Showing posts with label sistemi i taksave. Show all posts
Showing posts with label sistemi i taksave. Show all posts

Tuesday, April 24, 2007

Afera familjare e Berishës paguajmë 450 mln €

Tiranë- Ndonëse u bë kohë që paguajmë taksa për rrugë që nuk bëhen, tani duhet të paguajmë edhe për borxhet ku zhytet Berisha për shkak të paaftësisë së qeverisë së tij. Por sidomos për shkak të bizneseve dhe aferave të tij familjare, që ia faturon pa as më të voglin problem qytetarëve shqiptarë. Premtimet dhe vrulli elektoral i kryeministrit do të na kushtojë edhe 230 milionë euro të tjera, sepse Berisha ka marrë përsipër investime gjigande që e kanë të pamundur të përballohen nga buxheti. Megjithatë qeveria shqiptare ka vendosur që të marrë 230 milionë euro borxh nëpër banka, me qëllim ndërtimin e rrugës Durrës- Kukës. Kryeministri po u vë shqiptarëve mbi kurriz një barrë shumë të rëndë për t'u përballur nga xhepat e tyre, e për më tepër për vite me rradhë. Kredia që po kërkon të marrë qeveria është më e madhja me terma tregëtarë që është marrë ndonjëherë për vendin tonë. Rreth 2 milionë euro për t'u paguar në një muaj Qeveria shqiptare do t'u paguajë bankave rreth 2 milionë euro vetëm në një muaj, pas marrjes së kredisë prej 230 milionë eurosh dhe me interes që arrin deri në 6%. Kjo do të thotë se vetëm kësti mujor dhe interesat arrin në 1940872 euro, një shumë tejet e konsiderueshme, por që mesa duket nuk e ka stepur qeverinë për marrjen e kësaj kredie. Kësaj i mjafton vetëm që të shënohet në bilancin e saj të punës një projekt i realizuar, pavarsisht se sa do t'i kushtojë buxhetit të shtetit kjo rrugë. Madje sa më shumë se vlera e përcaktuar tashmë, për shkak të interesave me të cilat do të merret kredia. Berisha nuk ka marrë parasysh vërejtjet e ekspertëve se projekte të tilla nuk mund të ndërtohen me buxhetin e shtetit. Dhe kjo vlen qoftë edhe për pagimin e kredive të marra nëpër banka. Kostoja e rrugës, 120 milionë euro më tepër Kostoja e rrugës e paracaktuar prej 418 milionë euro do të rritet shumë më tepër për shkak të interesit 6% të kredisë që do të merret për përballimin e financimit të kësaj rruge. Vetëm interesat për 15 vjet llogariten në një shifër 119405658 euro, që edhe shuma mbi vlerën e projektit. Kjo do të thotë që vetëm segmenti Rrëshen- Kalimash do të kushtojë 120 milionë euro më tepër, ose 570 milionë euro gjithsej. Kjo shumë shumë e madhe i është faturuar buxhetit të shtetit për 15 vitet në vazhdim, ose më saktë direkt xhepave të qytetarëve shqiptarë të cilët do të paguajnë cdo muaj për një aferë familjare të kryeministrit Berisha. Një pazar mëse i shtrenjtë, si faturë për të mbajtur në krye një kryetar qeverie që është gati të firmosë të tjera afera po kaq të kripura, gjoja për mbajtje premtimesh dhe realizim investimesh. 2/3 e borxhit që lejon FMN për 3 vitet e ardhshme Fatura e qeverisë Berisha do t'i rëndojë edhe qeverisë së ardhshme. Jo vetëm për shkak të vazhdimit të pagimit të kredisë me interes 6% për 15 vite me rradhë, por sepse shuma e borxhit që do të merret në banka, prej 230 milionë eurosh, llogaritet sa 2/3 e borxhit që Fondi Monetar Ndërkombëtar i lejon Shqipërisë të marrë në tre vitet e ardhshme.

