Showing posts with label kontrabanden e armeve. Show all posts
Showing posts with label kontrabanden e armeve. Show all posts

Sunday, April 13, 2008

25 pyetje për zotin Sali Berisha, në lidhje me Gërdecin dhe trafikun e armëve

Familja Mafioze "Berisha"
Nga Përparim HALILI - Mendojmë se është momenti, që kryeministri i këtij vendi, jo vetëm duhet të hetohet nga drejtësia shqiptare më së fundi për tragjedinë e Gërdecit. Por duhet t’i drejtohen edhe disa pyetje, të cilat shqiptarët i bëjnë përditë me shqetësim dhe me të drejtën e informimit që u mungon, që nuk u jepet nga “kulla” e qeverisë. Me këto pyetje, njerëzit duan të përcjellin kështu, një interesim tepër të madh, që nuk ka lidhje me një qytetar të thjeshtë të kapur me kobure pa leje, por me kryeministrin e vendit, i cili tashmë, gjendet i akuzuar jo vetëm nga media vendase, por dhe nga ajo ndërkombëtare. Ai gjendet tashmë edhe përballë detyrimit ligjor, për t’u hetuar për tragjedinë që nuk u krijua nga tërmeti, nga dalja e Drinit, nga shkarja e rrugës, apo shpërthimi i digës së Liqenit të Tiranës, por nga një aferë e rëndë korruptive, nga një skandal që lidhet me trafikun e armëve dhe me aktivizimin në punë të zezë e vrasëse, të fëmijëve dhe njerëzve të pakualifikuar për operacione speciale ushtarake të rëndësisë së veçantë.
Dhe kjo i ndodhi brenda kabinetit të tij qeverisës.
Pyetjet që po i bëhen përditë kryeministrit Sali Berisha nga qytetarët, kanë lidhje me faktin, që dëshmitë dhe deklaratat e atyre që janë përzierë në këto punë, përmendin edhe emrin e tij dhe të pjesëtarëve të familjes së tij, të afërmve të tij. Këto pyetje shpeshtohen dhe intensifikohen deri në këmbëngulje edhe për faktin, që kryeministri doli në parlament dhe deklaroi, se “nuk kishte asnjë lidhje me këtë aferë korruptive dhe trafik vrasës, që “shkuli nga rrënjët” një fshat, që vrau afro 30 persona, që plagosi 300 të tjerë dhe shkatërroi 3000 shtëpi e 600 biznese. Kryeministrin Berisha e pyesim, sepse në dëshmitë e tij, ai nuk u tregua i sinqertë, kur deklaroi publikisht në tempullin e ligjvënies, se “nuk e kishte dëgjuar asnjëherë, as emrin e fshatit Gërdec”, ku kishte ndodhur kjo tragjedi e rëndë. Ai deklaroi, se “nuk kishte asnjë informacion për rrezikun e ngjarjes që pritej”, ndërkohë që media i publikoi dokumentin dërguar atij, prej Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Kryeministrit i duhen bërë disa pyetje dhe po ia bëjmë 25 të tilla, mbasi ai duhet të jap disa përgjigje të sinqerta, të hapura, fundja edhe të detyrueshme, mbasi ai ka përgjegjësi dhe është personi Kushtetues, që në kohë paqeje kontrollon dhe drejton forcat e armatosura. Ai e anashkaloi edhe këtë detyrim. E mohoi edhe këtë pozicion. Kryeministrit i duhen bërë pyetjet, sepse ai, ende nuk ka dalë të kërkoj falje publike për lejimin e kësaj tragjedie. Atij i duhen bërë këto pyetje, sepse rezultoi në intervistat Trebickës, që djali i tij ka realizuar takime me të, duke biseduar në mënyrë të kundraligjshme për problemin e tregtisë së armëve dhe municioneve.

1. A ka qënë djali juaj Shkëlzen Berisha në Gërdec dhe përse?
2. Cili ka qenë motivi i takimit të fshehtë dhe të porositur i djalit tuaj, me tregtarin e armëve e municioneve, Kosta Trebicka?
3. A ka patur djali juaj lidhje me Ylli Pinarin?
4. A e keni në zyrë, korrespondencën e Shtabit të Përgjithshëm dhe informacionet e SHISH, në lidhje me trafikun, me aferat dhe rrezikun e Gërdecit?
5. A keni biseduar me Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, për këto inforamacione dhe a e keni urdhëruar, të mos futet në këtë problem?
6. Ku dhe kur është takuar djali juaj, me Diverolin?
7. A kishte pjesë fitimi familja juaj, nga aktiviteti i Gërdecit?
8. Sa herë ka shkuar djali juaj në Ministrinë e Mbrojtjes, me cilin dhe cilëve u është imponuar dhe përse?
9. Sa herë është takuar djali juaj me Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, ku dhe çfarë kanë biseduar?
10. A e dinit, apo vërtetë nuk e dinit, që ekzistonte punishtja e Gërdecit?
11. Përse qeshte Delijorgji kur ishte në pranga dhe kujt ia dërgonte atë buzëqeshje nga ekrani i mediave?
12. Po Ylli Pinari, me cilin komunikonte në pranga, duke bërë shenja drejt kamerës televizive?
13. Sa herë keni biseduar me Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu për Gërdecin dhe për çfarë e ka kërkuar ndërhyrjen tuaj në lidhje me trafikun e armëve?
14. Cili është raporti që ju ka sjellë kreu i bashkisë Vorë në lidhje Gërdecin?
15. Kur dhe ku e keni bërë takimin e fundit me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, për Gërdecin?
16. Kur do të shkoni të dëshmoni në organet e drejtësisë për ngjarjen e Gërdecit?
17. Sa herë keni bërë konflikt me djalin tuaj, në lidhje me shoqërimin publik me Delijorgjin, Pinarin, Trebickën?
18. Cili e autorizoi djalin tuaj, të takohej me Kosta Trebickën për punë “sekret shtetëror”?
19. A jeni atakuar me Topin për deklaratën e Oketës, duke e ngarkuar me përgjegjësi për Gërdecin?
20. A do të dorëzoni në prokurori, dosjen me letrat informuese të Gërdecit?
21. A është djali juaj në Shqipëri? Nëse po, a mund të dilni publikisht me të? Nëse jo, ku e keni nisur dhe përse?
22. A i keni dhënë urdhër Ministrit të Mbrojtjes Oketa, për të ngurosur materialet e tenderëve të trafikut të armëve?
23. A keni dijeni për zhvillimin e këtyre tenderëve dhe a duheshin bërë ato pa dijeninë tuaj si kryeministër?
24. A keni kontaktuar me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe a ka pranuar ai propozimet tuaja?
25. Shqiptarët presin dorëheqjen tuaj. Kur do ta jepni?

