferit"

Mazhoranca mirato diktaturën fiskale megjithëse ka të gjithë biznesin kundër. Qeveria ka kryer dy shkelje kushtetuese. E para ka lidhje me prezumimin e pafajësisë, pasi me anë të këtij neni, biznesi duhet të paguajë gjobën pavarësisht nëse është fajtor apo jo. Shkelja e dytë kushtetuese ka të bëjë me të drejtë e ankimit në gjykatë. Sipas këtij neni, asnjë person nuk është i privuar të ankimohet në gjykatë për asnjë arsye. Ndërsa në këtë rast biznesi nuk mund të ankimohet në gjykatë pa paguar gjobën

Tiranë - Mazhoranca mirato diktaturën fiskale megjithëse ka të gjithë biznesin kundër. Vetëm me votat e mazhorancës miratohen disa ndryshime ligjore për procedurat tatimore që i heqin mundësinë biznesit të apelojnë një vendim të padrejtë pa paguar më parë gjobat dhe detyrimet. Megjithe kundershtimet e forta te opozites, p/Ligji i diskutuar me debate te forta ne komisionin e ekonomise dhe qe eshte percjelle po me debate te forta edhe nga komuniteti I biznesit eshte miratuar vetem nga te djathtet ne kete komision. Me anë të këtij projektligji, qeveria ka kryer dy shkelje kushtetuese. E para ka lidhje me prezumimin e pafajësisë, pasi me anë të këtij neni, biznesi duhet të paguajë gjobën pavarësisht nëse është fajtor apo jo. Shkelja e dytë kushtetuese ka të bëjë me të drejtë e ankimit në gjykatë. Sipas këtij neni, asnjë person nuk është i privuar të ankimohet në gjykatë për asnjë arsye. Ndërsa në këtë rast biznesi nuk mund të ankimohet në gjykatë pa paguar gjobën. Një shkelje tjetër në marëdhënien e partneritetin shtet biznes parashikohet me anë të këtyre neneve. Nëse biznesi është i detyruar të paguajë gjobën atëherë ai nuk është i barabartë para palës shtet pasi vendoset me anë të këtij ligji pariteti i të fortit, pra dhunës së shtetit. Njëkohësisht me anë të këtij ligji biznesi demotivohet për të kërkuar të drejtën e tij, duke apeluar një vendim të administratës shtetëtërore e cila thjesht ka si objektiv të vetin mbushjen e arkës së shtetit.

Berisha i heq edhe subvencionin e fundit bujqesise

Tirane - Paketa e re fiskale e qeverisë Berisha miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshimi më i rëndësishëm negativ i kësaj pakete fiskale ishte ai që kishte të bënte me heqjen e subvencionit të fundit që të paktën indirekt qeveria i bënte fermerëve dhe prodhuesve. Qeveria Berisha do të mbahet mënd për heqjen e subvencioneve për naftën dhe plehrat kimike për fermerët. I vetmi subvencion që i kishte ngelur bujqësisë ishte ai indirekt. Pra i bëhej prodhuesve rimbursimi për blerjet që ata i bënin fermerëve. Prodhuesit i faturonin produktet me TVSH, e cila i rimbursohej më pasa nga shteti. Ndryshimi i fundit në ligjin për TVSH është heqja e së drejtës së rimbursimit për TVSH për prodhuesit bujqësorë. Bizneset që operojnë në industrinë e përpunimit të qumështit, ullirit, rrushit e bluarjes së grurit, përjashtohen nga deklarimi i TVSH për lëndën e parë që blejnë tek fermerët.

Kundershtohet ulja e akcizes

Tirane - Shoqata e Hidrokarbureve ka kundërshtuar uljen e akcizës për solarin dhe mazutin, rrit abuzimet në dogana. Ndryshimet e miratuara nga ana e Parlamentit në ligjin e akcizave, janë kundërshtuar nga ana e Shoqatës së Hidrokarbureve. "Ne kërkojmë të mos miratohet ulja e akcizës për mazutin dhe solarin, pasi nëse bëhet ulja e kësaj akcize, atëherë për këta artikuj krijohet mundësia e abuzimit lidhur me cilësinë (përzierjes) e tregtimit të karburanteve",- ka deklaruar gjatë ditës së djeshme, Shoqata e Hidrokarbureve. Abuzimi vjen, pasi duke paguar akcizë më të ulët për solarin dhe mazutin, në krahasim me naftën, tregtarët abuzojnë duke i përzierë këto lëndë djegëse, për të rritur fitimet. Fenomeni i rritjes dhe uljes së taksave, përfshi këtu edhe akcizën, është bërë i zakonshëm.