Llogaritë janë edhe më të rënda në këtë rast, kur mendohet se FMN jo më kot ka përcaktuar një shumë sa mund të jetë borxhi që merret, duke u bazuar edhe në shifra të tjera të ekonomisë dhe buxhetit të shtetit. Por as kjo nuk ka shërbyer si një arsye për kryeministrin dhe qeverinë e tij që të heqë dorë nga kredi të tilla dhe borxhe, pagimi i të cilave rëndon në xhepat e taksapaguesve shqiptarë dhe të ardhurat e tyre të pandryshuara, pavarsisht premtimit të Berishës për t'i rritur ato. Kredia më e shtrenjtë, pazari më i kripur i Berishës Miliona euro që janë marrë nga buxheti i shtetit por që nuk kanë përfunduar për realizimin e rrugëve, të deklaruara si të përfunduara nga qeveria. Miliona të tjera që paguajnë aferat e vetë kryeministrit e megjithatë dalin nga buxheti i shtetit. Këto fatura jemi detyruar të paguajmë që nga koha kur Berisha ka marrë drejtimin e vendit dhe mesa duket të tjera më të shtrenjta po na vihen përpara. Nuk është një rastësi që shuma prej 230 milionë eurosh, që do të merret borxh nga bankat do të shkojë për financimin e projektit të segmentit Rrëshen- Kalimash, një investim i dyshuar si aferë që në zgjedhjen e firmës që do të merret me ndërtimin e kësaj rruge. Kontrata mes përfaqësuesve shqiptarë dhe të firmës "Bechtel Enka" nuk është bërë asnjë herë transparente, ashtu si edhe përzgjedhja e konsorciumit. Procedurat u bënë në mënyrë skandaloze dhe tani edhe shifrat që do të paguajmë për këtë pazar janë gjithashtu skandaloze. Të gjitha për të paguar një pazar familjar të kryeministrit Berisha, i cili e ka faturuar shifrën tek xhepat e qytetarëve shqiptarë. Ndërkohë që një shumë tjetër, mbase jo kaq e konsiderueshme ka përfunduar në mënyrë të paligjshme tek kompania që është zgjedhur për ndërtimin e segmentit Rrëshen- Kalimash. Berisha dhe qeveria e tij vazhdojnë të fshehin, të plotësojnë fatura dhe t'i kalojnë ato tek buxheti i shtetit për t'u paguar, si një pazar i madh ku përfitues është kryeministri dhe klientët e tij. Procedurat për zgjedhjen e Bechtel Tiranë- "Bechtel- Enka" është zgjedhur si firma fituese për ndërtimin e rrugës Rrëshen- Kalimash edhe pse nuk paraqiti në tender një projekt të ndërtimit të këtij segmenti. Kjo hodhi dyshimin se tenderi ishte i paracaktuar për fituesin, për më tepër kur firma e përzgjedhur nuk kishte as një projekt teknik për ndërtimin e rrugës. Ky projekt vazhdon të mungojë akoma, edhe pse kryeministri Berisha e përzgjodhi Rrëshen- Kalimash si reklamën e fushatës së zgjedhjeve të pushtetit vendor. Edhe pse inagurimi i punimeve u bë i bujshëm, ndërtimi i segmentit të Durrës- Kukës mbetet akoma në kontratën e lidhur në kundërshtim me ligjet shqiptare, madje edhe ato të vendosura nga vetë qeveria demokrate, si në rastin e udhëzimit të Bodes. Udhëzimi është lëshuar që në 8 shkurt të vitit 2006, cka do të thotë se ishte në fuqi në kohën kur Basha nënshkroi për t'i dhënë "Bechtel" një shumë prej 80 milionë dollarë paradhënie.