Marjan Gryka: PD ndihet e rrezikuar nga Berisha, ka braktisur vlerat e idealizmit politik e nacional


Azem Hajdari
Demokracia shqiptare po përjeton krizën absurde dhe kjo ndodh, për shkak të atyre që kanë bërë dhe po bëjnë politikat e këtij procesi të rëndësishëm për fatet e këtij vendi, zhvillimi social, ekonomik e politik i të cilit, ka qënë peng i izolimit, ndërsa tani i shkatërrimit. Në këtë proces, konstatohen probleme dhe të gjitha këto, na i sjell në vëmendje, zoti Marjan Gryka, President i Shoqatës Mbarëkombëtare Nacionaliste Demokratike “Azem Hajdari”:
Ju drejtoni një shoqatë nacionaliste e politike që ka emrin e heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Cili është kontributi i saj?
Kjo shoqatë, u krijua si domosdoshmëri për të përjetësuar dhe vazhduar idealet kombëtare e demokratike të Azem Hajdarit. Akti demokratik i Azem Hajdarit, për instalimin e pluralizmit politik nëpërmjet protestave studentore e më pas si politikan, janë vlera që meritojnë vëmëndje edhe sot, jo thjeshtë si kontribute. Ne i jemi përmbajtur këtij synimi dhe këtyre vlerave, duke mos lejuar askënd, kushdo qoftë në PD dhe jashtë saj, që të cënojë personalitetin e këtij formacioni të madh e të fuqishëm, të krijuar si pjesë integrale e PD, por që tashmë ka “pushtetin” dhe veprimtarin e vet.

Si duhet kuptuar deklarata, që shoqata që drejtoni ju, “ka pushtetin e vet”?
Edhe po të mos e deklaroj ynë këtë fakt, mesazhin e asaj që thashë më lartë e kanë kuptuar prej kohësh gjithë demokratët e ndershëm, gjithë nacionalistët, të gjithë ata që themeluan PD, ata që mbështetën Azem Hajdarin në lëvizjen e tij studentore dhe në veprimtarinë demokratike e nacionaliste, të gjithë ata që i besuan lidershipit të PD, i cili duhet thënë, se nuk e ka përligjur këtë ideal të madh të kësaj figure të madhe. Ne u futëm në “vijën” e demokracisë, me bindjen se do të kishim një shoqëri ndryshe, por në fakt nuk ndodhi kështu. Unë e kam ndjekur për 17 vjet politikën e këtij vendi, kam qënë dhe vazhdoj të jem pjesë aktive e saj, tashmë prej 9 vjetësh, në drejtimin e veprimtarisë së shoqatës “Azem Hajdari”. Jo vetëm unë, por të gjithë ata që kanë orientim idealin e Azemit, ndihen të motivuar për të mos u bërë pjesë e të keqes që ka pllakosur drejtimin politik të PD dhe praktikën qeverisëse të pushtetit të saj. Misioni ynë si drejtues dhe anëtarë të kësaj shoqate, ka pikë takimi vetëm me progresin dhe me idealin e pastër demokratik, duke shpërfillur pa asnjë ndrojtje, ata që e kanë harruar dhe që e kanë braktisur idealin e Azem Hajdarit e që fatkeqësisht ndodhen edhe në kupolën e PD.

A mund të shpjegoni motivimet tuaja, në këtë deklaratë?
Ne jemi një shoqatë që mban emrin e Aem Hajdarit. Krijimi i saj ishte vepër e demokratëve të vërtetë, që kishin besim tek ai, edhe pse u vra Azemi, por nuk u “vra” figura, kontributi dhe idealet e tij, të cilat vetë Azemi, nuk i shkeli asnjëhërë edhe pse u përballë shumë herë, me atë kontingjent ish-komunistësh fanatikë, të cilët edhe pse ishin (dhe janë pjesë e drejtimit të PD), nuk kishin asnjë ideal demokratik e nacionalist, përkundrazi kishin depërtuar brenda saj, si “desantë” të PPSH, për ta shkatërruar demokracinë dhe idealin e Azemit e të të gjithë studentëve dhe shqiptarëve, që përmbysën diktaturën komuniste. Sa për ilustrim, po përmend një merak të përhershëm që kishte Azem Hajdari, pranë të cilit kam qëndruar në çdo sekondë: Lufta për demokracinë dhe nacionalizmin është më e vështirë me këta që na pengojnë nga brenda, sepse kundërshtarët politikë, i njohim dhe dimë të pozicionohemi!

A është aktual ky merak i Azem Hajdarit edhe sot në PD, pra brenda linjës politike?
PO! Ato që ka deklaruar Azem Hajdari në lidhje me pseudodemokracinë dhe pjesën jo demokratike, prokomuniste dhe antishqiptare brenda PD, janë një realitet brenda këtij formacioni politik. Shoqata jonë, ashtu si Azemi është atakuar me këtë “skalion” që ekziston dhe madje drejton në PD. Me këtë shpjegohet edhe fakti, që shoqata që ne krijuam, nuk u prit mirë prej tyre, madje duhet thënë, se u tentua të shkatërrohej, të përbaltej, të mos ekzistonte. Dhe kur mbahet ky qëndrim ndaj një shoqate, që ka emrin e simbolit dhe krenarisë së demokracisë kombëtare, kuptohet që PD dhe lidershipi i saj, nuk e kanë patur “problemin” me emblemën dhe drejtuesit e saj, por me forcën e personalitetit që ka Azem Hajdari edhe pse e ndëshkuan me plumba disa herë, deri sa e vranë. Konfirmojë faktin, që disa herë kemi kërkuar mbështetjen e kreut të PD, zotit Sali Berisha, njeriut që çdo 12 shtator dhe 5 maj, çon lule dhe derdh lotë tek memoriali i Heroit Azem Hajdari. Por çuditërisht, nuk e kemi patur këtë mbështetje. Kjo ka krijuar rezerva, për të cilat edhe pse i është kërkuar shpjegim, ai nuk është shpjeguar asnjëherë. Dhe kjo mendoj, se nuk ka qënë dhe nuk është normale. Ne kur krijuam shoqatën e konceptuam dhe e deklaruam hapur, madje e kemi edhe në statut e në program, se nuk jemi parti paralele me PD, por pjesë integrale, forcë aktive e PD, mbështetës të Berishës, duke mbajtur si orientim idealin e Azemit. Ne e vazhduam dhe po e avzhdojmë këtë rrugë. PD, me sa kuptuam atëherë dhe me sa shohim tani, ka nisur tjetër rrugë dhe kjo është shmangie nga ajo që nisi në dhjetor 1990.

