Showing posts with label trafik armesh. Show all posts
Showing posts with label trafik armesh. Show all posts

Sunday, April 13, 2008

25 pyetje për zotin Sali Berisha, në lidhje me Gërdecin dhe trafikun e armëve

Familja Mafioze "Berisha"
Nga Përparim HALILI - Mendojmë se është momenti, që kryeministri i këtij vendi, jo vetëm duhet të hetohet nga drejtësia shqiptare më së fundi për tragjedinë e Gërdecit. Por duhet t’i drejtohen edhe disa pyetje, të cilat shqiptarët i bëjnë përditë me shqetësim dhe me të drejtën e informimit që u mungon, që nuk u jepet nga “kulla” e qeverisë. Me këto pyetje, njerëzit duan të përcjellin kështu, një interesim tepër të madh, që nuk ka lidhje me një qytetar të thjeshtë të kapur me kobure pa leje, por me kryeministrin e vendit, i cili tashmë, gjendet i akuzuar jo vetëm nga media vendase, por dhe nga ajo ndërkombëtare. Ai gjendet tashmë edhe përballë detyrimit ligjor, për t’u hetuar për tragjedinë që nuk u krijua nga tërmeti, nga dalja e Drinit, nga shkarja e rrugës, apo shpërthimi i digës së Liqenit të Tiranës, por nga një aferë e rëndë korruptive, nga një skandal që lidhet me trafikun e armëve dhe me aktivizimin në punë të zezë e vrasëse, të fëmijëve dhe njerëzve të pakualifikuar për operacione speciale ushtarake të rëndësisë së veçantë.
Dhe kjo i ndodhi brenda kabinetit të tij qeverisës.
Pyetjet që po i bëhen përditë kryeministrit Sali Berisha nga qytetarët, kanë lidhje me faktin, që dëshmitë dhe deklaratat e atyre që janë përzierë në këto punë, përmendin edhe emrin e tij dhe të pjesëtarëve të familjes së tij, të afërmve të tij. Këto pyetje shpeshtohen dhe intensifikohen deri në këmbëngulje edhe për faktin, që kryeministri doli në parlament dhe deklaroi, se “nuk kishte asnjë lidhje me këtë aferë korruptive dhe trafik vrasës, që “shkuli nga rrënjët” një fshat, që vrau afro 30 persona, që plagosi 300 të tjerë dhe shkatërroi 3000 shtëpi e 600 biznese. Kryeministrin Berisha e pyesim, sepse në dëshmitë e tij, ai nuk u tregua i sinqertë, kur deklaroi publikisht në tempullin e ligjvënies, se “nuk e kishte dëgjuar asnjëherë, as emrin e fshatit Gërdec”, ku kishte ndodhur kjo tragjedi e rëndë. Ai deklaroi, se “nuk kishte asnjë informacion për rrezikun e ngjarjes që pritej”, ndërkohë që media i publikoi dokumentin dërguar atij, prej Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Kryeministrit i duhen bërë disa pyetje dhe po ia bëjmë 25 të tilla, mbasi ai duhet të jap disa përgjigje të sinqerta, të hapura, fundja edhe të detyrueshme, mbasi ai ka përgjegjësi dhe është personi Kushtetues, që në kohë paqeje kontrollon dhe drejton forcat e armatosura. Ai e anashkaloi edhe këtë detyrim. E mohoi edhe këtë pozicion. Kryeministrit i duhen bërë pyetjet, sepse ai, ende nuk ka dalë të kërkoj falje publike për lejimin e kësaj tragjedie. Atij i duhen bërë këto pyetje, sepse rezultoi në intervistat Trebickës, që djali i tij ka realizuar takime me të, duke biseduar në mënyrë të kundraligjshme për problemin e tregtisë së armëve dhe municioneve.

1. A ka qënë djali juaj Shkëlzen Berisha në Gërdec dhe përse?
2. Cili ka qenë motivi i takimit të fshehtë dhe të porositur i djalit tuaj, me tregtarin e armëve e municioneve, Kosta Trebicka?
3. A ka patur djali juaj lidhje me Ylli Pinarin?
4. A e keni në zyrë, korrespondencën e Shtabit të Përgjithshëm dhe informacionet e SHISH, në lidhje me trafikun, me aferat dhe rrezikun e Gërdecit?
5. A keni biseduar me Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, për këto inforamacione dhe a e keni urdhëruar, të mos futet në këtë problem?
6. Ku dhe kur është takuar djali juaj, me Diverolin?
7. A kishte pjesë fitimi familja juaj, nga aktiviteti i Gërdecit?
8. Sa herë ka shkuar djali juaj në Ministrinë e Mbrojtjes, me cilin dhe cilëve u është imponuar dhe përse?
9. Sa herë është takuar djali juaj me Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, ku dhe çfarë kanë biseduar?
10. A e dinit, apo vërtetë nuk e dinit, që ekzistonte punishtja e Gërdecit?
11. Përse qeshte Delijorgji kur ishte në pranga dhe kujt ia dërgonte atë buzëqeshje nga ekrani i mediave?
12. Po Ylli Pinari, me cilin komunikonte në pranga, duke bërë shenja drejt kamerës televizive?
13. Sa herë keni biseduar me Ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu për Gërdecin dhe për çfarë e ka kërkuar ndërhyrjen tuaj në lidhje me trafikun e armëve?
14. Cili është raporti që ju ka sjellë kreu i bashkisë Vorë në lidhje Gërdecin?
15. Kur dhe ku e keni bërë takimin e fundit me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, për Gërdecin?
16. Kur do të shkoni të dëshmoni në organet e drejtësisë për ngjarjen e Gërdecit?
17. Sa herë keni bërë konflikt me djalin tuaj, në lidhje me shoqërimin publik me Delijorgjin, Pinarin, Trebickën?
18. Cili e autorizoi djalin tuaj, të takohej me Kosta Trebickën për punë “sekret shtetëror”?
19. A jeni atakuar me Topin për deklaratën e Oketës, duke e ngarkuar me përgjegjësi për Gërdecin?
20. A do të dorëzoni në prokurori, dosjen me letrat informuese të Gërdecit?
21. A është djali juaj në Shqipëri? Nëse po, a mund të dilni publikisht me të? Nëse jo, ku e keni nisur dhe përse?
22. A i keni dhënë urdhër Ministrit të Mbrojtjes Oketa, për të ngurosur materialet e tenderëve të trafikut të armëve?
23. A keni dijeni për zhvillimin e këtyre tenderëve dhe a duheshin bërë ato pa dijeninë tuaj si kryeministër?
24. A keni kontaktuar me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe a ka pranuar ai propozimet tuaja?
25. Shqiptarët presin dorëheqjen tuaj. Kur do ta jepni?