Neni 43 ndryshohet, si më poshtë vijon:
"Neni 43
Detyrimi për pagesë të menjëhershme
1. Para se të paraqiten për apelim në shkallët e apelimit administrativ, tatimpaguesit janë të detyruar të parapaguajnë detyrimin tatimor, pa përfshirë interesat dhe gjobat që lidhen me këtë detyrim.
2. Para se të paraqiten për apelim, në shkallët e apelimit për shqyrtim gjyqësor, tatimpaguesit janë të detyruar të paguajnë çdo gjobë dhe interes, që lidhet me detyrimin tatimor të apeluar.

Neni 43, para ndryshimeve
Detyrimi për pagesë të menjëhershme
Para se të paraqiten për apelim, tatimpaguesit janë të detyruar të parapaguajnë vetëm detyrimin tatimor, pa përfshirë interesat dhe gjobat e mundshme, ose të paraqesin garancitë e nevojshme. Në rastin e garancisë, për periudhën e apelimit llogariten të gjitha interesat.

Wednesday, April 4, 2007

Deputetët e opozitës:Ku i gjeti 3 mln euro për televizion kunati i Berishës?!

Kjo ka qenë akuza që kanë bërë deputetët e opozitës në seancën e djeshme të komisionit parlamentar të Mediave, por pa zbardhur detaje lidhur me kushtet e kontratës së qerasë e kështu me rradhë Tiranë- Kunati i kryeministrit Berisha ka marrë me qera Kinostudion, për të vendosur aty televizionin të ndërruar vetëm nga emri. Edhe pse kreu i qeverisë bërtet sot për garantimin e paprekshmërisë së pasurive publike, duke vënë në dyshim edhe proceset e deritanishme të privatizimit, ka lejuar që Kinostudio të kalojë në dorën e të afërmit të tij. Kjo ka qenë akuza që kanë bërë deputetët e opozitës në seancën e djeshme të komisionit parlamentar të Mediave, por pa zbardhur detaje lidhur me kushtet e kontratës së qerasë e kështu me rradhë. Sipas tyre, këto janë fakte që duhet të vijnë të raportuara nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit, i cili duhet të pasqyrojë, sipas kërkesës së deputetëve, gjithë kalimet në pronësi të bëra në televizione gjatë këtyre muajve. Punonjës që kanë punuar në Kinostudio, për përgatitjen e ambienteve për vendosjen e një televizioni, përsa i përket vendosjes së aparaturave janë shprehur se vlera e investimit arrin në shifrat e rreth 3 milionë eurove. Këto fakte bëhen gjithashtu të ditura nga deputetët e opozitës, të cilët kanë kërkuar konfirmimin nga kryetari i KKRRT. Ndërsa kryeministri Berisha duhet të përgjigjet se ku i ka gjetur kunati i tij 3 milionë eurot që ka investuar për ngritjen e një televizioni në admbientet e marra me qera në Kinostudio po prej tij. Duke qenë se vetë kreu i qeverisë ka deklaruar se paratë e kunatit të tij janë të pastra, atëherë duhet ta në tregojë se cili është burimi i tyre. Bëhet fjalë për një shumë tejet të konsiderueshme, e cila sipas deputetëve të opozitës është përdorur nga i afërmi i kryeministrit për të marrë në pronësi një televizion. Mund të thuhet pa pikë dyshimi se pasuria e të afërmit të kreut të qeverisë është mëse e majme, edhe pse vetë Berisha ka mbrojtur të kundërtën. Ose më saktë ka deklaruar se këto janë para të pastra. Prandaj kryeministri duhet të na tregojë se ku janë gjetur këto para të pastra, rreth 3 milionë euro?! Vetëm shuma e investimit brenda në Kinostudio, për instalimin e pajisjeve që mundësojnë transmetimin televiziv. Ndërsa marrja me qera e ambienteve është në një shifër tjetër parash, që besohet gjithashtu të jetë e konsiderueshme, por asnjëherë nuk është bërë transparente. Këto përgjigje mund t'i japë vetëm kreu i qeverisë, Berisha, duke filluar nga përfundimi i Kinostudios në duart e kunatit të tij, deri tek paratë e paguara.