Cili është vlerësimi juaj për Sali berishën e sotëm?
Ne që krijuam PD si idealistë dhe që përmbysëm komunizmin si shqiptarë, që synuam një tjetër jetë me liri të plotë dhe me progres, pranuam që ta kemi Sali Berishën në krye të PD, duke menduar se kemi në krye një intelektual modern e jo një zyrtar politik, i cili në mënyrë graduale, dëshmoi dhe po dëshmon, se nuk po përmbush idealet e asaj lëvizjeje demokratike. Karriera e tij 17 vjeçare në krye të demokratëve, ka shumë “pika” që duhen pastruar. Ne këtë, nuk e arritëm dot në asnjë moment edhe pse kemi bërë presion të hapur e dashamirës për të ndërtuar një PD moderne, të hapur si mendim dhe veprim e jo si “stallë”, për t’u futur e për të përfituar karrieristët, sharlatanët. Ne kërkuam të ndërtonim një PD të demkratëve e jo të komunistëve. Ne kërkuam të kishim një PD pa klane, pa bërryla, pa përjashtime vlerash, pa mendësi komuniste në drejtim, duke iu përmbajtur idealit të Azem Hajdarit dhe të gjithë atyre që u ngritën sinqerisht dhe me sakrifica në dhjetor 1990. Por nuk mundëm dhe tashmë kemi një PD “larmane”, të kthyer në një ekip të ngushtë, që ka cënuar rëndë, madje që ka zhdukur nga përmbajtja e saj idealizmin e dhjetorit 1990, që ka nxjerr jashtë “shtëpie”, ata intelektualë dhe idealistë, që mbartnin dhe përcillnin vlera të shëndosha morale e politike.

A mendoni se duhet rihapur dosja “Hajdari” dhe ku duhet të nis kjo hapje?
Dosja e vrasjes së liderit të demkracisë shqiptare, simbolit të shoqatës tonë, mendoj dhe kam kërkuar në vazhdimësi që të hapet e të hetohet e plotë. Kjo duhet bërë sepse ajo dosje nuk i ka “fletët” e hetimit të bardha. Dhe kjo hapje, mendoj se duhet të nis nga dëshmia e kreut të PD, zotit Sali Berisha, i cili ka deklaruar se do të hap këtë dosje dhe se kur të vinte PD në pushtet, do të dëshmonte deklarimin e vrasësve të vërtetë të tij. tani është koha për këtë.

Cili është komenti juaj për zhvillimet e fundit politike?
Ne dëshirojmë të ketë paqe publike dhe mesa kemi konstatuar dhe provuar në këto 18 vjet demokraci ende në tranzicion, kjo përcaktohet nga politika. Situata aktuale politike në Shqipëri vazhdon të përjetoj një “duel” politik mes palëve, sikur të jenë dy grupe private. Kjo frymë konfliktuale, që herë zbutet dhe herë ashpërsohet, tregon se brenda politikës ka interesa që nuk përputhen plotësisht me interesat kombëtare. Kur flitet për zgjidhje politike, ka debat deri armiqësor mes palëve, ndërsa kur flitet psh, për strehimin, apo minimumin jetik, për pagat dhe pensionet, nuk ndihet askush. Opozita flet disi për të tilla probleme, ndërsa pozita, pra qeveria, vepron me veto.

Cili do të jetë në vazhdim, qëndrimi i shoqatës tuaj në raport me PD dhe me politikën në përgjithësi?
Ne e kemi të përcaktuar qëndrimin tonë si shoqatë. Përballë PD kemi këtë mesazh: të vlerësoj dhe të vazhdojë idealin e Azem Hajdarit. Përballë politikës në përgjithësi, kemi këtë pozicion: Opozitë me të gjithë ata që shkelin këto ideale.


PS: Berisha përgjegjës për kaosin me pronat në bregdet


Kaos Urbanistik ne bregdet
Nënkryetari i grupit parlamentar i partisë Socialiste, Erjon Braçe akuzon kryeministrin si përgjegjës për kaosin që ka përfshirë bregdetin e jugut për shkak të korrupsionit me pronat. “Agjencitë lokale të qeverisë po japin akte pronësie të pavërteta. Rehabilitimi i bregdetit po kthehet në një konflikt qeveri-qytetarë” është shprehur Braçe. “Pra situata është thellësisht kaotike në të gjithë bregun e jugut të vendit, situata është thellësisht joligjore nga e cila janë prodhuar akte pronësie të pambështetura në ligj. Ashtu siç e gjithë kjo situatë e paligjshme që ka si produkt konfliktin social mes njerëzve,pra midis banorëve dhe shtetit dhe pastaj midis banorëve dhe ish- pronarëve është hakmarrja e Sali Berishës për jugun e vendit dhe atë që jugu i vendit vendosi në raport me Sali Berishën në vitin 1997” ka sqaruar Braçe. Sipas tij, kryeministri Berisha po hakmerret ndaj jugut për shkak të ngjarjeve të vitit 1997. “Siç e dini nën veprimin e ligjit 9501 edhe në këtë pjesë të vendit janë shpërndarë tapi të pronësisë mbi tokën. Por pa referencë ligjore, pa dalë ligji ende për zgjidhjen e këtij problemi, shoqërohet edhe me hartat që janë për vendosjen e sipërfaqeve apo parcelave të tokës të dhëna në përdorim, zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ka regjistruar këtë tokë të dhënë në përdorim me një status të përcaktuar sipas ligjit deri tani e këtyre familjeve, e ka regjistruar në emra të tjerë që këta thonë që janë ish- pronarë. Këtu është një tjetër akt i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të pronave që i referohet Gjykatës” tha Braçe. “Për fat të keq, vijoi ai, kjo situatë është rënduar gjatë javës që shkoi, pasi qeveria ka miratuar me anë të një vendimi për çdo rreth sipërfaqe tokash që ata pretendojë që janë të lira, në komuna apo në zona të ndryshme, tashmë duke e rezultuar gamën. Por ne na rezulton që janë këto toka që janë në përdorim, jo vetëm në bregun e detit, bregun jugor të vendit por edhe në rrethe të caktuara, si për shembull unë njoh fare mirë situatën në Berat, ku ka toka të dhëna në përdorim në të cilat janë ndërtuar sera, janë ndërtuar objekte të tjera dhe biznese gjatë këtyre dhjetë viteve. Kështu, do të jetë shumë e vështirë për të transferuar atë që ka qenë në përdorim deri tani tek ajo që do kthehet në pronësi”. “Pra duke konkluduar do të doja t’ju thoja që është një veprimtari thellësisht e pambështetur në ligj. Është një veprimtari që po prodhon një konflikt social të shtrirë në gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm në bregun e jugut të vendit. Është një veprimtari që po fut në një konflikt të jashtëzakonshëm social, banorët e zonave që e kanë patur tokën në përdorim prej më shumë se dhjetë vitesh, me shtetin që është pala tjetër që po ndërhyn në këtë proces. Kjo është e gjitha dhe natyrisht që është një moment shumë i mirë reflektimi për parlamentin, në çastin kur ligji për titujt e pronësisë do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë, për të zgjidhur me sa mundet një konflikt që po troket me përmasa shumë të mëdha” pohoi Braçe. Nuk e di së sa do të mundet ligji ta zgjidhë këtë gjë, por kam dyshimin e fortë që ajo situatë që ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve me çështjen e pronave, mosmarrëveshje edhe brenda familjes, do të zgjerohet akoma më tej në rast se këta banorë të këtyre zonave që e kanë patur tokën në përdorim prej dhjetë vitesh, të vihen ë raport të drejtpërdrejtë me të tjerë. Pra tashmë qeveria po i fut në një konflikt të tillë social marramendës” përfundoi Braçe.