Marjan Gryka: PD ndihet e rrezikuar nga Berisha, ka braktisur vlerat e idealizmit politik e nacional


Azem Hajdari
Demokracia shqiptare po përjeton krizën absurde dhe kjo ndodh, për shkak të atyre që kanë bërë dhe po bëjnë politikat e këtij procesi të rëndësishëm për fatet e këtij vendi, zhvillimi social, ekonomik e politik i të cilit, ka qënë peng i izolimit, ndërsa tani i shkatërrimit. Në këtë proces, konstatohen probleme dhe të gjitha këto, na i sjell në vëmendje, zoti Marjan Gryka, President i Shoqatës Mbarëkombëtare Nacionaliste Demokratike “Azem Hajdari”:
Ju drejtoni një shoqatë nacionaliste e politike që ka emrin e heroit të Demokracisë Azem Hajdari. Cili është kontributi i saj?
Kjo shoqatë, u krijua si domosdoshmëri për të përjetësuar dhe vazhduar idealet kombëtare e demokratike të Azem Hajdarit. Akti demokratik i Azem Hajdarit, për instalimin e pluralizmit politik nëpërmjet protestave studentore e më pas si politikan, janë vlera që meritojnë vëmëndje edhe sot, jo thjeshtë si kontribute. Ne i jemi përmbajtur këtij synimi dhe këtyre vlerave, duke mos lejuar askënd, kushdo qoftë në PD dhe jashtë saj, që të cënojë personalitetin e këtij formacioni të madh e të fuqishëm, të krijuar si pjesë integrale e PD, por që tashmë ka “pushtetin” dhe veprimtarin e vet.

Si duhet kuptuar deklarata, që shoqata që drejtoni ju, “ka pushtetin e vet”?
Edhe po të mos e deklaroj ynë këtë fakt, mesazhin e asaj që thashë më lartë e kanë kuptuar prej kohësh gjithë demokratët e ndershëm, gjithë nacionalistët, të gjithë ata që themeluan PD, ata që mbështetën Azem Hajdarin në lëvizjen e tij studentore dhe në veprimtarinë demokratike e nacionaliste, të gjithë ata që i besuan lidershipit të PD, i cili duhet thënë, se nuk e ka përligjur këtë ideal të madh të kësaj figure të madhe. Ne u futëm në “vijën” e demokracisë, me bindjen se do të kishim një shoqëri ndryshe, por në fakt nuk ndodhi kështu. Unë e kam ndjekur për 17 vjet politikën e këtij vendi, kam qënë dhe vazhdoj të jem pjesë aktive e saj, tashmë prej 9 vjetësh, në drejtimin e veprimtarisë së shoqatës “Azem Hajdari”. Jo vetëm unë, por të gjithë ata që kanë orientim idealin e Azemit, ndihen të motivuar për të mos u bërë pjesë e të keqes që ka pllakosur drejtimin politik të PD dhe praktikën qeverisëse të pushtetit të saj. Misioni ynë si drejtues dhe anëtarë të kësaj shoqate, ka pikë takimi vetëm me progresin dhe me idealin e pastër demokratik, duke shpërfillur pa asnjë ndrojtje, ata që e kanë harruar dhe që e kanë braktisur idealin e Azem Hajdarit e që fatkeqësisht ndodhen edhe në kupolën e PD.

A mund të shpjegoni motivimet tuaja, në këtë deklaratë?
Ne jemi një shoqatë që mban emrin e Aem Hajdarit. Krijimi i saj ishte vepër e demokratëve të vërtetë, që kishin besim tek ai, edhe pse u vra Azemi, por nuk u “vra” figura, kontributi dhe idealet e tij, të cilat vetë Azemi, nuk i shkeli asnjëhërë edhe pse u përballë shumë herë, me atë kontingjent ish-komunistësh fanatikë, të cilët edhe pse ishin (dhe janë pjesë e drejtimit të PD), nuk kishin asnjë ideal demokratik e nacionalist, përkundrazi kishin depërtuar brenda saj, si “desantë” të PPSH, për ta shkatërruar demokracinë dhe idealin e Azemit e të të gjithë studentëve dhe shqiptarëve, që përmbysën diktaturën komuniste. Sa për ilustrim, po përmend një merak të përhershëm që kishte Azem Hajdari, pranë të cilit kam qëndruar në çdo sekondë: Lufta për demokracinë dhe nacionalizmin është më e vështirë me këta që na pengojnë nga brenda, sepse kundërshtarët politikë, i njohim dhe dimë të pozicionohemi!