Kunati i Berishes,televizion ne ambiente me Qera te Kinostudios

Që me mbërritjen në pushtet të kryeministrit Berisha, kunati i tij ka privatizuar Kinostudion, duke e kthyer atë në një Televizion. Ky është quajtur më parë ATN 1, ndërsa sot ka marrë emrin "Mediasat", tashmë me një përvojë prej 10 vitesh në transmetim dhe me prirje të forta djathtas. Asgjë nuk duket të ketë ndryshuar nga ky televizion, përvec pronësisë së tij. Kryeministri Berisha na e ka fshehur këtë fakt, pavarsisht transparencës së premtuar

Tiranë- Kunati i kryeministrit ka në pronësi një televizion që transmeton prej vitesh. Kjo ka qenë akuza që deputetë të opozitës kanë bërë gjatë seancës së djeshme të komisionit parlamentar të Mediave, duke kërkuar llogari nga vetë Berisha lidhur me këtë fakt, por edhe për rastet më të fundit të dhunës së ushtruar nga qeveria në drejtim të mediave. Që me mbërritjen në pushtet të kryeministrit Berisha, kunati i tij ka privatizuar Kinostudion, duke e kthyer atë në një Televizion. Ky është quajtur më parë ATN 1, ndërsa sot ka marrë emrin "Mediasat", tashmë me një përvojë prej 10 vitesh në transmetim dhe me prirje të forta djathtas. Asgjë nuk duket të ketë ndryshuar nga ky televizion, përvec pronësisë së tij. Kryeministri Berisha na e ka fshehur këtë fakt, pavarsisht transparencës së premtuar. Ndërsa kjo ka qenë një prej arsyeve kryesore që deputetët e opozitës në komisionin parlamentar të medias, kanë kërkuar që Këshilli Kombëtar i Radiotelevizionit të raportojë përpara deputetëve lidhur me kalimet në pronësi të disa televizioneve, në muajt e fundit. Ata kanë denoncuar faktin se të afërm të kreut të qeverisë, janë vënë në krye të këtyre televizioneve, duke vecuar pikërisht "Mediasat". Ky transmeton në valët e televizionit të mëparshëm, të njohur si "Antena 1". Ndërsa ambientet i ka tek ish- Kinostudio, e cila është në shfrytëzim nga kunati i kryeministrit Berisha, përmes një vendimi të marrë nga institucione shtetërore. Një fakt i tillë tregon edhe konfliktin e interesit të një kreu qeverie që bën të tjera veprime nga ato që predikon. Pronësia e kunatit të tij në një prej televizioneve e konfirmon këtë, në ambiente të marra me qera dhe madje edhe një licencë nga KKRRT, të gjitha të kryera në fshehtësinë më të plotë. Deputetët e komisionit parlamentar të Mediave kanë kërkuar nga ky institucion që të bëjë transparencën financiare të gjithë organeve mediatike në vend, duke raportuar sidomos lidhur me pronësitë e televizioneve. Një raport i munguar prej muajsh tashmë nga ana e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit do të zbardhte lidhjet dhe financat e shumë televizioneve në vend. Duke pëfshirë këtu edhe atë televizion që ka kaluar në pronësinë e kunatit të kryeministrit, sipas akuzave të bëra dje nga deputetët e opozitës të cilat nuk janë kundërshtuar nga Berisha. Deputetët kanë rënë dakord me kërkesën për të thirrur në raportin kryetarin e KKRT, institucion që ka pushuar së bëri prej muash edhe monitorimin e mediave.

Hanxhari i kujt është zoti Berisha ?

Mbrëmë, teksa kjo gazetë po shtypej në shtypshkronjë, teksa të gjithë ne ishim në gjumë, në Nju Jork, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara debatonte lidhur me propozimet e zotit Marti Ahtisari për pavarësinë e Kosovës. Bëhet fjalë për ngjarjen më të madhe me karakter mbarëkombëtar të këtyre 100 viteve të fundit, përjashtuar këtu vetëm shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe ndoshta edhe ditën e Çlirimit të vendit. Si e tillë, në çdo televizion, radio dhe gazetë duhej që kjo ngjarje të zinte vend të dukshëm të parë në edicionet informative, në talk show, në komente dhe analiza. Mbase do të qëllonte dikush që nuk do ta vinte lajm të parë për motive komercialiteti, por dikur ndër të parët patjetër.