Saturday, March 22, 2008

6 arsye pse presidenti duhet të kërkojë arrestimin e Berishës


Ngjarja e rëndë e Gërdecit, precipitoi me një krim tipik kriminal në llojin e vet, nisur nga motive financiare, të grupeve të pista të interesave mafioze, të cilat ishin dhe mbeten të lidhura me fijet e njerëzve të lartë të pushtetit aktual që drejtohet dhunshëm dhe pa asnjë përgjegjësi, nga shefi i këtij pushteti banditesk, Sali Berisha. Tragjedia është “arritje” e qeverisë aktuale të “duarve të pastra”, ata që drejtojnë dhe menaxhojnë “qeverinë shpk”, të komanduar nga (S)ali Baba, nga ministri i i tij i përkëdhelur Fatmir Mediu, nga ministri i tij i piramidave,Ridvan Bode dhe nga lukunia e hajdutëve të këtij pushteti. Kryeministri i këtij vendi, Saliu i vitit 1997, duket se nuk ka zënë mend nga tragjeditë e krijuara prej qeverisjeve dhe opozitave të tij, përgjatë 17 vjetëve. Këtë marrëzi të tij të radhës, që nuk ka lidhje fatkeqësie me familjen Berisha, por direkt me shoqërinë shqiptare, duket dhe mendojmë, se ka ardhur momenti që ta “kryqëzojë” shteti. Rrugë tjetër nuk ka. Dhe këtë rrugë, të dobishme për shpëtimin e shoqërisë shqiptare nga ky individ megaloman, demagog, mashtrues dhe ushtrues dhune sistematike gjatë drejtimit të pushtetit dhe opozitës, ka detyrimin kushtetues, që ta ta “bllokoj” Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, duke i vënë “byzylykët” këtij aventurieri lodhës për shqiptarët, që njeh si të vetmen normë publike, qeverisjen sipas “kodit zakonor bajraktar”, duke shpërfillur institucionet e shtetit, të pushtetit dhe ligjvënien. Nuk e dimë nëse kreu i shtetit Topi do të përmbush këtë detyrim kushtetues, si president i republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, si kryetar i këshillit të Lartë të Drejtësisë, por dimë faktin, që ish-shefi i tij politik Sali Berisha duhet të përgjigjet përballë ligjit. Edhe pse ai ka krijuar shumë drama njerëzore dhe ekonomike për këtë vend e për këtë popull, nuk ka dhënë asnjehërë llogari, as në mënyrë protokollare e jo më ligjore. Tashmë gjendemi në një moment, që jo vetëm xhepistët e autobusëve të linjës “kombinat-Kinostudio”, por dhe zyrtarët dhe politikanët e lartë të vendit, duhet të gjenden përballë ndëshkimit të ligjit, pa asnjë tolerancë. Sepse, gjendemi në mënyrë të shfrenuar, përballë aferave korruptive, interesave financiare dhe poseduesve e firmave të armëve, të rrugëve, të shkollave, të spitaleve etj., që Berisha i ka bërë “kumbarë” në aktivitetin e tij dhe të familjes së tij, për të përfituar sa më shumë miliona dollarë. Rasti konkret, kur presidenti i Republikës duhet të ndërhynte fuqishëm është shpërthimi dhe humbja e jetëve të qindra punonjësve, që rropateshin brenda fabrikës vrasëse për një copë bukë. Normalisht, ne shqiptarët jemi mësuar me tragjedi të rënda deri të këtij lloji, shkak i të cilave është vetëm qeveria e Berishës. Por nuk ka patur asnjëherë rezultat konkret, përkundrazi, ka patur vetëm fjalë boshe që dalin nga zyrat e pushtetit dhe “avullojnë” shumë shpejt. Kështu po ndodh realisht këto ditë, pas tragjedisë së Gërdecit, ku nuk dihet, se sa jetë njerëzish janë zhdukur. Kryeministri shqiptar Sali Berisha, njeriu i cili mendon, se ka nën kontroll këtë vend dhe që po konfirmohet, se po e përdor si sulltanat të tij, vazhdon të jetë pjesë e shkaktimit dhe mbulimit të krimit të ndodhur në Gërdec. Në fakt, përballë këtij realiteti, që denoncon “dorën” e Berishës brenda skandalit dhe këtij krimi të rëndë, që tronditi dhe mbarë botën, kryeministri duhej të jepte dorëheqjen e padiskutueshme. Ai nuk po e bënë këtë akt të fundit që i ka mbetur, për t’ua servirur shqiptarëve të lodhur prej tij dhe politikave të tij dështake e të qëllimshme, për të mbajtur peng politikën. Berisha deklaroi, se nuk dinte asgjë në lidhje me katastrofën ushtarake të Gërdecit. Kjo është absurde. Si është e mundur, që kryeministri i një vendi, nuk di se çfarë bëhet me ushtrinë e tij? Si është e mundur, që kryeministri i një vendi, të ketë të implikuar të birin, në afera të tilla, me pasojë krimin njerëzor dhe të hiqet sikur nuk di asgjë?! Këtyre pyetjeve duhet t’u jap përgjigje emergjente, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare, presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, qëndrimi i të cilit, nuk duhet të jetë shpërfillës. Presidenti duhet të jap urdhër, për arrestimin urgjent, të kryeministrit Sali Berisha, për 6 arsye madhore:
1. Berisha ka lejuar, që nën qeverisjen e tij, të bëhet trafik armësh dhe kjo është e konfirmuar nga faktet e denoncuara publikisht.
2. Berisha, për shkak të këtij trafiku armësh edhe duke prishur embargo ushtarake, ka lejuar, që ky trafik të bëhet shkak për shpërthim municionesh, në një zonë masive të banuar të Tiranës.
3. Berisha,vazhdon të mbulojë krimin, duke mohuar dijeninë për ekzistencën e një qendre të tillë trafiku, të asgjësim-tregtimit të municioneve.
4. Berisha, për shkak të lidhjeve me këtë biznes të pisët dhe me rrjetin e mafies së tij, ka lejuar që në Aeroportin Civil “Nënë Tereza”, ky rrjet, në kundërshtim me ligjin, të transportoj materiale ushtarake kontrabandë, me cilësimin “Trafiqe të rënda”.
5. Berisha ka fshehur në seancën parlamentare, lidhjet e djalit të tij, me rrjetin mafioz të trafikut të armëve dhe municioneve.
6. Berisha, për shkak të lejimit të këtij trafiku, ka shkaktuar afro 130 viktima në njerëz (deri tani 21 të deklaruar) dhe dëmtimin e afro 3000 shtëpive dhe bizneseve, si dhe ka lënë gjendje, 25 kilometër katrorë zonë të militarizuar me predha.