A është aktual ky merak i Azem Hajdarit edhe sot në PD, pra brenda linjës politike?
PO! Ato që ka deklaruar Azem Hajdari në lidhje me pseudodemokracinë dhe pjesën jo demokratike, prokomuniste dhe antishqiptare brenda PD, janë një realitet brenda këtij formacioni politik. Shoqata jonë, ashtu si Azemi është atakuar me këtë “skalion” që ekziston dhe madje drejton në PD. Me këtë shpjegohet edhe fakti, që shoqata që ne krijuam, nuk u prit mirë prej tyre, madje duhet thënë, se u tentua të shkatërrohej, të përbaltej, të mos ekzistonte. Dhe kur mbahet ky qëndrim ndaj një shoqate, që ka emrin e simbolit dhe krenarisë së demokracisë kombëtare, kuptohet që PD dhe lidershipi i saj, nuk e kanë patur “problemin” me emblemën dhe drejtuesit e saj, por me forcën e personalitetit që ka Azem Hajdari edhe pse e ndëshkuan me plumba disa herë, deri sa e vranë. Konfirmojë faktin, që disa herë kemi kërkuar mbështetjen e kreut të PD, zotit Sali Berisha, njeriut që çdo 12 shtator dhe 5 maj, çon lule dhe derdh lotë tek memoriali i Heroit Azem Hajdari. Por çuditërisht, nuk e kemi patur këtë mbështetje. Kjo ka krijuar rezerva, për të cilat edhe pse i është kërkuar shpjegim, ai nuk është shpjeguar asnjëherë. Dhe kjo mendoj, se nuk ka qënë dhe nuk është normale. Ne kur krijuam shoqatën e konceptuam dhe e deklaruam hapur, madje e kemi edhe në statut e në program, se nuk jemi parti paralele me PD, por pjesë integrale, forcë aktive e PD, mbështetës të Berishës, duke mbajtur si orientim idealin e Azemit. Ne e vazhduam dhe po e avzhdojmë këtë rrugë. PD, me sa kuptuam atëherë dhe me sa shohim tani, ka nisur tjetër rrugë dhe kjo është shmangie nga ajo që nisi në dhjetor 1990.

Cili është vlerësimi juaj për Sali berishën e sotëm?
Ne që krijuam PD si idealistë dhe që përmbysëm komunizmin si shqiptarë, që synuam një tjetër jetë me liri të plotë dhe me progres, pranuam që ta kemi Sali Berishën në krye të PD, duke menduar se kemi në krye një intelektual modern e jo një zyrtar politik, i cili në mënyrë graduale, dëshmoi dhe po dëshmon, se nuk po përmbush idealet e asaj lëvizjeje demokratike. Karriera e tij 17 vjeçare në krye të demokratëve, ka shumë “pika” që duhen pastruar. Ne këtë, nuk e arritëm dot në asnjë moment edhe pse kemi bërë presion të hapur e dashamirës për të ndërtuar një PD moderne, të hapur si mendim dhe veprim e jo si “stallë”, për t’u futur e për të përfituar karrieristët, sharlatanët. Ne kërkuam të ndërtonim një PD të demkratëve e jo të komunistëve. Ne kërkuam të kishim një PD pa klane, pa bërryla, pa përjashtime vlerash, pa mendësi komuniste në drejtim, duke iu përmbajtur idealit të Azem Hajdarit dhe të gjithë atyre që u ngritën sinqerisht dhe me sakrifica në dhjetor 1990. Por nuk mundëm dhe tashmë kemi një PD “larmane”, të kthyer në një ekip të ngushtë, që ka cënuar rëndë, madje që ka zhdukur nga përmbajtja e saj idealizmin e dhjetorit 1990, që ka nxjerr jashtë “shtëpie”, ata intelektualë dhe idealistë, që mbartnin dhe përcillnin vlera të shëndosha morale e politike.

A mendoni se duhet rihapur dosja “Hajdari” dhe ku duhet të nis kjo hapje?
Dosja e vrasjes së liderit të demkracisë shqiptare, simbolit të shoqatës tonë, mendoj dhe kam kërkuar në vazhdimësi që të hapet e të hetohet e plotë. Kjo duhet bërë sepse ajo dosje nuk i ka “fletët” e hetimit të bardha. Dhe kjo hapje, mendoj se duhet të nis nga dëshmia e kreut të PD, zotit Sali Berisha, i cili ka deklaruar se do të hap këtë dosje dhe se kur të vinte PD në pushtet, do të dëshmonte deklarimin e vrasësve të vërtetë të tij. tani është koha për këtë.