Vetëm se vështirë që gjithkush prej jush që keni ndjekur edicionet informative të ditës së djeshme në mediat kryesore të vendit do të ketë parë lajme nga Kosova apo nga Nju Jorku në 15-20 minutat e para të çdo edicioni. Nuk do të lexoni shumë as sot në gazeta. Gjithçka është përqendruar te një njeri i vetëm. Të gjithë vëmendjen tashmë e merr mbi vete Kryeministri dhe të gjitha energjitë harxhohen për të korrigjuar atë, sikundër ai të gjitha energjitë i shpenzon për të zgjidhur problemet e tij personale politike, në vend që të zgjidhë problemet e vendit dhe t‘u shpjegojë shqiptarëve, që presin çdo ditë, se përse nuk është realizuar asnjë reformë deri tani, apo cilat janë reformat që ka ndër mend të bëjë. Pa retorika fjalësh.

Dita e djeshme nuk ndryshonte fare nga përditshmëria e këtyre 18 muajve të qeverisjes së zotit Berisha. Ditë e mbushur me konfliktualitet, përplasje, akuza, kontrolle, presione. Dhe nuk kishte shqiptar që të ndiqte lajmet te Top Channel, News 24, Vizion Plus e të tjerë që të mos ishte informuar gjerësisht që në drekë, se tatimet kishin tentuar të sekuestronin kompaninë "Digitalb", apo ta kontrollonin atë me forcë, të shoqëruar edhe nga policia e rendit, në një kohë kur në pak muaj kanë zhvilluar plot tre kontrolle, duke mos gjetur shkelje e parregullsi. Dhe kur si padashur zbulohet një dokument i tatimeve që të tregojë natyrën e vërtetë të këtyre kontrolleve "në zbatim të ligjit", vetëm në një media dhe në bizneset e vetëm një personi, pronarit të Top Channel, duke lënë jashtë listës së Bodes mediat dhe bizneset mike.

E gjitha kjo u kushtoi dje dhe u kushton gjithmonë kohë informative miliona shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, në Kosovë, Maqedoni dhe shtete të tjera të Evropës ku jetojnë shqiptarë, të cilët nuk do të dëshironin të dëgjonin përsëri bëmat e kësaj qeverie dhe të këtij Kryeministri, por mund të kishin dëshirë të dinin se çfarë bëhet me të ardhmen e bashkëkombësve të tyre dhe çfarë pritet të ndodhë me Kosovën. Eshtë e vështirë t‘ua shpjegosh sërish këtyre miliona njerëzve se fatkeqësisht në krye të qeverisë është një person që pushtetin e tij personal e konsideron më të rëndësishëm, sesa fatet e një kombi të tërë. Dhe këtë e ka provuar edhe në vitin 1997, kur iku nga pushteti, duke lënë pas faturën e disa mijëra vetëve të vrarë dhe një vendi në buzë të greminës. Prandaj është e vështirë t‘ua shpjegosh sërish 10 vjet më vonë, sepse fjalët do të ishin të tepërta. Eshtë e vështirë t‘u shpjegosh përsëri shqiptarëve që ky Kryeministër kërkon me çdo kusht të ndëshkojë me mbyllje, reprezalje e gjoba arbitrare biznesin, të mbyllë gojën e çdo medie dhe të kontrollojë sërish të gjithë zinxhirin deri tek individi më i thjeshtë, nëse i rrezikohet pushteti personal. Edhe nëse përpara në rrugën e tij i del Kosova, siç ndodhi dje.

Në këtë mënyrë shtrohet pyetja se përse duhet të meritojmë një Kryeministër që nuk ndalet për egon e tij, as përpara një prej ditëve më historike të kombit të tij. Një Kryeministër që akuzon këdo që është kundër tij si kriminel dhe mafioz, si hanxharë të mafies dhe me epitete të tjera afërsisht të njëjta me fjalorin e rrugëve apo kafeneve të periferisë. Me logjikën e tij, nëse ky Kryeministër pushton hapësirën informative të shqiptarëve në ditën më të rëndësishme të tyre, zhvendos vëmendjen nga tryezat ku diskutohen fatet e kombit te tyre, atëherë hanxhar i kujt është vetë ky zoti Berisha? Të tilla ngjarje nuk do t‘i shkonin përshtat askujt në Prishtinë. Ndoshta të tjerëve në Beograd dhe në Moskë.