Sali Berisha, në pranga për krimin shtetëror të Gërdecit




Nga Spartak BRAHO - Ngjarja e rëndë e Gërdecit, vrasja me dashje e mbi 20 qytetarëve ,plagosja e qindra të tjerëve dhe dëmi qindra milion euro, tentativat për t’ju fshehur krimit ,manipuluar apo zhdukja e provave dhe kërcënimet ndaj medias dhe protestuesve ne Vorë janë flagrante.
Falë medias dhe strukturave të tjera po zbulohen çdo ditë fakte e prova të reja.
Tre arrestimet e atyre që vetëm hapin ciklin kriminal të biznesit vrasës, apo I bishtave të kartelit mafioz që përgatiti, realizoi këtë tragjedi kombëtare, nga Prokuroria deri tani janë qesharake.Janë të pamjaftueshme edhe “ftesat” për të thirrur FBI-në në ndihmë të hetimit nga zonja Prokurore e Përgjithshme. FBI-ja, CIA, Pentagoni Qeveria amerikane apo ambasada kanë kohë dhe tashmë janë shprehur se do veprojnë, pasi s’kanë më durim të shikojnë “marifetet”e kartelit kriminal të tregtisë së armëve me në krye Sali Berishën.
Çështja është pse nuk veprojnë me shpejtësi, por edhe me kujdes organet tona të gjurmim-hetimit, kur krimi i rëndë dhe pasojat janë flagrante, kur dihen edhe autorët?
Tashmë kemi parë të dorëzuar vetëm Ministrin e Mbrojtjes i cili e ka kuptuar situatën në të cilën ndodhet. Ai e kuptoi se edhe Kryeministri e “shiti”,por ndërkohë hierarkët e lartë të ushtrisë janë “zhdukur”!! Ushtria, mbrojtja dhe siguria e vendit, armatosja apo çarmatosja, militarizimi apo çmilitarizimi dhe të gjitha aktivitetet që zhvillohen në këtë kuadër e në këtë funksion janë monopol i vetëm i shtetit, ku Presidenti si komandant i përgjithshëm, dhe Kryeministri si i ngarkuar direkt me drejtimin e tyre, së bashku me Ministrin e Mbrojtjes (citoj nenin 169/1 të kushtetutës)- kanë për detyrë të monitorojnë çdo gjë në fushën e Mbrojtjes. Shit-blerja,tregtimi,marrëveshjet, transaksionet, lëvizjet, vendosja, zhvendosja, ruajtja, përqendrimi,apo mënyra e përdorimit,të armëve dhe municioneve pra krejt inventari i kësaj pasurie shtetërore,apo më tepër edhe një proces i rrezikshëm si ai i demolimit të armatimit, janë procese që zhvillohen siç i ka parashikuar ligji, nën ndjekjen dhe kontrollin e strukturave shtetërore të ushtrisë.
Por çfarë ka ndodhur me qeverinë shqiptare? Berisha justifikohet se Qeveria e tij nxori për ketë qëllim një Vendim në 15/03/2008 ku Qeveria kishte parashikuar këto rregulla. Por kush e kontrolloi zbatimin e tij?Ajo tërë këto funksione ja la në dorë një apo disa kompanive private të dyshimta dhe mafioze.
Qëllimi?!-realizimi i një afere korruptive shit-blerje armësh apo skrapi.
Pasojat?!-Tragjike në aspektin e humbjeve materiale e njerëzore, por tragjike edhe në aspektin politik e moral.
Një aradhë e tërë shtetarësh, politikanësh, zyrtarësh, partish me në krye Sali Berishën Kryeministër më e pakta janë përzier direkt apo me mosveprime në këtë krim shtetëror, pasi mafia është bërë ortake me qeverinë dhe në rastin konkret i është imponuar asaj.
Deri tani, në daljet publike si edhe në Kuvendin e Shqipërisë, Berisha dhe Mediu kanë pranuar atë pjesë të krimit që lidhet me mos veprimin, me neglizhencën, me formën e padijenisë etj. Qofte edhe kaq, asnjë shtetar serioz nuk mund te justifikohet se nuk njeh Kushtetutën, se nuk njeh ligjet, se nuk njeh urdhrat apo udhëzimet, se “ ja kane fajin te tjerët , paraardhësit” etj. Një kryeministri serioz nuk i lejohet te shkele kushtetutën nga pakujdesia, se nuk i njeh atë dhe ligjet. Ne çdo rast, me dashje apo pakujdesia, kur ai i shkel ato, shpërdoron detyrën, pasi nuk ka ushtruar funksionet me te cilat është ngarkuar ti kryejë. Qofte edhe për kaq, kur këto shkelje apo shpërdorim te detyrës nuk kane sjelle pasoja, më e padiskutueshme është largimi dhe dorëheqja nga detyra dhe funksionet.
Por ngjarjet e Gërdecit dhe pasojat e renda tragjike që lidhen me to, rrjedhojë e këtyre shkeljeve te renda ne ushtrimin e detyrës dhe funksioneve nuk kalohen me dorëheqje. S’ka imunitet politik apo ligjor qe ti mbroj ato. Po le të vijmë tek akuza që rëndon sot tek Berisha Kryeministër ( themi sot, pasi nuk e dimë çdo dalë nesër). Berisha nuk mund të përgjigjet për ato akuza që ka ngritur prokuroria për Pinarin, Delijorgji etj, “për shkelje të rregullave të trajtimit të municioneve”! Ai përgjigjet dhe duhet të përgjigjet për shkelje të rënde te Kushtetutës, te ligjit “ Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, “ Për forcat e armatosura”, “ Për strategjinë e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare” etj, duke shpërdoruar rëndë detyrën si Kryeministër pasi ato kanë sjelle pasoja të renda tragjike, nder të cilat vrasjet masive te shtetasve, humbjet materiale të pasurisë te tyre dhe të pasurisë shtetërore.
Neni 169/1 i Kushtetutës së Shqipërisë e ngarkon Kryeministrin dhe Ministrin e Mbrojtjes të ushtrojë drejtimin direkt te forcave te armatosura, detyrë kjo e deleguar ne kohe paqe për ta nga Presidenti i Republikës.
Neni 102 i Kushtetutës e ngarkon kryeministrin të sigurojë zbatimin e legjislacionit dhe të politikave të miratuara nga Këshilli i Ministrave si dhe të kontrollojë çdo hallkë të punës së Ministrave apo të insitucioneve të tëra.
Edhe ligjet funksionale të Këshillit të Ministrave, Forcave të armatosura, të strategjisë ushtarake e ngarkojnë Kryeministrin me detyra specifike në fushën e organizimit dhe kontrollit të veprimtarisë të strukturave ushtarake. Por a i ka zbatuar Berisha këto detyrime kushtetuese dhe ligjore? Prognoza dhe analiza e deri tanishme pa dyshim që thotë jo. Dhe këtë fakt ai e ka pohuar vetë. Çështja është se Berisha është problematik i rrezikshëm nga pikëpamja ligjore, se ai po përpiqet ta shpërndajë përgjegjësinë e krimit dhe pasojat tragjike që rrjedhin prej tij. Se ai po justifikohet me padijeninë dhe paditurinë e tij, me mos funksionimin e strukturave vartëse të tij etj. Apologjia justifikuese e tij fsheh dhe tendencën për të zvogëluar përgjegjësinë e pse jo edhe për të bërë presion e manipuluar provat. Rrethimi policor i Vorës prej një jave dhe presioni ndaj medias dhe njerëzve që protestojnë atje nga deputeti i zonës e njëkohësisht Kryetari i Grupit Parlamentar te PD, Astrit Patozi, e dëshmojnë këtë.
Në këto kushte ( pa dashur të ndikojë në punën e Znj Ina Rama si Kryeprokurore apo Prokurorëve të sapo emëruar që merren me hetimin e ngjarjes ) është e domosdoshme që të sygjerohet që ata të mos merren vetëm me “ çirakët”. Berisha është “Ustai” i madh i tyre. Ai duhet të ulet në gjunjë me duar përpara Prokurorëve për të dhënë llogari. Vetëm ligji do ta pastrojë politikën.
Kohët kanë ndryshuar po ashtu dhe rrethanat. Berishën nuk e shpëton dot tani as ndonjë amnisti e stisur si ajo e vitit 1997 as zemërgjerësia e Nanos e vitit 1998 e as ndonjë “ aleat” që i rreh shpatullat në këto ditë qameti.