Cili është komenti juaj për zhvillimet e fundit politike?
Ne dëshirojmë të ketë paqe publike dhe mesa kemi konstatuar dhe provuar në këto 18 vjet demokraci ende në tranzicion, kjo përcaktohet nga politika. Situata aktuale politike në Shqipëri vazhdon të përjetoj një “duel” politik mes palëve, sikur të jenë dy grupe private. Kjo frymë konfliktuale, që herë zbutet dhe herë ashpërsohet, tregon se brenda politikës ka interesa që nuk përputhen plotësisht me interesat kombëtare. Kur flitet për zgjidhje politike, ka debat deri armiqësor mes palëve, ndërsa kur flitet psh, për strehimin, apo minimumin jetik, për pagat dhe pensionet, nuk ndihet askush. Opozita flet disi për të tilla probleme, ndërsa pozita, pra qeveria, vepron me veto.

Cili do të jetë në vazhdim, qëndrimi i shoqatës tuaj në raport me PD dhe me politikën në përgjithësi?
Ne e kemi të përcaktuar qëndrimin tonë si shoqatë. Përballë PD kemi këtë mesazh: të vlerësoj dhe të vazhdojë idealin e Azem Hajdarit. Përballë politikës në përgjithësi, kemi këtë pozicion: Opozitë me të gjithë ata që shkelin këto ideale.


PS: Berisha përgjegjës për kaosin me pronat në bregdet


Kaos Urbanistik ne bregdet
Nënkryetari i grupit parlamentar i partisë Socialiste, Erjon Braçe akuzon kryeministrin si përgjegjës për kaosin që ka përfshirë bregdetin e jugut për shkak të korrupsionit me pronat. “Agjencitë lokale të qeverisë po japin akte pronësie të pavërteta. Rehabilitimi i bregdetit po kthehet në një konflikt qeveri-qytetarë” është shprehur Braçe. “Pra situata është thellësisht kaotike në të gjithë bregun e jugut të vendit, situata është thellësisht joligjore nga e cila janë prodhuar akte pronësie të pambështetura në ligj. Ashtu siç e gjithë kjo situatë e paligjshme që ka si produkt konfliktin social mes njerëzve,pra midis banorëve dhe shtetit dhe pastaj midis banorëve dhe ish- pronarëve është hakmarrja e Sali Berishës për jugun e vendit dhe atë që jugu i vendit vendosi në raport me Sali Berishën në vitin 1997” ka sqaruar Braçe. Sipas tij, kryeministri Berisha po hakmerret ndaj jugut për shkak të ngjarjeve të vitit 1997. “Siç e dini nën veprimin e ligjit 9501 edhe në këtë pjesë të vendit janë shpërndarë tapi të pronësisë mbi tokën. Por pa referencë ligjore, pa dalë ligji ende për zgjidhjen e këtij problemi, shoqërohet edhe me hartat që janë për vendosjen e sipërfaqeve apo parcelave të tokës të dhëna në përdorim, zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ka regjistruar këtë tokë të dhënë në përdorim me një status të përcaktuar sipas ligjit deri tani e këtyre familjeve, e ka regjistruar në emra të tjerë që këta thonë që janë ish- pronarë. Këtu është një tjetër akt i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të pronave që i referohet Gjykatës” tha Braçe. “Për fat të keq, vijoi ai, kjo situatë është rënduar gjatë javës që shkoi, pasi qeveria ka miratuar me anë të një vendimi për çdo rreth sipërfaqe tokash që ata pretendojë që janë të lira, në komuna apo në zona të ndryshme, tashmë duke e rezultuar gamën. Por ne na rezulton që janë këto toka që janë në përdorim, jo vetëm në bregun e detit, bregun jugor të vendit por edhe në rrethe të caktuara, si për shembull unë njoh fare mirë situatën në Berat, ku ka toka të dhëna në përdorim në të cilat janë ndërtuar sera, janë ndërtuar objekte të tjera dhe biznese gjatë këtyre dhjetë viteve. Kështu, do të jetë shumë e vështirë për të transferuar atë që ka qenë në përdorim deri tani tek ajo që do kthehet në pronësi”. “Pra duke konkluduar do të doja t’ju thoja që është një veprimtari thellësisht e pambështetur në ligj. Është një veprimtari që po prodhon një konflikt social të shtrirë në gjithë territorin e vendit dhe jo vetëm në bregun e jugut të vendit. Është një veprimtari që po fut në një konflikt të jashtëzakonshëm social, banorët e zonave që e kanë patur tokën në përdorim prej më shumë se dhjetë vitesh, me shtetin që është pala tjetër që po ndërhyn në këtë proces. Kjo është e gjitha dhe natyrisht që është një moment shumë i mirë reflektimi për parlamentin, në çastin kur ligji për titujt e pronësisë do të kalojë në Kuvendin e Shqipërisë, për të zgjidhur me sa mundet një konflikt që po troket me përmasa shumë të mëdha” pohoi Braçe. Nuk e di së sa do të mundet ligji ta zgjidhë këtë gjë, por kam dyshimin e fortë që ajo situatë që ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve me çështjen e pronave, mosmarrëveshje edhe brenda familjes, do të zgjerohet akoma më tej në rast se këta banorë të këtyre zonave që e kanë patur tokën në përdorim prej dhjetë vitesh, të vihen ë raport të drejtpërdrejtë me të tjerë. Pra tashmë qeveria po i fut në një konflikt të tillë social marramendës” përfundoi Braçe.