Bledar Zaganjori

Saturday, March 31, 2007

Berisha jo më në sulm me fjalë medias së pavarur,por me taksa e tatime

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha as që duket se e ka ndërmend që të ndalë luftën e tij kundrejt medias së pavarur dhe kundrejt asaj mediaje që duke e qenë e pavarur nuk kthehet në shërbim të tij. Dje në një prononcim për mediat kryeministri ka treguar se ka hapur një tjetër luftë ndaj medias të pavarur por tashmë jo vetëm nëpërmjet akuzave që i bën publike dhe nuk i fakton në asnjë moment, por duke urdhëruar tatimet që të bëjë kontrolle dhe të vërë gjoba në këto media.

Pyetja me porosi nga televizioni Klan
Teksa ka qenë duke folur për të tjera çështje siç është ristrukturimi i partisë dje në një komunikim me mediat të kreut të kabinetit qeveritar të binte në sy një pyetje "e porositur" e drejtuar ndaj tij nga gazetarët e televizionit Klan. "Cili do të jetë hapi i ardhshëm i qeverisë tuaj, lidhur me ato televizione apo media që ju i keni quajtur media mafia", ka qenë pyetja e drejtuar që duket se i ka hapur rrugën kryeministrit të mhojë ato që ka thënë duke u përpjekur që ti thotë në mënyrë më të zbutur por në të njëjtën kohë duke thënë se "Jo, ky është një klasifikim shumë i gabuar. Kjo qeveri është qeveria që ka respektuar dhe respekton më shumë mediat, në historinë e këtij vendi" sipas tij Berisha kërcënon mediat me taksat dhe tatimetSipas kreut të qeverisë sot nuk ka asnjë proces ndaj asnjë gazetari dhe nuk do të ketë, derisa Sali Berisha do të jetë në krye të qeverisë. "Administrata nuk padit më gazetarë, qoftë për shpifje, për çështje civile a çështje penale, pra, çfarëdo qofshin ato. Duke u shprehur në këtë mënyrë, dua të theksoj se ligji do të jetë i barabartë për të gjithë qytetarët.

Në qoftë se ndonjë që lahet në vaskë floriri mendon se sanitarja në spital, e cila kalon natën duke larë dhe shpëlarë njerëzit tanë të afërt, të sëmurë, duhet të paguajë taksat, kurse ai, duke vjedhur taksën dhe duke e shndërruar atë në floririn e vaskës së tij, mund të gjejë mënyra për t'u mbrojtur, gabon rëndë. Ai mund të blejë një taksidar, mund të blejë një polic, mund të blejë një prokuror, por ligji nuk blihet, ligji është i të gjithë qytetarëve, i të gjithë shoqërisë. Ndaj, përsa i përket problemit të taksave, dua të garantoj qytetarët shqiptarë se do të jenë të barabartë para ligjit, se asgjë dhe asnjë lloj mjeti mediatik, nuk do të mund të pengojë ligjin të veprojë lidhur me taksat. Natyrisht, mafia është e para që kërkon të dhunojë ligjin, kërkon të mos e zbatojë atë, kërkon që me evazion të ndërtojë parajsën e vet dhe mjerimin e të tjerëve. Kjo kohë ka marrë fund. Ne kemi dhe do të vazhdojmë të kemi respekt të plotë për mediat. E kemi dëshmuar këtë dhe do të vazhdojmë ta dëshmojmë. I ftoj mediat që, nga mëngjesi deri në darkë, t'i kushtojnë kritika Sali Berishës dhe qeverisë së tij. I ftoj ato të organizojnë emisione speciale kundër kryeministrit të vendit dhe i garantoj se, kurrë nuk do të kenë ndërhyrje në politikat e tyre editoriale.