Wednesday, March 19, 2008

Ja se si Berisha, i biri Shkëlzeni dhe Mediu janë implikuar në kontrabandën e armëve


Nga Gary Kokalari - Në një letër drejtuar ish-kryeprokurorit Sollaku dhe pasueses së tij Ina Rama një nga njerëzit më aktivë të diasporës në Amerikë, Geri Kokalari, lëshon akuza të rënda për krerët e qeverisë të cilët janë të përshirë në kontrabavndë armësh dhe korrupsion skandaloz. Në këtë letër drejtuar kryeprokurores së Republikës zonjës Rama, zoti Kokalari implikon kryeministrin e qeverisë Sali Berisha, ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu si dhe shumë funksionarë të tjerë të qeverisë të cilët janë përfshirë në këtë aferë skandaloze kontrabande armësh.Duke botuar të plotë letrën e Geri Kokalarit nuk duam të ndërhyjmë në detaje të tjera, pasi të gjitha akuzat i sqaron më së miri letra e tij drejtuar kryeprokurores Rama. Ja çfarë thotë në letrën e tij zoti Kokalari:
“Unë kam komunikuar me z. Kosta Trebicka, President i Xhoi, SHPK, për disa akuza që lidhen me një kontratë të qeverisë Amerikane, për të blerë municione që dërgohen në Afganistan dhe për pjesën e kësaj kontrate, që po plotësohet me municione nga tepricat e municioneve ushtarake të Shqipërisë. Z. Trebicka më ka informuar se ai ka qenë një nënkontraktues në këtë transaksion; si rrjedhim, kjo i ka dhënë atij mundësinë që të kontaktojë me palë të ndryshme të përfshira, përfshi Presidentin e AEY, kontraktori Amerikan. Megjithëse nuk jam në pozicion që të verifikoj të gjitha akuzat e zotit Trebicka, informacioni që ai më ka dhënë duket i mjaftueshëm, i rëndësishëm për ta sjelle këtë çështje në vëmendjen tuaj për hetim të mëtejshëm. Informacioni dhe akuzat në lidhje me këtë çështje janë si më poshtë. AEY Inc., është një kompani e bazuar në Miami, që merret me biznesin e metalit dhe riciklimit të tij, po gjithashtu ka një licencë për të bërë transaksione në lidhje me armë qitje dhe municione. Presidenti i AEY është Efraim Diveroli, i cili besoj se është qytetar amerikan. Kohet e fundit, AEY ftoi një kontratë $300 milionë me qeverinë Amerikane për të furnizuar me armë, ushtrinë Afgane.
(http://www.defenseindustrydaily.com/298m-to-aey-for-ammo-in-afghanistan-03152/ ). Bashkangjitur është një kopje e një pjese të urdhrit të blerjes që kam marrë nga zoti Trebicka. Sa për informacion plotësues, në sajë të përfshirjes ruse në Afganistan, ushtria Afgane është akoma shumë e varur nga armët e prodhuara apo projektuara në Rusi. Për shembull, ushtria Afgane përdor AK-47, që sigurisht kërkon municion rus. Një pjesë e kontratës së AEY është duke u përmbushur nga municionet e tepërta, të magazinuara në Shqipëri. Me ç'di unë, këto municione janë prodhuar në Kinë, sipas specifikimeve ruse, janë të ambalazhuara me etiketa kineze dhe iu dhanë Shqipërisë gjatë periudhës kur Kina kishte marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë komuniste. Për këtë arsye, Ephraim Diveroli, Presidenti i AEY, kontaktoi Meico ( http://ëëë.mod.gov.al/eng/industria/meico.asp ), departamentin e Ministrisë së Mbrojtjes që është i përgjegjshëm për eksportimin e armëve, që të sigurojë një pjesë, apo të gjithë sasinë e armëve për pjesën e nënkontratës me Shqipërinë. Sipas z. Trebicka, pasi kontaktoi me Ylli Pinarin, drejtorin e Meicos, Diveroli u informua që municionet duhet të blihen nga agjenti i Meicos, Edvin, një kompani qipriote, që me ç'di unë është në pronësi të një biznesmeni zviceran, të cilin z. Trebicka e ka identifikuar si z. Henri Tomei (që ka mundësi të jetë i njohur nga Interpoli-sidoqoftë, këtë informacion nuk e kam të verifikuar). Me ç'kuptoj unë, roli i vetëm i kompanisë Edvin në këtë transaksion ishte që të faturonte AEY dhe pastaj të paguante Meicon për municionet. Sipas zotit Trebicka, Edvin nuk u morr me transportin apo me ndonjë aspekt tjetër të transaksionit-gjithsesi, faturat e Edvinit ishin 100% më shtrenjtë se çmimet e Meicos. Pinari është në vartësi të Fatmir Mediut, Ministrit të Mbrojtjes, dhe mbase raporti midis Edvinit dhe Meicos është brenda rregullave dhe i është bërë transparent qeverisë shqiptare. Nëse jo, atëherë është e mundur që ky ndërmjetës po përdoret si vegël në mënyrë që diferenca e çmimit të përdoret për të kompensuar qeveritarë të cilët, bazuar në diskutimet midis Diverolit dhe Trebickës, mund të përfshijnë Mediun dhe kryeministrin Sali Berisha. Duhet përmendur që Trebicka beson që e gjithë kontrata $300 milionësh mund të përmbushet në Shqipëri, që do të thotë se po të përdorim të njëjtat përqindje si më lart, ky transaksion mund të rezultojë në më shumë se $100 milionë në përfitim të pastër, që mund të ndahet midis Edvinit dhe palëve të tjera.