Saturday, March 22, 2008

E vërteta e aferës së pistë Shkëlzen Berisha-Kosta Trebicka dhe “Oliver North” në Washington


Në intervistën e Kosta Trebickës të botuar dje në gazetën “Shekulli”, ky i fundit, që nga SHBA, ku gjendet, bënte një tërheqje në akuzat ndaj djalit të kryeministrit Berisha. Kosta Trebicka në intervistën e djeshme i përgjigjej kështu pyetjes për këtë çështje: “Me Shkëlzen Berishën jam takuar, pasi e kam kërkuar unë Shkëlzenin që të takoheshim, pas zërave që qarkulluan. I thashë që emri i tij ishte përdorur në këtë takim, por zoti Shkëlzen më tha që nuk ishte takuar me asnjërin prej personazheve. Aty ndodhi që Shkëlzeni më kërkoi ballafaqim qoftë me Diverolin, qoftë me Aleksin, sepse ishte i sigurt që ishte i pafajshëm.Unë e besova që ishte i pafajshëm dhe nuk i rashë mbas këtij muhabeti”. (cituar sipas: gazeta “Shekulli”, 21 mars 2008, f. 5) Kjo tërheqje e Kosta Trebickës nuk mund të ketë ardhur se ky i fundit është kërcënuar, se ai gjendet në SHBA dhe mund të vihet në mbrojtjen e autoriteteve federale atje, por ka ardhur se si Kosta e ka kuptuar se është më mirë që të ndërpresin luftën e fjalëve, se mund të zbulohen gjëra që të dy palët nuk duan të zbulohen. Se në këtë skandal bëhet fjalë për dy linja të pista tregtie armësh, të cilat kanë dashur të nxjerrin përfitime abuzive nga shuma e akorduar prej Pentagonit, prej 298 milion USD për të blerë municione të ndryshme për forcat e sigurisë së Afganistanit. Sipas njoftimit të dhënë në faqen on-line të Pentagonit në 17 mars 2007, kompanisë AMY, me qendër në Miami Beach, Florida, iu akorduan 48.7 milion USD, si pjesë e kësaj shume, për të blerë municione. Pentagoni sugjeroi Shqipërinë si vendin ku duhej të bliheshin municionet. Në këtë pikë në Shqipëri dhe në drejtim të Shqipërisë krijohen menjëherë dy skema abuzuese. Le t’ i marrim gjërat me radhë, për të shkuar deri tek e vërteta në këtë labirint abuzimesh. Kosta Trebicka, në intervistën e djeshme tek “Shekulli” pyetet: “Zoti Trebicka, cili është roli juaj në kontratën që kompania AEY kishte me MEICO-n për furnizimin me municion të ushtrive aleate në Afganistan”. (cituar sipas: gazeta “Shekulli”, 21 mars 2008, f. 5) Siç e shikoni gazetari i “Shekulli” është krejt injorant për çështjen dhe nuk e di se bëhet fjalë për furnizimin e forcave afgane të sigurisë, siç thuhet dhe në faqen on-line të Pentagonit, dhe jo të forcave të koalicionit ndërkombëtar në Afganistan. Por ajo që na intereson është përgjigja e Kosta Trebickës: “Mua më ka marrë në telefon një përfaqësues i firmës amerikane AEY në fillim të prillit 2007 dhe më thotë që më kishin zgjedhur mua si nënkontraktor për të paketuar materiale, të cilat do të dërgoheshin në Afganistan. Tenderi 300 milion dollarë është fituar në qeverinë amerikane nga BETA, kompani që më pas ia ka dhënë AEY, si nënkontraktore për të blerë municion në vendet e lindjes”. (cituar sipas: gazeta “Shekulli”, 21 mars 2008, f. 5) Pra, porosinë e Pentagonit e merr kompania amerikane “BETA”, së cilës i sugjerohet nga Pentagoni që të blejë municione në Shqipëri. “BETA”, me të marrë pjesën e parë të shumës, 48 milion USD, nuk vjen në Shqipëri që të kontraktojë drejtpërdrejt me qeverinë shqiptare, por shkon në... Miami Beach. Atje “BETA” nënkontrakton kompaninë AEY, që të shërbejë si komisioner për të, për të blerë municione në Shqipëri tek MEICO. Këtu gjërat fillojnë të bëhen të dyshimta. Pse “BETA” nuk kontraktoi direkt me MEICO në Shqipëri, por mori si komisioner AEY Inc? Pse “BETA” po ia jepte një pjesë të parave AEY, kur mund t’ i mbante vetë, duke kontraktuar drejtpërdrejt me MEICO? AEY do të bënte thjesht komisionerin, duke kontraktuar me MEICO për llogari të “BETA”, ndërsa për procesin e punës (nxjerrjen e fishekëve nga arkat dhe ripaketimin) AEY nënkontrakton në Shqipëri kompaninë shqiptare “Joy” të Kosta Trebickës. Pra, “BETA” ka nënkontraktuar AEY vetëm për të hedhur dy firma, një në kontratën me MEICO, dhe një në atë me “JOY”! Para të lehta nuk ka në këtë botë thonë amerikanët, e megjithatë kjo nuk vlen për “BETA”! Nëse do të shikoni faqen on-line të kompanisë “BETA” (http://www.betaco.com/distributors.asp) do të vini re se atje jepet një listë e gjatë e kompanive partnere, mes të cilave dhe AEY, duke u dhënë adresa e faqes në Internet. Por AEY është një nga ato pak kompani që nuk jepet kjo e dhënë, se AEY nuk ka një faqe në Internet. Të dhëna për AEY mund të gjeni në “Essential business information on demand” (http://www.manta.comicoms2/dnbcompany_gdvcjëw). AEY Inc, me pronar Efraim Diveroli, është një kompani e krijuar në vitin 1999, që ka tetë punonjës, ku siç duket përfshihen Diveroli, sekretarja dhe shoferi i tij, e ndonjë tjetër. Kjo kompani ka një xhiro vjetore prej vetëm 630 mijë USD. Është e qartë se AEY Inc është një nga ato kompani-fantazmë që shërbejnë për të bërë punë të pista për llogari të kompanive të tjera. Kuptohet se këtu ka një skemë të pistë, ku “BETA” kërkon ta përdorë AEY si dorezë të pistë. Në anën tjetër është linja abuzuese qeveritare shqiptare Berisha-Mediu, të cilët donin të nxirrnin përfitime të kundraligjshme në këtë çështje. Duke qenë se AEY do t’ u jepte vetëm shumë pak atyre, ata futën në lojë “vëllain siamez” të komisionarit Efraim Diveroli, që ishte Henri Tomei, një zviceran, që për këtë aferë krijoi një kompani fantazmë në Qipro, “Edvin Ltd”, që është motra e denjë e AEY. Me anë të drejtorit të