Sikundër, kurrë nuk do të mund të shmangin ligjet e vendit për taksat dhe tatimet, ligjet e vendit për lirinë e tregut, për zhvillimin e vendit si një shoqëri normale, e bazuar në shtetin ligjor, pa të cilin nuk ka asgjë dhe asnjë të ardhme. Për ta mbyllur këtë çështje, do të respektohet çdo lloj qëndrimi i mediave. Unë ju garantoj se ky është vetëm fillimi i një beteje, e cila do të rivendosë Shqipërinë në shinat e shtetit ligjor. Jemi marrë deri tani me seria killer në hotelet me 5 yje apo në shpellat e Alpeve, kudo që ata kanë qenë - dhe kemi bërë mirë sepse jeta është e para gjë që duhet të garantojmë - por zero toleranca do të jetë ndaj të gjithë atyre që kërkojnë të ndërtojnë parajsën me mjerimin e të tjerëve. Kjo do të thotë të mos paguash detyrimet fiskale, të cilat nuk janë invesion i kësaj qeverie, por janë themeli i sistemeve demokratike, janë një invesion i përdorur që kur është krijuar shteti dhe deri më sot" ka qenë fjala e djeshme e kryeministrit që ka kërcënuar nëpërmjet saj të gjithë drejtuesit e mediave që sipas Berishës janë të lidhur me mafien por që në të vërtetë janë vetëm media që nuk pranojnë që rë kenë varësi nga forcat politike, por të shprehin lajmin ashtu siç është.

Botuesit reagojnë kundër Berishës, po nxin imazhin e Shqipërisë
Drejtues te mediave dhe sipërmarrjeve te tjera ne vend kane dënuar shumë ashpër deklaratat të bëra si refren i ditës së shefit te qeverise Sali Berisha nëpërmjet të cilave akuzon për lidhje te drejtuesve te mediave me mafian. Këto drejtues kanë quajtur si tërësisht të padrejta këto sulme madje sipas tyre kjo frymë e kryeministrit është një frymë që nuk është aspak në funksion të integrimit të Shqipërisë apo të pavarësisë së medias. Konkretisht për Karlo Bolinon botues i "Gazetës Shqiptare" dhe në të njëjtën kohë edhe drejtues i televizionit "Neës24", kjo që po ndodh mes kryeministrit dhe mediave në vendin tonë, ndodh vetëm ne Shqipëri ku vete kryeministri dëmton me dashje imazhin e vendit te tij. "Ky veprim ka rrezik te dëmtojë edhe imazhin e Shqipërisë. Ne një moment kur vendi ka nevoje për investime, nuk mund te prezantohet ne bote me akuzat e kryeministrit se mediat kane lidhje me mafian", u shpreh Bolino në fjalën e tij. Ai i argumenton si te pabaza deklaratat e kryeministrit shqiptar, pasi nëse do te kishte diçka te vërtetë në fjalët dhe në akuzat që hedh atëherë ai duhet t'i drejtohet prokurorisë së bashku me provat.

"Akuzat janë shumë të rënda dhe unë mendoj se nëse qeveria ka informacione te sakta për lidhjet mafioze duhet te paraqitur para prokurorit", tha ai. Por në lidhje me këto akuza të drejtuara Medias nga kreu i kabinetit qeveritar është shprehur edhe biznesmeni Koço Kokëdhima i cili i ka konsideruar deklarata informale qe dëmtojne rëndë demokracinë në vend. "Këto janë deklarata informale dhe nuk është mirë që të bëhen pasi shpenzojnë shumë energji pa produkt dhe nuk fiton njeri nga çështje te tilla", u shpreh ai. Berisha të faktojë akuzat, ose të mbajë përgjegjësiPothuaj të gjithë drejtuesit e mediave dhe gjithashtu shumë deputetë të parlamentit të Shqipërisë i janë drejtuar kryeministrit të Shqipërisë duke i kërkuar një shpjegim në lidhje me akuzat e tij kundrejt medias dhe duke i thënë se në rast se ka fakte ti paraqesë në prokurori por nëse jo të mos përdorë karrigen e tij për të sulmuar median dhe mbuluar korrupsionin e qeverisë së tij.

"I bëjmë thirrje Kryeministrit që në vend të presioneve të bëhet pjesë e procesit të reformimit që garanton media të lira e transparente. Çështjet e transparencës dhe sundimit të ligjit në media zgjidhen me ligje dhe rregulla jo me sulme e presione të cilat s'bëjnë gjë tjetër veçse e fusin atë nën kontrollin e qeverisë. Është flagrant fakti që ky sulm bëhet nga selia e Qeverisë. Kryeministri nuk mund të përdorë tribunën e qeverisë për të sulmuar median e lirë. Kjo situatë na kthen në vitet vështira 92-97 kur mediat e lira digjeshin. Nuk e kanë fajin mediat që denoncojnë korrupsionin por ata që e bëjnë dhe mbrojnë atë", janë shprehur deputetë të PS në një deklaratë të disa ditëve më parë.