Një artikull nga ‘The Telegraph’ (http://www.telegraph.co.uk/news/main.jhtml?xml=/news/2006/05/22/warms22.xml ) shkruante që Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë ushtrinë Afgane të magazinojë sa më shumë armë ruse, në rast se administrata e re e amerikanëve, a pas zgjedhjeve vendos që Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen nga Afganistani. Më kanë thënë që transaksioni me Rusinë nuk u bë asnjëherë sepse Amerika nuk donte të shihesh sikur po blinte armë nga rusët. Sidoqoftë, bazuar në sasinë pothuaj identike të kontratës së AEY, duket sikur kjo kontratë shërbeu si zëvendësuesja e asaj që mund të bëhej në Rusi. Duke qenë se ambalazhimi ishte në gjuhën kineze dhe shumë i rëndë (gjë që do të shtonte shumë koston e transportit në Afganistan), AEY kontraktoi me një kompani që të bënte riambalazhimin. Për këtë arsye AEY bëri një kontratë me Xhoi, SHPK (kontrata është e bashkangjitur), një kompani shqiptare që merret me ambalazhime dhe që është pronë e Kosta Trebickës. Pasi Xhoi filloi punë me këtë projekt, Trebicka mësoi nga faturat që ai merrte te Banka Amerikane e Shqipërisë, municioni po blihej nga Edvini për $22 për 1000 fishekë dhe pastaj i shet AEY për $40 për 1000 fishekë. Pasi morri vesh këtë, Diveroli u shqetësua shumë sepse Edvini, një kompani që qeveria shqiptare i kishte kërkuar që të bashkëpunonte si ndërmjetës, po i shtonte kostot e transaksionit. Trebicka thotë që, Diveroli protestoi te Pinari për ndërmjetësimin e detyruar të Edvinit në transaksion dhe për çmimin e fryrë si dhe kërkoi një takim me Ministrin Meidiu. Sipas Trebickës, kërkesa e Diverolit u hodh poshtë. Më vonë Diverolin, e çuan në një takim me Pinarin, Mihal Delijorgjin dhe një burrë tjetër të paidentifikuar, dhe në këtë takim iu sugjerua që nëse Diveroli nuk do të bashkëpunonte me Edvinin, kontrata e tij ishte në rrezik. Me ç'kuptoj unë Delijorgji përshkruhet nga disa si një biznesmen me lidhje me Meico, po disa të tjerë kane thënë që ai ka një histori kriminale, gjë që ju mund ta verifikoni kollaj. Më vonë, mbase në një përpjekje për ta frikësuar, Trebicka më tha, që Pinari i tha Trebickës që ai duhet ta mbante gojën e mbyllur sepse njeriu i tretë i paidentifikuar ishte Shkëlzen Berisha, djali i kryeministrit Sali Berisha. Sipas Trebickës, kjo ngjarje bëri që Diveroli të kontaktojë ambasadën Amerikane në Tiranë, dhe si rezultat, u organizuar një takim në ‘Sheraton Tirana’ që përfshinte Diverolin, Trebickën, Robert Newsome, një diplomat në ambasadë, Mr. Meyer, i cili më duket se është atasheu ushtarak, dhe një grua shqiptare që është punonjëse e ambasadës. Kur Diveroli i tha atyre ngjarjen, Newsome i tha Diverolit, që ai nuk ka pse të shqetësohet sepse ambasada ka marrëdhenie të shkëlqyera me qeverinë shqiptare dhe premtoi që do ta diskutonte këtë me ministrin e mbrojtjes. Trebicka më tha që pas këtij takimi, Diveroli dhe Trebicka folën me Newsome në telefon, dhe Neësome i tha atyre që ai nuk donte të krijonte ndonjë problem me qeverinë shqiptare dhe se ambasada nuk do të ndërhynte. Pavarësisht nëse kjo është shfaqje indiferentizmi nga ana e këtyre zyrtarëve të ambasadës, nëse këto akuza janë të vërteta, këta zyrtarë kanë detyrim që të raportojnë këtë informacion autoriteteve përkatëse amerikane, dhe nëse nuk e kanë bërë apo nëse janë munduar ta fshehin informacionin mund të kenë shkelur ligje të ndryshme të Amerikës. Unë mund t'ju them nga përvoja ime në marrëdhëniet me Departamentin e Shteti dhe ambasadën amerikane në Shqipëri (si dhe zyrtarë të tjerë të shtetit amerikan), se në sajë të bashkëpunimit të Shqipërisë për çështje më të mëdha, si lufta kundër terrorizmit apo stabiliteti rajonal, qeveria amerikane ka qenë mëse e predispozuar të bëjë syrin qorr përsa i përket korrupsionit të qeveritarëve shqiptarë. Një shembull perfekt për këtë është rasti i Fatos Nanos, i cili gjithashtu bashkëpunoi me Amerikën duke dërguar trupa në Irak dhe në Afganistan. Përveç informacionit shumë specifik që unë i dhashë qeverisë amerikane për llogari bankare, që unë besoj janë ilegale me Credit Suisse, gjë që mua mu tha nga një punonjës i Credit Suisse, qeveria amerikane nuk bëri gjë me këtë informacion. Sidoqoftë, situata e tanishme ndryshon në atë që, përveç mundësisë për korrupsion midis zyrtarëve shqiptarë, ky transaksion mund të shihet gjithashtu si një skemë për të vjedhur nga taksapaguesit amerikane sepse mesa duket pagesa e një shume të madhe e të panevojshme, e cila kërkohet si rezultat i përfshirjes së Edvinit si ndërmjetës nga Meico, po bëhet nga qeveria Amerikane. Më poshtë është një kopje e një e-mail nga Kosta Trebicka, që i përgjigjet pyetjeve të mia dhe mund të paraqes një përmbledhje të ngjarjeve që lidhen me këtë çështje. Gjithashtu ka kopje të e-mailave në mes Trebickës dhe Diverolit si dhe ka kopje të një e-mail datuar 9 Maj nga Pinari për AEU në lidhje me marrjen e një sasie municioni në aeroportin e Rinasit, në të cilën është cc- dhe Edvin dhe Trebicka, gjë