Pra, ministri i Punëve Publike ka shkelur këtë Udhëzim, si dhe një sërë ligjesh me nënshkrimin e kësaj kontrate për rrugën Rrëshen- Kalimash. në zërin e "Ndërtimit të rrjetit të rrugëve nacionale", me buxhetin e tretë të vitit kaluan shuma parash nga zërat e tjerë të buxhetit të ministrisë. Në buxhetin e vitit 2006, ministrit të Punëve Publike, Lulzim Basha i ishin besuar plot 15.4 miliardë lekë vetëm në zërin e "Ndërtimit të rrjetit të rrugëve nacionale". Ndërsa me buxhetin e tretë kësaj shifre iu shtuan edhe 4.5 miliardë lekë të tjera. Me një dëm të llogaritur në rreth 80 milionë dollarë, lëvizjet e buxhetit për ministrinë e Punëve Publike kishin për qëllim vetëm fshehjen e abuzimeve të bëra nga ana e Bashës përsa i përket shpenzimit për investime publike. Duke konfirmuar akuza të bëra edhe më parë, për abuzime me buxhetin në miliona euro që nuk gjenden në rrugët e vendit. Shifra është e njëjtë me atë që rezulton të jetë paguar si paradhënie për firmën e huaj, pavarsisht se në kundërshtim me urdhrin e Bodes. Berisha, 80 mln $ paradhenie “Bechtel” Tiranë- Me kontratën e firmosur në 6 Tetor të vitit 2006, ministria e Punëve Publike i pagoi si paradhënie firmës "Bechtel- Enka" një shumë prej 80 milionë dollarësh paradhënie për ndërtimin e rrugës Rrëshen- Kalimash. Ndërsa në fund të po këtij viti, ministria deklaron të ezauruar shumën në fjalë, bashkë me miliona të tjera euro të investuara asgjëkundi në terren. Kjo do të thotë se ministri Basha duhet të na shpjegojë se ku kanë shkuar 80 milionë dollarë të paguara si paradhënie, përderisa ato nuk ndodhen as në terren, në ndërtimin e rrugës. Pagesa është raportuar e kryer, sipas të dhënave të vetë ministrisë në mbyllje të vitit 2006. Në një kohë që edhe buxheti i tretë, miratuar nga shumica vetëm 12 ditë përpara mbylljes së vitit i dha 45 miliardë lekë të tjera kësaj ministrie, për zërin e "Ndërtimit të rrjetit të rrugëve nacionale". Edhe kjo shumë u raportua gjithashtu e investuar në përfundim të vitit. Basha duhet të japë llogari për 80 milionë dollarët, e mbase për koincidencën që qëndron mes kësaj shifre dhe asaj të shtuar nga buxheti i shtetit, të miratuar me urgjencë dhe në mungesë të plotë transparance pak ditë nga mbyllja e vitit. Në bazë të llogaritjeve të bëra, po kaq është shuma që i është paguar "Bechtel- Enka" në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar. Firma e huaj, sqaron që në fillim të kontratës palën shqiptare se ajo është përgjegjëse vetëm për procesin e menaxhimit të projektit për rrugën, por nuk ka të bëjë aspak me projektin.

Saturday, April 21, 2007

Familjarët e Berishës pronarë në televizion privat !