MEICO, Pinari, Berisha dhe Mediu i kërkuan Diveroli-t të AEY, që të kontraktonte jo drejtpërdrejt me MEICO, por me “Edvin LTD”, që paraqitej si komisioner i MEICO, duke kërkuar një çmim dy herë më të lartë, se ç’ ishte gati të paguante Diveroli. Por dy “Diveroli” nuk mund të kishte në këtë lojë, se prishej skema, dhe nuk mbetej gjë për komisionerin Diveroli, madje gjërat shkonin më për dreq se nuk mbetej gjë as për atë “Oliver North” (Oliver North ishte zyrtari i Pentagonit përgjegjës për skandalin e shitjes së armëve, Irangate), zyrtarin në Pentagon, që i kishte dhënë kompanisë “BETA” kontratën fitimprurëse. Diveroli-t donin t’ ia hidhnin në fushën e lojës së pistë ku ai e mbante veten për mjeshtër, dhe ku se, në Shqipërinë e humbur! Prandaj Diveroli u tërbua shumë nga kjo gjë, siç del nga bisedat telefonike të përgjuara. Berisha dhe Mediu e dinin që po sfidonin një skemë abuzuese që shkonte deri në Pentagon, por ata nuk shqetësoheshin, se kishin “Oliver North” të tyre në Washington, që do ta paguanin me paratë e siguruara nga futja në lojë e “Edvin LTD”. Kështu që u përplasën dy linja mafioze. Nga të dy linjat, dy njerëzit që u përplasën publikisht janë Kosta Trebicka dhe Shkëlzen Berisha. Kosta Trebicka duke e ditur se kush i lëvizte fijet, mori kontakt me djalin e kryeministrit, për t’ i kërkuar që të tërhiqte nga loja kompaninë “Edvin LTD”, pas të cilës, sipas informatave që kishte Kosta Trebicka qëndronte Shkëlzen Berisha. Kosta Trebicka duhet të kishte informata të sakta, se në bisedën e përgjuar ai i thotë Diveroli-t vitin e kaluar: “Ka shumë mundësi që unë do të thërritem në Washington DC nga njerëzit e CIA-s dhe miqtë e mi atje. Dy javë nga tani unë do të vij në Florida që të takohem me ty e të diskutojmë marrëveshjet e tjera”. (cituar sipas: gazeta “Shekulli”, 20 mars 2008, f. 3) Kosta Trebicka është një njeri shumë interesant se ai ka qenë drejtor i Anglo-Adriatica, një nga kompanitë që operonte njëlloj si firmat piramidale deri në vitin 1997, dhe që ishte në fakt një kompani grekësh, që është një nga ato që grabiti shqiptarët. Kur Trebicka thotë se është njeriu i CIA, kjo ngre një tjetër pikëpyetje për CIA-n për ngjarjet e vitit 1997, kur atëherë në CIA ishte nr. 2 greko-amerikani George Tenet. Nëse CIA ka vazhduar të punojë deri më sot me njerëz si Trebicka, kjo është një shenjë e influencës greke që ka lënë në CIA George Tenet. Me atë që tha Trebicka del se dhe njerëz të CIA janë implikuar në aferën e pistë të përqëndruar rreth Diveroli. Gjërat bëhen më të dyshimta se Diveroli pohon në bisedat e përgjuara se ka interesa të mëdha dhe në Serbi: “Për momentin unë kam një marrëveshje shumë të mirë në Serbi për të cilën mund të kem nevojë për ca financime”. (cituar sipas: gazeta “Shekulli”, 20 mars 2008, f. 3) Edhe më e dyshimtë bëhet kjo aferë e pistë, kur konsiderohet ajo që deklaron Kosta Trebicka në intervistën e djeshme për gazetën “Shekulli”: “Pinari e merr zotin Diveroli nga aeroporti bashkë me përfaqësuesin e AEY-së në Tiranë, Aleks... njëkohësisht punonjës i forcave aleate të NATO-s”. (cituar sipas: gazeta “Shekulli”, 21 mars 2008, f. 5) Ç’ është ky punonjës i NATO në Tiranë me emrin Aleks që bën dhe përfaqësuesin e një kompanie private komisioneve, aq më tepër si ajo e Diveroli? I bie që ky Aleksi të jetë një nga tetë punëtorët e Diveroli. Sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave të vendeve të NATO, ky Aleksi po vepron në shpërdorim të detyrës. Rreth këtij njeriu duhet hetuar, se është ai që e urdhëronte Diveroli-n se ç’ duhet të bënte, sipas atyre që tregon Trebicka, i cili thotë në intervistë: “Zotin Diveroli e çojnë në një apartament së bashku me Aleksin, ku Pinari u prezanton Delijorgjin dhe një person tjetër të moshës 27-30 vjeçare. Këta të dy u prezantuan si shefa të Pinarit dhe i kërkuan Diverolit të firmoste një kontratë direkte me MEICO-n dhe tani e tutje, të gjitha materialet do të shiteshin me çmimin 26 dollarë për 1000 copë fishekë, ndërsa çmimi tjetër prej 14 dollarësh do t’ i paguhej kompanisë së Delijorgjit, në mënyrë që të plotësohej totali i 40 dollarëve, të cilat AEY-së po i merreshin nëpërmjet EDVIN... Pikërisht mbas kësaj, kur zoti Diveroli dhe zoti Aleks ishin në zyrat e Delijorgjit, atëherë Aleks, që e njihte Delijorgjin, nuk e lejon zotin Diveroli që të firmosë një kontratë të tillë mafioze dhe nga arsyetimet që do të vinin një ditë, sepse natyrshëm u frikësuan”. (cituar sipas: gazeta “Shekulli”, 21 mars 2008, f. 5) Pra, ai që vendoste ishte ky funksionari i NATO, Aleksi. Diveroli ishte kukull e komanduar nga ky Aleksi, që duket qartë se vepronte për llogari të “Oliver North” të kësaj historie. Tek “Oliver North” i kësaj historie mund të arrihet me anë të këtij Aleksit. Aleksi nuk e ndihmoi dot Diveroli-n se më i fortë doli “Aleksi” tjetër, miku i Shkëlzen Berishës, që mbështeste skemën abuzuese Berisha-Mediu, “Aleksi”që rrinte në hije, dhe i jepte kurajë Berishës dhe Mediut. Në Irangate, veç trafikut të armëve doli dhe ai i drogës. Edhe në këtë aferë trafiku i drogës duhet të ketë qenë pjesë e saj, se Afganistani është një prodhues i madh i drogës, dhe se nuk kishte arsye përse “BETA” të merrte nënkontraktorë si Diveroli për të bërë blerjen e municioneve për Afganistanin. Avionët apo anijet që do të çonin municionet në Afganistan në kthim do të ngarkoheshin me drogë. Por deri këtu mund të shkojë vetëm hetimi i FBI.