që vërteton lidhjen midis tyre dhe kompanisë Edvin. Gjithashtu bashkangjitur ka kopje të dokumenteve që kam marrë nga Trebicka, përfshi një kontratë midis AEY dhe Xhoi. Një urdhër blerje nga AEY dhe një transkript të një telefonate midis Trebickës dhe Diverolit, sipas Trebickës. Gjithashtu bashkangjitur janë bashkëbisedimet në audio të incizuara nga Trebicka. Jam i sigurt, që aty është zëri i Trebickës, po nuk mund të garantoj që zëri tjetër është i Diverolit sepse nuk kam folur ndonjëherë me të. Midis deklaratave të thëna nga Diveroli (paramendoj që ky është Diveroli në bazë të asaj që më thotë Trebicka) janë këto: "Pinari është ose mafioz, ose punon për mafian", "Pinarit i duhet një njeri si Henri (Tomei/Edvin) si ndërmjetës në mënyrë që të rregulloje punët e tij dhe të shokëve të tij", "kjo çështje po shkonte lart e më lart deri te kryeministri dhe djali i tij". Ju duhet ta dini që unë e njoh Fatmir Mediun, kemi pasur marrëdhënie të ndryshme në vite, dhe në vjeshte të 2006 unë e akuzova publikisht për përfshirje nëe afera korruptive. Kopja e një letre të hapur, që i dërgova Fatmir Mediut në lidhje me këto akuza mund të shihet këtu:
http://ëëë.albca.com/aclis/modules.php?name=Neës&file=article&sid=1050 . Ky informacion është shpërndarë gjithashtu me zyrtarë të rëndësishëm amerikan që merren me Shqiperinë, përfshi Departamentin e Shtetit, FBI, CIA dhe disa anëtarë të Kongresit. Mediu bëri një "shoë" publik, kur doli në një televizion shqiptar dhe në vija të trasha tha, "Unë nuk jam i korruptuar". Pavarësisht nga deklaratat e Mediut, që "dhuratat" e përmenduar kanë vlerë të vogël dhe se ai ja dhuroi ato medias, me aq sa di unë, ato asnjëherë nuk janë vlerësuar nga një profesionist i pavarur. Me sa di unë që nga ngarkesa e parë që u plotësua nga AEY me Xhoin si ambalazhues, janë bërë dhe disa ngarkesa të tjera. Gjithashtu, me ç'di unë, pas ngarkesës së parë, Xhoin e kanë larguar nga transaksioni dhe Meico e ka zëvendësuar atë me një kompani që kontrollohet nga z. Delijorgji. Ju, gjithashtu duhet të dini se z. Trebicka më vuri në dijeni të kësaj çështje sepse, përveç që jemi takuar në të shkuarën, siç mund ta dini, unë kam qenë përfshirë në shumë përpjekje për të ekspozuar korrupsionin e qeveritarëve në këtë qeveri apo të shkuarën. Unë gjithashtu kam ekspozuar parregullsi në sektorin e Telekomit në Shqipëri. Për mendimin tim, ndër pikat që duhet të hetohen në lidhje me këtë çështje janë:
1. A po paguan qeveria Amerikane shumë më tepër sesa duhet për municionet e blera në Shqipëri? Duke pasur parasysh mbështetjen financiare që qeveria Amerikane ka dhënë për Shqipërinë, qeveria Shqiptare e ka për detyrë të sigurohet që nuk po abuzon me taksapaguesit amerikan. Sipas një burimi, momentalisht çmimi për municion në Evropën Lindore dhe në Rusi për AK47 është $22 për 1000 fishek. Nëse zyra juaj gjen abuzime, me gjetjet duaja duhet të informohen gjithashtu Departamenti i Drejtësisë në Amerikë, Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes në Amerikë, dhe Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes në Kongres.
2. A e ka vënë Meico kompaninë Edvin apo ndonjë kompani tjetër si ndërmjetëse? Nëse po, përse? A di ndonjë nga Presidenti, Kryeministri, Ministri i Mbrojtjes apo parlamentarët për këtë marrëdhënie dhe a e kanë aprovuar ata, atë? A ka Edvin ndonjë lidhje me Fatmir Mediun, Ylli Pinarin, Mihal Delijorgjin, Sali Berishën ose Shkëlzen Berishën? Në mënyrë që të përcaktohet nëse ka ndonjë lidhje mes tyre, zyra juaj duhet të kontrollojë transfertat elektronike ose transferta të tjera që kanë ndodhur midis Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin, AEY dhe mbase disa nga individëve që thuhet se janë përfshirë në këtë çështje.
3. A është zëri në incizimet e bëra nga Kosta Trebicka, i Efraim Devirolit? Nëse po, akuzat e bëra në këtë incizim duhet të hetohen plotësisht dhe Diveroli duhet të thirret për pyetje.
4. Dikush nga zyra juaj duhet të takohet me Kosta Trebickën, për të diskutuar akuzat. Më duhet t'ju them se ky informacion që po ju dërgoj, i është dërguar gjithashtu dhe Departamentit të Drejtësisë, zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Mbrojtjes dhe disa antarëve të Kongresit Amerikan. Gjithashtu, duhet të dini se XXXXXXXXX (dhe mbase dhe ndonjë kompani mediatike e madhe) është duke hetuar shitjen e armëve nga Evropa Lindore (përfshi dhe Shqipërinë) për në Lindjen e Mesme. Artikulli i parë në lidhje me këto hetime u botua në XXXXXXXXXXX. Ju gjithashtu duhet të dini se pavarësisht nga qëllimet e Departamentit të Shtetit, nëse akuzat e këtushme janë të bazuara në fakte, pa asnjë dyshim si publiku shqiptar, ashtu dhe ai amerikan dëshirojnë transparencë të plotë, dhe ç'do zyrtar shqiptar apo amerikan që do merret me hetimin e kësaj çështje duhet ta mbajë këtë në mendje”.