Tiranë- Familjarët e kryeministrit Berisha nuk janë vetëm pronarë firmash ndërtimi, por edhe pronarë televizionesh. Pas denoncimit të bërë nga deputetë të opozitës, se sjellja arbitrare e kreut të qeverisë ndaj mediave të lira dhe të pavarura ka për shkak pikërisht lidhjen e të afërmit të tij me pronësinë mbi televizion, Berisha nuk ka dhënë asnjë sqarim lidhur me këtë fakt. Ndërsa vetë kunati i tij, i cili u përmend si aksioner në televizionin "Mediasat", Agim Rama është shprehur se e ka shitur përqindjen e tij të aksioneve në këtë media. Një fakt i tillë nuk është verifikuar prej tij, sidomos në deklarimin e pasurisë së bashkëshortes së Ramaj, ku nuk figuron as shitje e aksionesh dhe as zotërim i tyre, në përqindje apo në vlerë financiare. Institucioni i vetëm kompetent për dhënien e një informacioni të tillë ka kthyer përgjigje të vonuar ndaj kërkesës së bërë nga gazeta. Kushëriri, pronar në "Mediasat" Në shkresën me numër protokolli nr.371/1 Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit thotë se televizioni "mediasat" ka katër aksionerë. Mes emrave pak ose aspak të panjohur, gjendet edhe emri i kushëririt të bashkëshortes së kryeministrit. Astrit Hana figuron të ketë 20 përqind të aksioneve në pronësinë e këtij televizioni. I njëjti që ka në zotërim edhe shoqërinë e ndërtimit me emrin "M.S.A Konstruksion", i licencuar nga ministria e Punëve Publike. Shkresa e KKRT nuk tregon një kohë kur Hana është bërë pronar i aksioneve dhe as prej kujt i ka blerë po faktet janë shumë të thjeshta për t'u kuptuar. Për më tepër kur më parë është përfolur të jetë pronar në këtë televizion, pikërisht kushëriri i tij, Agim Ramaj. Pronësia brenda familjes Aksionet kanë lëvizur nga Agim Ramaj për tek Astrit Hana. Ky rezulton të jetë bërë pronari i 20 përqind të aksioneve, por kjo do të thotë në të njëjtën kohë se pronësia ka mbetur po brenda për brenda familjes. Deputetët e opozitës denoncuan faktin se kunati i kryeministrit ishte pronar tek "Mediasat", kurse Ramaj deklaroi pak ditë më pas se i kishte shitur aksionet. Në kohën kur Astrit Hana është emri në listën e pronarëve dhe njëkohësisht është kushëriri i tij, mbetet e thjeshtë për t'u kuptuar se mes cilave duar është bërë transaksioni. Nuk mund të thuhet asgjë mbi vlerën e tyre, në blerje dhe shitje, por ësthë mëse i sigurt fakti se pronësia tek televizioni privat ka mbetur brenda familjes së Berishës, ashtu si edhe licencat për ndërtim. Astrit Hana, babai i drejtoreshës së ISKSH I njohur tashmë si pronari i 20 përqind të aksioneve në televizionin "Mediasat", por edhe i shoqërisë së ndërtimit "M.S.A Konstruksion" është kushëriri i bashkëshortes së kryeministrit Berisha. Astrit Hana është njëkohësisht edhe babai i Elvana Hanës, që prej kohësh tashmë mban detyrën e drejtoreshës së Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Fakt i denoncuar nga gazeta që me emërimin e saj, por vetë kryeministri heshti duke mohuar cdo lidhje familjare me Elvana Hanën. Mesa duket pas kësaj heshtjeje, janë fshehur më shumë favore se thjesht një emërim të krye të një institucioni të rëndësishëm. Duhet përfshirë këtu edhe shoqëri ndërtimi me veprimtari në Tiranë, edhe pse në këtë rast kreu i qeverisë është plotësisht në konflikt të hapur interesi, përderisa është kryetari i entit prokurues më të madh në vend. Ndërsa pronësia në një televizion privat pa dyshim duhet t'i atribuohet të ardhurave të mjaftueshme të kushëririt, një më shumë në rradhën e familjarëve të kamur të kryeministrit Berisha. Ndryshimi në Regjistër Përgjigjia e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit i është referuar të dhënave të marra në Rregjistrin Tregëtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, sepse në të janë ndryshuar emrat e pronarëve që pas kryerjes së transaksionit. Ndërsa ndryshimi i emrave në KKRT nuk është bërë brenda kësaj kohe. Të paktën kjo del nga vetë shkresa që Këshilli Kombëtar i Radios dhe i Televizionit i drejton gazetës, në kthim të përgjigjes për informacionin e kërkuar. "Nga verifikimi i arkivës së KKRT-së si dhe në vijim të konfirmimit të kryer nga ana e KKRT-së në Rregjistrin Tregtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë...". Në letrat e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizionit mund të figurojë akoma emri i Agim Ramaj si pronar tek MediaSat edhe pse ky pretendon t'i ketë shitur aksionet që në prillin e një viti më parë. Për këtë arsye, ky institucion ka preferuar të përgjigjet pak më vonë, por duke iu referuar të dhënave të regjistrit. Pranë kësaj strukture, ndryshimi i emrave të pronarëve ndodh që në momentin e shitjes së aksioneve tek një person tjetër. Ndërsa ndryshimi i emrave në KKRT nuk është e thënë të ndodhë kaq shpejt. Madje ka rezultuar se për televizione që kanë ndryshuar pronarë të paktën dy vjet më parë, në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit kanë figuruar të njëjtët emra pronarësh. Në këtë rast, nuk ka pse të përjashtohet edhe televizioni "Mediasat" dhe emri i Agim Ramaj në listën e aksionerëve të tij. Para se këto të fundit të kalonin tek kushëriri i tij, për të mbetur sërish brenda familjes. Berisha fsheh familjaret pronare Tiranë- Duke nisur që nga zaptimi i ambienteve të Kinostudios dhe deri tek deklarimi më i fundit i vetë Agim Ramaj, sipas të cilit ka shitur aksionet në televizion dhe megjithatë është futur me forcë në ambientet ku ndodhet pikërisht ky televizion. Sipas të dhënave, vetëm investimi në aparatura që po vazhdon të futet në Kinostudio kap shifrën e 3 milionë dollarëve, për të cilat as kunati dhe as kryeministri "transparent" nuk kanë deklaruar se ku dhe si janë gjetur. Berisha i zbatimit të ligjit ka lejuar dhe po lejon akoma që kunati i tij të mbajë me forcë ambientet e një prone publike, kundrejt asnjë lloj qeraje dhe pagese. Thjesht sepse ai është i afërm i kreut të qeverisë, nuk duhet t'i paguajë asgjë shtetit, përvec se të marrë prej tij aq sa i ofron Berisha në shfrytëzim të hapur të postit të tij. Agim Ramaj i lejon vetes të mashtrojë jo vetëm institucionin ku mbart detyrimin të deklarojë pasurinë e tij, në të cilin është e qartë se ka mashtruar, por gjithë opinionin publik ashtu si edhe vetë kryeministri. Rasti i kunatit është shembulli më i mirë se si Berisha dhe familja e tij po zapton dhe rrëmben cfarë të mundë. Të paktën dy prej familjarëve të tij janë pronarë jo vetëm në ndërtim, por edhe në media. Por kryeministri është përpjekur me të gjitha mënyrat për ta fshehur një fakt të tillë, që nuk është shumë në harmoni me fjalimet e tij të fundit për vaska të florinjta dhe të varfër që nuk duhet të jenë më të tillë, sepse qeveria ka për t'i ndihmuar. Thjesht dhe vetëm teori sepse praktika është krejt e ndryshme. Ramaj,me dhunë në Kinostudio Tiranë- Që pas 3 Korrikut 2005 nuk rezulton asnjë shpallje e vetme për tender të ambienteve të Kinostudios, si mënyra e vetme ligjore për të shitur një pronë publike. Megjithatë, kunati i kryeministrit Berisha është bërë pronar i një sipërfaqeje të konsiderueshme brenda këtyre ambienteve. Burime të sigurta kanë pohuar se ai ka hyrë forcërisht në Kinostudio por nuk është lëvizur më pas që aty, për shkak të lidhjes familjare me kreun e qeverisë. Prej muajsh, Agim Ramaj ka hyrë në ambientet e Kinostudios, thjesht duke hapur dyert. Nuk ka asnjë kontratë qeraje dhe asnjë detyrim të tij për të paguar qoftë edhe me tarifa të ulta. Nuk ka asnjë dyshim se vetë Berisha është në dijeni të këtij fakti por nuk ka marrë asnjë lloj mase për të nxjerrë prej Kinostudios kunatin e tij. Një gjë e tillë nuk kishte si të ndodhte nëse më parë, Agim Ramaj nuk do të merrte lejen e kryeministrit. As njëri dhe as tjetri nuk kanë parë të arsyeshme të firmosin letra dhe kontrata për detyrime financiare ndaj shtetit. Madje në bazë të ligjit, një pronë publike duhet të jepej për shfrytëzim vetëm përmes një ankandi. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë. Për më tepër nuk është bërë kurrë një njoftim për ankand, prej të cilit me siguri që do të dilte fitues pikërisht kunati i kryeministrit. Ky i fundit ka shmangur cdo procedurë zyrtare, në bashkëpunim me Berishën. Bashkë me procedurën ka shmangur edhe detyrimet financiare ndaj shtetit për shfrytëzimin e një prone publike sic është Kinostudioja. Ndërkohë që kryeministri bërtet për evazion dhe korrupsion, vetë kunati i tij i lejon vetes edhe zaptimin e pronave publike kundrejt asnjë lloj pagese. Thjesht zaptimin e tyre. Sërish me lejen dhe bekimin e Berishës, ky veprim është fshehur në vazhdim.