Morgu i Tiranës i mbushur me “copa” njerëzish, Berisha fsheh numrin e viktimave




Edhe dje, në Gërdec ka patur shumë tension. Ata që kanë mbetur gjallë, nuk kanë rreshtur së këmbënguluri, për të gjetur trupat e vrarë, të djegur e të copëtuar pas shpërthimit në fabrikën vrasëse. Mirëpo kjo zonë, tashmë e “mbjellë” me predha dhe me trupa njerëzish është një zonë e militarizuar edhe nga forcat e policisë së shtetit, të ushtrisë, të SHISH, të SHIU dhe të “kalecëve” të shumtë, që ka instaluar aty, pushteti i Berishës, për të mos lejuar, që banorët dhe mediat, të zbulojnë të vërtetën e kësaj tragjedie makabre, të shkaktuar pikërisht, nga klanet mafioze të dirigjuara nga njerëzit e qeverisë dhe të pushtetit.Ne ishim dje në Gërdec. Por edhe pse tentuam të futemi brenda zonës së “krimit”, policia nuk na lejoji, duke e motivuar këtë bllokim, me faktin që “gjoja po bënë sistemim-pastrimin e zonës nga predhat”. Në fakt, ndalesa për mediat, të cilat nuk janë pjesë e qeverisë dhe klaneve mafioze që shkaktuan këtë tragjedi, nuk lejohen, mbasi nuk duhet të jenë prezent në nxjerrjen e kufomave të bërë copa-copa prej shpërthimit. Mediat e cilësuara nga Berisha, si “armike të pushtetit”, nuk duhet të futen në këtë zonë, mbasi nuk duhet të konstatojnë asnjë fakt dhe dokument, apo dëshmi për zonën e krimit të shkaktuar edhe prej ortakllëkut dhe heshtjes së krerëve të pushtetit, ku dy kokat kryesore janë kryeministri Berisha dhe ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Gërdeci, “kriza” e madhe e Berishës
Tashmë kuptohet qartë, që Gërdeci është një siklet i madh dhe i pakalueshëm lehtë për kreun e qeverisë shqiptare, njeriun e mirënjohur për tragjedi të tilla. Nëse ministri i mbrojtjes, Mediu dha dorëheqjen, Berisha nuk po largohet, duke u prezantuar si mbrojtës i hapur i krimit të ndodhur në këtë zonë, pikërisht prej aferave korruptive, që klanet, ministrat dhe i biri i tij “biznesmen”, shkaktuan kundër një zone, banorët e të cilës, punonin për të ushqyer fëmijët, madje duke aktivizuar në asgjësimin e predhave dhe fëmijët e tyre të mitur.
Qeveria dhe personalisht bashkëpunëtori i dukshëm në këtë krim, zoti Berisha, tashmë i konfirmuar si mbështetës i rrjetit të trafikut të armëve dhe vazhdues i këtij trafiku të nisur dhe “implementuar” prej ish-ministrit të mbërritjes Pandeli Majko, për të kaluar këtë krizë të madhe, deklaron, se do të shpërblejë familjet me nga 2 milione lekë pr shtëpitë e dëmtuara! Dakort zoti kryeministër vrasës! Po jetët e njerëze të pafajshëm, me se do t’i shpërbleni. Po trupat e copëtuar të fëmijëve të mitur, që punonin në predha, si do t’ua riktheni familjeve? Këto pyetje kanë përgjigje dhe këto përgjigje lidhen me realitetin, që krimi nisi dhe përfundoi me korrupsionin, me trafikun e armëve dhe me nepsin e babëzinë tuaj të përbashkët, si klan mafioz për të përfituar miliona dollarë nga shitja e armëve dhe nga tregu i zi dhe i pisët e skrapit të municioneve.