Monday, April 16, 2007

Taksa e sheshtë e Berishës, sjell varfëri

Tiranë- Me siguri që taksa e sheshtë në pagën e kryeministrit nuk do të ketë efekt negativ përvec se heqjes së vetëm 10% të saj. Por për rrogat e tjera, nga minimale deri tek ato mesatare ky efekt do të jetë shumë herë më i ndjeshëm. Ndonëse qeveria ka deklaruar më së fundi vullnetin për të rritur pagat minimale, kjo në të vërtetë nuk do të jetë aspak një rritje për arsyen e thjeshtë se tatimi rritet në një vlerë prej 10 përqind për të gjitha pagat. Duke tatuar njësoj, me 10% edhe pagat e larta por edhe ato të ulta, kryeministri pretendon se po aplikon taksën e sheshtë. Në fakt kjo taksë nuk është vecse taksa e varfërimit. Taksimi me 10% i një page prej 20 mijë lekësh të reja është shumë, ndërsa nuk është efekt i njëjtë në pagën prej 2 milionë lekësh të vjetra të pagës së kryeministrit. Megjithatë, qeveria ka deklaruar gjithë vullnetin të nisë aplikimin e kësaj takse në të ardhurat. Kjo duket sepse deputetët e partisë në pushtet, duke dëgjuar fjalimet direktiva të kreut të qeverisë i shkojnë nga pas me projektligje të tipit të paraqitur nga Blerim Cela dhe Aleksandër Biberaj për vendosjen e taksës së sheshtë edhe në sektorin e ndërtimit. Në prezantim të parë me qëllimin për të shmangur abuzimet që bëhen në këtë sektor, por e thënë hapur edhe për të aplikuar taksën e varfërisë, efektet e të cilës do të ndihen shumë më tepër në familjet me të ardhura të pakta por edhe në ato me të ardhura të mesme.

Relacioni:Ndryshimi,per aplikim te takses se sheshte

Tiranë- Propozimi i bërë nga dy deputetët demokratë për ndryshimin e taksës së kalimit të pronësisë bëhet në kuadër të zbatimit të taksës së sheshtë. Kjo lexohet qartë në relacionin që i është bashkangjitur projektligjit, të kaluar në mënyrën më të fshehtë në komisionin e Ekonomisë edhe më parë varianti nuk është parë dhe nuk ka marrë mendimin e qeverisë. Ky duhet të ishte mëse i domosdoshëm për faktin e thjeshtë dhe të vetëm se ndryshimi i taksës së kalimit të pronësisë ka efekte të drejtpërdrejta në buxhetin e shtetit. Megjithatë projektligji është tashmë gati për t'i kaluar seancës parlamentare. "Në kuadrin e implementimit të parimit të taksës së sheshtë, është parashikuar qe edhe tatimi mbi të ardhurat personale nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme të barazohet me tarifën e tatimit mbi të ardhurat e tjera personale që taksohen me 10 përqind sikurse janë tatimi mbi interesat, dividentët, qeratë, të drejtat e autorit etj". Në relacionin e projektligjit, dy deputetët që kanë marrë përsipër propozimin e ndryshimit të taksës së kalimit të pronësisë, "betohen" se kjo bëhet në zbatim të vendimit të qeverisë për aplikimin e kësaj takse të sheshtë. Kjo sipas tyre do të sjellë shmangien e abuzimeve në sektorin e ndërtimit, "njohja si shpenzime të zbritshme të biznesit e vlerës së sipërfaqes së truallit që përdor shoqëria dhe taksimi konform ligjit edhe i asaj pjese të sipërfaqes që përfitohet nga pronarët e truallit". Në këtë pikë konsistonte edhe fjalimi i pak kohëve më parë të kryeministrit Berisha, për të justifikuar aplikimin e taksës së sheshtë edhe në këtë sektor, me siguri jo si një mënyrë për të shmanguar abuzimet, ashtu sic thuhet.

Projektligji - trajtim selektiv Qeverisë

Tiranë- Ka mjaftuar një fjalim i kryeministrit Berisha, që deputetët e tij të vihen në lëvizje për të hartuar një projektligj. Ky është shpjegimi i vetëm për ndryshimet që kërkohen të bëhen në taksën e kalimit të pronësisë. Jo më larg se 28 Marsi i këtij viti, kreu i qeverisë ka deklaruar se ndërtimi është një prej sektorëvë më informalë në vend, duke paralajmëruar masat që do të vinin më pas. "Lufta kundër kontrabandës është vetëm një aspekt i kësaj lufte që duhet të zhvillohet në çdo sektor. Ky vit është përcaktues i suksesit të qeverisë në luftën kundër informalitetit Ka informalitet në sektorë kryesore të ekonomisë. Informaliteti është i pranishëm në sektorin e ndërtimeve. Ka ndërtues, të cilët e blejnë tokën me 1 milionë $ sipërfaqen dhe mbushin dokumenta fallco sikur e kanë blerë me 40 mijë $ dhe këtë e bën për ti shpëtuar tatimeve të pronarit që u shiti tokën, duke mos folur pastaj për shitjet që kapin shifrën 1000 apo 1500 euro për metër katror, duke plotësuar dokumenta sikur shiten me 500 apo 600 euro për metër katror. Ky fenomen nuk është në shumicë, por mund të ndodhë në të ardhmen, duke dëmtuar ndërtuesit e ndershëm". Pas kësaj, vjen nisma e dy deputetëve të maxhorancës që kërkojnë të vënë kontrollin mbi këtë sektor, duke filluar nga taksa që paguan pronari i tokës kur ia jep një firme ndërtimi. Madje vetë qeveria do të vendosë edhe cmimet. Të paktën këtë tenton të bëjë projektligji, duke cuar të tjera kompetenca dhe njëherësh edhe para në duart e qeverisë. Llogaritjet do të jenë në dorë të saj, me vendosjen e cmimeve dhe kjo do të thotë trajtim selektiv për një pjesë të bizneseve të ndërtimit.