Morgu i Tiranës, “magazinë” trupash, kockash dhe gjymtyrësh të viktimave të Gërdecit
Edhe pse Berisha dhe pushteti i tij, tashëm i tejlodhur dhe i tejndotur nga korruspini dhe aferat e pista deri me shkaktim krimesh njerëzore, mundohet, ta minimizoj tragjedinë njerëzore të Gërdecit, kjo nuk është e mundur të ndodh. Dollapët frigoriferikë të morgut të Tiranës, “flasin” për shtim të viktimave. Qeveria e Berishës, kjo klikë vrasëse, ka vendosur që edhe masën e tragjedisë ta maskojë. Vetë Berisha, ka dhënë urdhër të mos jepet asnjë informacion mbi numrin e viktimave që nxirren përditë prej rënojave të zjarrta të fabrikës vrasëse.
Edhe pse qeveria, deklaron, se janë vetëm 17 viktima, realiteti tregon, se numri i tyre është shumë i madh. Sipas burimeve nga pushteti lokal, në Gërdec dhe zonën përreth, mungojnë afro 200 persona. Dje, sipas një informacioni të ardhur në redaksi, mësuam se në morgun e Tiranës, kishin mbërritur edhe 21 trupa të tjerë të përgjysmuar, të cilët nuk mund të identifikoheshin, por që ishin nxjerr nga krateri “Berisha-Mediu-Delijorgji” dhe ishin paketuar në qese të zeza palstmasi.
Ne shkuam dje në orën 18.00, në morgun e Tiranës, për të verifikuar të vërtetën e lajmit të mbushjes së këtij morgu me trupa njerëzish, me copa gjymtyrësh dhe me kocka të “pjekura”. Ky morg ishte i rrethuar nga forca speciale, nga makina policie, nga një psotobllok i pakalueshëm dhe nga një bllokazh informacioni. Por ne mundëm, të hyjmë brenda tij dhe zhvilluam një bisedë me “menaxhuesit” dhe drejtuesit e këtij morgu, të cilën po e përcjellim të plotë:

Kanë ardhur sot në morg viktima të Gërdecit?
Polici i objektit: Jo nuk ka ardhur asnjë kufomë deri tani, unë në orën 2 kam filluar turnin dhe deri tani, nuk ka ardhur asnjë kufomë.
Nuk ka ardhur asnjë?
Polici: Jo asnjë!
Po, a mund të hyjmë brenda?
Polici: Nuk ka njeri.

Ndërkohë kur ai u fut brenda në morg, u kujtua se ishte drejtori, me të cilin u takuam
Kanë sjellë kufoma sot në morg?

Fjala e drejtorit: Deri tani, nga 4 viktima, vetëm njëri nuk është identifikuar ende?
Sot kanë ardhur disa copa te veçnata njerëzish, por nuk mund t’i saktësojmë, nëse janë këta kufoma apo pjesë të mbetura. Një pjesë këmbe, dore. Kanë ardhur pjesë pjesë. Dhe nuk bëhet dot identifikimi, pasi është shumë e vështirë.

Thonë që kanë vdekur mbi 100 persona?
Nuk e dimë. Por mendohet se ata që kanë sjellë sot, mund të jenë të fundit?

Qeveria deklaron 3 viktima të tjera
Departamenti i Informacionit pranë Këshillit të Ministrave bëri të ditur sot se "janë identifikuar trupat e tre viktimave të ngjarjes së Gërdecit. Përfundoi analizimi i materialeve për identifikimin e trupave ende të paidentifikuara pas tragjedisë së Gërdecit. Nga analizat e ADN-së të bëra në Qendrën e Diagnostikimit Molekular pranë Qendrës Spitalore Universitare është arritur të identifikohen trupat e tre viktimave, të cilat janë: Endri Dvorani, Arben Hasa, Zelie Caka. Vazhdojnë përpjekjet për identifikimin e tre trupave të tjerë", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit pranë Kryeministrisë.